2010–2019
Libri i Mormonit – një Libër nga Perëndia
Tetor 2011


Libri i Mormonit – një Libër nga Perëndia

Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit është një dëshmitar i domosdoshëm i doktrinave të Krishtit dhe hyjnueshmërisë së Tij.

Vite më parë stër-stërgjyshi im prej nënës, mori për herë të parë një kopje të Librit të Mormonit. Ai e hapi atë në mes dhe lexoi disa faqe. Ai më pas shpalli: “Ai libër është shkruar ose nga Perëndia ose nga djalli, dhe unë kam për ta zbuluar se kush e shkroi atë”. Ai e lexoi atë të gjithin dy herë në 10 ditët vijuese dhe më pas shpalli: “Djalli nuk mund ta ketë shkruar atë– duhet të jetë nga Perëndia”1.

Kjo është mrekullia e Librit të Mormonit – nuk ka paanësi lidhur me vërtetësinë. Ose është fjala e Perëndisë siç pretendohet, ose është e gjitha një mashtrim. Ky libër nuk pretendon vetëm të jetë një ligjëratë e shkruar mbi moralin ose një koment teologjik apo një përmbledhje shkrimesh të thella. Ai pretendohet të jetë fjala e Perëndisë – çdo fjali, çdo varg, çdo faqe. Jozef Smithi deklaroi se një engjëll i Perëndisë e udhëzoi atë për te fletët e arta, që përmbanin shkrimet e profetëve në Amerikën e lashtë dhe që ai i përktheu ato fletë duke përdorur fuqi hyjnore. Nëse ajo histori është e vërtetë, atëherë Libri i Mormonit është shkrim i shenjtë, siç deklarohet se është; nëse jo, atëherë është i stërholluar, por ama një mashtrim djallëzor.

C. S. Luis foli rreth një mëdyshjeje të tillë të përjetuar nga dikush që duhet të zgjedhë nëse duhet ta pranojë apo ta refuzojë hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit – ku gjithashtu, nuk ka rrugë të mesme: “Unë po përpiqem të parandaloj secilin këtu, të thotë ndonjë gjë të pamend që njerëzit thonë shpesh për Të: ‘Unë jam gati ta pranoj Jezusin si një mësues të madh morali, por nuk e pranoj pretendimin e Tij se është Perëndi’. Kjo është ajo gjë që ne nuk duhet ta themi. Një njeri që do të ishte thjesht një njeri dhe do të thoshte gjërat që Jezusi tha, nuk do të ishte një mësues i madh morali. … Ju duhet të bëni zgjedhjen tuaj. Ose ky njeri ishte dhe është Biri i Perëndisë ose ndryshe një i çmendur apo diçka më e keqe. … Por le të mos japim ide të pakuptimta rreth të qenit të Tij një mësues i madh njerëzor. Ai nuk na e ka lënë këtë interpretim neve. Ai nuk kishte këtë synim.”2

Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të bëjmë një zgjedhje të thjeshtë me Librin e Mormonit: ai është ose nga Perëndia ose nga djalli. Nuk ka zgjedhje tjetër. Unë ju ftoj, për një çast, që të bëni një provë që do t’ju ndihmojë ju të vendosni rreth karakteristikave të këtij libri. Pyeteni veten nëse shkrimet e mëposhtme nga Libri i Mormonit ju afrojnë ju më pranë Perëndisë apo djallit:

“Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:3).

Ose merrni parasysh këto fjalë nga një baba i dashur ndaj bijve të tij: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj” (Helamani 5:12).

Ose meditoni mbi fjalët e një profeti: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32).

A mund të bëheshin në ndonjë mënyrë këto deklarata në Librin e Mormonit nga djalli? Pasi Shpëtimtari dëboi disa demonë, farisenjtë pretenduan se Ai e bëri këtë “me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve”. Shpëtimtari iu përgjigj se një përfundim i këtillë ishte i pakuptimtë, Ai u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo … shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë”. Dhe më pas, argumenti i Tij përfundimtar: “Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?” (Mateu 12:24–26; kursivet shtuar).

