Takime Shpirtërore 2024
Mësime nga Jeta si të Rinj në Moshë Madhore


29:28

Mësime nga Jeta si të Rinj në Moshë Madhore

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 5 maj 2024

Hyrja

Plaku Karlos A. Godoi: Faleminderit që jeni këtu sot me ne në këtë vend të bukur e historik. Është nder për mua që jam këtu me ju sot. Faleminderit që na u bashkuat nga të katër anët e botës. Na pëlqen shumë të jemi me të rinj e të reja në moshë madhore. Ju keni një rol thelbësor në Kishë dhe po jetoni një çast vendimtar në jetën tuaj. Vendimet tuaja sot do ta ndikojnë tej mase të ardhmen tuaj. Kështu që, këtë mbrëmje shpresojmë të shtojmë diçka të dobishme mes shumë mesazheve të bukura që i keni marrë tashmë në takime të tjera shpirtërore.

Gëzohem që jam me Vëllanë Çad Ueb dhe bashkëshorten e tij, Kristin, si dhe me Plakun Klark Gilbert dhe bashkëshorten e tij, Kristinën. Faleminderit që u bashkuat me ne sot.

Jam i kënaqur që më shoqëron edhe Monika në këtë takim shpirtëror. Ne do të japim mësim së bashku dhe shpresoj t’ju pëlqejë.

Si pjesë të mesazhit tonë do të shfaqim një video të shkurtër me animime, të prodhuar nga Kisha, të kohës kur ne ishim të rinj. Unë dhe Monika ishim gati në moshën tuaj.

Me këtë video shpresojmë t’ju mësojmë disa parime që mund t’i zbatoni në jetën tuaj që tani. Është një video pesë‑minutëshe ku do të shihni çaste të ndryshme nga jeta jonë. Ju lutemi, kushtojini vëmendje mirë dhe përpiquni t’i përcaktoni ato parime që besoni se lidhen me ju. Më vonë do të flasim sërish për disa prej tyre. Në rregull?

[material filmik]

Nuk po kërkoja fare për ungjillin apo kishën. Isha 16 vjeç dhe një shok i vëllait tim më të madh na erdhi në shtëpi për të ftuar motrën tonë më të vogël në një aktivitet kishe, ngaqë mendonte se unë dhe vëllai im nuk ishim të interesuar për kishën. Dhe, kur shkuam në kishë, ata po bënin një aktivitet fare të thjeshtë dhe ishin aq të përfshirë në atë lojë e po qeshnin. Dhe mendova: “Po pse janë kaq të lumtur këta?”

Kështu që, dy ditë më vonë fillova të merrja mësimet nga misionarët në godinën kishtare ngaqë familja ime nuk ishte fare e interesuar për to. Isha i lumtur me ungjillin. E dija se ishte i vërtetë, aq sa isha gati të pagëzohesha edhe pa prindërit e mi. Por pata vështirësi të ndihesha i përfshirë.

Nuk kisha shokë, prandaj për ca kohë qëndrova në fund të godinës kishtare, duke parë, dëgjuar dhe [pastaj] shkoja në shtëpi. Këtë mund ta bësh për ca kohë, por nëse nuk ke miq, edhe pse e di se kisha është e vërtetë, është e vështirë, sidomos kur ke miq jashtë që të thërrasin sërish.

Shkova në kishë një të diel, si për herë të fundit, dhe ata po plotësonin nga një kërkesë. Dhe pyeta: “Ç’është kjo?”

“Është një konferencë për rininë”, – thanë ata. “Duhet të shkosh.”

Thashë: “Mirë, dua ta provoj”. Më pas, në atë konferencë të rinisë, gjithë ata të rinj e të reja ishin duke luajtur, kënduar e vallëzuar, dhe papritur një zë nga mikrofoni tha: “Le të bëjmë lutjen e hapjes”.

