2010–2019
Përgatitja në Priftëri: “Unë Kam Nevojë për Ndihmën Tuaj”
Tetor 2011


Përgatitja në Priftëri: “Unë Kam Nevojë për Ndihmën Tuaj”

Mos u shqetësoni se sa të papërvojë jeni ose mendoni se jeni, por mendoni se çfarë mund të bëheni me ndihmën e Zotit.

Vëllezërit e mi të dashur, është një gëzim për mua të jem me ju në këtë mbledhje mbarëbotërore të priftërisë së Perëndisë. Sonte do të flas për përgatitjen e priftërisë, si për tonën edhe për atë që ne ndihmojmë të sigurohet për të tjerët.

Nganjëherë, shumica prej nesh mund të pyesin veten: “A jam i përgatitur për këtë detyrë në priftëri?” Përgjigjja ime është: “Po, ju keni qenë të përgatitur”. Qëllimi im sot është për t’ju ndihmuar juve ta njihni atë përgatitje dhe të merrni guxim prej saj.

Siç e dini, Priftëria Aarone është përcaktuar si një priftëri përgatitore. Pjesa më e madhe e mbajtësve të Priftërisë Aarone janë dhjakë, mësues dhe priftërinj të rinj, midis moshës 12 dhe 19 vjeç.

Ne mund të mendojmë për përgatitjen e priftërisë që ndodh në vitet e Priftërisë Aarone. Por Ati ynë Qiellor na ka përgatitur ne që kur po merrnim mësim në praninë e Tij, në mbretërinë e Tij përpara se të lindnim. Ai është duke na përgatitur ne sonte. Dhe Ai do të vazhdojë të na përgatisë për aq kohë sa ne do ta lejojmë Atë.

Qëllimi i gjithë përgatitjes së priftërisë, në jetën para lindjes dhe në këtë jetë, është të na përgatisë ne dhe ata që i shërbejnë Atij për jetën e përjetshme. Disa nga mësimet e para në jetën para lindjes, pa dyshim që përfshinin planin e shpëtimit, me Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij në qendër të tij. Ne jo vetëm që na u mësua plani, por ishim në këshillin ku e zgjodhëm planin.

Për shkak se një vel harrese u vendos në mendjen tonë në lindje, ne duhet të gjenim një mënyrë për t’i mësuar përsëri në këtë jetë ato që dikur i dinim dhe i mbronim. Pjesë e përgatitjes sonë në këtë jetë ka qenë gjetja e asaj të vërtete të çmuar, në mënyrë që më pas të zotohemi sërish për të përmes besëlidhjes. Kjo ka kërkuar besim, përulësi dhe guxim nga ana jonë, si dhe ndihmë nga njerëzit që e kishin gjetur të vërtetën dhe më pas e ndanë atë me ne.

Ata mund të kenë qenë prindërit, misionarët apo miqtë. Por ajo ndihmë ishte pjesë e përgatitjes sonë. Përgatitja jonë në priftëri gjithmonë përfshin të tjerët që tashmë kanë qenë të përgatitur për të na ofruar neve mundësinë për të pranuar ungjillin dhe që më pas zgjedhin të veprojnë përmes mbajtjes së besëlidhjeve, për ta bërë atë pjesë të zemrës tonë. Në mënyrë që ne të kualifikohemi për jetën e përjetshme, shërbimi ynë në këtë jetë duhet të përfshijë të punuarin me gjithë zemrën, mendjen dhe fuqinë e forcën tonë për të përgatitur të tjerët që të kthehen tek Perëndia me ne.

Pra, pjesë e përgatitjes së priftërisë që ne do të kemi në këtë jetë do të jenë mundësitë për t’u shërbyer dhe dhënë mësim të tjerëve. Kjo mund të përfshijë të qenit mësues në Kishë, baba i urtë e i dashur, anëtar i një kuorumi dhe misionar për Zotin Jezu Krisht. Zoti do t’i ofrojë mundësitë, por do të varet nga ne nëse do jemi të përgatitur. Synimi im sonte është të vë në dukje disa nga zgjedhjet vendimtare të domosdoshme për përgatitjen e priftërisë për të pasur sukses.

