2010–2019
Lëreni Trombën e Mprehtë të Tingëllojë
Tetor 2015


9:59

Lëreni Trombën e Mprehtë të Tingëllojë

Bota ka nevojë për dishepuj të Krishtit të cilët mund ta komunikojnë mesazhin e ungjillit me qartësi dhe nga zemra.

Këtë verë që kaloi, gruaja ime dhe unë kishim dy prej nipërve tanë të rinj që po qëndronin me ne ndërsa prindërit e tyre merrnin pjesë në një aktivitet shtegtimi të pionierëve me kunjin e tyre. Vajza jonë dëshironte të ishte e sigurt që djemtë do të ushtroheshin në piano ndërsa ishin larg shtëpisë. Ajo e dinte që disa ditë me gjyshërit e bëjnë më të lehtë të harrosh të ushtrohesh. Një pasdite vendosa të ulesha me nipin tim 13-vjeçar, Endrjun, dhe ta dëgjoja tek luante.

Ky djalë është plot me energji dhe i pëlqen të jetë jashtë shtëpisë. Ai lehtësisht mund ta harxhojë të gjithë kohën e tij duke dalë për gjueti dhe peshkim. Gjatë kohës që ai po ushtrohej në piano, mund të dalloja që ai do të parapëlqente të peshkonte në një lumë aty pranë. E dëgjova teksa ai i binte me forcë çdo korde të një kënge të njohur. Çdo notë që ai luante, kishte të njëjtin theksim dhe metrikë, duke e bërë të vështirë të dallohej qartë melodia. U ula në stol përkrah tij dhe i shpjegova rëndësinë që kishte ushtrimi i shtypjes pak më të madhe në çelësat e melodisë dhe pak më të vogël tek ato që e shoqërojnë melodinë. Ne biseduam rreth faktit se piano ishte më shumë sesa një mrekulli mekanike. Mund të jetë një shtesë e zërit dhe ndjenjave të tij dhe mund të bëhet një instrument i mrekullueshëm komunikimi. Njësoj si një njeri flet dhe lëviz butësisht nga njëra fjalë në tjetrën, ashtu duhet të rrjedhë edhe melodia teksa lëvizim nga njëra notë në tjetrën.

Ne qeshëm së bashku teksa ai u përpoq herë pas here. Buzëqeshja u shtua në faqen e tij me vrimë teksa melodia e njohur filloi të dilte në pah nga ajo që ishte më parë një grup i egër tingujsh. Mesazhi u bë i qartë: “Fëmi i Per’ndis’ jam, këtu ai më çoi”. E pyeta Endrjun nëse mund ta ndiente ndryshimin te mesazhi. Ai u përgjigj: “Po, Gjysh, mund ta ndiej!”

Apostulli Pal na mësoi rreth krahasimit të komunikimit me instrumentet muzikore kur ai u shkroi korintasve:

“Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?

Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?”

Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë kur botës i janë nevojitur dishepuj të Krishtit të cilët mund ta komunikojnë mesazhin e ungjillit me qartësi dhe nga zemra, ajo [kohë] është tani. Neve na nevojitet thirrja e mprehtë e trombës.

Krishti ishte me siguri shembulli ynë më i mirë. Ai gjithmonë e shfaqi me vepra guximin për t’u ngritur për atë që ishte e drejtë. Fjalët e Tij jehojnë nëpër shekuj teksa Ai na fton të kujtojmë ta duam Perëndinë dhe bashkëqenien tonë, t’i zbatojmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë e të jetojmë si një dritë për botën. Ai nuk pati frikë të fliste kundër fuqive të tokës apo sundimtarëve të kohës së Tij, edhe kur këta të fundit po e kundërshtonin misionin që i ishte dhënë Atij nga Ati i Tij Qiellor. Fjalët e Tij nuk kishin për qëllim t’i ngatërronin por t’i preknin zemrat e njerëzve. Ai e dinte qartë vullnetin e Atit të Tij në gjithçka që Ai bëri dhe tha.

Unë gjithashtu e kam shumë për zemër shembullin e Pjetrit, i cili u përball me njerëzit e botës me guxim dhe qartësi në ditën e Rrëshajave. Në atë ditë njerëzit ishin mbledhur nga shumë vende dhe po i kritikonin shenjtorët e hershëm sepse i dëgjuan ata të flisnin në gjuhë dhe menduan se ishin të dehur. Pjetri, duke e pasur Frymën që i gufonte në shpirt, u ngrit për të mbrojtur Kishën dhe anëtarët. Ai dëshmoi me këto fjalë: “Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia”.

Ai më pas citoi nga shkrimet e shenjta që përmbajnë profecitë e Krishtit dhe dha këtë dëshmi të drejtpërdrejtë: “Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht”.

Shumë i dëgjuan fjalët e tij dhe e ndien Shpirtin dhe 3.000 shpirtra iu bashkuan radhëve të Kishës së hershme. Kjo është një provë e fuqishme që një burrë ose grua, që është i gatshëm a e gatshme të dëshmojë kur bota duket se po shkon në drejtimin e kundërt, mund të bëjë ndryshim.

