Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!
Lutem që ne do të përqendrohemi te “thjeshtësia [që është në] Krishti[n]” dhe do ta lejojmë hirin e Tij që të na lartësojë e mbartë.
Vëllezërit dhe motrat e mia të shtrenjta, miqtë e mi të dashur, është gëzim të jem me ju sot. Ne jemi të trishtuar nga pamja e tri vendeve bosh këtu në podium. Na merr malli për Presidentin Paker, Plakun Peri dhe Plakun Skot. Ne i duam ata dhe lutemi për mirëqenien e familjeve të tyre.
Gjatë kësaj fundjave të konferencës, do të kemi privilegjin të mbështetim tre burra, që janë thirrur nga Zoti për të zënë vendet e tyre në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.
Lutjet tona në emër të tyre do t’i forcojnë ata teksa mbajnë mbi supe mantelin e shenjtë të apostullimit.
A po Funksionon Ungjilli për Ju?
Jo shumë kohë më parë pashë një citim që më bëri të ndalem e të mendoj. Ishte diçka e tillë: “Thuaji një njeriu që ka miliarda yje në gjithësi dhe ai do të të besojë. Thuaji atij që boja e murit nuk është tharë, dhe ai do ta prekë thjesht për t’u siguruar.”
A nuk jemi ne të gjithë pak të tillë? Pas një procedure mjekësore të kohëve të fundit, mjekët e mi shumë të zotë më shpjeguan se çfarë më nevojitej të bëja që të shërohesha siç duhej. Por fillimisht m’u desh të mësoja sërish diçka rreth vetes sime që duhej ta kisha ditur për një kohë të gjatë: si pacient, unë nuk jam shumë i duruar.
Si rrjedhim, vendosa ta përshpejtoja procesin e shërimit duke ndërmarrë vetë kërkimin tim në internet. Hamendësoj se prisja që të zbuloja të vërtetën, të cilën mjekët e mi nuk e dinin ose ishin përpjekur të ma fshihnin.
M’u desh ca kohë përpara se ta kuptoja ironinë e asaj që po bëja. Sigurisht, të kërkuarit e gjërave për veten tonë nuk është një ide e keqe. Por unë po e shpërfillja të vërtetën mbi të cilën mund të mbështetesha, dhe, në vend të kësaj, e gjeta veten duke u tërhequr prej shpalljeve shpesh të pavërteta të njohurisë së internetit.
Nganjëherë, e vërteta thjesht mund të duket shumë e drejtpërdrejtë, shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë për ne që ta vlerësojmë tërësisht vlerën e saj të madhe. Prandaj e vëmë mënjanë atë që e kemi përjetuar dhe e dimë të jetë e vërtetë, në ndjekje të informacioneve më të mistershme ose më të ndërlikuara. Ndoshta do të mësojmë se, kur vrapojmë pas hijeve, ne po ndjekim çështje që kanë pak përmbajtje dhe pak vlerë.
Kur vjen puna tek e vërteta shpirtërore, si mund ta dimë që jemi në shtegun e duhur?
Një mënyrë është duke bërë pyetjet e duhura – llojin e pyetjeve që na ndihmojnë ta përsiatim përparimin tonë dhe të vlerësojmë se si gjërat po funksionojnë për ne. Pyetje të tilla si:
“A ka jeta ime kuptim?”
“A besoj te Perëndia?”
“A besoj se Perëndia më njeh dhe më do mua?”
“A besoj se Perëndia i dëgjon lutjet e mia dhe u jep përgjigje atyre?”
“A jam vërtet i lumtur?”
“A po më çojnë përpjekjet e mia drejt qëllimeve dhe vlerave shpirtërore më të larta në jetë?”
Pyetje thelbësore lidhur me qëllimin e jetës i kanë udhëhequr shumë individë dhe familje anembanë botës që të kërkojnë të vërtetën. Shpesh ai kërkim i ka çuar ata drejt Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe drejt ungjillit të rivendosur.