Gjithë ata njerëz të zhurmshëm, por befas ishin plot nderim. Dhe mendova: “Çfarë? Çfarë po ndodh?” Si mund të jetë ky grup rinie kaq i zhurmshëm, dhe pas një sekonde kaq nderues për shkak të një lutjeje? Këta po që janë ndryshe. Dua të jem si ata. Për mua ishte sërish Zoti që më dërgoi një mesazh: “Karlos, mos hiq dorë. Ti e ke vendin këtu.”

Ditën vijuese, po bëja shëtitje dhe një vajzë aty po i binte flautit e vetme. Kur e pashë atë vajzë, thashë: “Uau!” Dhe zemra filloi të më rrihte fort. Dhe doja t’i flisja asaj. Ajo ishte shumë e lirshme dhe miqësore. Filloi të më fliste si të isha një njeri i zakonshëm. Dhe ajo u bë shoqja ime, e vetmja shoqe. Nëpërmjet saj pata mundësinë të takoja miq të tjerë.

Pas kësaj konference për rininë vendosa se do të vazhdoja. Familja ime u shpërngul në anën tjetër të qytetit. Shkova te kisha afër shtëpisë sime dhe gjejeni pak kush ishte aty – Monika. Ajo ishte lagjja e saj e kishës. Në fund të mbledhjes, një motër erdhi e më tha: “A je anëtar i Kishës?”

Isha mësuar me atë pyetje. I thashë: “Po, mendoj se po; sigurisht që jam”.

Ajo tha: “O, ti duhet të vish në seminar.”

Dhe; shikoni; nisur nga prejardhja ime, mendova që seminari ishte për t’u bërë një prift, një atë.

Kështu që i thashë: “Jo, jo, shiko, unë dua të martohem dhe të kem fëmijë.”

Ajo më tha: “Jo, seminari është për rininë, pra, ai është që të mësoni për ungjillin. Nuk kemi shumë të rinj e të reja në lagjen tonë. Janë vetëm tre veta në fakt: Adriana Ueber, Karlos Artur Lençini dhe Monika Brandao.”

Dhe mendova: “Uau. Epo, nuk e di se ç’është kjo, por dua të jem atje.”

Dhe çdo mëngjes po merrja fjalën e mirë të Perëndisë. Ajo më bëri të kuptoja se cili isha unë, më dha forcën për të vazhduar përpjekjen dhe për të përparuar në procesin tim të kthimit në besim.

Më pas u caktova si shoqërues i presidentit të Të Rinjve për mësimet e shtëpisë. Edhe pse nuk dija shumë për ungjillin, ai më caktonte gjithnjë detyra që të jepja mësim. Mendoj se kishte besim tek unë, më shumë se unë te vetja në atë kohë.

Dhe diçka gjithashtu interesante: ai ishte babai i Monikës. Dhe meqë ra fjala, ajo vajza engjëll, Monika, që jua përmenda se ishte aty për të më ndihmuar, u bë më vonë bashkëshortja ime. Pasi që të dy shërbyem në mision, u martuam në tempull dhe tani ajo është nëna e katër fëmijëve dhe gjyshe për tetë nipër e mbesa. Ajo është ende një engjëll në jetën time.

Nëse shikoni përreth, nuk kam asnjë dyshim se do të jeni në gjendje të gjeni ata që kanë nevojë për ndihmën e engjëjve. Zoti ka nevojë për ju. Prandaj kur e shihni veten në pasqyrë, mos harroni: brenda jush ka një shpirt të bukur që është një bir ose bijë e Atit Qiellor me gjithë ato cilësi dhe potencial brenda jush.

[mbaron materiali filmik]

Plaku Godoi: Më merr malli për ata flokë. Mirë. Tani do të trajtojmë disa nga ato tema. Edhe e para është vetmia.

Ju Nuk Jeni Vetëm!

Motra Monika Godoi: Besoj se këtu është një çast i shkëlqyer për t’u ndalur e diskutuar se çfarë ndodhi. Karlosi, në moshë të re, ndihej i vetmuar dhe i shkurajuar.

