Një Lutje drejtuar Motrave të Mia
Ne kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj.
Të dashur Pleqtë Rasband, Stivenson dhe Renland, ne, Vëllezërit tuaj, ju mirëpresim në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Ne e falënderojmë Perëndinë për zbulesat që Ai ia jep profetit të Tij, Presidentit Tomas S. Monson.
Vëllezër e motra, kur u takuam në konferencën e përgjithshme gjashtë muaj më parë, askush nga ne nuk i priste ndryshimet e ardhshme që do ta preknin thellësisht zemrën e gjithkujt në Kishë. Plaku L. Tom Peri dha një mesazh të fuqishëm rreth rolit të pazëvendësueshëm që martesa dhe familja zënë në planin e Zotit. Ne u befasuam kur vetëm pak ditë më vonë, mësuam për kancerin që shpejt do ta merrte atë prej nesh.
Edhe pse shëndeti i Presidentit Bojd K. Paker kishte qenë në rënie, ai vazhdoi me vendosmërinë “e një ushtari” në punën e Zotit. Ai ishte i dobët fizikisht prillin e kaluar, prapëseprapë ishte i vendosur ta shpallte dëshminë e tij për aq kohë sa merrte frymë. Më pas, vetëm 34 ditë pasi ndërroi jetë Plaku Peri, edhe Presidenti Paker i hodhi hapat përmes velit.
Plaku Riçard G. Skot na mungoi në konferencën tonë të fundit të përgjithshme, por ne kemi menduar mbi dëshminë e fuqishme për Shpëtimtarin që ai e kishte dhënë në shumë konferenca të mëparshme. Dhe vetëm 12 ditë më parë, Plaku Skot u thirr në shtëpi dhe u bashkua sërish me Xheninën e tij të dashur.
Unë pata privilegjin të isha me të gjithë këta Vëllezër gjatë ditëve të tyre të fundit, duke përfshirë takimin me anëtarët më të afërt të familjeve të Presidentit Paker dhe Plakut Skot pikërisht përpara se ata të ndërronin jetë. Ka qenë e vështirë për mua të besoj se këta tre miq të shtrenjtë, këta shërbëtorë të madhërishëm të Zotit, na kanë lënë. Më mungojnë më shumë nga sa mund ta shpreh.
Teksa kam menduar për këtë kthesë të papritur të ngjarjeve, një nga mbresat që ka mbetur me mua, është ajo që vëzhgova te këto bashkëshorte që janë ende gjallë. Të ngulitura në mendjen time janë pamjet e qeta të Motrës Dona Smith Paker dhe Motrës Barbara Dejtën Peri pranë shtretërve të bashkëshortëve të tyre, që të dyja gra të mbushura me dashuri, me të vërtetën dhe besimin e kulluar.
Teksa Motra Paker qëndronte e ulur pranë bashkëshortit të saj në orët e tij të fundit, ajo rrezatonte atë paqe që ia tejkalon çdo zgjuarsie. Edhe pse e kuptoi që shoqëruesi i saj i dashur, për pothuajse 70 vjet, shpejt do të ndërronte jetë, ajo tregoi qetësinë e një gruaje të mbushur me besim. Ajo dukej engjëllore, sikurse ishte në këtë fotografi të tyre në përkushtimin e Tempullit të Brigam-Sitit në Juta.
Pashë po atë lloj dashurie dhe besimi të shfaqeshin nga Motra Peri. Përkushtimi i saj si ndaj bashkëshortit të saj ashtu edhe Zotit ishte i dukshëm dhe më preku thellësisht.
Përgjatë orëve të fundit të bashkëshortëve të tyre dhe duke vazhduar deri në ditën e sotme, këto gra të paepura kanë treguar forcën dhe kurajën që tregojnë gjithmonë gratë që mbajnë besëlidhjet. Do të ishte e pamundur të matej ndikimi që kanë gra të tilla, jo vetëm mbi familjet, por gjithashtu mbi Kishën e Zotit, si bashkëshorte, nëna dhe gjyshe; si motra dhe si teto; si mësuese dhe udhëheqëse; dhe veçanërisht si shembuj dhe si mbrojtëse të devotshme të besimit.
Kjo ka qenë e vërtetë në çdo periudhë ungjillore, që nga koha e Adamit dhe Evës. Prapëseprapë, gratë e kësaj periudhe ungjillore dallohen nga gratë e çfarëdo periudhe tjetër, sepse kjo periudhë është e dallueshme nga çdo periudhë tjetër ungjillore. Ky dallim sjell si privilegje ashtu edhe përgjegjësi.
