Zemra Ime i Përsiat Ato Vazhdimisht
Unë lutem sinqerisht që ju do të zgjidhni t’i përsiatni fjalët e Perëndisë në një mënyrë të zgjeruar dhe të thelluar.
Me profesion, unë jam një investues. Për sa i përket besimit, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Në praktikat e mia të biznesit, unë përqafoj parime të shëndosha financiare. Teksa e jetoj besimin, përpiqem të ndjek parime shpirtërore që do të më ndihmojnë të bëhem më shumë si Shpëtimtari.
Ftesat Sjellin Bekime
Shumë prej shpërblimeve vetjake që kam marrë në jetë, kanë ardhur si rrjedhim i dikujt që më ka ftuar të bëj një detyrë të vështirë. Në këtë frymë, do të doja t’i drejtoja secilit prej jush dy ftesa. E para ka rrjedhoja financiare. Me ftesën e dytë, rrjedhojat janë shpirtërore. Që të dy ftesat, nëse pranohen, do të kërkojnë një përpjekje të disiplinuar përgjatë një periudhe të zgjatur kohore që të korrin shpërblimet.
Ftesa e Parë
Ftesa e parë është e thjeshtë: Ju ftoj të kurseni para çdo javë. Sasia që kurseni nuk është veçanërisht e rëndësishme; ajo varet nga ju. Teksa zhvilloni një zakon të kursimit, ju do të përfitoni vetë. Dhe gjithashtu mund të keni mundësi për t’i ndihmuar të tjerët financiarisht si rrjedhim i zellit tuaj. Përfytyrojini përfundimet pozitive të kursimit çdo javë të parave për 6 muaj, një vit, 10 vjet ose më shumë. Përpjekje të vogla, të kryera për një kohë të gjatë, mund të prodhojnë rezultate të rëndësishme.
Ftesa e Dytë
Ftesa ime e dytë është krejt e ndryshme nga e para dhe shumë më e rëndësishme sesa e para. Është kjo: Ju ftoj të “përsiatizoni” një varg nga shkrimi i shenjtë çdo javë. Fjala përsiatizoj nuk gjendet në fjalor, por ka gjetur vend në zemrën time. Pra, çfarë do të thotë të përsiatizosh? Më pëlqen të them se është një ndërthurje prej 80 përqind e përsiatjes së zgjeruar dhe 20 përqind e të mësuarit përmendsh.
Ka dy hapa të thjeshtë:
Fillimisht, zgjidhni një varg të shkrimit të shenjtë çdo javë dhe vendoseni atje ku do ta shihni atë çdo ditë.
Së dyti, lexojeni ose mendoni për vargun disa herë çdo ditë dhe përsiateni kuptimin e fjalëve dhe frazave kyçe të tij gjatë gjithë javës.
Përfytyrojini përfundimet lartësuese të bërjes së kësaj gjëje çdo javë për gjashtë muaj, një vit, 10 vjet ose më shumë.
Teksa e bëni këtë përpjekje, ju do të ndieni rritje në shpirtshmëri. Ju do të jeni të gjendje t’u jepni mësim njerëzve dhe t’i lartësoni ata që i doni në mënyra më domethënëse.
Nëse zgjidhni të përsiatizoni çdo javë, ju mund të ndiheni pak si një njeri që në të shkuarën është kënaqur me të notuarin në sipërfaqe duke parë thellësinë, por që tani ka vendosur të provojë zhytjen nënujore me skafandër. Me marrjen e këtij vendimi, një kuptueshmëri më e thellë e parimeve të ungjillit do të jetë e juaja dhe këndvështrime të reja shpirtërore do ta bekojnë jetën tuaj.
Teksa mendoni për vargun tuaj të zgjedhur çdo javë, fjalë dhe fraza do të shkruhen në zemrën tuaj. Fjalë dhe fraza do të shkruhen edhe në mendjen tuaj. Me fjalë të tjera, të mësuarit përmendsh do të ndodhë më me lehtësi dhe në mënyrë të natyrshme. Por qëllimi kryesor i përsiatizimit është që të sigurojë një vend lartësues ku të shkojnë mendimet tuaja – një vend që ju mban pranë Shpirtit të Zotit.
