Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja
Besimi te Jezu Krishti është një dhuratë nga qielli që vjen kur ne zgjedhim të besojmë dhe kur e kërkojmë e mbahemi tek ai.
Shpëtimtari e kuptonte forcën ose dobësinë e besimit të atyre që ishin përreth Tij. Njërës, Ai i tha me miratim: “I madh është besimi yt”. Një tjetri i tha me keqardhje: “Njer[i] besimpak”. Të tjerët i pyeti: “Ku është besimi juaj?” Dhe prapëseprapë Jezusi e veçoi një tjetër duke i thënë: “Në [gjithë] Izrael[in] nuk e gjeta një besim aq të madh”.
E pyes veten: “Si e shikon Shpëtimtari besimin tim?” Dhe sonte unë ju pyes juve: “Si e shikon Shpëtimtari besimin tuaj?”
Besimi në Zotin Jezu Krisht nuk është diçka e lehtë, që pluskon lirshëm në ajër. Besimi nuk bie mbi ne nga rastësia, as nuk qëndron me ne nga e drejta e parabirnisë. Ai është, siç thonë shkrimet e shenjta, “siguria …, tregim i gjërave që nuk shihen”. Besimi rrezaton një dritë shpirtërore dhe ajo dritë është e dallueshme. Besimi te Jezu Krishti është një dhuratë nga qielli që vjen kur ne zgjedhim të besojmë dhe kur e kërkojmë e mbahemi tek ai. Besimi juaj ose po rritet më i fortë ose po bëhet më i dobët. Besimi është një parim fuqie, i rëndësishëm jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përparimin tonë përtej velit. Me anë të hirit të Krishtit, një ditë ne do të shpëtohemi nëpërmjet besimit në emrin e Tij. E ardhmja e besimit tuaj nuk vjen nga rastësia, por nga zgjedhja.
Besimi i një Braziliani të Ri
Një muaj më parë në Brazil, unë takova Aroldo Kavalkanten. Ai u pagëzua në moshën 21-vjeçare, anëtari i parë i Kishës në familjen e tij. Besimi i tij ndriçonte fort dhe ai filloi menjëherë që të përgatitej për të shërbyer në një mision. Mjerisht, nëna e Aroldos u diagnostikua me kancer. Tri muaj më vonë, vetëm disa ditë përpara se të vdiste, ajo i foli Aroldos për shqetësimin e saj më të madh: Nuk kishte asnjë të afërm që ta ndihmonte. Aroldos do t’i duhej të merrte përgjegjësi të plotë për dy motrat e tij më të vogla dhe vëllanë e tij më të vogël. Ai solemnisht i bëri këtë premtim nënës së tij që po vdiste.
Ditën ai punonte në një bankë dhe natën shkonte në universitet. Ai vazhdoi që t’i mbante besëlidhjet e tij të pagëzimit, por shpresat e tij për një mision kohëplotë ishin shuar. Misioni i tij do të ishte që të kujdesej për familjen e tij.
Muaj më vonë ndërsa përgatitej për një bisedë në mbledhjen e sakramentit, Aroldo studioi fjalët që Samueli me ton qortues i tha mbretit Saul: “[Të] bind[esh]”, lexoi ai, “është më … mirë se [të] flij[osh]”. Aroldo mori përshtypjen në dukje të pamundur se ai kishte nevojë që t’i bindej thirrjes së profetit për të shërbyer në një mision. I patrembur nga pengesat përballë tij, ai shkoi përpara me besim të pamasë.
Aroldo kurseu çdo kruzeiro braziliane që mundej. Në moshën 23-vjeçare, ai mori thirrjen e misionit. Ai i tha të vëllait se sa para të tërhiqte çdo muaj nga llogaria e tij për familjen. Aroldo ende nuk kishte mjaft para që të paguante koston e plotë të misionit të tij dhe shpenzimet e jetesës së vëllait dhe të motrave të tij, por ai hyri në QTM me besim. Një javë më vonë ai mori bekimin e parë të shumë bekimeve të tjera. Banka që e kishte punësuar Plakun Kavalkante, papritur i dyfishoi paratë që ai duhej të merrte kur përfundoi punën e tij. Kjo mrekulli, së bashku me të tjera, siguroi të ardhurat e nevojshme për misionin dhe familjen e tij gjatë mungesës së tij.
Njëzet vjet më vonë, Vëllai Kavalkante po shërben tani si presidenti i Kunjit të Boa Viazhem në Resifi të Brazilit. Duke kthyer kokën pas, ai tha për ato ditë: “Ndërsa përpiqesha të jetoja drejtësisht, unë e ndieja dashurinë dhe udhëheqjen e Shpëtimtarit. Besimi im u rrit, duke më lejuar që t’i mposhtja sfidat e shumta.” Besimi i Aroldos nuk erdhi rastësisht, por ishte një zgjedhje.
Ka shumë burra e gra të krishtera me besim të thellë te Zoti Jezu Krisht dhe ne i nderojmë e i respektojmë ata.