Zgjedhjet e drejta si nga personi që e përgatit edhe nga ai që po përgatitet, varen nga disa njohuri rreth mënyrës se si Zoti i përgatit shërbëtorët e Tij të priftërisë.

Së pari, Ai thërret njerëz, të rinj dhe të vjetër, që mund të duken të jenë të dobët dhe të thjeshtë tek njerëzit e kësaj bote, madje edhe tek vetja e tyre. Zoti mund t’i shndërrojë ato mangësi në dukje në pika të forta. Kjo do të ndryshojë mënyrën se si udhëheqësi i urtë zgjedh kë dhe si do ta përgatisë. Dhe kjo mund të ndryshojë mënyrën se si mbajtësi i priftërisë u përgjigjet mundësive për zhvillim, që po i ofrohen.

Le të marrim parasysh disa shembuj. Unë isha një prift i papërvojë në një lagje të madhe. Peshkopi im më telefonoi një pasdite të diele. Kur iu përgjigja në telefon, ai tha: “A keni kohë të vini me mua? Unë kam nevojë për ndihmën tuaj.” Ai thjesht më shpjegoi se donte që të shkoja si shoku i tij shoqërues për të vizituar një grua, që nuk e njihja, por që nuk kishte ushqim dhe kishte nevojë që të mësonte si t’i administronte të ardhurat e saj më mirë.

Atëherë, unë e dija se ai kishte dy këshilltarë me përvojë në peshkopatën e tij. Të dy ishin njerëz të pjekur, që kishin përvojë të madhe. Njëri këshilltar ishte pronari i një biznesi të madh, i cili më vonë u bë president misioni dhe një Autoritet i Përgjithshëm. Këshilltari tjetër ishte një gjykatës i mirënjohur në qytet.

Unë isha ndihmësi i parë, i sapothirrur i peshkopit në kuorumin e priftërinjve. Ai e dinte se unë nuk kuptoja shumë rreth parimeve të mirëqenies. Dija akoma dhe më pak për financat vetjake. Unë ende nuk kisha firmosur një çek; nuk kisha një llogari bankare; madje nuk kisha parë një buxhet vetjak. Megjithatë, pavarësisht mungesës time të përvojës, unë e kuptova se ai ishte tepër serioz kur tha: “Unë kam nevojë për ndihmën tuaj”.

Unë arrita të kuptoja se çfarë donte të thoshte ai peshkop i frymëzuar. Ai më pa mua si një mundësi të shkëlqyer për të përgatitur një mbajtës priftërie. Jam i bindur se ai nuk parashikoi një anëtar të ardhshëm të Peshkopatës Kryesuese tek ai djalë i pastërvitur. Por që nga ajo ditë, dhe gjithë ditët që e njoha atë gjatë viteve, ai më trajtoi si një projekt përgatitjeje shumë premtues.

Ai dukej që gëzohej nga kjo, por për të ishte punë. Pas kthimit tonë për në shtëpinë time, pasi vizituam të venë në nevojë, ai parkoi makinën. Ai hapi shkrimet e tij shenjta shumë të përdorura dhe të nënvizuara shumë. Dhe ai më qortoi ëmbëlsisht. Ai më tha se unë duhet të studioja shkrimet e shenjta dhe të mësoja më shumë. Por ai duhet të ketë parë se unë isha mjaftueshëm i dobët dhe i thjeshtë për të nxënë. Edhe sot më kujtohet çfarë më mësoi ai atë pasdite. Por më shumë më kujtohet se sa i sigurt ishte ai që unë mund të mësoja dhe të isha më i mirë – dhe se unë do të isha.

Ai pa përtej realitetit se kush isha unë me mundësitë e ardhshme të dikujt që ndihet mjaftueshëm i dobët dhe i thjeshtë për të dashur ndihmën e Zotit dhe për të besuar se ajo do t’i vijë.

