2010–2019
Hapi Juaj Vijues
Tetor 2015


9:51

Hapi Juaj Vijues

Ati juaj i dashur Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, ju ftojnë të ndërmerrni hapin tuaj vijues drejt Tyre. Mos prisni. Ndërmerreni tani.

Zemra ime u trishtua shumë gjatë një mbledhjeje të kohëve të fundit me shenjtorë të mrekullueshëm të ditëve të mëvonshme. Pyetja u bë: “Kush dëshiron të jetojë me Atin Qiellor sërish?” Të gjitha duart u ngritën. Pyetja pasuese ishte: “Kush ka besim se do t’ia dalë me sukses?” Në mënyrë të trishtueshme dhe të habitshme, shumica e duarve u ulën.

Kur e ndiejmë hendekun midis asaj se cilët jemi tani dhe cilët dëshirojmë të bëhemi, shumë prej nesh tundohen të zgjedhin që ta humbasin besimin dhe shpresën.

Ngaqë “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë”, me qëllim që të jetojmë sërish me Të, neve do të na duhet të pastrohemi nga mëkati dhe të shenjtërohemi. Nëse do të duhej ta bënim këtë të vetëm, askush prej nesh nuk do t’ia dilte me sukses. Por ne nuk jemi të vetëm. Në fakt, nuk jemi kurrë të vetëm.

Ne kemi ndihmën e qiellit për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Shpëtimtari tha: “Në qoftë se ju do të keni besim në mua, ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme”. Kur besimi ushtrohet, besimi rritet.

Le të marrim parasysh së bashku tri parime që do të na ndihmojnë në udhëtimin tonë të kthimit për tek Ati ynë në Qiell.

Të Bëhemi si Një Fëmijë

Nipi ynë më i vogël e ilustron parimin e parë. Pasi mësoi të hiqej zvarrë dhe pastaj të qëndronte më këmbë, ai ishte gati të përpiqej të ecte. Gjatë hapave të tij të parë, ai ra, qau dhe hodhi vështrimin që thoshte: “Unë nuk do ta provoj më kurrë – asnjëherë – atë përsëri! Thjesht do të vazhdoj të hiqem zvarrë.”

Kur ai u pengua dhe ra, prindërit e tij të dashur nuk ndien se ai ishte i pashpresë apo se nuk do të ecte kurrë. Në vend të kësaj, ata i shtrinë krahët teksa e thërrisnin dhe me sytë tek ata, ai u përpoq sërish të lëvizte drejt përqafimit të tyre të dashur.

Prindërit e dashur janë gjithmonë gati, me krahët të zgjatur, për ta mirëpritur madje edhe hapin tonë më të vogël në drejtimin e duhur. Ata e dinë se gatishmëria jonë për t’u përpjekur dhe për t’u përpjekur përsëri do të çojë drejt përparimit e suksesit.

Shpëtimtari dha mësim se, që të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë, ne duhet të bëhemi si një fëmijë i vogël. Prandaj, duke folur nga ana shpirtërore, parimi i parë është se na nevojitet të bëjmë atë që e bëmë kur ishim fëmijë.

Me përulësinë dhe gatishmërinë e një fëmije për t’u përqendruar tek Ati ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ynë, ne ndërmarrim hapa drejt Tyre, duke mos hequr dorë kurrë nga shpresa, edhe nëse biem. Ati ynë i dashur Qiellor gëzohet me secilin dhe çdonjërin hap besnik dhe, nëse biem, Ai gëzohet me çdo përpjekje që të ngrihemi dhe ta provojmë sërish.

Të Veprojmë me Besim

Një parim i dytë ilustrohet nga dy shenjtorë besnikë, secili thellësisht plot dëshirë për të gjetur një shok apo shoqe të përjetshme. Që të dy plot lutje ndërmorën hapa të mbushura me besim.

Juri, një shenjtor rus i ditëve të mëvonshme, sakrifikoi dhe kurseu të ardhura që të ndërmerrte një udhëtim të gjatë drejt tempullit. Në tren ai vuri re një vajzë të bukur, me një pamje të shndritshme në fytyrë dhe e ndjeu se duhej të fliste me të për ungjillin. Duke mos e ditur se çfarë tjetër të bënte, ai filloi të lexonte nga Libri i tij i Mormonit, duke shpresuar që ajo mund ta vinte re.

Juri nuk e dinte se vajza, Marija, ishte tashmë një shenjtore e ditëve të mëvonshme. Duke mos e ditur se Juri gjithashtu ishte një anëtar dhe duke ndjekur një nxitje që e pati për ta ndarë ungjillin me të, edhe Marija filloi të lexonte në Librin e saj të Mormonit, duke shpresuar se ai mund ta vinte re.

Por, kur i ngritën sytë njëkohësisht, Juri dhe Marija u habitën që e panë Librin e Mormonit në duart e tjetrit – dhe po, pasi ranë në dashuri, ata u vulosën në tempull. Sot, Juri dhe Marija Kutepov nga Voronezhi në Rusi, si shokë të përjetshëm, japin ndihmesë të rëndësishme për rritjen e Kishës në Rusi.

Theksimi këtu nuk është vetëm në gatishmërinë e këtij çifti për të vepruar me besim. Është edhe për një parim të dytë – Zoti bën më shumë sesa është gatishmëria jonë për të vepruar me besim. Gatishmëria jonë për të ndërmarrë një hap jo vetëm që përmbushet; ajo tejkalohet nga bekimet e premtuara prej Zotit.

Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ynë mezi presin të na bekojnë. Në fund të fundit, Ata kërkojnë vetëm një të dhjetën e asaj me të cilën na bekojnë dhe më pas premtojnë që pragjet e qiellit do të hapen!

Sa herë që gatishmërisht veprojmë me besim te Jezu Krishti dhe ndërmarrim një hap tjetër, veçanërisht një hap të parehatshëm që kërkon ndryshim ose pendim, ne bekohemi me forcë.

Unë dëshmoj se Zoti do të na udhërrëfejë në drejtim të – dhe përgjatë – hapave tanë vijues. Ai do të bëjë me fuqinë e Tij më shumë nga ç’janë përpjekjet tona, në qoftë se ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të përpiqemi, të pendohemi dhe të ecim përpara me besim tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Dhurata shpirtërore u premtohen jo vetëm atyre që e duan Perëndinë dhe i zbatojnë të gjitha urdhërimet e Tij, por gjithashtu, plot mirënjohje, atyre prej nesh që “kërko[jnë] të bëj[në] kështu”. Forcë u jepet atyre që vazhdojnë të kërkojnë e të përpiqen.

Dy shenja thelbësore të përjavshme, që e shenjojnë udhëtimin tonë të kthimit për tek Ati ynë në Qiell, janë besëlidhja e përhershme e ordinancës së sakramentit dhe respektimi i ditës së Shabatit prej nesh. Presidenti Rasëll M. Nelson na dha mësim në konferencën e fundit, të përgjithshme se Shabati është dhurata e Zotit për ne. Respektimi i përkushtuar, i përjavshëm i Shabatit prej nesh është shenja jonë dhënë Zotit se ne e duam Atë.

Çdo ditë Shabati ne dëshmojmë që jemi “të gatshëm të marrim mbi vete[n tonë] emrin e [Tij] dhe gjithmonë ta kujtoj[më] atë e të zbatojmë urdhërimet [e Tij]”. Si shkëmbim për zemrën tonë të penduar dhe zotimin tonë, Zoti ripërtërin heqjen e premtuar të mëkatit dhe na aftëson që “të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”. Ndikimi i Shpirtit të Shenjtë na përmirëson, na forcon, na mëson dhe na udhërrëfen.

Nëse, duke e kujtuar Atë çdo Shabat, ne i kthejmë zemrat tona te Shpëtimtari përmes këtyre dy shenjave të rëndësishme të udhës, përpjekjet tona sërish shpërblehen nga Zoti edhe më shumë me anë të bekimeve të premtuara prej Tij. Neve na premtohet se, me respektimin e përkushtuar të ditës së Shabatit, plotësia e tokës do tëjetë e jona.

Shtegu i kthimit për tek Ati ynë në Qiell çon drejt shtëpisë së Zotit, ku ne bekohemi që të marrim ordinancat shpëtuese për veten tonë dhe për njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur. Presidenti Bojd K. Paker dha mësim se “ordinancat dhe besëlidhjet bëhen kualifikimet tona për t’u pranuar në praninë [e Perëndisë]”. Lutem që secili prej nesh gjithmonë do të jetë i denjë dhe do ta përdorë rekomandimin e vet të tempullit që të shërbejë rregullisht atje.

Të Mposhtim Njeriun e Natyrshëm

Një parim i tretë është ky: ne duhet ta kundërshtojmë prirjen e njeriut të natyrshëm për të lënë pas dore, për të lënë mënjanë ose për të hequr dorë.

Kur përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjes, ne do të bëjmë gabime, disa prej tyre shumë herë. Disa prej nesh ndeshen me sjellje ose vartësi, të cilat ndihemi të pafuqishëm për t’i mposhtur. Por besimi tek Ati Qiellor dhe te Jezu Krishti është një parim i veprimit dhe i fuqisë. Nëse jemi të gatshëm të veprojmë, ne do të bekohemi me forcën që të pendohemi dhe forcën që të ndryshojmë.

Ne dështojmë vetëm nëse nuk arrijmë të ndërmarrim një hap tjetër plot besim përpara. Ne nuk do të dështojmë, ne nuk mund të dështojmë, në qoftë se besnikërisht lidhemi së bashku me Shpëtimtarin – Atë që vetë nuk ka dështuar kurrë dhe që nuk do të na lërë ne të dështojmë kurrë!

Bekimet e Premtuara

Unë premtoj se çdo hap i mbushur me besim do të plotësohet me ndihmë nga qielli. Udhërrëfim do të vijë kur ne i lutemi Atit tonë Qiellor, mbështetemi te Shpëtimtari ynë dhe e ndjekim Atë, dhe e dëgjojmë Shpirtin e Shenjtë. Forcë do të vijë për shkak të flijimit shlyes të Jezu Krishtit. Shërim dhe falje do të vijnë për shkak të hirit të Perëndisë. Urtësi dhe durim do të vijnë nëpërmjet mirëbesimit në kohën e Zotit për ne. Mbrojtje do të vijë nëpërmjet ndjekjes së profetit të gjallë të Perëndisë, Presidentit Tomas S. Monson.

Ju u krijuat “që [ju] të mund të [kini] gëzim”, gëzim që do ta ndieni kur të ktheheni me denjësi drejt Atit tuaj Qiellor e Shpëtimtarit tuaj dhe të hidhni hapin drejt përqafimit të Tyre të ngrohtë.

Unë jap dëshmi për këto të vërteta absolute. Ati juaj i dashur Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë. Ata ju njohin. Ata ju duan. Ata ju ftojnë plot dashuri që të ndërmerrni hapin tuaj vijues drejt Tyre. Mos prisni. Ndërmerreni tani. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.