Zbatojini Urdhërimet
Ai që na krijoi dhe që na do, e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme.
Vëllezërit e mi të dashur, sa mirë është që të jem me ju përsëri. Ne jemi frymëzuar këtë mbrëmje nga fjalët që kemi dëgjuar. Lutem që edhe unë do të udhëhiqem në ato që them.
Mesazhi im për ju sonte është i drejtpërdrejtë. Është ky: zbatojini urdhërimet.
Urdhërimet e Perëndisë nuk jepen për të na mërzitur ose që të bëhen pengesa ndaj lumturisë sonë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Ai që na krijoi dhe që na do, e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme. Ai na ka siguruar udhëzime të cilat, në qoftë se i ndjekim, do të na udhëheqin të sigurt përmes këtij udhëtimi shpesh të pabesë në vdekshmëri. Ne i mbajmë mend fjalët e një himni të shumënjohur: “Mbaj urdhërimet! Në këtë ka paqe dhe ka siguri.”
Ati ynë Qiellor na do aq sa thotë: “Mos gënje; mos vidh; mos shkel kurorë; duaje të afërmin porsi veten; e kështu me radhë”. Ne i dimë urdhërimet. Ai e kupton që, kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më përmbushëse dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej Tij. Por, ndërkohë që Ai na jep ligje dhe urdhërime, Ai gjithashtu na lejon të zgjedhim nëse i pranojmë ato ose i mohojmë ato. Vendimet tona në lidhje me këtë do ta përcaktojnë vendmbërritjen tonë.
Kam vetëbesim që secili prej nesh ka si synimin e tij përfundimtar jetën e përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Është jetike, si rrjedhim, që ne të bëjmë zgjedhje gjatë gjithë jetës sonë që do të na çojnë drejt këtij synimi të madhërishëm. Ne e dimë, megjithatë, që kundërshtari zotohet që të na bëjë të dështojmë. Ai dhe ushtritë e tij janë të palodhur në përpjekjet e tyre që të na i shkatërrojnë dëshirat tona të drejta. Ata përfaqësojnë një kërcënim të rëndë dhe të vazhdueshëm ndaj shpëtimit tonë të përjetshëm, në qoftë se ne nuk jemi gjithashtu të palodhur në vendosmërinë dhe përpjekjet tona për ta arritur synimin tonë. Apostulli Pal na paralajmëron: “Rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”.
Edhe pse nuk ka asnjë kohë në jetën tonë kur ne të përjashtohemi nga tundimi, ju të rinj jeni në një moshë kur mund të jini veçanërisht të cenueshëm. Vitet e adoleshencës janë shpesh vitet e pasigurisë, të ndjenjës që nuk jeni të mirë sa ç’duhet, të përpjekjes për ta gjetur vendin tuaj mes bashkëmoshatarëve tuaj dhe të përpjekjes për t’u përshtatur me ta. Ju mund të tundoheni që t’i ulni standardet tuaja dhe të ndiqni turmën, me qëllim që të pranoheni nga ata që doni t’i keni miq. Ju lutem, jini të fortë dhe jini vigjilentë ndaj gjithçkaje që do t’ju grabiste bekimet e përjetësisë. Zgjedhjet që bëni këtu dhe tani, janë të rëndësishme përgjithmonë.
Ne lexojmë te 1 Korintasve: “Ka … [kaq shumë] lloje zërash në botë”. Ne rrethohemi nga zëra bindës, zëra mashtrues, zëra nënvleftësues, zëra ngatërrues dhe zëra pështjellues. Mund të shtoj që këta janë zëra të lartë. Ju këshilloj që të mos i përfillni ata zëra dhe, në vend të tyre, të ndikoheni nga ai zë i qetë dhe i ulët, i cili do t’ju rrëfejë udhën drejt sigurisë. Kujtoni se dikush me autoritet i vuri duart e tij mbi kokën tuaj pasi u pagëzuat, duke ju konfirmuar një anëtar të Kishës dhe duke ju thënë: “Merrni Frymën e Shenjtë”. Hapini zemrat tuaja, madje vetë shpirtrat tuaj, ndaj tingullit të atij zëri të veçantë që dëshmon për të vërtetën. Sikurse premtoi profeti Isaia: “Veshët e tu do të dëgjojnë … një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’” Qofshim gjithmonë në përputhje me zërin, që ne të mund ta dëgjojmë këtë zë ngushëllues, udhërrëfyes, që do të na mbajë të sigurt.