Shpëtimtari tha: “Mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës”. Përsiatizimi është një mënyrë e thjeshtë dhe lartësuese për ta bërë pikërisht këtë.
Unë besoj se Nefi ishte një përsiatizues. Ai tha: “Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i [përsiat] ato [vazhdimisht] dhe i shkruan ato për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të mi”. Ai ishte i vetëdijshëm për fëmijët e Tij teksa përsiaste dhe shkruante shkrimet e shenjta. Si mund të ketë dobi familja juaj teksa ju përpiqeni vazhdimisht ta mbushni mendjen tuaj me fjalët e Perëndisë?
Vargu Im
Kohët e fundit përsiatizova Almën 5:16. Ai varg thotë: “Unë ju them juve, a mund ta imagjinoni veten që të dëgjoni zërin e Zotit, duke ju thënë në atë ditë: Ejani tek unë, ju të bekuar, pasi vini re, veprat tuaja kanë qenë veprat e drejtësisë mbi faqen e dheut?”
Në fund të javës, kjo është ajo që përfundoi të shkruhej në mendjen time: Përfytyroni të dëgjoni zërin e Zotit duke thënë: “Ejani tek unë, ju të bekuar, pasi vini re, veprat tuaja kanë qenë veprat e drejtësisë” (Alma 5:16).
Siç mund ta shihni, nuk e mësova përmendsh të gjithë vargun fjalë për fjalë. Megjithatë, unë përsiata herë pas here elementet kyçe të vargut dhe ku ta gjeja atë varg. Por pjesa më e mirë e procesit ishte që unë kisha një vend më të lartë ku të shkonin mendimet e mia. Gjatë gjithë javës përfytyrova Shpëtimtarin duke më thënë fjalë zemërdhënëse. Ai imazh ma preku zemrën dhe shërbeu që të më frymëzonte të doja të bëja “veprat e drejtësisë”. Kjo është ajo që mund të ndodhë kur ne “sh[ohim] te [Krishti] në çdo mendim”.
Ne Duhet të Kundërpërgjigjemi
Ju mund të pyetni: “Përse duhet ta bëj këtë?” Do të përgjigjesha që ne po jetojmë në një kohë të ligësisë që po përhapet kudo. Ne nuk mund ta pranojmë statuskuo-në [gjendjen ekzistuese] dhe që të na ushqehen fjalë të liga dhe pamje mëkatare pothuajse ngado që kthehemi, dhe të mos bëjmë asgjë për t’u përgjigjur. Ne duhet t’u bëjmë ballë atyre. Kur mendja jonë mbushet me mendime dhe imazhe lartësuese, kur “gjithmonë [e] kujtoj[m]ë atë”, nuk ka vend të lënë për fëlliqësi dhe papastërti.
Në Librin e Mormonit, Jezu Krishti i fton të gjithë që të “medito[jnë] mbi gjërat që [Ai ka] thënë”. Shiheni përsiatizimin si një shtesë të studimit tuaj vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta, por kurrë mos e lejoni atë të jetë një zëvendësim. Përsiatizimi është diçka e ngjashme me shtimin e një vitamine të re, me veprim afatgjatë, në dietën tuaj të tanishme shpirtërore.
Është Shumë e Vështirë
Ju mund të thoni: “Përsiatizimi duket shumë i vështirë për mua”. Mos e largoni vëmendjen. Të bësh gjëra të vështira mund të jetë dobiprurëse. Krishti na fton të bëjmë shumë gjëra të vështira, sepse Ai e di se ne do të bekohemi si rrjedhojë e përpjekjeve tona.
