2010–2019
Ndihma sipas Mënyrës së Zotit
Tetor 2011


Ndihma sipas Mënyrës së Zotit

Parimet e mirëqenies së Kishës nuk janë thjesht ide të mira; ato janë të vërteta të zbuluara nga Perëndia – ato janë mënyra e Tij për të ndihmuar nevojtarët.

Gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë, pak pas Luftës II Botërore, unë përjetova bekime vetjake nga programi i Kishës për mirëqenien. Megjithëse isha një fëmijë i vogël, unë ende e kujtoj shijen e ëmbël të pjeshkëve të konservuara me qull gruri dhe aromën e veçantë të veshjeve të dhuruara që iu dërguan shenjtorëve gjermanë pas luftës nga anëtarë të përkujdesur të Kishës në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk do t’i harroj kurrë dhe do t’i ruaj përgjithmonë kujtimet e këtyre veprave të dashurisë dhe mirësisë për ata si ne që ishin në nevojë të madhe.

Kjo përvojë vetjake dhe 75-vjetori i planit të frymëzuar të mirëqenies më japin mua arsye për të menduar sërish mbi parimet themelore të përkujdesjes për të varfrin dhe nevojtarin, të bërit të mbështetur te vetja dhe shërbimin ndaj bashkëqenieve tona.

Në Rrënjë të Besimit Tonë

Ndonjëherë, ne e konsiderojmë mirëqenien thjesht si një parim tjetër ungjilli – një prej shumë degëve të pemës së ungjillit. Por unë besoj se në planin e Zotit, zotimi ynë ndaj parimeve të mirëqenies duhet të jetë shumë në rrënjën e besimit dhe përkushtimit tonë ndaj Tij.

Që prej fillimit të kohëve, Ati ynë Qiellor ka folur shumë qartë mbi këtë temë, duke përfshirë lutjen e dhembshur: “Nëse më do … ti do të kujtosh të varfërit dhe do të përkushtosh prej gjithë pronave të tua për mbështetjen e tyre”1; si dhe urdhër të drejtpërdrejtë: “Kujtoni në gjithçka të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit, sepse ai që nuk i bën këto gjëra, po ai nuk është dishepulli im”2 dhe gjithashtu, paralajmërime të theksuara dhe të forta: “Si rrjedhim, në qoftë se dikush do të marrë nga bollëku që kam krijuar dhe nuk do t’u japë nga pjesa e tij, sipas ligjit të ungjillit tim, të varfërve dhe nevojtarëve, ai, me të ligjtë, do t’i hapë sytë e tij në ferr, duke qenë i munduar”3.

Fizikja dhe Shpirtërorja Janë të Lidhura Bashkë

Dy urdhërimet e mëdha – ta doni Perëndinë dhe të afërmin tuaj – janë një bashkim i fizikes dhe shpirtërores. Është e rëndësishme të dallojmë se këto dy urdhërime quhen “të mëdha” pasi nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.4 Me fjalë të tjera, përparësitë tona vetjake, familjare dhe të Kishës duhet të fillojnë me këto dy urdhërime. Të gjithë qëllimet dhe veprimet e tjera duhet të rrjedhin nga burimi i këtyre dy urdhërimeve të mëdha – nga dashuria jonë për Perëndinë dhe për të afërmit tanë.

Njësoj si dy anët e një monedhe, fizikja dhe shpirtërorja janë të pandashme.

Dhuruesi i jetës ka shpallur: “Si rrjedhim, me të vërtetë unë ju them se gjithë gjërat për mua janë shpirtërore dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë një ligj që është tokësor”5. Kjo për mua do të thotë që “përbërësi i parë i jetës shpirtërore është të jetuarit. Nuk është thjesht diçka që duhet njohur e studiuar, është diçka që duhet jetuar.”6

Fatkeqësisht, ka nga ata që e anashkalojnë fiziken pasi ata e konsiderojnë atë më pak të rëndësishme. Ata ruajnë si thesar shpirtëroren ndërkohë që e zbehin fiziken. Ndërsa është e rëndësishme që t’i kemi mendimet e drejtuara nga qielli, ne humbasim thelbin e fesë sonë nëse veprimet tona nuk janë gjithashtu të drejtuara nga bashkëqeniet tona.

Për shembull, Enoku ndërtoi një shoqëri Sioni nëpërmjet procesit shpirtëror të të bërit që njerëzit të ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe të punës fizike për të siguruar se “nuk kishte të varfër mes tyre”7.

Si gjithmonë ne mund të shohim shembullin tonë të përkryer, Jezu Krishtin, për model. Siç na mësoi Presidenti J. Ruben Klark: “Kur Shpëtimtari erdhi në tokë, ai kishte dy misione të mëdha; njëri ishte të përmbushte rolin si Mesia, shlyerjen për rënien dhe përmbushjen e ligjit, misioni tjetër ishte puna që ai bëri mes vëllezërve dhe motrave të tij në mish, të cilët i çliroi nga vuajtjet e tyre”8.