Mungesa e respektit për urdhërimet ka hapur udhën për ato që unë i konsideroj të jenë plagët e kohës sonë. Ato përfshijnë plagën e lejueshmërisë, plagën e pornografisë, plagën e drogave, plagën e pamoralshmërisë dhe plagën e abortit, për të përmendur vetëm disa. Shkrimet e shenjta na tregojnë që kundërshtari është “krijuesi i të gjitha këtyre gjërave”. Ne e dimë që ai është “ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit”.
Unë ju lutem që të shmangni gjithçka që do t’ju bëjë ta humbisni lumturinë tuaj këtu në vdekshmëri dhe jetën e përjetshme në botën që vjen. Me mashtrimet dhe gënjeshtrat e tij, kundërshtari do t’ju drejtojë të zbritni nëpër një shpat rrëshqitës drejt shkatërrimit tuaj, në qoftë se e lejoni atë që ta bëjë këtë gjë. Ju ka të ngjarë të jeni në atë shpat rrëshqitës madje më përpara se ta kuptoni që nuk ka asnjë mënyrë për t’u ndalur. Ju i keni dëgjuar mesazhet e kundërshtarit. Ai me djallëzi thërret: “Vetëm këtë herë, s’ka rëndësi; gjithkush po e bën atë; mos jini të dalë nga moda; kohët kanë ndryshuar; nuk do të lëndojë askënd; jeta jote është e jotja për ta jetuar”. Kundërshtari na njeh dhe ai i njeh tundimet që do të jenë të vështira për ne për t’i shpërfillur. Sa jetike është që ne të ushtrojmë vigjilencë të vazhdueshme me qëllim që ta shmangim dorëzimin ndaj gënjeshtrave dhe tundimeve të tilla.
Kurajë e madhe do të kërkohet kur qëndrojmë besnikë dhe të vërtetë në mes të shtytjeve gjithnjë e në rritje dhe ndikimeve tinëzare, nga të cilat rrethohemi dhe të cilat e shtrembërojnë të vërtetën, e shkatërrojnë të mirën e të hijshmen dhe përpiqen të zëvendësojnë filozofitë e botës, të krijuara nga njerëzit. Nëse urdhërimet do të ishin shkruar nga njerëzit, atëherë për t’i ndryshuar ato nëpërmjet prirjes ose ligjshmërisë, apo nëpërmjet ndonjë mjeti tjetër, do të ishte privilegji i njeriut. Urdhërimet, sidoqoftë, u dhanë nga Perëndia. Duke përdorur lirinë tonë të zgjedhjes, ne mund t’i lëmë ato mënjanë. Megjithatë, ne nuk mund t’i ndryshojmë ato, ashtu sikurse nuk mund t’i ndryshojmë pasojat që vijnë nga mosbindja dhe shkelja e tyre.
Kuptofshim që lumturia jonë më e madhe në këtë jetë do të vijë kur ne i ndjekim urdhërimet e Perëndisë dhe iu bindemi ligjeve të Tij! Më pëlqejnë pa masë fjalët që gjenden tek Isaia kapitulli 32, vargu 17: “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë”. Paqe e tillë, siguri e tillë mund të vijnë vetëm nëpërmjet drejtësisë.
Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes as edhe pjesëzën më të vogël të lirisë së veprimit në lidhje me mëkatin. Ne nuk mund ta lejojmë veten tonë që të besojmë se mund të marrim pjesë “vetëm pak” në mosbindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë, sepse mëkati mund të na mbërthejë me një dorë të hekurt nga e cila është tmerrësisht e dhembshme që të çlirohemi vetë. Vartësitë që mund të vijnë nga drogat, alkooli, pornografia dhe pamoralshmëria janë të vërteta dhe janë pothuajse të pamundshme për t’u shkëputur prej tyre pa një mundim të madh dhe ndihmë të shumtë.
Nëse ndokush nga ju është penguar në udhëtimin e tij, ju siguroj se ka një mënyrë kthimi sërish. Procesi quhet pendim. Edhe pse shtegu është i vështirë, shpëtimi juaj i përjetshëm varet prej tij. Çfarë mund të ishte më e vlefshme për përpjekjet tuaja? Ju lutem që të vendosni pikërisht këtu dhe tani që të ndërmerrni hapat e domosdoshëm për t’u penduar plotësisht. Sa më shpejt që ta bëni këtë, aq më shpejt ju do të jeni në gjendje të përjetoni paqen, qetësinë dhe sigurinë për të cilat foli Isaia.
Pak kohë më parë, dëgjova dëshminë e një gruaje e cila, me burrin e saj, ishin larguar nga shtegu i sigurisë, duke i thyer urdhërimet dhe, ndërkohë, pothuajse duke e shkatërruar familjen e tyre. Kur secili prej tyre më së fundi mundi të shihte përmes mjegullës së errët të vartësisë dhe të kuptonte se sa e palumtur ishte bërë jeta e tyre, si edhe sa shumë po i lëndonin të afërmit e tyre, ata filluan të ndryshonin. Procesi i pendimit u ndie i ngadalshëm dhe, me raste, ishte i dhembshëm, por me ndihmën e udhëheqësve të priftërisë, së bashku me ndihmën nga familja dhe miqtë e tyre besnikë, ata e përshkuan udhën e tyre të kthimit.
Po ju jap një pjesë të dëshmisë së kësaj motre lidhur me fuqinë shëruese të pendimit: “Si shkon dikush nga të qenit një prej deleve të humbura dhe i mbërthyer nga [mëkati], deri te kjo paqe dhe lumturi që ndiejmë tani? Si ndodh kjo? Përgjigjja … është për shkak të një ungjilli të përsosur, një Biri të përkryer dhe flijimit të Tij për mua. … Atje ku kishte errësirë, tani ka dritë. Atje ku kishte dëshpërim e dhembje, ka gëzim e paqe. Ne jemi bekuar pafundësisht nga ndryshimi që mund të vijë vetëm nëpërmjet pendimit të mundësuar me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”
Shpëtimtari ynë vdiq që të na e siguronte juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Pavarësisht nga fakti që shtegu është i vështirë, premtimi është i vërtetë. U tha Zoti atyre që pendohen:
“Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”.
“Dhe nuk do [t’i] kujtoj më [ato].”
Gjatë gjithë jetës sonë neve do të na nevojitet të ushqejmë dëshmi të forta duke i studiuar shkrimet e shenjta dhe duke u lutur e duke i përsiatur të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit. Kur nguliten me vendosmëri, dëshmitë tona për ungjillin, për Shpëtimtarin dhe për Atin tonë Qiellor do të ndikojnë në gjithçka që bëjmë.
Unë dëshmoj se ne të gjithë jemi bij të dashur të Atit tonë në Qiell, të dërguar në tokë, në këtë ditë e kohë për një qëllim, dhe neve na është dhënë priftëria e Perëndisë që të mund t’u shërbejmë të tjerëve dhe të kryejmë punën e Perëndisë këtu në tokë. Ne jemi urdhëruar ta jetojmë jetën tonë në atë mënyrë që të mbetemi të denjë për ta zotëruar atë priftëri.
Vëllezërit e mi, i zbatofshim urdhërimet! Të mrekullueshme dhe të lavdishme janë shpërblimet që janë ruajtur për ne, në qoftë se i zbatojmë ato. Qoftë ky bekimi ynë, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë dhe Shëlbuesit tonë, amen.