Besim tek e Ardhmja
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 5 maj 2024
Faleminderit shumë Plaku dhe Motra Gilbert për komentet dhe dëshmitë tuaja. Dhe e mbaj mend mirë atë përvojë në Peru gjithashtu mësimet tuaja dhe se sa të bekuar ishim ne dhe ata prej mësimeve tuaja ato ditë.
Dua t’i përfundoj komentet e mia me një fjalë: shpresë.
Besoj se është më e lehtë për ne, njerëzit e moshuar, që ta dallojmë dorën e Zotit në jetën tonë sesa është për ju, të rinjtë. Ngaqë kemi jetuar shumë më tepër vjet dhe kemi pasur shumë më tepër përvoja në të kaluarën tonë, ne jemi në gjendje që të vështrojmë pas dhe të shohim duart e një Ati të dashur Qiellor duke na udhërrëfyer dhe duke na mbrojtur gjatë gjithë jetës sonë.
Tani, duke vështruar pas, e dalloj se në shumë çaste kur mendoja se isha i vetëm, unë nuk isha i tillë. Mund ta shoh tani se kur disa dyer u mbyllën dhe vrisja mendjen përse dhe ankohesha për atë, kur mendoja se lutjet e mia nuk po merrnin përgjigje, në fakt, një derë tjetër, në një çast tjetër ose në një vend tjetër, po hapej drejt një shtegu më të mirë. Por unë nuk mund ta shihja atë në ato ditë. Por mund ta shoh tani, duke vështruar pas.
Në shumë çaste të tjera, mendova se isha unë ai që po merrte vendime të mençura, vetë ose me Monikën, duke besuar që unë isha ai i zgjuari që po ndërtonte të ardhmen e vet të ndritur. Tani mund të shoh një dorë të padukshme prapa skenave duke më udhërrëfyer dhe duke më mbrojtur nga gabimet e mundshme. Mund të shoh se Ai ishte gjithmonë atje për mua.
Kjo është përse mund të dëshmoj që ne kemi një Atë në Qiell i cili na njeh dhe kujdeset për ne. Mund të dëshmoj se kemi një Shpëtimtar i cili na do dhe është gati të na ndihmojë në çfarëdo rrethane të jetës sonë.
Nganjëherë, disa prej jush mund të mendojnë se askush nuk e di se çfarë po kaloni në jetën tuaj dhe ndoshta keni të drejtë; ne nuk e dimë. Por Shpëtimtari e di. Plaku Bednar na dha mësim:
“Nuk ka dhembje fizike, ankth të shpirtit, vuajtje të shpirtit, sëmundje ose dobësi që unë dhe ju do të përjetojmë ndonjëherë gjatë udhëtimit të vdekshëm, që nuk e përjetoi më parë Shpëtimtari. Unë dhe ju, kur ndihemi të dobët, mund të bërtasim me hidhërim: ‘Askush nuk e kupton. Askush nuk e di.’ Ndoshta, asnjë qenie njerëzore nuk e di. Por Biri i Perëndisë e di dhe e kupton përsosurisht, sepse Ai i ndjeu dhe i mbajti barrët tona përpara se ne ta bënim ndonjëherë. Dhe për shkak se Ai pagoi çmimin përfundimtar dhe e mbajti atë barrë, Ai mund të na kuptojë plotësisht dhe mund të shtrijë ndaj nesh krahun e Tij të mëshirës në shumë faza të jetës sonë.”
Tek Alma 7 ne mësojmë se si dhe përse Shpëtimtari është në gjendje ta sigurojë këtë lloj ndihme.
“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.”
Pra, Shpëtimtari nuk ka vuajtur vetëm për paudhësitë tona, por Ai vuajti edhe për padrejtësinë, dhembjen, ankthin dhe gjithë mundimet emocionale të cilat mund t’i kalonim në jetë.
Dhe më pas Alma e përfundon:
“Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”.
Kam dëshmi vetjake për këtë ndihmë qiellore. E kam përjetuar atë gjatë rinisë sime, martesës sime, si prind dhe në jetën time në detyra udhëheqjeje. E di se Shëlbuesi im jeton dhe nëpërmjet hirit të Tij dhe bekimeve të Shlyerjes së Tij, ne mund të kemi shpresë dhe gëzim në këtë jetë dhe një familje të përjetshme në jetën pas kësaj.
Dhe dëshmoj për këtë, me gjithë dashurinë time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.