Jo Më në Tokë Asnjanëse
Por vëllezër, neve na është dhënë diçka më tepër: priftëria e Perëndisë, fuqia e Perëndisë që u rivendos në tokë nga engjëj të shenjtë. Kjo ju bën juve të ndryshëm. Ju nuk qëndroni më në tokë asnjanëse. Besimi juaj nuk do të rritet rastësisht, por nga zgjedhja.
Mënyra se si e jetojmë jetën tonë e shton ose e zvogëlon besimin tonë. Lutja, bindja, ndershmëria, pastërtia e mendimit dhe veprimit dhe vetëmohimi e shtojnë besimin. Pa këto, besimi zvogëlohet. Përse Shpëtimtari i tha Pjetrit: “Jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket?”. Sepse ka një kundërshtar që kënaqet me shkatërrimin e besimit tonë! Jini të papërkulshëm në mbrojtjen e besimit tuaj.
Pyetje të Sinqerta
Bërja e pyetjeve të sinqerta është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të besimit dhe ne i përdorim të dyja, si intelektin tonë edhe ndjenjat tona. Zoti tha: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde”. Jo të gjitha përgjigjet do të vijnë menjëherë, por shumica e pyetjeve mund të gjejnë zgjidhje nëpërmjet studimit të sinqertë dhe kërkimit të përgjigjeve nga Perëndia. Përdorimi i mendjes sonë pa zemrën tonë nuk do të sjellë përgjigje shpirtërore. “Asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç[se nëpërmjet] Frym[ës së] Perëndisë.” Dhe që të na ndihmojë, Jezusi na premtoi “një Ngushëllues tjetër” dhe e quajti Atë “[madje] Frymën e së Vërtetës”.
Besimi nuk kërkon kurrë një përgjigje për çdo pyetje, por kërkon sigurinë dhe guximin që të shkojmë përpara, ndonjëherë duke e pranuar: “Unë nuk di çdo gjë, por di mjaftueshëm që të vazhdoj në udhën e dishepullimit”.
Zhytja e vetes në dyshime të vazhdueshme, e ushqyer me përgjigje nga ata që janë pa besim dhe jo besnikë, e dobëson besimin e një njeriu te Jezu Krishti dhe Rivendosja. “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi.”
Për shembull, pyetjet lidhur me Profetin Jozef Smith nuk janë të reja. Ato janë hedhur nga kritikët e tij qëkur filloi kjo punë. Atyre njerëzve në besim, të cilët, duke parë përmes njohurisë që është në dispozicion në shekullin e 21-të, me çiltërsi i vënë në pikëpyetje ngjarjet ose thëniet e Profetit Jozef thuajse 200 vjet më parë, më lejoni t’u jap një këshillë miqësore: Tani për tani, lëreni rehat Vëllanë Jozef! Në një ditë të ardhshme, ju do të keni 100 herë më shumë informacion sesa gjendet në të gjitha mjetet e sotme të kërkimit së bashku dhe ai do të vijë nga Ati ynë Qiellor i gjithëditur. Merreni parasysh tërësinë e jetës së Jozefit – i lindur në varfëri dhe me pak arsimim që iu dha, Jozefi e përktheu Librin e Mormonit në më pak se 90 ditë. Dhjetëra mijëra burra dhe gra të ndershme e të përkushtuara e përqafuan kauzën e Rivendosjes. Në moshën 38-vjeçare, Jozefi e vulosi dëshminë e tij me gjakun e vet. Dëshmoj se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Nguliteni këtë në mendjen tuaj dhe shkoni përpara!
Dhurata që e Zgjerojnë Besimin Tonë
Si Bibla edhe Libri i Mormonit, na japin sigurinë e këndshme se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë. Unë mbaj në dorën time një kopje të botimit të parë të Librit të Mormonit në frëngjisht, të botuar nga Xhon Tejlori, kur filloi punën në Francë në vitin 1852. Disa pjesë ose i gjithë Libri i Mormonit tani është në 110 gjuhë kudo në botë. Ai jep një dëshmi shpirtërore dhe të prekshme për vërtetësinë e Rivendosjes. Kur ishte hera e fundit që e lexuat Librin e Mormonit nga fillimi deri në fund? Lexojeni atë sërish. Ai do ta rritë besimin tuaj.
Një dhuratë tjetër nga Perëndia që e rrit besimin tonë, është udhëheqja e Presidencës së Parë dhe e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Sot ne mbështetëm tre anëtarë të rinj të Të Dymbëdhjetëve dhe unë i uroj mirëseardhjen Plakut Rasband, Plakut Stivenson dhe Plakut Renland në rrethin e shenjtë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Pali tha:
“Ai … [thirri] apostuj; [dhe] … profetë, …
për përsosjen e shenjtorëve …,
derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, …
që të mos jemi më … të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga … dinakëria e tyre [ose nga ata që rrinë në pritje ndaj] … gënjeshtrave të gabimit”.
Udhëheqja e Presidencës së Parë dhe e Të Dymbëdhjetëve na ndihmon që ta mbrojmë besimin tonë.
