2010–2019
Se Gjithmonë e Kujtojnë Atë
Tetor 2015


10:46

Se Gjithmonë e Kujtojnë Atë

Më pëlqen pa masë ta studioj dhe të përsiat për jetën e Atij që dha gjithçka për mua dhe për të gjithë ne.

Më pëlqen shumë kënga e Fillores që thotë:

Tregom’ ngjarjet e Jezusit që i dua,

Gjërat që do t’i kërkoja po t’ishte pran’.

Ngjarjet buz’ rrugës dhe pran’ detit,

Më trego ngjarjet e Jezusit.

Unë besoj se fillimi i një tradite të tregimit të historive të Jezusit fëmijëve dhe familjeve tona është një mënyrë tejet e veçantë për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë në shtëpitë tona.

Kjo me siguri do të sjellë një shpirt të veçantë në shtëpinë tonë dhe do t’i japë familjes sonë shembuj nga Vetë Shpëtimtari.

Më pëlqen pa masë ta studioj dhe të përsiat për jetën e Atij që dha gjithçka për mua dhe për të gjithë ne.

E adhuroj të lexoj fragmente nga shkrimet e shenjta rreth jetës së Tij të pamëkatë dhe, pasi t’i lexoj shkrimet e shenjta që më tregojnë rreth ngjarjeve që përjetoi Ai, të mbyll sytë dhe të përpiqem t’i përfytyroj ato çaste të shenjta që më mësojnë dhe forcojnë shpirtërisht.

Çaste të tilla janë:

  • Kur Ai përshtyu në tokë dhe, duke bërë baltë me pështymë, leu sytë e të verbrit dhe i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit”. Dhe burri u bind, “u la dhe u kthye duke parë”.

  • Kur Ai shëroi gruan e cila kishte fluks gjaku dhe kishte prekur cepin e rrobës së Tij, duke besuar se thjesht duke e prekur Atë ajo do të shërohej.

  • Kur Ai iu shfaq dishepujve të Tij, duke ecur mbi det.

  • Kur Ai shkoi me dishepujt rrugës për në Emaus dhe e zgjeroi kuptimin e tyre për shkrimet e shenjta.

  • Kur Ai iu shfaq njerëzve në kontinentin amerikan dhe u tha atyre që të vinin tek Ai dhe t’i vinin duart e tyre në anën e Tij, dhe të ndienin gjurmët e gozhdëve në duart e Tij dhe në këmbët e Tij, që ata të mund ta dinin se Ai ishte “Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se [ishte] vra[rë] për mëkatet e botës”.

Unë gëzohem që e di se ka prindër që ua tregojnë fëmijëve të tyre historitë e Krishtit. E vë re këtë teksa shoh fëmijët në Kishë në programet e Fillores dhe në raste të tjera.

Jam mirënjohës për prindërit e mi që më kanë mësuar për Krishtin. Vazhdoj të shoh se si shembulli i Shpëtimtarit e ndihmon bashkëshorten time të dashur dhe mua kur u japim mësim vetë fëmijëve tanë.

Zemra ime mbushet me gëzim kur i shoh fëmijët e mi t’ua tregojnë historitë e Krishtit nipërve e mbesave të mia. Kjo më kujton një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera, që gjendet te 3 Gjoni kapitulli 1, vargu 4, ku thuhet: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën”. Dhe pse jo edhe nipërit dhe mbesat tona?

Jam mirënjohës për udhëheqësit tanë, të cilët vazhdimisht na mësojnë për Krishtin, për mbajtjen e ditës së Shabatit të shenjtë dhe për marrjen e sakramentit çdo të diel në nderim të Shpëtimtarit.

Shabati dhe sakramenti bëhen shumë më të gëzueshëm kur i studiojmë historitë e Krishtit. Duke e bërë këtë, ne krijojmë tradita që e ndërtojnë besimin dhe dëshminë tonë dhe gjithashtu e mbrojnë familjen tonë.

Disa javë më parë, ndërsa po e studioja sërish mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson, të dhënë në konferencën e përgjithshme të kaluar, dhe teksa po përsiatja mbi ditën e Shabatit, ndjeva një mirënjohje të thellë për bekimin dhe privilegjin e të qenit në gjendje për ta marrë sakramentin. Për mua, ai është një çast shumë solemn, i shenjtë dhe shpirtëror. Kënaqem shumë në mbledhjen e sakramentit.

Ndërsa përsiata, me kujdes studiova bekimet e bukës dhe të ujit. I lexova dhe meditova thellësisht mbi lutjet dhe ordinancën e sakramentit. Fillova të rishikoja në mendjen e në zemrën time ngjarjet që lidhen me të.

Me frymën e meditimit, reflektova rreth asaj dite, ditës së parë të festës së bukës së ndorme, kur Jezusi, në përgjigje të pyetjes së dishepujve të Vet rreth vendit se ku të përgatitej Pashka, iu përgjigj atyre duke thënë: “Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: ‘Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi’”.

U përpoqa t’i përfytyroja dishepujt duke blerë ushqim dhe duke e përgatitur me kujdes tavolinën për të ngrënë me Të në atë ditë të veçantë: një tavolinë për 13 persona, Atë dhe dymbëdhjetë dishepujt e Tij, të cilët Ai i donte.

Qava ndërsa e përfytyrova Krishtin duke ngrënë me ta dhe duke shpallur: “Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë”.

Mendova për dishepujt e brengosur duke e pyetur Atë: “Mos jam unë; Zot?”