Një fqinji ynë, i ri në moshë, gjeti një mënyrë të thjeshtë për të përsiatizuar. Ai e vë shkrimin e tij të shenjtë të javës në ekranin e telefonit të tij. Një ide tjetër që mund ta provoni, është t’ia thoni vargun tuaj një vëllai ose motre, një fëmije ose një shoku apo një shoqeje. Bashkëshortja ime, Xhuli, dhe unë ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne i zgjedhim vargjet tona çdo të diel. Ajo i vendos vargjet e saj te frigoriferi. Unë i vendos të miat në makinë. Më pas ne diskutojmë mendime rreth vargjeve tona gjatë gjithë javës. Gjithashtu na pëlqen t’i diskutojmë vargjet tona me fëmijët tanë. Kur e bëjmë këtë, duket se bëhet më e kollajshme për ta që të diskutojnë mendimet e tyre me ne rreth fjalës së Perëndisë.
Xhuli dhe unë jemi gjithashtu pjesë e një grupi në internet, në të cilin pjesëtarë të familjes, miq dhe misionarë mund të japin shkrimin e tyre të shenjtë çdo javë dhe me raste të përfshijnë një mendim ose dëshmi lidhur me ato vargje. Të qenit pjesë e një grupi e bën më të lehtë që të jesh i qëndrueshëm. Bija ime në shkollën e mesme dhe një grup i shoqeve të saj e përdorin median shoqërore dhe dërgimin e mesazheve me celular për të diskutuar shkrime të shenjta me njëra-tjetrën.
Ju lutem, mos ngurroni që të përfshini njerëz të besimeve të tjera fetare në grupet tuaja. Ata gjithashtu po kërkojnë mënyra për t’i lartësuar mendimet e tyre dhe për t’u ndier më pranë Perëndisë.
Cilat Janë Përfitimet?
Pra, cilat janë përfitimet? Xhuli dhe unë kemi përsiatizuar një varg çdo javë për më shumë se tre vjet tani. Fillimisht ne caktuam një synim 20-vjeçar. Kohët e fundit ajo më tha: “Kur së pari më ftove të përsiatizoja një shkrim të shenjtë çdo javë për 20 vjet, unë pyeta veten nëse mund ta bëja atë për një muaj. Nuk i kam më ato dyshime. Nuk mund ta besoj se sa kënaqësi kam pasur të vendos një shkrim të shenjtë te frigoriferi çdo javë dhe vetëm duke e përsiatizuar atë sa herë që e shoh, ai varg ma lartëson shpirtin tim.”
Pasi përsiatizoi për gjashtë javë, një motër nga Teksasi në SHBA tha: “Dëshmia ime është forcuar … dhe jam ndier më pranë Atit tim Qiellor. … Më pëlqen se si fjala e Perëndisë po më ndryshon mua për më mirë.”
Një mik adoleshent shkroi: “Vërtet jam kënaqur që kam qenë në gjendje të [përsiatizoj] ngaqë më ka ndihmuar të përqendrohem te gjërat që janë me të vërtetë të rëndësishme”.
Njëri nga misionarët tanë tha këtë: “Unë kam përsiatizuar një varg çdo javë që nga qershori i vitit 2014 dhe më pëlqen shumë. … Këto shkrime të shenjta më janë bërë si miq tek të cilët mund të mbështetem në kohë nevoje.”
Në rastin tim, unë e ndiej më plotësisht Shpirtin kur përsiatizoj çdo javë. Dashuria ime për shkrimet e shenjta është rritur edhe si rrjedhojë e përpjekjes që “virtyti … t’i stolisë mendimet [e mia] pa pushim”.
Merreni parasysh këtë ftesë dhe bekim të madhërishëm, të thënë nga Nefi: “Në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme”. Me frymën e të “ushqyer[it] me bollëk mbi fjalën e Krishtit”, përsiatizimi është si ngrënia e një kafshate të një ushqimi të shijshëm dhe më pas të përtypurit shumë, shumë ngadalë me qëllim që ta shijojmë më plotësisht.