Pyes veten nëse ne, si anëtarë të Kishës, mund të kishim përfituar nga të pyeturit e vetvetes herë pas here: “A po funksionon për mua përvoja ime në Kishë? A po më sjell mua më pranë Krishtit? A po më bekon mua dhe familjen time me paqe dhe gëzim, siç premtohen në ungjill?”
Alma u drejtoi pyetje të ngjashme anëtarëve të Kishës në Zarahemla kur pyeti: “A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja? … [Dhe] a [e] nd[ieni atë] tani?” Të menduarit për pyetje të tilla mund të na ndihmojë t’i përqendrojmë sërish ose t’i ripërputhim përpjekjet tona të përditshme me planin hyjnor të shpëtimit.
Shumë anëtarë do të përgjigjen plot gëzim se përvoja e tyre si një anëtar i Kishës po funksionon jashtëzakonisht mirë për ta. Ata do të dëshmojnë se, qoftë gjatë kohëve të varfërisë apo begatisë, qoftë kur gjërat janë të këndshme apo të dhembshme, ata gjejnë domethënie, paqe dhe gëzim të madh për shkak të zotimit të tyre ndaj Zotit dhe shërbimit të tyre të përkushtuar në Kishë. Çdo ditë takohem me anëtarë të Kishës që janë të mbushur me gëzim rrezatues dhe që e shprehin me fjalë e veprime se jeta e tyre është bekuar pa masë nga ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit.
Por gjithashtu kuptoj se ka disa anëtarë që kanë një përvojë më pak frytdhënëse – ata që e ndiejnë se anëtarësia e tyre në Kishë nganjëherë nuk është ajo për të cilën kishin shpresuar.
Kjo më trishton, sepse e di nga vetja ime se si ungjilli mund ta gjallërojë dhe ripërtërijë shpirtin e një njeriu – se si mund ta mbushë zemrën tonë dhe mendjen tonë me dritë. E di vetë se si frytet e ungjillit të Jezu Krishtit mund ta shndërrojnë jetën nga një jetë e zakontë dhe e zymtë në një jetë të jashtëzakonshme dhe të madhërishme.
Por përse duket që ai funksionon më mirë për disa njerëz sesa për të tjerët? Cili është ndryshimi midis atyre që përvoja në Kishë ua mbush shpirtin me këngët e dashurisë shëlbuese dhe atyre që ndiejnë se u mungon diçka?
Ndërkohë që i kam përsiatur këto pyetje, një mori mendimesh më erdhën në mendje. Sot, do të doja të flisja për dy.
Thjeshtësoni
Së pari: a po e bëjmë dishepullimin tonë shumë të koklavitur?
Ky ungjill i mrekullueshëm është kaq i thjeshtë sa një fëmijë mund ta kuptojë atë, prapëseprapë kaq i thellë dhe i ndërlikuar sa do të kërkojë një jetë të tërë – madje një përjetësi – studimi e zbulimi për ta kuptuar atë plotësisht.
Por nganjëherë ne e marrim zambakun e bukur të së vërtetës së Perëndisë dhe e zbukurojmë me shumë shtresa të ideve, programeve dhe pritshmërive të mira, të bëra nga njeriu. Secila prej tyre, në vetvete, mund të jetë e dobishme dhe e përshtatshme për një kohë dhe rrethanë të caktuar, por kur vihen njëra mbi tjetrën, ato mund të krijojnë një mal fundërrese që bëhet kaq i trashë dhe kaq i rëndë sa ne ka rrezik ta humbasim pamjen e asaj luleje të shtrenjtë që dikur e donim kaq fort.
Prandaj, si udhëheqës ne duhet t’i mbrojmë ngushtësisht Kishën dhe ungjillin në pastërtinë dhe qartësinë e tyre dhe ta shmangim vendosjen e barrëve të panevojshme mbi anëtarët tanë.
