Ja Nëna Jote
Asnjë dashuri në vdekshmëri nuk vjen më pranë që t’i përafrohet dashurisë së pastër të Jezu Krishtit sesa dashuria vetëmohuese që ka një nënë e përkushtuar për fëmijën e saj.
Më lejoni të bashkohem me ju të gjithë për të mirëpritur Plakun Ronald A. Rasband, Plakun Geri E. Stivenson dhe Plakun Dejll G. Renland e bashkëshortet e tyre në shoqërimin më të ëmbël që ndoshta mund të përfytyrohet.
Duke profetizuar për Shlyerjen e Shpëtimtarit, Isaia shkoi: “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”. Një vegim madhështor i ditëve të mëvonshme theksoi se “[Jezusi] erdhi në botë … që … të merrte mëkatet e botës”. Si shkrimi i shenjtë i lashtë edhe ai modern dëshmojnë se “ai i shëlbeu ata dhe i mbajti ata, dhe i mbështeti ata në të gjitha ditët e lashtësisë”. Një himn i parapëlqyer na lutet ne që “zërin e Çliru’sit [ta] d’gjo[jmë]!”
Mbaj, marr, mbështes, çliroj. Këto janë fjalë të fuqishme, zemërprekëse për Mesian. Ato përçojnë ndihmë dhe shpresë për një lëvizje të sigurt nga vendi ku jemi drejt vendit ku nevojitet të jemi – por ku nuk mund të shkojmë pa përkrahje. Ato fjalë gjithashtu vënë në dukje barrën, vështirësinë dhe lodhjen – fjalët më të përshtatshme për ta përshkruar misionin e Tij, i cili, me një çmim të papërshkrueshëm, na ngre kur kemi rënë, na çon përpara kur forca na ka lënë, na dorëzon të sigurt në shtëpi kur siguria duket shumë përtej arritjes sonë. “Ati im më dërgoi”, tha Ai, “që të mund të ngrihesha në kryq; … që ashtu si unë u ngrita … ashtu dhe njerëzit të ngrihen … para … meje”.
Por a mund ta keni dëgjuar në këtë mënyrë të shprehuri një arenë tjetër të përpjekjeve njerëzore, në të cilën ne përdorim fjalë të tilla si mbaj e marr,mbështet e ngre,mundohem e çliroj? Ashtu si Jezusi i tha Gjonit, teksa ishte në vetë aktin e Shlyerjes, kështu Ai na thotë neve të gjithëve: “Ja nëna jote!”
Sot unë shpall nga kjo foltore atë që është thënë më parë këtu: se asnjë dashuri në vdekshmëri nuk vjen më pranë që t’i përafrohet dashurisë së pastër të Jezu Krishtit sesa dashuria vetëmohuese që ka një nënë e përkushtuar për fëmijën e saj. Kur Isaia, duke folur në mënyrë mesianike, dëshiroi ta përçonte dashurinë e Jehovait, ai përdori shëmbëlltyrën e përkushtimit të një nëne. “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit?” pyet ai. Sa e pakuptimtë, lë të kuptohet ai, megjithëse jo aq e pakuptimtë sa të menduarit që Krishti do të na harrojë ndonjëherë.
Kjo lloj dashurie e fuqishme “është e duruar dhe është e mirë, … nuk kërkon të mirën e vet, … por … mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat”. Më zemërdhënëse nga të gjitha, një besnikëri e tillë “nuk dështon kurrë”. “Edhe sikur të largohen malet dhe të lëvizin kodrat”, tha Jehova, “mirësia ime nuk do të largohet prej teje”. Po kështu thonë edhe nënat tona.
Siç e shihni, nuk është vetëm që ato na mbajnë ne, por ato vazhdojnë të ndihmojnë duke i mbajtur barrët tona bashkë me ne. Nuk është vetëm mbajtja fizikisht para lindjes, por mbajtja gjatë një jete të tërë që e bën mëmësinë një akt të tillë të jashtëzakonshëm. Sigurisht, ka përjashtime zemërthyese, por shumica e nënave e dinë në mënyrë intuitive, vetvetiu, se ky është një mirëbesim i shenjtë i urdhrit më të lartë. Pesha e asaj kuptueshmërie, veçanërisht e vendosur mbi supe të reja amnore, mund të jetë shumë frikësuese.