Në mënyrë të ngjashme, përparimi ynë shpirtëror është i lidhur në mënyrë të pandashme me shërbimin fizik që ne u japim të tjerëve.

Njëri plotëson tjetrin. Njëri pa tjetrin është një shtrembërim i planit të lumturisë të Perëndisë.

Mënyra e Zotit

Ka shumë njerëz dhe organizata të mira në botë që po përpiqen të plotësojnë nevojat e ngutshme të të varfërve dhe nevojtarëve gjithandej. Ne jemi mirënjohës për këtë, por mënyra e përkujdesjes së Zotit për nevojtarët është e ndryshme nga mënyra e botës. Zoti ka thënë: “Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime”9. Ai nuk interesohet vetëm për nevojat tona të ngutshme; Ai shqetësohet edhe për përparimin tonë të përjetshëm. Për këtë arsye, mënyra e Zotit ka përfshirë gjithmonë mbështetjen te vetja dhe shërbimin ndaj të afërmve tanë përveç përkujdesjes ndaj të varfërve.

Në vitin 1941 lumi Hila doli nga shtrati dhe përmbyti luginën Dankan në Arizona. Një president i ri kunji me emrin Spenser W. Kimball, u takua me këshilltarët e tij, bëri vlerësimin e dëmit dhe dërgoi një telegram në Solt-Lejk-Siti duke kërkuar një shumë të madhe parash.

Në vend që t’u dërgonte para, Presidenti Hibër J. Grant u dërgoi tre burra: Henri D. Moilin, Marion G. Romnin dhe Harold B. Linë. Ata shkuan për vizitë së bashku me Presidentin Kimball dhe i mësuan atij një mësim të rëndësishëm: “Ky nuk është një program ‘më jepni mua’”, thanë ata. “Ky është një program i ‘të ndihmuarit të vetes’”.

Shumë vite më vonë, Presidenti Kimball tha: “Do të kishte qenë një gjë e lehtë, mendoj, që vëllezërit të na i kishin dërguara [paratë] dhe nuk do të kishte qenë shumë e vështirë të ulesha në zyrën time dhe t’i shpërndaja ato; por sa shumë të mira na erdhën kur patëm qindra nga [njerëzit tanë] që shkuan në Dankan e ndërtuan gardhe dhe çuan sanën, niveluan tokën dhe bënë të gjitha gjërat që duheshin bërë. Kjo është të ndihmosh veten.”10

Duke ndjekur mënyrën e Zotit, anëtarëve të kunjit të Presidentit Kimball jo vetëm që iu plotësuan nevojat e tyre të ngutshme, por ata zhvilluan edhe mbështetjen te vetja, iu lehtësuan vuajtjet dhe u rritën në dashuri e unitet ndërkohë që i shërbyen njëri-tjetrit.

Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar

Në këtë çast ka shumë anëtarë të Kishës që po vuajnë. Ata janë të uritur, me probleme financiare dhe duke luftuar me vuajtjen fizike, emocionale dhe shpirtërore. Ata luten me gjithë energjinë e shpirtit të tyre për ndihmë, për lehtësim.

Vëllezër, ju lutem mos mendoni se kjo është përgjegjësia e tjetërkujt. Ajo është e imja dhe e juaja. Ne jemi të gjithë të rekrutuar. “Të gjithë” do të thotë të gjithë – çdo mbajtës i priftërisë Aarone dhe Melkizedeke, i pasur apo i varfër, në çdo komb. Në planin e Zotit, secili ka diçka me të cilën mund të ndihmojë.11

Mësimi që ne marrim brez pas brezi, është se të pasurit dhe të varfërit kanë të gjithë të njëjtin detyrim të shenjtë për të ndihmuar të afërmin e tyre. Do të na duhet të gjithëve të punojmë që t’i zbatojmë me sukses parimet e mirëqenies dhe mbështetjes te vetja.

Shumë shpesh ne i vëmë re nevojat që ka rrotull nesh, duke shpresuar se dikush nga larg do të shfaqet në mënyrë magjike për t’i plotësuar këto nevoja. Ndoshta ne presim që probleme të caktuara t’i zgjidhin ekspertë me njohuri të specializuara. Kur e bëjmë këtë, ne i mohojmë të afërmit tonë shërbimin që mund t’i bënim dhe i mohojmë vetes mundësinë për të shërbyer. Megjithëse nuk ka asgjë kundër ekspertëve, le të jemi të vërtetë: nuk do të ketë kurrë ekspertë të mjaftueshëm për t’i zgjidhur gjithë problemet. Në vend të tyre, Zoti e bëri priftërinë e Tij dhe organizatën e saj lehtësisht të gjindshme në çdo vend të botës ku Kisha është ngritur. Dhe së bashku me të, Ai ka vënë në dispozicion edhe Shoqatën e Ndihmës. Siç e dimë ne mbajtësit e priftërisë, asnjë përpjekje për mirëqenie nuk është e suksesshme nëse nuk arrin të përdorë dhuratat dhe talentet e mrekullueshme të grave.