Dhe ne të gjithë, si anëtarë të Kishës, ne kemi nevojë të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme për t’ua kushtuar energjinë dhe kohën tonë gjërave që me të vërtetë kanë rëndësi, ndërkohë që i lartësojmë shpirtërisht bashkëqeniet tona dhe e ngremë mbretërinë e Perëndisë.
Një motër, mësuese në një Shoqatë Ndihme, njihej për përgatitjen e mësimeve pa asnjë të metë. Një herë ajo vendosi të krijonte një jorgan të bukur që do të shërbente si sfondi i përsosur për temën e mësimit të saj. Por jeta ndërhyri – ishin fëmijët për t’u marrë nga shkolla, një fqinjë që duhej ndihmuar me paketimin e plaçkave për zhvendosjen, bashkëshorti që pati temperaturë dhe një shoqe që u ndje e vetmuar. Dita e mësimit u afrua dhe jorgani nuk ishte përfunduar. Së fundi, natën përpara mësimit të saj, ajo nuk fjeti shumë ngaqë punoi tërë natën për jorganin.
Të nesërmen ishte e rraskapitur dhe mezi ishte në gjendje t’i organizonte mendimet e veta, por me guxim ajo qëndroi përpara klasës dhe e bëri mësimin.
Dhe jorgani ishte mahnitës – tegelat ishin të përsosur, ngjyrat gjallëruese dhe modeli i ndërlikuar. Dhe në qendër të gjithë kësaj ishte një fjalë e vetme që, në mënyrë ngadhënjimtare jehonte temën e mësimit të saj: “Thjeshtësoni”.
Vëllezër e motra, të jetuarit e ungjillit nuk nevojitet të jetë i koklavitur.
Në të vërtetë ai është i drejtpërdrejtë. Mund të përshkruhet kështu:
-
Dëgjimi i fjalës së Perëndisë me qëllimin më të zellshëm na çon që të besojmë te Perëndia dhe t’u mirëbesojmë premtimeve të Tij.
-
Sa më shumë që e mirëbesojmë Perëndinë, aq më shumë zemrat tona mbushen me dashuri për Të dhe për njëri-tjetrin.
-
Për shkak të dashurisë sonë për Perëndinë, ne dëshirojmë ta ndjekim Atë dhe i sjellim veprimet tona në përputhje me fjalën e Tij.
-
Ngaqë e duam Perëndinë, ne dëshirojmë t’i shërbejmë Atij, dëshirojmë ta bekojmë jetën e të tjerëve dhe të ndihmojmë të varfrit e nevojtarët.
-
Sa më shumë që ecim në këtë shteg të dishepullimit, aq më shumë dëshirojmë të mësojmë fjalën e Perëndisë.
Dhe kështu vazhdon, çdo hap duke çuar drejt hapit pasues dhe duke na mbushur me besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore që vijnë duke u shtuar.
Është tërësisht e thjeshtë dhe funksionon tërësisht.
Vëllezër e motra, nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, ta shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtësoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju.
Fillojeni Atje Ku Jeni
Sugjerimi im i dytë është: fillojeni atje ku jeni.
Nganjëherë ne ndihemi të shkurajuar ngaqë nuk jemi “më” shumë – më shpirtërorë, më të respektuar, më inteligjentë, më të shëndetshëm, më të pasur, më miqësorë apo më të aftë. Natyrisht, nuk ka asgjë që s’shkon lidhur me dëshirën për t’u përmirësuar. Perëndia na krijoi që të rritemi dhe të përparojmë. Por mbani mend, dobësitë tona mund të na ndihmojnë që të jemi të përulur dhe të kthehemi te Krishti, i cili do të “bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta”. Satani, nga ana tjetër, i përdor dobësitë tona deri në shkallën që ne të heqim dorë edhe nga përpjekja.
Mësova në jetën time që nuk na nevojitet të jemi “më” shumë nga ndonjë gjë, që të fillojmë të bëhemi njeriu që Perëndia kishte si qëllim që ne të bëhemi.