Kur ne si anëtarë marrim vendimin të ngrihemi dhe të dëshmojmë fuqishëm për doktrinën e Perëndisë dhe Kishën e Tij, diçka ndryshon përbrenda nesh. Ne e marrim mbi vete pamjen e Tij. Ne bëhemi më të afërt me Shpirtin e Tij. Ai nga ana tjetër do të shkojë përpara nesh dhe “do të [jetë] në të djathtën e në të majtën [tonë] dhe Shpirti [i Tij] do të jetë në zemrat [tona] e engjëjt e [Tij] përreth [nesh], për [të na] ngritur lart”.

Dishepujt e vërtetë të Krishtit nuk kërkojnë të japin justifikime për doktrinën, kur ajo nuk përshtatet me konceptet aktuale të botës. Pali ishte një tjetër dishepull sypatrembur i cili shpalli trimërisht se ai “nuk k[ishte] turp për ungjillin e Krishtit: sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson”. Dishepujt e vërtetë e përfaqësojnë Zotin edhe kur mund të mos jetë e volitshme ta bëjnë këtë. Dishepujt e vërtetë dëshirojnë t’i frymëzojnë zemrat e njerëzve, jo thjesht t’u bëjnë përshtypje atyre.

Shpesh nuk është e volitshme apo e rehatshme që të ngrihemi për Krishtin. Jam i sigurt që kështu ishte edhe për Palin kur u thirr para mbretit Agripa dhe iu kërkua të justifikonte veten dhe të tregonte historinë e tij. Pali, pa ngurruar, shpalli besimin e tij me kaq fuqi saqë ky mbret frikësues pranoi se “për pak” dhe do bindej të ishte i krishterë.

Përgjigjja e Palit dëshmoi për dëshirën e tij që njerëzit ta kuptonin tërësisht atë që ai kishte për të thënë. Ai i tha mbretit Agripa që ishte dëshira e tij që të gjithë ata që e dëgjuan të mos ishin “për pak” të krishterë por madje të bëheshin “të gjithë” dishepuj të Krishtit. Ata që flasin me qartësi, mund të bëjnë që kjo të ndodhë.

Gjatë viteve të shumta që e kam studiuar historinë e ëndrrës së Lehit në Librin e Mormonit, gjithmonë e kam menduar ndërtesën e gjerë dhe të madhe si një vend ku banojnë vetëm më rebelët. Ndërtesa ishte e mbushur me njerëz që talleshin dhe tregonin me gisht nga besnikët të cilët u mbajtën te shufra e hekurt, e cila përfaqëson fjalën e Perëndisë, dhe që po ecnin përpara drejt pemës së jetës, që përfaqëson dashurinë e Perëndisë. Disa nuk mund ta duronin trysninë e njerëzve që po talleshin me ta, dhe e humbën rrugën. Të tjerë vendosën të bashkoheshin me tallësit në ndërtesë. A nuk e kishin ata guximin të flisnin trimërisht kundër kritikave ose mesazheve të botës?

Teksa e shoh botën e tanishme duke shkuar larg Perëndisë, mendoj se kjo ndërtesë po rritet për nga madhësia. Shumë e gjejnë veten sot duke u endur nëpër korridoret e ndërtesës së gjerë dhe të madhe duke mos e kuptuar që ata po bëhen pjesë e kulturës së saj. Ata shpesh u jepen tundimeve dhe mesazheve. Si përfundim i gjejmë duke u tallur ose duke u pajtuar me ata që kritikojnë ose tallin.

Për vite kam menduar se turma tallëse po përqeshte mënyrën se si besnikët e jetojnë jetën e tyre, por zërat nga ndërtesa e sotme e kanë ndryshuar tonin dhe qasjen e tyre. Ata që tallin, shpesh herë mundohen ta mbytin mesazhin e thjeshtë të ungjillit duke sulmuar ndonjë aspekt të historisë së Kishës ose duke ofruar kritika therëse për një profet ose udhëheqës tjetër. Ata gjithashtu po sulmojnë vetë zemrën e doktrinës sonë dhe ligjet e Perëndisë, të dhëna që nga krijimi i tokës. Ne, si dishepuj të Jezu Krishtit dhe anëtarë të Kishës së Tij, nuk duhet kurrë ta lëshojmë atë shufër të hekurt. Ne duhet ta lëmë trombën e mprehtë të tingëllojë nga vetë shpirtrat tanë.

Mesazhi i thjeshtë është që Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor dhe Jezu Krishti është Biri i Tij. Ungjilli është rivendosur në këto ditë të mëvonshme nëpërmjet profetëve të gjallë dhe prova është Libri i Mormonit. Shtegu i lumturisë është nëpërmjet njësisë bazë familjare siç u organizua dhe zbulua nga Ati ynë Qiellor. Kjo është melodia e njohur e mesazhit që shumë mund të kujtojnë, sepse e kanë dëgjuar atë nga jeta e tyre para lindjes.

Është koha për ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, që të ngrihemi dhe të dëshmojmë. Është koha që notat e melodisë së ungjillit të ngrihen mbi zhurmën e botës. Unë ia shtoj dëshminë time mesazhit të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të kësaj botës. Ai jeton! Ungjilli i Tij është rivendosur dhe bekimet e lumturisë dhe paqes mund të sigurohen në këtë jetë duke i jetuar urdhërimet e Tij dhe duke ecur në shtegun e Tij. Kjo është dëshmia ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.