2010–2019
Dorëzimi i Zemrave Tona Perëndisë
Tetor 2015


9:39

Dorëzimi i Zemrave Tona Perëndisë

Kur ia hapim veten tonë Shpirtit, ne mësojmë udhën e Perëndisë dhe ndiejmë vullnetin e Tij.

Plaku Dallin H. Ouks, në konferencën e përgjithshme të prillit, foli për nevojën “për ta përmirësuar jetën tonë vetjake”. Unë sugjeroj se përmirësimi vetjak fillon me një ndryshim të zemrës – pavarësisht nga përvojat tuaja të jetës ose vendlindja juaj.

Unë vij nga fundi i Jugut të Shteteve të Bashkuara dhe, kur isha e re, fjalët e himneve të vjetra protestante më mësuan për zemrën e një dishepulli të vërtetë – zemër që ka ndryshuar. Mendoni për këtë tekst, kaq të dashur për mua:

Kemi vetë udhën Tënde, Zot!

Kemi vetë udhën Tënde!

Ti je Poçari;

E un’ argjila.

Më puno e më formëso

Sipas Vullnetit Tënd,

Ndërsa pres,

I dorëzuar dhe i qetë.

Si dorëzohemi dhe bëhemi të qetë ne, njerëzit bashkëkohorë, të zënë me punë, konkurrues? Si i bëjmë ne udhët e Zotit udhët tona? Unë besoj se ne e fillojmë duke mësuar për Të dhe duke u lutur për kuptueshmëri. Kur besimi ynë tek Ai rritet, ne i hapim zemrat tona, kërkojmë të bëjmë vullnetin e Tij dhe presim për përgjigje që do të na ndihmojnë të kuptojmë.

Vetë ndryshimi i zemrës sime ndodhi kur, si një 12-vjeçare, fillova të kërkoja për Perëndinë. Përveçse të përsëritja Lutjen e Zotit, unë nuk dija si të lutesha në të vërtetë. Mbaj mend që gjunjëzohesha, duke shpresuar të mund ta ndieja dashurinë e Tij, dhe pyesja: “Ku je, Atë Qiellor? E di se duhet të jesh diku atje, por ku?” Gjatë gjithë viteve të mia të adoleshencës, e pyeta. Kisha vërtet pak përvoja të shkurtra për realitetin e Jezu Krishtit, por Ati Qiellor, me urtësinë e Tij, më la të kërkoja dhe të prisja për 10 vjet.

Në vitin 1970, kur misionarët më mësuan rreth planit të shpëtimit të Atit dhe rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit, pritjes sime i erdhi fundi. I përqafova këto të vërteta dhe u pagëzova.

Duke u bazuar në këtë njohuri të mëshirës dhe fuqisë së Zotit, bashkëshorti im, fëmijët e mi dhe unë zgjodhëm këtë moto të familjes: “Gjithçka do të shkojë mirë”. Megjithatë, si mund t’ia themi ato fjalë njëri-tjetrit kur vijnë shqetësime të rënda dhe përgjigjet nuk janë lehtësisht të mundshme?

Kur vajza jonë e hirshme, e admirueshme, 21-vjeçare, Xhorxhia, u shtrua në spital në gjendje kritike pas një aksidenti me biçikletë, familja jonë tha: “Gjithçka do të shkojë mirë”. Ndërsa fluturova menjëherë nga misioni ynë në Brazil për në Indianapolis, Indianë, SHBA, për të qenë me të, besova te motoja e familjes sonë. Megjithatë, bija jonë e dashur shkoi në botën e shpirtrave vetëm disa orë përpara se avioni im të ulej. Me pikëllimin dhe tronditjen që e shpuan familjen tonë si rrymë elektrike, si mund ta shihnim njëri-tjetrin dhe ende të thoshim: “Gjithçka do të shkojë mirë”?

Pas vdekjes tokësore të Xhorxhias, ndjenjat tona ishin të lënduara, ne hasëm vështirësi dhe ende sot ne kemi çaste hidhërimi të madh, por mbështetemi te njohuria se askush nuk vdes ndonjëherë me të vërtetë. Pavarësisht nga dhembja jonë kur trupi fizik i Xhorxhias ndaloi së punuari, ne kishim besim se ajo shkoi pikërisht për të jetuar si një shpirt dhe ne besojmë se do të jetojmë me të përjetësisht, nëse jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona të tempullit. Besimi te Shëlbuesi ynë dhe te Ringjallja e Tij, besimi te fuqia e priftërisë së Tij dhe besimi te vulosjet e përjetshme na lejuan ta shpallim me bindje moton tonë.

Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Nëse bëni më të mirën tuaj, gjithçka do të shkojë mirë. Vendoseni besimin tuaj te Perëndia. … Zoti nuk do të na braktisë.”

Motoja jonë familjare nuk thotë: “Gjithçka do të shkojë mirë tani”. Ajo flet për shpresën tonë në rezultatin e përjetshëm – jo detyrimisht në rezultatet e tanishme. Shkrimi i shenjtë thotë: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”. Kjo nuk do të thotë që të gjitha gjërat janë mirë, por për zemërbutin dhe besnikun, gjërat – si pozitive edhe negative – punojnë së bashku për mirë dhe koha është e Zotit. Ne shpresojmë tek Ai, ndonjëherë si Jobi në vuajtjen e Tij, duke e ditur se Perëndia “e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë”. Një zemër e butë e pranon sprovën dhe pritjen që të vijë ajo kohë shërimi dhe plotësie.