Tridhjetë e gjashtë vjet më parë, në vitin 1979, Presidenti Spenser W. Kimball bëri një profeci të madhërishme rreth ndikimit që gratë, të cilat i mbanin besëlidhjet, do të kishin mbi të ardhmen e Kishës së Zotit. Ai profetizoi: “Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë ngaqë shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë në atë masë që gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi dhe qartësi shprehjeje në jetën e tyre dhe në atë masë që gratë e Kishës shihen si të veçanta e të ndryshme – në mënyra të lumtura – nga gratë e botës.”
Motrat e mia të dashura, ju që jeni bashkëpunëtoret tona jetike gjatë kësaj skene që po shpaloset, dita të cilën e parashikoi Presidenti Kimball, është sot. Ju jeni gratë që ai parashikoi! Virtyti, drita, dashuria, dituria, guximi, karakteri, besimi dhe jeta juaj e drejtë do të tërheqin gra të mira nga bota, së bashku me familjet e tyre, drejt Kishës në përmasa të pashembullta!
Ne, vëllezërit tuaj, kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj. Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia!
Presidenti Paker shpalli:
“Na duhen gra që janë të organizuara dhe gra që mund të organizojnë. Na duhen gra me aftësi udhëheqjeje që mund të planifikojnë, drejtojnë dhe administrojnë; gra që mund të japin mësim, gra që mund të flasin me guxim. …
Na duhen gra me dhuratën e dallimit, të cilat mund t’i shquajnë prirjet e botës dhe t’i dallojnë ato prirje që, sado të shumënjohura, janë të cekëta ose të rrezikshme.”
Sot, më lejoni të shtoj se na duhen gra, të cilat e dinë se si t’i bëjnë të ndodhin gjëra të rëndësishme me anë të besimit të tyre dhe të cilat janë mbrojtëse plot kurajë të moralit dhe familjeve në një botë që dergjet në mëkat. Na duhen gra që janë të përkushtuara ndaj udhërrëfimit të fëmijëve të Perëndisë përgjatë shtegut të besëlidhjes drejt ekzaltimit; gra që dinë se si të marrin zbulesë vetjake, që e kuptojnë fuqinë dhe paqen e dhurimit [indaumentit] të tempullit; gra që dinë se si t’u bëjnë thirrje fuqive të qiellit për të mbrojtur e forcuar fëmijët dhe familjet; gra që japin mësim pa druajtje.
Gjatë gjithë jetës sime, kam qenë i bekuar nga gra të tilla. Bashkëshortja ime që ka vdekur, Denzeli, ishte një grua e tillë. Gjithmonë do të jem mirënjohës për ndikimin jetëndryshues që ajo pati mbi mua në të gjitha fushat e jetës sime, duke përfshirë përpjekjet e mia pioniere në teknikat e operacioneve të zemrës.
Pesëdhjetë e tetë vjet më parë m’u kërkua të operoja një vajzë të vogël, të sëmurë rëndë nga një sëmundje e zemrës që nga lindja. Vëllai i saj i madh kishte vdekur më parë nga një gjendje e ngjashme. Prindërit e saj u përgjëruan për ndihmë. Nuk isha optimist për rezultatin, por u betova të bëja gjithçka që e kisha brenda fuqisë sime për ta shpëtuar jetën e saj. Pavarësisht nga përpjekjet e mia më të mira, fëmija vdiq. Më vonë, të njëjtët prindër më sollën një bijë tjetër, në atë kohë vetëm 16-muajshe, gjithashtu e lindur me një zemër të keqformuar. Përsëri, me kërkesën e tyre, kreva një operacion. Edhe ky fëmijë vdiq. Kjo humbje e tretë zemërndrydhëse në të njëjtën familje më tronditi vërtet.
Shkova në shtëpi shumë i pikëlluar. U shtriva në dyshemenë e dhomës së ndenjes dhe vajtova gjithë natën. Denzeli qëndroi pranë meje, duke dëgjuar teksa unë thoja në mënyrë të përsëritur se kurrë nuk do të kryeja një operacion tjetër të zemrës. Më pas, rreth orës 05:00 të mëngjesit, Denzeli më vështroi dhe me dashuri pyeti: “Mbarove së qari? Atëherë vishu. Kthehu në spital. Shko të punosh! Ke nevojë të mësosh më shumë. Nëse heq dorë tani, të tjerëve do t’iu duhet të mësojnë në mënyrë të dhembshme atë që ti tashmë e di.”