Një nënë e re, e mrekullueshme më shkroi: “Si është e mundur që një qenie njerëzore mund ta dojë një fëmijë kaq shumë sa ti je e gatshme të heqësh dorë nga një pjesë e madhe e lirisë tënde për të? Si mund të jetë dashuria njerëzore kaq e fortë sa ti vullnetarisht ia nënshtron vetveten përgjegjësisë, cenueshmërisë, ankthit e dhembjes dhe vazhdon të kthehesh sërish për më shumë përvoja të tilla? Çfarë lloj dashurie njerëzore mund të të bëjë të ndiesh, pasi të kesh lindur një fëmijë, se jeta jote nuk është më kurrë e jotja sërish? Dashuria amnore duhet të jetë hyjnore. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për të. Ajo që nënat bëjnë, është një përbërës thelbësor i veprës së Krishtit. Njohja e kësaj gjëje duhet të jetë e mjaftueshme për të na treguar që ndikimi i një dashurie të tillë do të shtrihet midis të pamundurës dhe të papërfytyrueshmes, përherë e përsëri, derisa me sigurinë dhe shpëtimin e pikërisht fëmijës së fundit mbi tokë, ne [atëherë] mund të themi me Jezusin: ‘[Atë!] Unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj’. ”
Me hirshmërinë e asaj letre duke jehuar në mendjen tonë, më lejoni të tregoj tri përvoja që pasqyrojnë ndikimin madhështor të nënave, të dëshmuar gjatë shërbesës sime në vetëm disa javë të fundit:
Ky rrëfim i parë është një rrëfim paralajmërues, duke na kujtuar që jo çdo përpjekje amnore ka një mbarim të lumtur si në përralla, të paktën jo menjëherë. Ky kujtues merr shkas nga një bashkëbisedim me një mik të dashur, të njohur prej më shumë se 50 vjetësh, i cili po vdiste duke qenë larg kësaj Kishe, që ai e dinte në zemrën e tij të ishte e vërtetë. Pavarësisht nga sa u përpoqa ta ngushëlloja, nuk dukej se mund t’i sillja atij paqe. Më së fundi ai më tregoi përse. “Xhef”, tha ai, “sado e dhembshme do të jetë për mua që të qëndroj përpara Perëndisë, unë s’mund ta duroj mendimin e të qëndruarit përpara nënës sime. Ungjilli dhe fëmijët e saj ishin gjithçka për të. E di se ia kam thyer zemrën dhe kjo gjë po ma thyen zemrën time.”
Tani, unë jam tërësisht i sigurt që pasi ai ndërroi jetë, nëna e tij e priti mikun tim me krahëhapur e plot dashuri; kjo është ajo që prindërit bëjnë. Por pjesa paralajmëruese e kësaj historie është që fëmijët mund ta thyejnë zemrën e nënave. Këtu gjithashtu ne shohim një tjetër krahasim me hyjninë. Nuk është e nevojshme që t’ju kujtoj se Jezusi vdiq nga një zemër e thyer, një zemër e lodhur dhe e munduar nga mbajtja e mëkateve të botës. Prandaj në çfarëdo çasti të tundimit, e shikofshim “nën[ën tonë]” dhe po ashtu Shpëtimtarin tonë dhe ua kursefshim atyre që të dyve hidhërimin e mëkatimit tonë.
Së dyti, flas për një të ri që hyri në fushën e misionit me denjësi por, duke e zgjedhur vetë, u kthye në shtëpi shpejt për shkak të tërheqjes fizike ndaj së njëjtës gjini dhe të tronditjes që përjetoi për sa i përket asaj. Ishte ende i denjë, por besimi i tij ishte në një nivel krize, barra e tij emocionale u bë edhe më e rëndë dhe dhembja e tij shpirtërore ishte gjithnjë dhe më e thellë. Ai ishte herë pas here i lënduar, i pështjelluar, i inatosur dhe i dëshpëruar.
Presidenti i tij i misionit, presidenti i tij i kunjit, peshkopi i tij harxhuan orë të panumërta duke u përpjekur e duke vajtuar dhe duke e bekuar, ndërkohë që po e mbanin pranë, por një pjesë e madhe e plagës së tij ishte kaq vetjake sa ai i mbajti, të paktën disa pjesë të saj, të fshehta prej tyre. Babai i dashur në këtë histori e derdhi tërë frymën e tij për ta ndihmuar këtë fëmijë, por rrethanat e tij tepër kërkuese të punësimit bënë të ndodhte që shpesh netët e gjata, të zymta të shpirtit u përballuan nga vetëm ky djalë dhe nëna e tij. Ditë e natë, fillimisht për javë, më pas për muaj që u kthyen në vite, ata kërkuan shërim së bashku. Përmes periudhave të hidhësisë (kryesisht të birit, por nganjëherë të nënës) dhe përmes periudhave të frikës së pambarueshme (kryesisht të nënës, por nganjëherë të birit), ajo ia dha – ja ku është përsëri ajo fjalë e bukur, peshërëndë – ajo ia dha birit të saj dëshminë e saj për fuqinë e Perëndisë, për Kishën e Tij, por veçanërisht për dashurinë e Tij për këtë fëmijë. Me po atë frymë ajo dëshmoi për vetë dashurinë e saj të paepur e të pavdekshme për të gjithashtu. Për t’i sjellë së bashku ato dy shtylla tërësisht jetike, thelbësore për vetë ekzistencën e saj – ungjillin e Jezu Krishtit dhe familjen e saj – ajo e derdhi shpirtin e saj në lutje pa pushim. Ajo agjëroi dhe vajtoi, ajo vajtoi dhe agjëroi, dhe më pas ajo dëgjoi e dëgjoi teksa ky bir në mënyrë të përsëritur i tregonte se si po lëndohej zemra e tij. Kështu që ajo e mbajti atë – sërish – vetëm se këtë herë nuk ishte për nëntë muaj. Këtë herë ajo mendoi se të munduarit plot dhembje përmes tablosë së dëmtuar të dëshpërimit të tij do të vazhdonte përherë.