Nëse vargjet që unë sapopërmenda nga Libri i Mormonit na mësojnë ne ta adhurojmë, ta duam dhe t’i shërbejmë Shpëtimtarit (gjë që e bëjnë), si mund të jenë ato nga djalli? Nëse do të ishte kështu, ai do të përçante veten dhe për rrjedhojë do të shkatërronte mbretërinë e vet, dhe ky është kushti i saktë që Shpëtimtari tha se nuk mund të ekzistonte. Një lexim i sinqertë me mendje të hapur, pa paragjykime i Librit të Mormonit, do ta çojë dikë në të njëjtin përfundim me stër-stërgjyshin tim, që është: “Djalli nuk mund ta ketë shkruar atë – duhet të jetë nga Perëndia”.

Por përse Libri i Mormonit është kaq thelbësor kur ne e kemi tashmë Biblën për të na mësuar rreth Jezu Krishtit? A e keni pyetur ndonjëherë veten pse ka kaq shumë fe të krishtera në botë sot kur ato e marrin doktrinën e tyre kryesisht nga e njëjta Bibël? Kjo ndodh sepse ato e interpretojnë Biblën në mënyra të ndryshme. Nëse ato do ta interpretonin njësoj, ato do të ishin e njëjta kishë. Kjo nuk është gjendja që Zoti dëshiron, pasi apostulli Pal shpalli se “është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm” (Efesianëve 4:5). Për të ndihmuar që të ndodhë ky unitet, Zoti vendosi një ligj hyjnor dëshmitarësh. Pali dha mësim: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1).

Bibla është njëri dëshmitar i Jezu Krishtit; Libri i Mormonit është tjetri. Përse ky dëshmitar i dytë është kaq vendimtar? Shembulli i mëposhtëm pamor mund të ndihmojë: Sa vija të drejta mund të vizatoni duke u nisur nga një pikë e vetme në një letër? Përgjigjja është një numër të pafund. Mendoni për një çast se pika e vetme përfaqëson Biblën dhe ato qindra vija të drejta të vizatuara nga ajo pikë përfaqësojnë interpretimet e ndryshme të Biblës dhe se secili nga ato interpretime përfaqëson një fe të ndryshme.

Mirëpo çfarë ndodh, nëse në atë letër, ka një pikë të dytë që përfaqëson Librin e Mormonit? Sa vija të drejta mund të vizatoni midis këtyre pikave të referimit: Biblës dhe Librit të Mormonit? Vetëm një. Vetëm një interpretim i doktrinave të Krishtit mund të ekzistojë me dëshminë e këtyre dy dëshmitarëve.

Libri i Mormonit vepron vazhdimisht si një dëshmitar vërtetues, qartësues e bashkues i doktrinave që jepen mësim në Bibël, në mënyrë që të jetë “një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm”. Për shembull, disa njerëz nuk e dinë nëse është apo jo pagëzimi thelbësor për shpëtimin megjithëse Shpëtimtari shpalli përpara Nikodemit: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Por Libri i Mormonit zhduk çdo dyshim mbi këtë çështje: “Dhe ai urdhëron të gjithë njerëzit, që ata duhet të pendohen dhe të pagëzohen në emrin e tij, … ose ata nuk mund të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 9:23).

Ekzistojnë metoda të ndryshme pagëzimi në botë sot, megjithëse Bibla na e tregon mënyrën me të cilën u pagëzua Shpëtimtari, Shembulli ynë i madh: “[Ai] doli nga uji” (Mateu 3:16). A mund të dilte Ai nga uji nëse nuk ishte futur më parë në ujë? Që të mos të ketë ndonjë mosmarrëveshje mbi këtë temë, Libri i Mormonit e përshkruan atë me këtë deklaratë të thjeshtë të doktrinës lidhur me mënyrën e përshtatshme të kryerjes së pagëzimit: “Dhe atëherë do t’i zhytni në ujë dhe do të dilni përsëri nga uji” (3 Nefi 11:26).