Dhe kur Juda i bëri po atë pyetje, Ai iu përgjigj qetësisht: “Ti po thua”.

Unë mund t’i përfytyroja duart që ishin shëruar, ngushëlluar, lartësuar dhe bekuar, duke thyer bukën ndërsa Jezusi tha: “Merrni, hani; ky është trupi im”.

Më pas mori një kupë të mbushur me verë, falënderoi dhe ia dha kupën atyre, duke thënë: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve”.

Në mendjen time i pashë dishepujt një e nga një dhe në sytë e tyre pashë shqetësimin e tyre për Mësuesin, të cilin e donin jashtë mase. Ishte sikur unë të isha ulur atje me ta, duke parë gjithçka. Ndjeva një dhembje të fortë në zemër, plot hidhërim e pikëllim për atë që Ai duhej të përjetonte për mua.

Shpirti im u mbush nga një dëshirë kapluese për të qenë një person më i mirë. Nëpërmjet pendimit dhe pikëllimit, dëshirova me zjarr të isha në gjendje ta thaja dhe ta shmangia rënien e të paktën disa pikave të gjakut të Tij të derdhur në Gjetseman.

Më pas përsiata rreth sakramentit që marrim çdo javë në kujtim të Tij. Ndërkohë që e bëja këtë, meditova mbi çdo fjalë të bekimeve të bukës dhe ujit. Reflektova thellësisht rreth fjalëve “dhe gjithmonë ta kujtojnë atë” në bekimin e bukës dhe “se gjithmonë e kujtojnë atë” në bekimin e ujit.

Meditova mbi atë se çka do të thotë që gjithmonë ta kujtojmë Atë.

Për mua do të thotë:

  • Të kujtoj jetën e Tij para lindjes, kur ky planet i bukur u krijua prej Tij.

  • Të kujtoj lindjen e Tij të përulur në një govatë në Bethlehem të Judesë.

  • Të kujtoj kohën kur, edhe kur ishte një djalë 12-vjeçar, Ai dha mësim dhe u predikoi mësuesve fetarë në tempull.

  • Të kujtoj kohën kur Ai u tërhoq mënjanë në fshehtësi në shkretëtirë për t’u përgatitur për shërbesën e Tij të vdekshme.

  • Të kujtoj kohën kur Ai u shpërfytyrua përpara dishepujve të Vet.

  • Të kujtoj kohën kur Ai krijoi sakramentin në Darkën e Fundit me ta.

  • Të kujtoj kohën kur Ai shkoi në Kopshtin e Gjetsemanit dhe vuajti aq shumë për mëkatet, dhembjet, zhgënjimet dhe sëmundjet tona sa i doli gjak nga çdo por.

  • Të kujtoj kohën kur, pas shumë vuajtjeje dhe dhembjeje të ashpër, madje ende në Gjetseman, Ai u tradhtua me një puthje nga një prej dishepujve të Tij, të cilin Ai e quajti mik.

  • Të kujtoj kohën kur Ai u çua te Pilati dhe te Herodi për gjykim.

  • Të kujtoj kohën kur Ai u poshtërua, u godit, u përshty, u qëllua dhe u fshikullua me një kamxhik që ia bëri mishin copash.

  • Të kujtoj kohën kur një kurorë me gjemba iu vu ashpërsisht mbi kokë.

  • Të kujtoj se Ai duhej të mbante vetë kryqin e Tij për në Golgotë dhe se Ai u gozhdua në kryqin atje, duke vuajtur çdo dhembje fizike dhe shpirtërore.

  • Të kujtoj se në kryq, me brendësinë e Tij plot dashuri hyjnore, Ai pa drejt atyre që e kryqëzuan, dhe ngriti sytë nga qielli, duke u lutur: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”.

  • Të kujtoj kohën kur Ai, duke e ditur se e kishte përmbushur misionin e Tij për të shpëtuar të gjithë njerëzimin, dha shpirt në duart e Atit të Tij, Atit tonë.

  • Të kujtoj Ringjalljen e Tij, e cila na siguron vetë ringjalljen tonë dhe mundësinë për të jetuar pranë Tij për gjithë përjetësinë, në varësi të zgjedhjeve tona.

Veç këtyre, meditimi mbi lutjet e sakramentit dhe fjalët shumë të veçanta dhe domethënëse të lutjeve më kujtojnë se sa e mrekullueshme është të marrësh premtimin, gjatë bekimit të sakramentit, se ndërsa gjithmonë e kujtojmë atë, ne do të kemi përherë Shpirtin e Tij me ne.

Unë besoj se Zoti ka kohën e Tij vetjake se kur të na japë zbulesë. E kuptova këtë shumë qartë kur studiova Predikuesit 3:1, 6, ku thuhet:

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; …

një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje”.

Sakramenti është gjithashtu një kohë që Ati Qiellor të na mësojë rreth Shlyerjes së Birit të Tij të Dashur – Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit – dhe një kohë për ne që të marrim zbulesë rreth saj. Kjo është një kohë që të “trokitni dhe do t’ju çelet”, për ta kërkuar dhe për ta marrë këtë njohuri. Është koha që ne t’ia kërkojmë me nderim Perëndisë këtë njohuri. Dhe nëse e bëjmë këtë, nuk kam dyshim se ne do ta marrim këtë njohuri, e cila do të na e bekojë jetën tonë përtej asaj që mund të matet.

E dua Shabatin, sakramentin dhe kuptimin e tyre. E dua Shpëtimtarin tim me gjithë shpirtin tim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.