Mbase edhe disa prej jush janë ndier të vetmuar e të harruar, siç ndodhi këtu. Nuk është e vështirë të ndihemi si të padukshëm ose pa shumë vlerë. Për ata që janë në situata të ngjashme, ju lutem, mos e lini këtë ndjenjë t’ju rëndojë. Ju nuk jeni vetëm. Mbase të tjerët nuk po ndërveprojnë me ju apo nuk po ju përkrahin siç ju do të donit. Është situatë e trishtuar. Por mbani mend, ju nuk jeni vetëm sepse Shpëtimtari ka qenë gjithmonë pranë jush. Ai ju njeh, Ai e di se ç’po ndodh në jetën tuaj, Ai ju do dhe është gati t’ju ndihmojë sa herë që keni nevojë për Të. Ju lutem, mos hiqni dorë nga përpjekja për të gjetur përkatësinë. Ai do të dërgojë engjëj për t’ju ndihmuar.

Plaku Godoi: Tani, kam një mesazh për të gjithë ne [që jemi] pranë atyre që ndihen të vetmuar ose të harruar. Supozohet që ne të jemi ata engjëj. Ju lutem, shikoni përreth dhe vështroni përtej rrethit të miqve tuaj të zakonshëm. Ata janë aty, kanë qenë aty dhe mbase ju nuk i keni vënë re. Keni qenë aq të zënë me jetën tuaj, me miqtë dhe shokët e mirë, saqë nuk i keni parë ata që shpresojnë të ndiejnë dashuri dhe pranim. Por ata janë atje duke kërkuar miqësi, duke shpresuar për përkatësi. Ata ndoshta janë në fund të sallës së sakramentit ose në cepat e klasave. Ka shumë të ngjarë që nuk kanë veshur këmishë të bardhë e kollare apo fustane të bukura të së dielës. Por po bëjnë më të mirën për t’u ndier të përfshirë. Ju lutem, jepuni atyre një shans. Ata kanë nevojë për buzëqeshjen tuaj, një shtrëngim dore dhe miqësinë tuaj. Ja një citim nga Presidenti Spenser W. Kimball për këtë:

“Perëndia vërtet na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona.”

Mirë. Dalja në takime romantike. Rënia në dashuri.

Rënia në Dashuri

Motra Godoi: Mirë, këtu kemi edhe një pikë tjetër të mirë për të folur: çastin kur ti re në dashuri me mua.

Plaku Godoi: E dija që do ta zgjidhje këtë.

Motra Godoi: Patjetër! Ishte një çast i bukur dhe këtu ka një mësim për t’u treguar. Disa prej jush do të bini në dashuri dhe do ta dalloni lehtësisht dashurinë e jetës suaj. Do të jetë dashuri me shikim të parë.

Plaku Godoi: Mendoj se ky ishte rasti me mua. Shikoni fytyrën time.

Motra Godoi: Por për mua ishte ndryshe.

Plaku Godoi: E di.

Motra Godoi: Ne nuk duhet të presim që ta gjejmë shokun tonë të përjetshëm njësoj siç e gjejnë të tjerët. Për disa do të jetë ndjenjë e qartë dhe e fortë. Për të tjerë mund të kërkojë më shumë kohë, përpjekje dhe durim. Do të bëhet më e dukshme ndërsa vazhdoni të investoni në marrëdhënien. Mos hiqni dorë shpejt ngaqë nuk patët një ndjesi të fortë që në fillim. Përvoja na mëson se disa martesa të mrekullueshme nisën në një mënyrë të vogël, pak nga pak, takim pas takimi.

Plaku Godoi: Monika ka të drejtë. Të paktën për ne ndodhi kështu. U preka thellë në zemër sapo e pashë. Për mua ishte sikur pashë një shtyllë drite. Kurse ajo nuk ndjeu ndonjë gjë të veçantë në fillim. M’u desh të përpiqesha fort për disa muaj derisa ajo ta kuptonte se mund të isha një variant i mirë. Në fillim u bëmë shokë të mirë dhe pas shumë takimeve, ajo më në fund e kuptoi se po binte në dashuri me atë djalin e ri “simpatik”. Pak a shumë.