Shumë besojnë se Zoti ndaloi së dhëni zbulesa ndaj njerëzve pasi u shkrua Bibla megjithëse, vetë Bibla është një dëshmi e modelit zbulues të Perëndisë e mbi 4.000 viteve të ekzistencës së njeriut. Por një doktrinë e pasaktë si kjo, është si një domino që shkakton rënien njëra pas tjetrës të një rreshti dominosh ose në këtë rast rënien e doktrinave të sakta. Besimi në fundin e zbulesave bën që të bjerë doktrina se “Perëndia është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë” (Mormoni 9:9); bën që të bjerë doktrina e dhënë mësim nga Amosi se “Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amos 3:7); dhe bën që të bjerë edhe doktrina se “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34) dhe për pasojë Ai u flet të gjithë njerëzve në të gjitha kohët për rënien. Por fatmirësisht, Libri i Mormonit rikurorëzon të vërtetën biblike të dhënies së zbulesave të vazhdueshme:

“Dhe përsëri unë ju flas juve që mohoni zbulesat e Perëndisë dhe thoni se ato nuk ndodhin më, se nuk ka më zbulesa. …

A nuk lexojmë ne se Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë … ?” (Mormoni 9:7, 9).

Me fjalë të tjera, nëse Perëndia që është i pandryshueshëm, foli në kohët e lashta Ai do të flasë njësoj edhe në kohët moderne.

Lista e vërtetimeve dhe qartësimeve doktrinore vazhdon përsëri e përsëri, por asnjë nga pohimet doktrinore nuk është më i fuqishëm, më prekës se ligjëratat e Librit të Mormonit mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit. A do t’ju pëlqente të vërtetonit në shpirtin tuaj një dëshmi të pamohueshme se Shpëtimtari shleu për mëkatet tuaja dhe se nuk ka mëkat, as gjendje vdekshmërie të vështirë që të mbetet jashtë përfshirjes mëshirëplotë në Shlyerjen e Tij – që për çdo mundim tuajin, Ai ka një ilaç me fuqinë më të lartë shëruese? Më pas lexoni Librin e Mormonit. Ai do t’ju mësojë dhe do t’ju dëshmojë se Shlyerja e Krishtit është e pafundme sepse mbulon, merr parasysh dhe është më e madhe se çdo dobësi tokësore e njeriut. Kjo është arsyeja pse profeti Mormon shpalli: “Ju duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit” (Moroni 7:41).

Nuk është çudi që Libri i Mormonit shpall me guxim: “Dhe nëse ju do të besoni në Krisht, ju do të besoni në këto fjalë, pasi ato janë fjalët e Krishtit” (2 Nefi 33:10). Së bashku me Biblën, Libri i Mormonit është një dëshmitar i domosdoshëm i doktrinave të Krishtit dhe hyjnueshmërisë së Tij. Së bashku me Biblën ai “ u mëso[n] të gjithë njerëzve, që ata duhet të bëjnë mirë” (2 Nefi 33:10). Dhe së bashku me Biblën, ai na sjell në përfundimin se ka vetëm “një Zot, një besim, një pagëzim”. Kjo është arsyeja pse Libri i Mormonit është kaq vendimtar në jetën tonë.

Disa vite më parë, unë mora pjesë në një nga mbledhjet e adhurimit në Toronto të Kanadasë. Ishte folëse një vajzë 14-vjeçare. Ajo tha se kishte diskutuar rreth fesë me një nga shoqet e saj në shkollë. Shoqja e saj i tha: “Cilës fe i përket?”

Ajo u përgjigj: “Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ose Mormonëve”.

Shoqja e saj u përgjigj: “Unë e njoh atë kishë dhe e di se ajo nuk është e vërtetë”.

“Nga e di ti këtë?”, u përgjigj vajza.

“Sepse, unë kam bërë kërkime rreth saj”, tha shoqja.

“A ke lexuar Librin e Mormonit?”

“Jo”, ishte përgjigjja. “Nuk e kam lexuar.”

Atëhere kjo vajzë e re, e ëmbël u përgjigj: “Epo ti nuk ke bërë kërkime rreth kishës sime, pasi unë kam lexuar çdo faqe të Librit të Mormonit dhe unë e di se është i vërtetë”.

Unë gjithashtu, kam lexuar çdo faqe të Librit të Mormonit, vazhdimisht dhe unë jap dëshminë time solemne, njësoj si stër-stërgjyshi im, se është nga Perëndia. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Willard Richards, në LeGrand Richards, A Marvelous Work and a Wonder, botim i rishikuar (1972), f. 81, 82.

  2. C. S.Lewis, Mere Christianity (1952), f. 40–41.