2010–2019
Ndërsa Prapë Takohemi
Tetor 2011


Ndërsa Prapë Takohemi

Është lutja ime që të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit ndërsa dëgjojmë mesazhet sot e nesër dhe mësojmë ato gjëra që Zoti dëshiron që ne t’i dimë.

Është mirë, vëllezër dhe motra, t’ju urojmë mirëseardhjen në Konferencën e Përgjithshme Gjysmëvjetore të 181-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kjo konferencë shënon 48 vite – mendoni për këtë, 48 vite – që kur u thirra në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Kjo ndodhi në tetorin e vitit 1963. Duket e pamundur që kaq shumë vite kanë ardhur e kanë shkuar që atëherë.

Kur jemi të zënë me punë, duket sikur koha kalon tepër shpejt dhe gjashtë muajt e shkuar nuk kanë bërë përjashtim për mua. Një nga pikat kulmore gjatë kësaj periudhe ka qenë mundësia që pata për të ripërkushtuar Tempullin e Atlantës në Xhorxhia më 1 maj. Unë shoqërohesha nga Plaku e Motra M. Rasëll Ballard, Plaku e Motra Uolter F. Gonzáles, si dhe nga Plaku e Motra Uilliam R. Uolker.

Gjatë festimit kulturor me titull “Aurora nga Jugu”, të mbajtur mbrëmjen përpara ripërkushtimit, ne vështruam kur dhanë shfaqje 2.700 të rinj dhe të reja nga i gjithë distrikti i tempullit. Ishte një nga programet më të jashtëzakonshme që kam parë dhe publiku u ngrit disa herë në këmbë për të brohoritur.

Ditën në vijim, tempulli u ripërkushtua në dy sesione, ku Shpirti i Zotit qe me ne me bollëk të madh.

Gjatë pjesës së mëvonshme të gushtit, Presidenti Henri B. Ajring përkushtoi Tempullin e San-Salvadorit në Salvador. Ai u shoqërua nga Motra Ajring dhe nga Plaku e Motra D. Tod Kristoferson, Plaku e Motra Uilliam R. Uolker, si dhe Motra Silvia H. Ollred e presidencës së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës e bashkëshorti i saj, Xhefri. Presidenti Ajring raportoi se ishte një ngjarje jashtëzakonisht shpirtërore.

Në pjesën e mëtejshme të këtij viti, Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe Motra Uhtdorf do të shkojnë bashkë me Autoritete të tjera të Përgjithshme në Kuecaltenango të Guatemalës ku ai do të përkushtojë tempullin tonë.

Ndërtimi i tempujve vazhdon i pandërprerë, vëllezër e motra. Sot është privilegji im të njoftoj disa tempuj të rinj.

Së pari, më lejoni të përmend se asnjë godinë e ndërtuar nga Kisha nuk është më e rëndësishme sesa tempulli. Tempujt janë vendet ku marrëdhëniet vulosen së bashku që të zgjasin nëpër përjetësitë. Ne jemi mirënjohës për të gjithë tempujt e shumtë nëpër botë dhe për bekimin që ata janë në jetën e anëtarëve tanë.

Nga fundi i vitit të kaluar Tabernakulli i Provos në Kontenë e Jutas u dëmtua seriozisht nga një zjarr i tmerrshëm. Kësaj ndërtese të mrekullueshme, shumë të dashur nga breza të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, i ngelën në këmbë vetëm muret e jashtme. Pas një studimi të kujdesshëm, kemi vendosur ta rindërtojmë atë duke ruajtur dhe restauruar plotësisht pjesën e jashtme, për t’u bërë tempulli i dytë i Kishës në qytetin e Provos. Tempulli ekzistues në Provo është një nga më të angazhuarit me punë në Kishë dhe një tempull i dytë atje do të sjellë lehtësi për numrin në rritje të anëtarëve besnikë të Kishës që frekuentojnë tempullin nga Provo dhe komunitetet aty pranë.

Kam kënaqësinë gjithashtu, që të njoftoj tempuj të rinj në vendet në vijim: Barrankila në Kolumbi; Durban në Afrikën e Jugut; Kinshasa në Republikën Demokratike të Kongos; dhe në Star Valej në Uajoming. Përveç kësaj, ne po përparojmë në planet tona për të ndërtuar një tempull në Paris të Francës.

Hollësitë e këtyre tempujve do të jepen në të ardhmen, ndërsa sigurohen vendet e ndërtimit dhe miratimet e domosdoshme.

Kam përmendur në konferencat e mëparshme përparimin që po bëjmë duke i vënë tempujt më pranë anëtarëve tanë. Edhe pse ata janë lehtësisht të arritshëm për shumë anëtarë në Kishë, ka ende zona të botës ku tempujt janë kaq larg nga anëtarët tanë saqë ata nuk mund ta sigurojnë udhëtimin e kërkuar për të shkuar atje. Kështu që ata nuk janë në gjendje të marrin bekimet e shenjta e të përjetshme që sigurojnë tempujt. Për të ndihmuar në lidhje me këtë, ne kemi në dispozicion atë që quhet Fondi i Përgjithshëm i Ndihmës për Përkrahjen për Tempujt. Ky fond siguron vetëm një vizitë për në tempull për ata që ndryshe nuk do të ishin në gjendje që të shkonin në tempull, por që ende e dëshirojnë skajshëm atë mundësi atë mundësi. Kushdo që mund të dëshirojë të kontribuojë në këtë fond, thjesht mund të shkruajë në informacionin e fletës së zakonshme të kontributit që i jepet peshkopit çdo muaj.

Tani, vëllezër e motra, është lutja ime që të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit ndërsa dëgjojmë mesazhet sot e nesër dhe mësojmë ato gjëra që Zoti dëshiron që ne t’i dimë. Për këtë lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.