Kjo përvojë na mëson një parim tjetër: mënyrën se si marrim zbulesë. Procesi i gjetjes së njeriut të duhur është i ngjashëm me procesin e marrjes së zbulesës.

Më pëlqen mësimi i Plakut Bednar rreth zbulesës. Ai përdor shembullin e dy përvojave që shumica prej nesh i kanë pasur me dritën, për të na dhënë mësim për të.

Ai përmend përvojën kur “hy[m]ë në një dhomë të errët dhe ndezëm dritën. … Brenda një çasti, një vërshim ndriçimi drite mbushi dhomën dhe bëri që errësira të zhduket. … Një dritë që ndizet në dhomë të errët, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh shpejt … dhe përnjëherë.” Ky ishte rasti me ndjenjat e mia ndaj Monikës.

Përvoja tjetër është kur “vrojt[uam] natën që shndërrohej në mëngjes. … Ndryshe nga ndezja e dritës në një dhomë të errët, drita e lindjes së diellit nuk brofi menjëherë. [Përkundrazi], dalëngadalë e me qëndrueshmëri, fuqia e dritës u shtua dhe … përfundimisht, dielli lindi mbi horizont. …

Shtimi shkallë-shkallë i dritës që rrezatohet nga dielli që lind, është si të marrësh nga Perëndia një mesazh ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30).” Ky ishte rasti me Monikën teksa zbuloi që isha unë personi i duhur për të. Asaj iu desh pak më shumë kohë.

Plaku Bednar thotë në mbyllje: “Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë”.

Motra Godoi: E njëjta gjë mund të thuhet për marrjen e konfirmimit shpirtëror rreth shokut ose shoqes sonë të përjetshme. Më së shpeshti konfirmimi do të vijë me shtesa të vogla teksa takojmë njerëz dhe kalojmë kohë me ta.

Forca Shpirtërore

Plaku Godoi: Më lejoni të flas unë për këtë. Siç e patë në video, frekuentimi i seminarit ishte një vendim kritik për mua. Ndonëse arsyeja fillestare përse shkova ishte një vajzë e bukur dhe jo mësimet e ungjillit, kjo ndikoi thellë te kthimi im në besim dhe udhëtimi im shpirtëror.

Për shkak të atyre dozave të përditshme të mësimeve të ungjillit, munda ta forcoja dëshminë time e t’u bëja ballë tundimeve gjatë ditës. Më ndihmoi të kuptoja se isha një fëmijë i Perëndisë dhe se Ai ka një plan për mua në këtë jetë.

Motra Godoi: I njëjti parim vlen edhe për institutin. Ai ishte gjithashtu pjesë e kohës kur dilnim në takime. Shpresoj që po e shfrytëzoni mirë këtë burim të mrekullueshëm. Atje nuk do të gjeni vetëm të vërtetat e ungjillit, por edhe miq të vërtetë. Shikoni se çfarë ka thënë Presidenti Nelson rreth institutit:

Video: “Vëllezër e motra të mia të dashura, [unë] ju dua. Mendoj për ju dhe lutem shpesh për ju. Po jetoni në një epokë ndryshe nga çdo tjetër. Keni moshën kur merren vendime thelbësore, vendime që do të ndikojnë në pjesën tjetër të jetës suaj në vdekshmëri dhe përjetësi. Marrja e këtyre vendimeve mund të duket dërrmuese, me raste edhe frikësuese. Por është edhe entuziasmuese pasi po jetojmë në një kohë [shumë] të rëndësishme.

A mund t’ju ftoj të bëni diçka që do t’ju ndihmojë ashtu si pak gjëra të tjera munden? Frekuentojeni institutin! Tanimë kam parë fëmijët, nipër e mbesa dhe shumë stërnipër e stërmbesa të miat ta frekuentojnë institutin. Frekuentimi i institutit ka qenë jetëndryshues për ta.