Perëndia do t’ju marrë siç jeni pikërisht në këtë çast dhe do të fillojë të punojë me ju. Gjithçka që ju nevojitet, është një zemër e vullnetshme, një dëshirë për të besuar dhe mirëbesim në Zotin.
Gedeoni e pa vetveten si një fshatar të varfër, më të voglin në shtëpinë e atit të tij. Por Perëndia e pa atë si një burrë të fuqishëm dhe trim.
Kur Samueli e zgjodhi Saulin të ishte mbret, Sauli u përpoq ta bindte që të mos e zgjidhte atë. Sauli ishte nga njëri prej fiseve më të vogla të shtëpisë së Izraelit. Si mund të ishte ai mbret? Por Perëndia e pa atë si një të “ri [të zgjedhur]”.
Edhe profeti i madhërishëm, Moisiu, u ndje kaq i tronditur dhe i shkurajuar në një çast, sa donte të hiqte dorë dhe të vdiste. Por Perëndia nuk hoqi dorë prej Moisiut.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nëse e shohim veten tonë vetëm me anë të syve tanë njerëzorë, ne mund të mos e shohim veten tonë si mjaft të mirë. Por Ati ynë Qiellor na sheh se cilët jemi me të vërtetë dhe cilët mund të bëhemi. Ai na sheh si bijtë dhe bijat e Tij, si qenie të dritës së përjetshme me një potencial të pafundmë dhe me një vendmbërritje hyjnore.
Flijimi i Shpëtimtarit hapi portën e shpëtimit për të gjithë njerëzit që kthehen te Perëndia. “Hiri [i Tij] është i mjaftueshëm për të gjithë [ata] që përulen përpara [Perëndisë].” Hiri i Tij është një fuqi aftësuese që lejon hyrje në mbretëritë e Perëndisë për shpëtimin. Për shkak të hirit të Tij, ne të gjithë do të ringjallemi dhe shpëtohemi në një mbretëri të lavdisë.
Edhe mbretëria më e ulët e lavdisë, mbretëria telestiale, “tejkalon çdo zgjuarsi” dhe njerëz të panumërt do ta trashëgojnë këtë shpëtim.
Por hiri i Shpëtimtarit mund të bëjë shumë më tepër për ne. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne dëshirojmë diçka në mënyrë të paimagjinueshme më të madhe. Është ekzaltimi në mbretërinë çelestiale. Është jeta e përjetshme në praninë e Atit tonë në Qiell. Ajo është dhurata më e madhërishme e Perëndisë. Në mbretërinë çelestiale, ne marrim “nga plotësia e tij dhe nga lavdia e tij”. Në të vërtetë, gjithçka që Ati ka, do të na jepet neve.
Ekzaltimi është synimi ynë; dishepullimi është udhëtimi ynë.
Teksa ushtroni pak besim dhe filloni ecjen tuaj si një pasues paqedashës i Zotit tonë, zemra juaj do të ndryshojë. E tërë qenia juaj do të mbushet me dritë.
Perëndia do t’ju ndihmojë të bëheni diçka më e madhe nga ajo që e menduat ndonjëherë të mundur. Dhe do të zbuloni se ungjilli i Jezu Krishtit me të vërtetë funksionon në jetën tuaj. Funksionon.
Funksionon!
Vëllezër e motra, të dashur miq, lutem që ne do të përqendrohemi te “thjeshtësia [që është në] Krishti[n]” dhe do ta lejojmë hirin e Tij që të na lartësojë e mbartë gjatë udhëtimit tonë nga vendi ku jemi tani, drejt vendmbërritjes sonë të lavdishme në praninë e Atit tonë.
Ndërkohë që e bëjmë këtë dhe dikush na pyet: “Si funksionon për ty të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?” ne do të jemi të aftë të themi me krenari, plot me përulësi dhe me gëzim të madh: “Funksionon në mënyrë të mrekullueshme! Faleminderit që më pyet! A do të doje të dije më shumë?”
Kjo është shpresa ime, lutja ime, dëshmia ime dhe bekimi im në emrin e Jezu Krishtit, amen.