Cili Është Vargu Juaj?
A do ta përsiatizoni një varg të shkrimit të shenjtë çdo javë për pjesën e mbetur të këtij muaji? Për pjesën e mbetur të këtij viti? Ndoshta më gjatë? Xhuli dhe unë i ftuam të gjithë misionarët tanë të guximshëm të misionit të Teksasit në Dallas që të përsiatizonin me ne për 20 vjet. Ne do ta kapërcejmë vijën e mbarimit së bashku pas 17 vitesh që ikin shpejt. Atëherë do të caktojmë një synim të ri për t’i lartësuar mendimet tona dhe për t’u afruar më pranë Krishtit.
Ju mund të na kontrolloni duke pyetur: “Cili është vargu juaj?” Por nëse e bëni, jini të përgatitur të jepni shkrimin tuaj të shenjtë si shkëmbim. Secili prej nesh do të lartësohet si rrjedhojë e shkëmbimit tonë.
A mund ta përfytyroni se si jeta juaj dhe jeta e familjes suaj do të ndryshohen, në qoftë se e shkruani një varg të ri të shkrimit të shenjtë në zemrën dhe mendjen tuaj çdo javë për disa muaj ose disa vite të ardhshëm apo më gjatë?
Jezu Krishti Është Shembulli Ynë
Jezu Krishti duhet të ketë zhvilluar dashuri për shkrimet e shenjta që në moshë të vogël. Ai duhet t’i ketë lexuar dhe përsiatur shkrimet e shenjta që fëmijë i vogël, me qëllim që të kishte diskutime kuptimplota me dijetarët e urtë në tempull në moshën 12-vjeçare. Ai e filloi misionin e Tij në moshën 30-vjeçare dhe iu drejtua shkrimeve të shenjta që në fillim dhe shpesh gjatë gjithë shërbesës së Tij. A s’mund të themi me siguri se Jezusi i kaloi të paktën 20 vjet duke studiuar dhe përsiatur shkrimet e shenjta si pjesë e përgatitjes për misionin e Tij? A ka diçka që nevojitet ta bëni sot për ta përgatitur veten tuaj shpirtërisht për mundësitë e ardhshme që të jepni mësim dhe t’i bekoni familjen tuaj e të tjerët?
Ushtrojeni Besimin Tuaj dhe Bëjeni Atë
Në mbyllje, unë shpresoj që ju do të vendosni të kurseni para çdo javë. Ushtrojeni besimin tuaj, disiplinojeni vetveten dhe bëjeni atë. Unë lutem gjithashtu sinqerisht që ju do të zgjidhni t’i përsiatni fjalët e Perëndisë në një mënyrë të zgjeruar dhe të thelluar mbi një bazë të përjavshme. Ushtrojeni besimin tuaj, disiplinojeni vetveten dhe bëjeni atë.
Ndryshe nga ftesa ime e parë parákursyese, të gjitha përfitimet nga ftesa ime e dytë shpirtshpëtuese do të jenë tuajat për t’i pasur përgjithmonë – të paprekura nga tenja dhe ndryshku i kësaj bote.
Plaku D. Tod Kristoferson ofroi këtë këshillë të qartë dhe premtim: “Studiojini shkrimet e shenjta me kujdes, me dëshirë. Përsiatini dhe lutuni për to. Shkrimet e shenjta janë zbulesë dhe do të sjellin zbulesë të shtuar.”
Përfundimi
Ju premtoj që nuk do t’ju vijë keq që po e shkruani një varg të shkrimit të shenjtë në mendjen dhe zemrën tuaj çdo javë. Ju do të përjetoni një ndjenjë të qëllimit, mbrojtjes dhe fuqisë së përhershme shpirtërore.
Mbani mend fjalët e Jezu Krishtit kur Ai tha: “Bëni gjërat që më keni parë të bëj”. I zbatofshim tërësisht fjalët e Tij në jetën tonë, kështu lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.