Instituti i ka ndihmuar ata, por edhe ju, për ta thelluar kthimin tuaj në besimin te Jezu Krishti. Frekuentimi i tij do t’ju ndihmojë ta ndieni më shumë dashurinë e madhe të Atit Qiellor për ju. Instituti do t’ju ofrojë instruktorë frymëzues, miq besnikë e një ndjenjë përkatësie. Do t’ju ndihmojë të kuptoni pse të jetuarit e ungjillit çon në lumturi të pafundme. Frekuentimi i tij do t’ju ndihmojë ta jetoni ungjillin e të ndieni më shumë gëzim: tani.

  • Nëse doni të dini se kush jeni në të vërtetë, frekuentojeni institutin.

  • Nëse doni të dini qëllimin e jetës, frekuentojeni institutin.

  • Nëse doni të qëndroni në shtegun e besëlidhjeve, frekuentojeni institutin.

  • Nëse doni të mësoni si ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, frekuentojeni institutin.

  • Nëse doni të jeni paqebërës, frekuentojeni institutin.

Jua premtoj këto bekime dhe shpreh dashurinë time për ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.”

Plaku Godoi: Meqë jemi ende te forca shpirtërore, lejomëni t’ju flas për përvojën time me mësimin e shtëpisë.

Siç e patë te videoja me animim, u caktova të shërbeja edhe kur nuk kisha shumë për të ofruar. Shërbimi më bëri të ndihesha me vlerë. Më përgatiti që të ndihmoja të tjerët dhe, si rrjedhojë, e forcoi dëshminë time. Një nga mënyrat më të mira për dikë për ta përforcuar dëshminë është duke e shprehur atë. Shpresoj se po përfshiheni aktivisht në mundësi shërbimi. Mund të jetë dhënia e shërbesës, historia familjare, shërbimi në tempull ose ndonjë detyrë tjetër e Kishës ku e harroni veten dhe ndihmoni të tjerët. Kjo do t’ju bekojë, forcojë e mbrojë.

Më pëlqen shkrimi i shenjtë te Doktrina e Besëlidhje që e thekson këtë parim:

“Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi”.

Dhe meqë ra fjala, siç e thashë në video, më pëlqente aq shumë shoqëruesi im i mësimit të shtëpisë saqë u martova me të bijën. Ai u bë vjehërri im. Ai është babai i Monikës. Isha shumë aktiv në detyrat e mia të mësimit të shtëpisë. Çdo muaj isha tek shtëpia e tij për të bërë mësimet e shtëpisë.

Motra Godoi: Një bekim që e ka ky brez që ne nuk e kishim, është se tempujt janë afër. Në rininë tonë, i vetmi tempull në Brazil ishte ai i San‑Paolos, shumë larg prej nesh. Asokohe, të rinjtë e të rejat në moshë madhore shkonin në tempull kur do të niseshin për në mision ose kur martoheshin. Për fat, Presidenti Nelson tani ia ka vënë theksin rëndësisë së marrjes së dhurimit vetjak pavarësisht nga misioni apo martesa. Ka të bëjë më shumë me përgatitjen sesa ndonjë gjë tjetër. Shpresoj se do ta merrni parasysh këtë.

Frekuentimi i shtëpisë së Zotit rregullisht sjell edhe bekime. Në tempull marrim mësime që na ndihmojnë ta mundim botën. Më pëlqeu shumë ajo që tha Presidenti Nelson për tempullin në konferencën e fundit:

Video: “Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni fort te shufra e hekurit, sesa adhurimi në tempull aq rregullisht sa ta lejojnë rrethanat tuaja. Asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë teksa hasni mjegullat e errësirës së botës. Asgjë nuk do ta përforcojë më shumë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij ose t’ju ndihmojë ta kuptoni planin e madhërishëm të Perëndisë. Asgjë nuk do ta qetësojë më shumë shpirtin tuaj gjatë kohëve të dhembjes. Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt. Asgjë!”

Plaku Godoi: Faleminderit Presidenti Nelson për mësimet tuaja. Ju duam shumë. Në rregull; tema tjetër: të shërbejmë në mision.

