Takime Shpirtërore 2024
Komentet e Plakut dhe Motrës Gilbert


6:21

Komentet e Plakut dhe Motrës Gilbert

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 5 maj 2024

Plaku Klark G. Gilbert: Faleminderit, Plaku dhe Motra Godoi. Herët këtë javë i thashë bashkëshortes sime që çifti Godoi do të na kërkonte të flisnim për disa minuta. Dhe ajo tha: “Mirë, sa njerëz do të ketë?” Dhe i thashë: “Oh, disa mijëra në Tabernakull, pastaj qindra mijëra nëpër botë. Kështu që merre lehtë.”

Sa fuqishëm jeni udhëzuar sonte! Plaku dhe Motra Godoi faleminderit që i keni dhënë mësim të rinjve e të rejave në moshë madhore kaq mirë. Kristina dhe unë jemi mirënjohës për mundësitë e shumta që i kemi për t’u përfshirë me të rinjtë e të rejat në moshë madhore anembanë Kishës dhe për të mësuar prej tyre. Ka qenë e mrekullueshme këtë mbrëmje të dëgjonim çiftin Godoi. Kur të rritemi duam të bëhemi si çifti Godoi. Është e qartë se ata i ndiejnë nevojat dhe shqetësimet e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore dhe se ata ju duan vërtet shumë.

Ajo që është mbresëlënëse për mua është që mesazhet e tyre ishin kaq të përqendruara te Krishti dhe të ngulitura te profetët. Teksa i dëgjoja ata këtë mbrëmje, pata ndjesinë e një jehone profetike të po atyre mesazheve të dhëna kohët e fundit në takime të tjera shpirtërore mbarëbotërore për të rinjtë e të rejat në moshë madhore nga Presidenti Nelson, Presidenti Ouks dhe kaq shumë udhëheqës të tjerë apostolikë. Le të ndalemi për një çast dhe të reflektojmë për temat që çifti Godoi jua ka paraqitur sonte:

  1. Përkatësia në Krishtin dhe Besëlidhjet Tona

  2. Takimet Romantike për Njohje

  3. Marrja e Zbulesës Vetjake

  4. Modelet e Shërbimit

    • Tempulli

    • Misionet

  5. Rënia në Dashuri dhe Martesa

  6. Rëndësia e Frekuentimit të Institutit

Jo vetëm që çifti Godoi ju treguan për rrugëtimin e tyre, por e kanë bërë këtë gjë në mënyrë vetjake dhe intime. Shpresoj që do ta shihni këtë si shprehje të dashurisë dhe shqetësimit të tyre për ju. Gjithashtu e kanë dhënë mesazhin e tyre në mënyra që e forcojnë këshillën profetike dhe na kujtuan që e bëjmë të gjithë këtë në dhe nëpërmjet Shpëtimtarit, Jezu Krishtit.

Motra Kristin Gilbert: Një nga pamjet e mia të parapëlqyera nga kjo mbrëmje ishte fotografia e çiftit Godoi si çift i ri në moshë. Monika duket kaq optimiste, ndërsa Karlosi duket disi nervoz.

Tani krahasojeni atë me fotografinë e tërë familjes Godoi.

Pyes veten a do t’i kishin përfytyruar vallë Karlosi dhe Monika në rini ata fëmijë të ardhshëm, nuset e dhëndurët e rinj dhe nipërit e mbesat, para aq shumë vitesh! A do ta kishin përfytyruar vallë diplomimin, karrierën, krijimin dhe rritjen e një familjeje, shërbimin në Kishë, të jetuarit nëpër botë dhe tani thirrjen e tyre si udhëheqës të spikatur në Kishë? I duam Plakun dhe Motrën Godoi. I shohim si miq dhe shembuj të asaj që mund të bëni kur i mbani besëlidhjet, e jetoni ungjillin dhe e përfshini Zotin në rrugëtimin tuaj. Qëndroj si dëshmitar se kur e përfshijmë Zotin, Ai do t’i udhëzojë dëshirat tona dhe do t’i lartësojë përpjekjet tona më të mira.

Plaku Gilbert: Duke reflektuar mbi rrugëtimin e çiftit Godoi dhe modelin e tyre të përfshirjes së Zotit, m’u kujtua një përvojë shumë vetjake që e pata me Plakun Godoi gjashtë vjet më parë.

Po shërbeja atëherë si president i Programit Mbarëbotëror “UBJ-Pathway” dhe, asokohe, Plaku Godoi ishte Presidenti i Zonës për Zonën Veriperëndimore të Amerikës së Jugut, me zyra qendrore në Lima të Perusë.

Peruja është një zonë mbresëlënëse e Kishës me mbi 40 kunje dhe tani dy tempuj. Kemi mijëra studentë të programit “UBJ‑Pathway” në Peru. Atë natë, tepër shumë si sonte, i kishim kërkuar Plakut Godoi që t’u fliste të rinjve e të rejat në moshë madhore rreth rrugëtimit të tyre arsimor.

Plaku Godoi kishte përgatitur një bisedë, por teksa u ulëm atje në podium duke parë te të gjithë studentët, atë e zuri shqetësimi për ato që po u kërkonim atyre të bënin. U emocionua teksa mendoi për këta të rinj e të reja në moshë madhore duke mësuar anglisht, duke bërë kurse kolegji dhe e gjitha ndërkohë që punonin me kohë të plotë dhe studionin në një gjuhë të dytë. I pushtuar nga emocioni, Plaku Godoi e la mënjanë bisedën e përgatitur, u ngrit në këmbë dhe shpalli me guxim: “Çfarë po u kërkojmë të bëni, është e vështirë, veçanërisht nëse po përpiqeni ta bëni atë të vetëm. E vetmja mënyrë se si mund ta bëni këtë, është të përfshini Zotin në të mësuarit tuaj. Bëjeni Zotin ortakun tuaj dhe çdo gjë e mirë do t’ju vijë me kohën.”

Plaku Godoi e dinte atëherë atë që mund të mos e kishte kuptuar plotësisht tërë ato vite më parë kur ishte ende i ri në moshë madhore, teksa jetonte në Brazil, veshur me pantallona kaubojs: e vetmja mënyrë për ju që të bëheni personi që nevojitet të bëheni dhe të gjeni gëzim në rrugëtimin [vetjak], është ta përfshini Zotin. Sonte, kemi parë një dëshmi të atij parimi. Karlos dhe Monika Godoi janë shembuj të gjallë të asaj që mund të bëjmë të gjithë ne kur e vëmë mirëbesimin tonë te Zoti dhe e bëjmë Atë ortakun tonë.

E duam këtë çift dhe e çmojmë mesazhin e tyre për ju. Kristina dhe unë japim dëshminë tonë se kur e përfshini Zotin në përpjekjet tuaja, Ai do të bëjë të ndodhin mrekulli në jetën tuaj. I themi këto në emrin e Jezu Krishtit, amen.