Peshkopët, presidentët e misioneve dhe baballarët mund të zgjedhin për të vepruar mbi këto mundësi. E pashë atë të ndodhte kohët e fundit në një mbledhje agjërimi ndërsa një president i kuorumit të dhjakëve ndau dëshminë e tij. Ai po përgatitej për t’u bërë mësues dhe për të lënë pas vetes anëtarët e kuorumit të tij.

Ai dëshmoi me emocione të mëdha në zë për rritjen në mirësi dhe fuqi tek anëtarët e kuorumit të tij. Unë kurrë nuk kam dëgjuar një person të lavdërojë një organizatë në mënyrë më të mrekullueshme se e bëri ai. Ai e lëvdoi shërbimin e tyre. Dhe më pas tha se ai e dinte se kishte qenë në gjendje t’i ndihmonte dhjakët e rinj kur ata ndiheshin të hutuar, sepse ishte ndier i hutuar kur ai hyri në priftëri.

Ndjenjat e tij të dobësisë e kishin bërë atë më shumë të duruar, më të dhimbsur dhe si pasojë, më të aftë për të forcuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Në ato dy vite në Priftërinë Aarone, më dukej sikur ai ishte bërë i përgatitur dhe i urtë. Ai kishte mësuar se ishte ndihmuar si president i kuorumit nga një kujtim i qartë dhe i gjallë i vetë nevojave të tij kur ishte dy vjet më i ri. Sfida e tij në të ardhmen në udhëheqjen e tij dhe e jona do të vijë kur kujtime të tilla zbehen dhe bëhen të turbullta nëpërmjet kohës dhe suksesit tonë.

Pali duhet ta ketë parë atë rrezik në këshillën për shokun e tij më të ri, misionar në priftëri, Timoteun. Ai e nxiti dhe e udhëzoi atë në përgatitjen e tij për priftërinë dhe në dhënien e ndihmës ndaj Zotit për të përgatitur të tjerët.

Dëgjoni se çfarë i tha Pali Timoteut, shokut të tij më të ri:

“Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.

Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.

Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve. …

Ruaje veten tënde dhe mësimin;1 qëndro në këtë gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë”2.

Pali dha këshilla të dobishme për të gjithë ne. Mos u shqetësoni se sa të papërvojë jeni ose mendoni se jeni, por mendoni se çfarë mund të bëheni me ndihmën e Zotit.

Doktrina që Pali na nxit ne për t’u ushqyer me bollëk në përgatitjen tonë në priftëri, janë fjalët e Krishtit dhe që kështu të kualifikohemi për marrjen e Frymës së Shenjtë. Atëherë, ne mund ta dimë se çfarë Zoti do që ne të bëjmë në shërbimin tonë dhe mund të marrim guximin për ta bërë atë, pavarësisht nga rrethanat me të cilat përballemi në të ardhmen.

Ne jemi duke u përgatitur për shërbimin e priftërisë që do të bëhet më sfidues me kalimin e kohës. Për shembull, muskujt tanë dhe mendja jonë vjetërohen çdo ditë. Aftësia jonë për të mësuar dhe mbajtur mend se çfarë kemi lexuar do të zvogëlohet. Për të dhënë shërbimin e priftërisë që Zoti pret prej nesh do të na duhet gjithnjë e më shumë vetëdisiplinë çdo ditë të jetës sonë. Ne mund të bëhemi të përgatitur për atë provë duke ndërtuar besimin përmes shërbimit çdo ditë.

Zoti na ka dhënë mundësinë për t’u përgatitur me diçka që Ai e quajti “betimi dhe besëlidhja [e] priftërisë”3.

Ajo është një besëlidhje që bëjmë me Perëndinë për të mbajtur të gjitha urdhërimet e Tij dhe për të dhënë shërbim siç Ai do ta kishte dhënë nëse do ishte personalisht i pranishëm. Të jetuarit me atë standard me më të mirën që mundemi, ndërton forcën që do të na duhet për të duruar deri në fund.