Shërbimi në Mision

Motra Godoi: Mirë, është koha që të flasim për misionet. Gjashtë muaj pasi Karlosi u nis për në mision, u nisa [edhe] unë për timin.

Plaku Godoi: Çfarë rastësie.

Motra Godoi: Nuk ishte rastësi. Të dy donim t’i shërbenim Zotit dhe të dy donim një të ardhme së bashku. Kështu që, e pamë misionin si një mënyrë të mirë për ta kënaqur Shpëtimtarin dhe njëkohësisht për t’u përgatitur për jetën tonë martesore. E dinim se do të sillte gjithashtu bekimet e nevojshme për ne si një çift i ri që do të martohej në të ardhmen.

Plaku Godoi: Misioni ynë, pa dyshim, solli bekime në jetët tona. Për shkak të misioneve tona, dëshmia jonë për Shpëtimtarin u forcua, njohuria jonë për ungjillin u rrit dhe aftësitë tona komunikuese dhe udhëheqëse që i mësuam atje, na ndihmuan në karrierat tona. Por më e rëndësishmja, u ndiem mirë që mundëm të përmbushnim misionet që Zoti priste prej nesh.

Motra Godoi: Por, kam një pyetje për ty. Po ata që nuk shkojnë dot në mision ose që nuk e përfundojnë atë për arsye të ndryshme? A mund të kenë ende shpresë për një të ardhme të ndritur?

Plaku Godoi: Patjetër që po! Një Atë i dashur Qiellor do të jetë gjithmonë aty për ta. Nuk duhet t’i gjykojmë njerëzit me përvoja të ndryshme misioni ose që nuk e kanë pasur përvojën e misionit. Në fund të fundit, edhe pse shërbimi në mision mund të jetë një përvojë vendimtare mësimi në jetën tonë dhe është përgjegjësi priftërore për djemtë, ai nuk është një ordinancë e ungjillit, prandaj askush nuk do të ndëshkohet në përparimin e vet në këtë jetë apo të humbasë bekimet e përjetësisë për këtë shkak.

Motra Godoi: Jam e lumtur që pata shansin të shërbeja dhe ua rekomandoj të gjithëve. Por siç e dimë, të rejat janë të mirëpritura dhe shumë të nevojshme, por shërbimi është me dëshirë.

Plaku Godoi: Edhe unë jam mirënjohës për përvojën time të misionit. Besoj se u ktheva nga ata dy vjet më i përgatitur për jetën. Dhe me një prerje më të mirë flokësh.

Motra Godoi: [Meqë] folëm për kthimin nga misioni, po sikur të flasim për martesën tani?

Plaku Godoi: Dakord. Le të merremi me këtë temë.

Krijimi i një Familjeje

Motra Godoi: Ja tek jemi, dy misionarë të kthyer, me shumë dashuri, shumë plane dhe pa para.

Plaku Godoi: Po! Më kujtohet.

Motra Godoi: Kur vështroj pas, e kuptoj sa bukur ishte ta fillonim jetën tonë martesore siç e filluam, dhe të arrinim së bashku synimet tona arsimore, profesionale e materiale. E bëmë së bashku dhe ato përvoja e sfida na afruan më shumë me njëri‑tjetrin.

Plaku Godoi: Më kujtohet dhe jam dakord me ty. Ato vite të ndërtimit të jetës dhe arritjes së synimeve tona u bënë kujtime të vyera për ne. Nuk do të thotë se është gabim ta nisësh jetën martesore me baza të mira financiare. Thjesht duam t’ju japim një mesazh juve që po prisni ta çoni përpara marrëdhënien tuaj pasi të keni çdo gjë që ju nevojitet. Keni nevojë për gjërat bazë, njëri-tjetrin dhe Zotin përkrah jush – çdo gjë tjetër mund ta arrini së bashku, çka do ta forcojë martesën tuaj. Dhe po shoh për disa këtu në këtë sallë.