Por nëpërmjet hirit të Perëndisë, ngulmimit të saj dhe ndihmës së një morie të udhëheqësve të Kishës, miqve, pjesëtarëve të familjes dhe terapistëve profesionistë, kjo nënë këmbëngulëse e ka parë birin e saj të kthehet në shtëpi drejt tokës së premtuar. Me trishtim e pranojmë se një bekim i tillë nuk u vjen, ose të paktën nuk u ka ardhur ende, të gjithë prindërve që janë në ankth lidhur me një larmi të gjerë të rrethanave të fëmijëve të tyre, por në këtë rast kishte shpresë. Dhe duhet të them, orientimi seksual i këtij biri nuk ndryshoi në ndonjë mënyrë disi të mrekullueshme – askush nuk hamendësoi se do të ndryshonte. Por, pak nga pak, zemra e tij ndryshoi.
Ai filloi të merrte pjesë sërish në kishë. Zgjodhi që ta merrte sakramentin me dëshirë dhe denjësi. Ai fitoi sërish një rekomandim tempulli dhe pranoi një thirrje për të shërbyer si mësues seminari herët në mëngjes, ku ai ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Dhe tani, pas pesë vjetësh, ai, me vetë kërkesën e tij dhe me ndihmën e shumtë të Kishës, ka hyrë përsëri në fushën e misionit për ta përfunduar shërbimin e tij për Zotin. Unë kam vajtuar për shkak të kurajës, integritetit moral dhe vendosmërisë së këtij të riu dhe familjes së tij për të vepruar me problemet dhe për ta ndihmuar atë që ta ruante besimin e vet. Ai e di se u detyrohet tepër shumë njerëzve, po e di se në më të shumtën u detyrohet dy figurave mesianike në jetën e tij, atyre të dyve që e mbajtën atë dhe e mbështetën atë, u munduan me të dhe e çliruan atë – Shpëtimtarit të tij, Zotit Jezu Krisht, dhe nënës të tij të vendosur, shpëtuese, tërësisht të shenjtë.
Së fundi, këtë përvojë nga ripërkushtimi i Tempullit të Meksiko-Sitit në Meksikë vetëm tri javë më parë. Ishte atje me Presidentin Henri B. Ajring që unë e pashë mikeshën tonë të dashur, Lisa Tatëll Pajpërin të qëndronte më këmbë në atë shërbesë përkushtuese plot emocion. Por ajo qëndroi disi me vështirësi ngaqë me njërin krah po mbante të ngritur bijën e saj të dashur, por tepër të paaftë fizikisht, Dorën, ndërkohë që me dorën tjetër po përpiqej ta lëvizte dorën e djathtë, jovepruese të Dorës, me qëllim që kjo bijë përjetësisht e çmuar e Perëndisë të mund të tundte një shami të bardhë dhe, me rënkime të kuptueshme vetëm nga ajo vetë dhe engjëjt e qiellit, të mund të thërriste: “Hosana, hosana, hosana Perëndisë dhe Qengjit”.
Të gjitha nënave tona kudo, të së shkuarës, të tanishmes dhe të së ardhmes, unë iu them: “Faleminderit. Faleminderit që jepni jetë, që i rritni fëmijët, që ua formoni karakterin dhe që e tregoni me vepra dashurinë e pastër të Krishtit”. Nënës Evë, Sarës, Rebekës dhe Rakelës, Maries nga Nazareti dhe një Nëne në Qiell, unë u them: “Faleminderit për rolin tuaj jetik në përmbushjen e qëllimeve të përjetësisë”. Gjithë nënave në çfarëdo rrethane, përfshirë ato që hasin mundime – dhe të gjitha do të hasin – unë u them: “Kini paqe. Besoni te Perëndia dhe te vetja juaj. Ju po veproni më mirë nga ç’e mendoni. Në fakt, ju jeni shpëtimtare në Malin e Sionit dhe sikurse Mësuesi që ndiqni, dashuria juaj ‘nuk dështon kurrë’.” Unë nuk mund t’i shpreh nderim më të madh askujt tjetër. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.