Përgatitës priftërie të efektshëm më kanë treguar si ta ndërtoj atë forcë: ajo është të krijosh një zakon të kapërcimit të lodhjes dhe frikës që mund t’ju bëjë të mendoni të hiqni dorë. Këshilltarët e mrekullueshëm të Zotit më kanë treguar se fuqia e qëndrueshme shpirtërore vjen nga të punuarit përtej kufirit ndërkohë që të tjerët do të çlodheshin.

Ju udhëheqës fisnikë të priftërisë, që e keni ndërtuar atë forcë shpirtërore në rininë tuaj ende e zotëroni atë kur forca fizike dobësohet.

Vëllai im më i vogël ishte në një qytet të vogël të Jutas për punë. Ai mori një telefonatë në hotelin e tij nga Presidenti Spenser W. Kimball. Ishte vonë në darkë, pas një dite të vështirë pune për vëllanë tim dhe me siguri edhe për Presidentin Kimball, i cili e filloi bisedën në këtë mënyrë. Ai tha: “Dëgjova se keni qenë në qytet. E di që është vonë dhe që mund të jeni në shtrat, por a mund të më ndihmoni? Kam nevojë që të jeni shoku im shoqërues për të parë gjendjen e të gjitha kishave tona në qytet.” Vëllai im shkoi me të atë natë, pa pasur njohuri për mirëmbajtjen dhe për asgjë rreth godinave kishtare dhe duke mos e ditur se përse Presidenti Kimball duhet të bënte diçka të tillë pas një dite të gjatë për të, apo përse ai kishte nevojë për ndihmë.

Vite më vonë unë mora një telefonatë të ngjashme vonë natën në një hotel në Japoni. Atëherë unë isha përfaqësues i ri i arsimit për Kishën. E dija se Presidenti Gordon B. Hinkli po qëndronte diku në të njëjtin hotel, në detyrën e tij të veçantë në Japoni. Unë u përgjigja në telefon menjëherë pasi isha shtrirë në shtrat për të fjetur, i rraskapitur nga bërja e gjithçkaje që mendoja se kisha forcën për të bërë.

Presidenti Hinkli me zërin e tij të këndshëm pyeti: “Përse je duke fjetur kur unë këtu jam duke lexuar një dorëshkrim që na është kërkuar ta shqyrtojmë?” Kështu që u ngrita dhe shkova të punoja edhe pse e dija se Presidenti Hinkli mund t’i jepte një shqyrtim më të mirë një dorëshkrimi, se sa ndoshta mund t’i jepja unë. Por në njëfarë mënyre ai më bëri të ndiej se kishte nevojë për ndihmën time.

Presidenti Tomas S. Monson, në fund të pothuajse çdo takimi e pyet sekretarin e Presidencës së Parë: “A jam i informuar për të rejat në punë?” Dhe ai gjithmonë buzëqesh kur i kthehet përgjigjja: “Oh, po, President, jeni i informuar”. Buzëqeshja e kënaqur e Presidentit Monson më jep një mesazh. Ai më bën të mendoj: “A ka ndonjë gjë më shumë që mund të bëj në detyrat e mia?” Dhe pastaj shkoj përsëri në zyrë për të punuar.

Mësues të mrekullueshëm më kanë treguar se si të përgatitem për të mbajtur betimin dhe besëlidhjen kur koha dhe mosha e bëjnë më të vështirë. Ata më kanë treguar dhe mësuar si ta disiplinoj veten për të punuar më shumë se sa mendoja se mundja, ndërsa unë ende gëzoj shëndet dhe forcë.

Unë nuk mund të jem një shërbëtor i përsosur çdo orë, por unë mund të përpiqem për të dhënë më shumë përpjekje se sa mendoj unë se mund të jap. Me këtë zakon të formuar që herët, unë do jem i përgatitur më vonë për sprovat. Unë dhe ju mund të jemi të përgatitur me forcën për të mbajtur betimin dhe besëlidhjen nëpërmjet provave, që pa dyshim do të vijnë në fund të jetës.

Unë pashë provën për këtë në takimin e Bordit të Kishës për Arsimin. Presidenti Spenser W. Kimball deri atëherë kishte ofruar vite shërbimi ndërsa duronte një seri sfidash të shëndetit që vetëm Jobi do t’i kuptonte. Ai ishte duke drejtuar mbledhjen atë mëngjes.