Motra Godoi: Po ndryshoj kuadrin, por jo temën – një koment tjetër për jetën martesore është: kur ju, të rinjtë e të rejat në moshë madhore, na shihni ne, çiftet dhe familjet e konsoliduara, mund të mendoni se ka qenë gjithmonë kështu, se çdo gjë përherë duket e mirë dhe se jeta ka qenë e lehtë për ne. Mbase është për disa, por jo për shumicën.

Plaku Godoi: Të paktën, për ne nuk ishte kështu.

Motra Godoi: Jeta martesore është një përvojë mësimi që me shpresë përmirësohet teksa përparojmë. Dashuria ka ekzistuar që nga fillimi, por mbarëvajtja ditë pas dite ndërtohet hap pas hapi. Ne duhet të përshtatemi me njëri‑tjetrin, të qeshim e të qajmë hera‑herës; fëmijët do të sjellin gëzim e dhembje koke, sëmundjet do të na prekin me raste dhe nganjëherë do të kemi mungesë parash. Por e dini çfarë? Kështu është e thënë të jetë jeta.

Plaku Godoi: Por një gjë është e sigurt. Nëse e bëjmë ungjillin e Jezu Krishtit pjesë të ekuacionit, jeta martesore do të jetë më e lehtë dhe më e gëzueshme.

Motra Godoi: Atëherë, pyetja të dytë. Po ata që nuk do ta kenë shansin të martohen në këtë jetë? Çfarë mund t’u thuash atyre?

Plaku Godoi: Po. Më pëlqen këshilla e Presidentit Hinkli ndaj motrave, e cila mendoj mund të jetë e vlefshme për të gjithë. Le të shohim çfarë tha ai:

Video: “Disa prej jush, fatkeqësisht, nuk do të martohen kurrë në këtë jetë. Nganjëherë kështu ndodh të jetë. Nëse kjo ndodh, mos e kaloni jetën duke u hidhëruar për këtë. Bota ende ka nevojë për talentet tuaja. Ka nevojë për ndihmesën tuaj. Kisha ka nevojë për besimin tuaj. Ka nevojë për dorën tuaj të fortë ndihmuese. Jeta nuk është kurrë dështim deri sa ne vetë e quajmë të tillë. Ka shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmën tuaj, për buzëqeshjen tuaj të dashur, për përkujdesjen tuaj të ëmbël. Shikoj kaq shumë gra të zonjat, tërheqëse, të mrekullueshme të cilave u ka kaluar pranë dashuria pa e vënë re. Këtë nuk e kuptoj, por e di se në planin e të Plotfuqishmit, planin e përjetshëm të cilin ne e quajmë plani i Perëndisë për lumturinë, do të ketë mundësi dhe shpërblim për të gjithë ata që i kërkojnë ato.”

Plaku Godoi: Një shkrim i shenjtë që shpreh të njëjtat premtime, gjendet te Mosia 2:41.

“Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund. O, kujtoni, kujtoni se këto gjëra janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi i ka folur.”

Për ta përmbledhur, duke përdorur fjalët e Plakut Bednar, mesazhi është që thjesht nevojitet të jeni një vajzë ose një djalë i mirë, të zbatoni urdhërimet dhe Zoti do të kujdeset për çdo gjë tjetër. Në fund, të gjitha bekimet do t’i jepen atij që është besnik.

Moni, a ke ndonjë koment të fundit?

Motra Godoi: Po. Dua ta mbyll me dëshminë time.

E di se ne jemi bij e bija të një Ati të dashur Qiellor. E di që Jezusi është Krishti dhe Ai jeton. E di se kjo jetë është koha për t’u përgatitur që të takohemi me Perëndinë. E di se Ai na udhëheq dhe e përgatit udhën. Nuk jemi vetëm. E di se tempulli është shtëpia e Zotit në tokë. E kemi një vend ku mund të marrim njohuri dhe frymëzim në jetën tonë. E di që kemi një profet në ditët e sotme dhe ai na mëson e na udhërrëfen.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Plaku Godoi: Shumë faleminderit. Më pëlqen shumë mësimdhënia me ty. Dhe të dua.

Po çifti Gilbert? Ndonjë koment ose mësim për këta dëgjues të bukur?