Kur ia hapim veten tonë Shpirtit, ne mësojmë udhën e Perëndisë dhe ndiejmë vullnetin e Tij. Gjatë sakramentit, të cilin unë e quaj zemra e Shabatit, kam zbuluar se pasi lutem për faljen e mëkateve, është udhëzuese për mua që ta pyes Atin Qiellor: “Atë, a kam më për të bërë?” Kur jemi të dorëzuar dhe të qetë, mendjet tona drejtohen te diçka më shumë që mund të na duhet ta ndryshojmë – diçka që po e kufizon aftësinë tonë për të marrë udhërrëfim shpirtëror ose madje shërim dhe ndihmë.

Për shembull, ndoshta unë kam një pakënaqësi të ruajtur me kujdes ndaj dikujt. Kur pyes nëse kam më për të rrëfyer, ai “sekret” vjen qartësisht në kujtesën time. Në thelb, Fryma e Shenjtë po pëshpërit: “Ti me sinqeritet pyete nëse kishte më shumë për të bërë dhe ja tek është. Pakënaqësia jote e zbeh përparimin tënd dhe e dëmton aftësinë tënde për të pasur marrëdhënie të shëndosha. Ti mund ta harrosh këtë.” O, është punë e vështirë – mund të ndihemi tërësisht të shfajësuar për armiqësinë tonë – por dorëzimi tek udha e Zotit është e vetmja mënyrë drejt lumturisë së përhershme.

Në kohën e duhur dhe hap pas hapi, ne marrim forcën dhe drejtimin e Tij të këndshëm – ndoshta duke na drejtuar te frekuentimi i tempullit ose te studimi më thellësisht i Shlyerjes së Shpëtimtarit apo te këshillimi me një mik, një peshkop, një terapist profesionist ose edhe një mjek. Shërimi i zemrës sonë fillon kur ne i nënshtrohemi Perëndisë dhe e adhurojmë Atë.

Adhurimi i vërtetë fillon kur zemrat tona janë të drejta përpara Atit dhe Birit. Cila është gjendja e zemrës sonë sot? Në mënyrë paradoksale, për të pasur një zemër të shëruar dhe besnike, ne në radhë të parë duhet ta lejojmë atë të thyhet përpara Zotit. “Ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”, shpall Zoti. Rezultati i sakrifikimit të zemrës sonë, ose vullnetit tonë, ndaj Zotit është që ne marrim udhërrëfimin shpirtëror për të cilin kemi nevojë.

Me një kuptueshmëri në rritje për hirin dhe mëshirën e Zotit, ne do të zbulojmë se zemrat tona të ngurta fillojnë të plasariten dhe të thyhen me mirënjohje. Më pas shkojmë tek Ai, duke dëshiruar të marrim mbi vete zgjedhën e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë. Gjatë vajtjes me zemër të thyer dhe marrjes mbi vete të zgjedhës, ne marrim shpresë të re dhe udhërrëfim të gjallë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Kam hasur vështirësi për ta fashitur dëshirën e vdekshmërisë për t’i pasur gjërat sipas mënyrës sime, duke e kuptuar përfundimisht se mënyra ime është o sa e mangët, e kufizuar dhe e dobët ndaj mënyrës së Jezu Krishtit. “Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.” A mund ta duam Jezu Krishtin dhe udhën e Tij më shumë sesa duam veten tonë dhe vetë rendin tonë ditor?

Disa njerëz mund të mendojnë se kanë dështuar shumë herë dhe ndihen tepër të dobët për t’i ndryshuar veprimet mëkatare ose dëshirat tokësore të zemrës. Megjithatë, si Izraeli i besëlidhur, ne thjesht nuk përpiqemi vazhdimisht sipas mënyrës sonë për të ndryshuar. Nëse i lutemi Perëndisë me zell, Ai na pranon siç jemi – dhe na bën më shumë sesa e kemi imagjinuar ndonjëherë. Teologu i mirënjohur Robert L. Milet shkruan për “dëshirën e shëndoshë për t’u përmirësuar”, në baraspeshë me “bindjen shpirtërore se në dhe nëpërmjet Jezu Krishtit, ne do t’ia dalim”. Me një kuptueshmëri të tillë, ne mund t’i themi me çiltërsi Atit Qiellor:

Kështu me besim në kujdesin tënd,

Që më do unë e di,

Do bëj me gjith’ shpirt çfar’ më thua ti,

Do jem çfar’ do ti që të jem.

Kur ne i ofrojmë Jezu Krishtit zemrën tonë të thyer, Ai e pranon ofertën tonë. Ai na merr tek Vetja. Pavarësisht se çfarë humbjesh, plagësh dhe refuzimesh kemi vuajtur, hiri i Tij dhe shërimi janë më të fuqishme sesa gjithçka. Me marrjen me të vërtetë të zgjedhës së Shpëtimtarit, ne mund të themi me besim: “Gjithçka do të shkojë mirë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Liahona, maj 2015, f. 32.

  2. “Have Thine Own Way, Lord”, The Cokesbury Worship Hymnal, nr. 72.

  3. Shih Mateu 6:9–13.

  4. Gordon B. Hinckley, Jordan Utah South regional conference, priesthood session, 1 mars 97; shih edhe “Excerpts from Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, tetor 2000, f. 73.

  5. Doktrina e Besëlidhje 90:24.

  6. Jobit 5:18.

  7. 3 Nefi 9:20.

  8. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 3; theksimi i shtuar.

  9. Robert L. Millet, After All We Can Do: Grace Works (2003), f. 133.

  10. “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 46.