Papritmas, ai ndaloi së foluri. Ai ra në karrigen e tij. Sytë e tij u mbyllën. Koka i ra në gjoksin e tij. Unë isha ulur afër tij. Plaku Holland ishte afër nesh. Të dy ne u ngritëm për ta ndihmuar. Si të papërvojë që ishim për rastet emergjente, vendosëm ta mbartnim atë deri në zyrën e tij aty pranë, ashtu siç ishte ulur në karrigen tij.

Ai u bë mësuesi ynë në atë moment të vështirësisë së tij. Duke ngritur bashkë të dyja anët e karriges të tij, ne dolëm nga dhoma e mbledhjes në korridorin e Ndërtesës së Administratës së Kishës. Ai hapi sytë përgjysmë, ende dukshëm i habitur, dhe tha: “Oh, ju lutem, kini kujdes. Mos lëndoni kurrizin”. Ndërsa u afruam te dera e zyrës së tij, ai tha: “Oh, ndihem keq që e ndërpreva takimin”. Pak minuta pasi e çuam në zyrën e tij, ende duke mos e ditur se çfarë kishte, ai ngriti sytë tek ne dhe tha: “A nuk mendoni se duhet të ktheheni përsëri në mbledhje?”

Ne e lamë dhe nxituam, duke e ditur se në një farë mënyre prania jonë atje duhet të ishte e rëndësishme për Zotin. Presidenti Kimball kishte që në fëmijërinë e tij që e shtynte veten përtej kufijve të tij të durimit për t’i shërbyer dhe për ta dashur Zotin. Ishte një zakon kaq shumë i rrënjosur, saqë ishte atje kur ai kishte nevojë për të. Ai ishte i përgatitur. Dhe kështu ai ishte në gjendje që të na mësonte dhe tregonte neve se si të jemi të përgatitur për të mbajtur betimin dhe besëlidhjen: përmes përgatitjes së qëndrueshme përgjatë viteve, përmes gjithë forcës tonë në ato që mund të duken detyra të vogla me pasoja të vogla.

Lutja ime është që ne t’i mbajmë besëlidhjet tona të priftërisë për ta kualifikuar veten për jetën e përjetshme dhe për të gjithë ata që jemi thirrur për t’i përgatitur. Unë ju premtoj se nëse ju bëni gjithçka që mundeni, Perëndia do ta rrisë forcën dhe urtësinë tuaj. Ai do t’ju përgatisë. Unë ju premtoj se ata që i përgatisni dhe u jepni shembull do ta lëvdojnë emrin tuaj sikurse unë sot lëvdoj përgatitësit e mrekullueshëm që kam njohur.

Unë dëshmoj se Perëndia, Ati, jeton dhe ju do. Ai ju njeh ju. Ai dhe Biri i Tij i ringjallur dhe i përlëvduar, Jezu Krishti iu shfaqën një djali të papërvojë, Jozef Smithit. Ata i besuan atij rivendosjen e plotësisë së ungjillit dhe të Kishës së vërtetë. Ata e nxitën atë kur ai kishte nevojë. Ata e lejuan atë të ndiente qortimin e dashur, që kur ta rrëzonte ta ngrinte lart. Ata e përgatitën atë dhe Ata janë duke na përgatitur ne, për forcën që të vazhdojmë të punojmë drejt lavdisë çelestiale që është qëllimi dhe arsyeja e gjithë shërbimit të priftërisë.

Unë ju lë juve bekimin tim, që ju do të jeni në gjendje të njihni mundësitë e mrekullueshme që Perëndia ju ka dhënë në thirrjen dhe përgatitjen tuaj për shërbimin ndaj Tij dhe shërbimin ndaj të tjerëve. Në emrin e udhëheqësit dhe mësuesit tonë të dashur, Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih 2 Nefi 32:3–6.

  2. 1 Timoteu 4:12–14, 16.

  3. Doktrina e Besëlidhje 84:39.