O, sa më duhej largpamësia, vendosmëria dhe dashuria e bashkëshortes sime! Iu ktheva sërish punës dhe mësova më shumë. Nëse nuk do të kishte qenë për shtytjen frymëzuese të Denzelit, unë nuk do ta kisha vazhduar më kirurgjinë e zemrës dhe nuk do të kisha qenë i përgatitur për të bërë në vitin 1972 operacionin që i shpëtoi jetën Presidentit Spenser W. Kimball.
Motra, a e kuptoni gjerësinë dhe qëllimin e ndikimit tuaj kur flisni ato gjëra që ju vijnë në zemrën dhe në mendjen tuaj sikurse drejtoheni nga Shpirti? Një president kunji i shkëlqyer më tregoi për një mbledhje të këshillit të kunjit, në të cilën ata po ndesheshin me një sfidë të vështirë. Në një çast, ai e kuptoi se presidentja e Fillores së kunjit nuk kishte folur, prandaj e pyeti nëse ajo kishte ndonjë mbresë. “Epo, në të vërtetë kam”, tha ajo dhe më pas vazhdoi të fliste për një mendim që e ndryshoi të gjithë drejtimin e mbledhjes. Presidenti i kunjit vazhdoi: “Teksa ajo fliste, Shpirti më dëshmoi se ajo e kishte shprehur zbulesën që ne kishim qenë duke e kërkuar si këshill”.
Motrat e mia të dashura, cilado qoftë thirrja juaj, cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ne kemi nevojë për mbresat tuaja, pikëpamjet tuaja dhe frymëzimin tuaj. Ne kemi nevojë që ju të flisni me guxim dhe haptazi në këshillat e lagjeve dhe të kunjeve. Ne kemi nevojë që çdo motër e martuar të flasë si “një bashkëpjesëmarrëse frytdhënëse dhe e plotë” teksa bashkoheni me bashkëshortin tuaj në qeverisjen e familjes suaj. Të martuara ose të pamartuara, ju motra zotëroni aftësi të dallueshme dhe intuitë të veçantë që i keni marrë si dhunti nga Perëndia. Ne, vëllezërit, nuk mund ta kopjojmë ndikimin tuaj të pashoq.
Ne e dimë se veprimi kulmor i gjithë krijimit ishte krijimi i gruas! Na duhet forca juaj!
Sulmet kundër Kishës, doktrinës së saj dhe mënyrës sonë të jetës do të shtohen. Për shkak të kësaj, na duhen gra të cilat kanë një kuptueshmëri të patundur të doktrinës së Krishtit dhe të cilat do ta përdorin atë kuptueshmëri që të japin mësim dhe të ndihmojnë në rritjen e një brezi që i bën ballë mëkatit. Na duhen gra të cilat mund ta dallojnë mashtrimin në të gjitha format e tij. Na duhen gra që e dinë se si ta përdorin fuqinë që Perëndia e vë në dispozicion të mbajtësve të besëlidhjeve dhe të cilat i shprehin bindjet e tyre me vetëbesim dhe dashuri hyjnore. Na duhen gra të cilat kanë guximin dhe largpamësinë e Nënës Evë.
Motrat e mia të dashura, asgjë nuk është më jetike për jetën tuaj të përjetshme sesa vetë kthimi juaj në besim. Janë motrat e kthyera në besim, që i mbajnë besëlidhjet – si bashkëshortja ime e dashur, Uendi – jeta e drejtë e të cilave do të bjerë në sy gjithnjë e më shumë në një botë që po përkeqësohet dhe të cilat si rrjedhim do të shihen si të ndryshme dhe të veçanta në mënyrat më të lumtura.
Prandaj sot unë iu lutem motrave të mia të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të bëjnë një hap përpara! Zëreni vendin tuaj të ligjshëm dhe të nevojshëm në shtëpinë tuaj, në komunitetin tuaj dhe në mbretërinë e Perëndisë – më shumë sesa e keni zënë ndonjëherë më parë. Unë ju lutem që ta përmbushni profecinë e Presidentit Kimball. Dhe ju premtoj në emrin e Jezu Krishtit, se kur ta bëni këtë, Fryma e Shenjtë do ta lartësojë ndikimin tuaj në një mënyrë të pashembullt!
Ju jap dëshmi për realitetin e Zotit Jezu Krisht dhe të fuqisë së Tij shëlbuese, shlyese dhe shenjtëruese. Dhe si një nga Apostujt e Tij, ju falënderoj, motrat e mia të dashura, dhe ju bekoj që të lartësoheni në përmasën tuaj të plotë, ta përmbushni masën e krijimit tuaj, teksa ecim krah për krah në këtë punë të shenjtë. Së bashku ne do të ndihmojmë që ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Zotit. Për këtë unë dëshmoj, si vëllai juaj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.