Megjithëse zjarri juaj fillestar i besimit mund të jetë i vogël, zgjedhjet e drejta sjellin mirëbesim më të madh te Perëndia dhe besimi juaj rritet. Vështirësitë e vdekshmërisë fryjnë kundër jush dhe forcat e së ligës zënë pritë në errësirë, duke shpresuar që ta shuajnë besimin tuaj. Por ndërsa ju vazhdoni që të bëni zgjedhje të mira, t’i mirëbesoni Perëndisë dhe ta ndiqni Birin e Tij, Zoti dërgon dritë dhe njohuri të shtuar dhe besimi juaj bëhet i qëndrueshëm e i palëkundur. Presidenti Tomas S. Monson tha: “Mos u frikësoni. … E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.”
Porter, Zejn dhe Maks Opensha
Besimi i të rinjve të kësaj Kishe është i jashtëzakonshëm!
Më 12 qershor të këtij viti, unë mora një mesazh elektronik që më thoshte se një peshkop nga një lagje e Jutës, gruaja e tij dhe dy nga fëmijët e tyre kishin vdekur në një aksident me aeroplan. Peshkopi Mark Opensha kishte qenë duke pilotuar avionin teksa u nis nga një aerodrom i vogël, kur ai papritur ra nga qielli dhe u përplas në tokë. Peshkopi Opensha, gruaja e tij, Emi, dhe fëmijët e tyre, Taner dhe Eli, vdiqën në aksident. Mrekullisht, biri i tyre pesëvjeçar, Maksi, që kishte dalë jashtë aeroplanit me ndenjësen e tij, shpëtoi vetëm me kocka të thyera.
Mësova se biri i tyre, Plaku Porter Opensha po shërbente në Misionin Majuro të Ishujve Marshall dhe se biri i tyre 17-vjeçar, Zejni, ishte në një shkëmbim kulturor të shkollës në Gjermani.
E mora në telefon Plakun Opensha në ishullin e Krishtlindjes. Megjithëse zemërthyer nga vdekja e papritur e nënës, babait, vëllait dhe motrës së tij, Plaku Opensha e drejtoi menjëherë shqetësimin e tij te dy vëllezërit e tij më të vegjël.
Përfundimisht, ishte Plaku Opensha dhe vëllai i tij, Zejni, që vendosën se të tjerët mund të ndihmonin në shtëpi dhe se Porteri duhej të qëndronte në misionin e tij. Ata e dinin se kjo ishte ajo që prindërit e tyre do të donin.
Kur fola me Plakun Opensha, e ndjeva trishtimin e tij, por edhe zjarrin e pashuar të besimit të tij. “Kam sigurinë”, më tha ai, “dhe e di pa kurrfarë dyshimi se unë do ta shoh sërish familjen time. … Forca në sprovat tona gjendet gjithmonë te … Zoti ynë, Jezu Krishti. … Dora e plotfuqishme e Perëndisë ka qenë kaq e dukshme duke më ndihmuar [mua] dhe vëllezërit e mi gjatë gjithë [kësaj] sfide kaq të vështirë.”
E takova Zejnin për herë të parë në varrim. Ndërsa shikoja katër arkivolet përpara nesh në kishë, u habita nga besimi i këtij 17-vjeçari kur ai iu drejtua bashkësisë. “Sot”, tha ai, “ne jemi mbledhur me një zemër të përulur dhe shpirt të lodhur për të kujtuar jetën e mamit, babit, Tanerit dhe Elit. … Ne kemi folur së bashku, kemi qarë së bashku, kemi kujtuar së bashku dhe e kemi ndier dorën e Perëndisë së bashku. …
Ditën pasi dëgjova lajmin e aksidentit, gjeta një letër në çantën time nga mami. Në letër ajo shkruante: ‘Zejn, kujto se cili je dhe se nga vjen. Ne do të lutemi për ty dhe do të na marrë malli.’” Zejni vazhdoi: “Nuk kishte fjalë të fundit më të përshtatshme nga nëna ime. E di se ajo, së bashku me Tanerin, Elin dhe babin tim janë … duke u lutur për mua [dhe vëllezërit e mi]. E di se … ata luten që unë do të kujtoj se cili jam … sepse unë, ashtu si ju, jam një fëmijë i Perëndisë dhe Ai më ka dërguar këtu. Dëshmoj [se] … nuk ka rëndësi sa të vetmuar ndihemi, Perëndia nuk do të na braktisë.”
Miqtë e mi të dashur, besimi juaj nuk filloi në lindje dhe nuk do të përfundojë në vdekje. Besimi është një zgjedhje. Forcojeni besimin tuaj dhe jetoni për t’i merituar fjalët miratuese të Shpëtimtarit: “I madh është besimi yt”. Ndërsa e bëni këtë, unë ju premtoj se besimi juaj, nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, një ditë, do t’ju lejojë të qëndroni me ata që ju doni, të pastër dhe të kulluar në praninë e Perëndisë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.