Të Bekuar dhe Të Lumtur Janë Ata Që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë
Pengesat e vendosura nga Zoti krijojnë një liman të sigurt për ne nga ndikimet e liga dhe shkatërruese.
Disa kohë më parë ndërsa po vizitoja Australinë, udhëtova për te një gji i bukur në formën e një patkoi, i njohur për sërf. Ndërsa ecja përgjatë plazhit, u magjepsa nga madhështia e dallgëve të mëdha që përplaseshin e thyheshin pikërisht jashtë gjirit dhe nga dallgët më të vogla që valëzoheshin pranë bregut.
Ndërsa vazhdova shëtitjen time, takova një grup sërfistësh amerikanë. Dukej qartë që ata ishin mërzitur për diçka, duke biseduar me zë të lartë dhe duke bërë me shenja për nga deti. Kur i pyeta se çfarë nuk shkonte, ata treguan me gisht për nga ana e jashtme e gjirit ku përplaseshin dallgët e mëdha.
“Shikoni atje”, më tha njëri prej tyre me zemërim. “A mund ta shihni pengesën?” Duke parë më nga afër tani, unë me të vërtetë mund të shihja një pengesë që shtrihej përgjatë gjithë grykës së gjirit, pikërisht atje ku përplaseshin dallgët e mëdha joshëse. Pengesa dukej se ishte bërë me një rrjetë të rëndë dhe mbështetej nga pluskues në sipërfaqe të ujit. Sipas sërfistëve, ajo shtrihej deri në fund të oqeanit.
Sërfisti amerikan vazhdoi: “Ne jemi këtu në një udhëtim që bëhet një herë në jetë për të bërë sërf mbi këto dallgë të mëdha. Ne mund të bëjmë sërf mbi dallgët e vogla që përplasen brenda vetë gjirit, por pengesa e bën të pamundur që ne të bëjmë sërf mbi dallgët e mëdha. Nuk e kemi idenë përse pengesa është atje. Gjithçka që dimë është që na e ka prishur plotësisht udhëtimin.”
Ndërkohë që sërfistët amerikanë u gjallëruan më tepër, vëmendja ime u tërhoq nga një tjetër sërfist aty pranë – një burrë i moshuar dhe me sa dukej, vendës. Ai dukej se po e humbiste durimin ndërsa dëgjonte ankesat që sa vinin e shtoheshin rreth pengesës.
Më në fund ai u ngrit dhe eci drejt grupit. Pa thënë asgjë, ai nxori një palë dylbi nga çanta e tij e shpinës dhe ia dha ato njërit prej sërfistëve, duke treguar me gisht për nga pengesa. Secili prej sërfistëve pa me dylbi. Kur erdhi radha ime, me ndihmën e zmadhimit, unë mund të shihja diçka që nuk kisha qenë në gjendje ta shihja më parë: pendë kurrizore – peshkaqenë të mëdhenj që ushqeheshin pranë shkëmbinjve nënujorë në anën tjetër të pengesës.
Grupi u zbut shpejt. Sërfisti i moshuar i rimori dylbitë dhe nisi të largohej. Ndërsa e bëri këtë, ai tha fjalë që unë nuk do t’i harroj kurrë: “Mos jini shumë kritikues për pengesën”, tha ai. “Është e vetmja gjë që po ju pengon nga të qenit të gllabëruar.”
Teksa qëndronim në atë plazh të bukur, këndvështrimi ynë kishte ndryshuar papritur. Një pengesë që ishte dukur e ashpër dhe kufizuese – që dukej se e zvogëlonte argëtimin dhe emocionin e rrëshqitjes mbi dallgë vërtet të mëdha – ishte bërë diçka shumë e ndryshme. Me kuptueshmërinë tonë të re për rrezikun që zinte pritë pikërisht nën sipërfaqe, pengesa tani jepte mbrojtje, siguri dhe paqe.
Ndërsa unë dhe ju ecim në udhët e jetës dhe ndjekim ëndrrat tona, urdhrat dhe standardet e Perëndisë – ashtu si pengesa – ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u kuptuar. Ato mund të duken të ashpra dhe të paepura, duke bllokuar një udhë që duket argëtuese dhe emocionuese e që ndiqet nga kaq shumë të tjerë. Ashtu siç e përshkroi Apostulli Pal, “ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët”, me një këndvështrim të tillë të kufizuar, saqë ne shpesh nuk mund t’i kuptojmë rreziqet e mëdha që fshihen pikërisht nën sipërfaqe.
Por Ai që i “kupton të gjitha gjërat” e di saktësisht se ku shtrihen ato rreziqe. Ai na jep udhëheqje hyjnore, nëpërmjet urdhrave dhe udhërrëfimit të Tij të dashur, në mënyrë që ne të mund t’i shmangim rreziqet – në mënyrë që ne të mund të caktojmë një drejtim në jetën tonë që mbrohet nga grabitqarët shpirtërorë dhe nofullat e hapura të mëkatit.
Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë – dhe besimin tonë tek Ai – duke bërë më të mirën tonë çdo ditë për të ndjekur drejtimin që Ai ka caktuar për ne, dhe duke i zbatuar urdhërimet që Ai na ka dhënë. Ne e shfaqim veçanërisht atë besim dhe dashuri në situata ku ne nuk e kuptojmë plotësisht arsyen e urdhrave të Perëndisë ose shtegun e veçantë që Ai na thotë të marrim. Është relativisht e lehtë të ndjekim një drejtim brenda pengesës sapo marrim vesh se ka grabitqarë me dhëmbë të mprehtë që gëlojnë pikërisht jashtë saj. Është më e vështirë ta mbajmë drejtimin tonë brenda pengesës kur gjithçka që mund të shohim, janë dallgë emocionuese dhe ftuese nga ana tjetër. Dhe prapëseprapë është në ato raste – raste kur ne zgjedhim ta ushtrojmë besimin tonë, ta vendosim mirëbesimin tonë te Perëndia dhe ta tregojmë dashurinë tonë ndaj Tij – që ne rritemi dhe marrim përfitimin më të madh.
Në Dhiatën e Re, Anania nuk mund ta kuptonte urdhrin e Zotit për ta kërkuar dhe bekuar Saulin – një njeri që vërtet kishte leje nga shteti për t’i burgosur besimtarët e Krishtit. Prapëseprapë, për shkak se ai iu bind urdhrit të Perëndisë, Anania ishte i dobishëm në lindjen shpirtërore të Apostullit Pal.
Kur ne i mirëbesojmë Zotit, ushtrojmë besimin tonë, u bindemi urdhërimeve të Tij dhe e ndjekim drejtimin që Ai ka përcaktuar për ne, ne bëhemi më shumë si njeriu që Zoti do që ne të bëhemi. Është kjo “bërje” – ky kthim i zemrës në besim – që ka më shumë rëndësi. Ashtu si Plaku Dallin H. Ouks na ka mësuar: “Nuk mjafton që dikush t’i bëjë veprimet vetëm në mënyrë të përciptë. Urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit nuk janë një listë depozitash që na kërkohet t’i derdhim në ndonjë llogari qiellore. Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon se si të bëhemi ajo çfarë Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të bëhemi.”
Prandaj, bindje e vërtetë, do të thotë t’ia japim veten tonë tërësisht Atij dhe ta lejojmë Atë të përcaktojë drejtimin tonë si në ujëra të qeta edhe në të trazuara, duke kuptuar se Ai mund të bëjë më shumë me ne sesa ne mund të bëjmë ndonjëherë me veten tonë.
Kur ia nënshtrojmë veten tonë vullnetit të Tij, neve na shtohet paqja dhe lumturia. Mbreti Beniamin dha mësim se ata që i zbatojnë urdhrat e Perëndisë, janë të “bekuar dhe të lumtur … në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore”. Perëndia do që ne të kemi gëzim. Ai do që ne të kemi paqe. Ai do që ne t’ia dalim mbanë. Ai do që ne të jemi të sigurt dhe të mbrohemi nga ndikimet tokësore kudo rreth nesh.
E thënë në një mënyrë tjetër, urdhrat e Zotit nuk përbëjnë një labirint nënujor torturues pengesash që ne duhet të mësojmë t’i durojmë me pahir në këtë jetë, në mënyrë që të mund të ekzaltohemi në jetën tjetër. Për më tepër, pengesat e vendosura nga Zoti krijojnë një liman të sigurt për ne nga ndikimet e liga dhe shkatërruese që përndryshe do të na tërhiqnin poshtë në thellësitë e dëshpërimit. Urdhërimet e Zotit jepen nga dashuria dhe përkujdesja; ato kanë për qëllim gëzimin tonë në këtë jetë po aq sa kanë për qëllim gëzimin dhe ekzaltimin tonë në jetën tjetër. Ato shenjojnë mënyrën se si duhet të veprojmë – dhe më e rëndësishmja, ato na qartësojnë se kush duhet të bëhemi.
Ashtu si në të gjitha gjërat e mira dhe të vërteta, Jezu Krishti qëndron si shembulli më i mirë. Vepra më e madhe e bindjes në gjithë përjetësinë ndodhi kur Biri ia nënshtroi Veten e Tij vullnetit të Atit. Duke kërkuar me përulësinë më të thellë që kupa të mund të largohej – që Ai të mund të udhëtonte në ndonjë drejtim tjetër nga ai që ishte shenjuar për Të – Krishti ia nënshtroi Veten e Tij udhës që Ati i Tij donte që Ai të merrte. Ishte një udhë që kalonte përmes Gjetsemanit dhe Golgotës, ku Ai duroi agoni dhe vuajtje të papërfytyrueshme dhe ku u braktis plotësisht kur Shpirti i Atit të Tij u tërhoq. Por e njëjta udhë kulmoi me një varr të zbrazur në ditën e tretë, me thirrjet “Ai … u ringjall” që kumbuan në veshët dhe zemrat e atyre që e deshën Atë. Kjo përfshiu gëzim dhe ngushëllim të papërfytyrueshëm, të përqendruar te Shlyerja e Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë gjatë gjithë përjetësisë. Duke e lejuar vullnetin e Tij të përpihej nga vullneti i Atit, Krishti na dha shpresën e paqes së përjetshme, të gëzimit të përjetshëm dhe të jetës së përjetshme.
Dëshmoj se ne jemi fëmijë të një Perëndie të dashur. Dëshmoj se Ai do që ne të jemi të lumtur dhe të sigurt e të bekuar. Për këtë qëllim, Ai na ka përcaktuar një drejtim që na çon sërish tek Ai dhe ka vendosur pengesa që do të na mbrojnë përgjatë udhës. Kur ne bëjmë më të mirën tonë për ta ndjekur atë drejtim, ne gjejmë siguri, lumturi dhe paqe të vërtetë. Dhe ndërsa i nënshtrohemi vullnetit të Tij, ne bëhemi ajo çka Ai do që ne të bëhemi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.