Mënyra e Zotit nuk është të ulemi buzë përroit të problemeve dhe të presim sa të thahet uji përpara se të kalojmë. Mënyra e Zotit është që të mblidhemi së bashku, të përveshim mëngët, të shkojmë të punojmë dhe të ndërtojmë një urë ose një barkë që të kalojmë ujërat e sfidave tona. Ju burra të Sionit, ju mbajtës të priftërisë, jeni ata që mund të drejtoni dhe t’u sillni lehtësim shenjtorëve duke zbatuar parimet e frymëzuara të programit të mirëqenies! Është misioni juaj që të hapni sytë, të përdorni priftërinë tuaj dhe të shkoni të punoni sipas mënyrës së Zotit.

Organizata më e Madhe mbi Tokë

Gjatë Depresionit të Madh, Harold B. Li-së, duke shërbyer atëherë si president kunji, iu kërkua nga Vëllezërit që të gjente një përgjigje për varfërinë shtypëse, hidhërimin dhe urinë që ishin të përhapura aq shumë nëpër botë në atë kohë. Ai u mundua që të gjente një zgjidhje dhe e çoi çështjen te Zoti, dhe e pyeti: “Çfarë lloj organizate duhet të kemi … për ta bërë këtë?”

Dhe “ndodhi që Zoti i tha [atij]: ‘Shiko, bir. Ju nuk keni nevojë për asnjë organizatë tjetër. Unë ju kam dhënë organizatën më të mirë që gjendet në faqen e tokës. Asgjë nuk është më e madhe se organizata e priftërisë. Gjithçka që ju duhet të bëni është ta vini priftërinë në punë. Kjo është e gjitha.’”12

Kjo është pika e nisjes në jetën tonë gjithashtu. Ne tashmë e kemi të vendosur organizatën e Zotit. Sfida jonë është të përcaktojmë se si do ta përdorim.

Ne duhet të fillojmë duke u mësuar vetë me atë që Zoti ka zbuluar tashmë. Ne nuk duhet ta marrim të mirëqenë se e dimë. Ne duhet t’i qasemi kësaj çështjeje me përulësinë e një fëmije. Çdo brez duhet t’i mësojë nga e para doktrinat që janë baza e mënyrës së Zotit për t’u kujdesur për nevojtarët. Ndërsa shumë profetë na kanë udhëzuar përgjatë viteve, parimet e mirëqenies së Kishës nuk janë thjesht ide të mira; ato janë të vërteta të zbuluara nga Perëndia – ato janë mënyra e Tij për të ndihmuar nevojtarët.

Vëllezër, studioni së pari parimet dhe doktrinat e zbuluara. Lexoni manualet lidhur me mirëqenien e Kishës;13 shfrytëzoni faqen e internetit providentliving.org; rilexoni artikullin e qershorit të Liahonës së vitit 2011 mbi planin e mirëqenies së Kishës. Zbuloni rreth mënyrës së Zotit për të ndihmuar shenjtorët e Tij. Mësoni se si e plotësojnë njëri-tjetrin parimet e kujdesit për nevojtarin, shërbimit ndaj të afërmit dhe parimi i mirëqenies. Mënyra e Zotit për mirëqenien përfshin në një mënyrë të ekuilibruar shumë aspekte të jetës, duke përfshirë arsimimin, shëndetin, punësimin, ekonominë e familjes dhe forcën shpirtërore. Njihuni me programin modern të Kishës për mirëqenien14.

Pasi t’i keni studiuar doktrinat dhe parimet e planit të mbarë Kishës për mirëqenien, shihni t’i zbatoni ato që keni mësuar për nevojat e atyre të cilëve jeni përgjegjës t’u shërbeni. Kjo do të thotë që, në pjesën më të madhe, juve do t’ju duhet ta zbuloni vetë. Çdo familje, çdo mbledhje, çdo zonë e botës është e ndryshme. Nuk ka përgjigje që të zbatohet për të gjithë në mirëqenien e Kishës. Ai është një program i të ndihmuarit të vetes ku individët janë përgjegjës për mbështetjen përkatëse te vetja. Burimet tona përfshijnë lutjen vetjake, talentet dhe aftësitë përkatëse që na janë dhënë nga Perëndia, pasuri që na vihen në dispozicion nga vetë familjet tona dhe anëtarët e fisit, burimet e ndryshme të komunitetit dhe me siguri mbështetjen përkujdesëse të kuorumeve të priftërisë e të Shoqatës së Ndihmës. Kjo do të na udhëheqë përgjatë modelit të frymëzuar të mbështetjes te vetja.

Do t’ju duhet të bëni një plan që është në përputhje me doktrinën e Zotit dhe që u përgjigjet rrethanave të zonës suaj gjeografike. Për t’i vënë në zbatim parimet hyjnore të mirëqenies, nuk keni pse të shikoni gjithmonë nga Solt-Lejk-Siti. Përkundrazi, ju duhet të shihni në manualet tuaja, në zemrën tuaj dhe në qiell. Mirëbesojini frymëzimit të Zotit dhe ndiqni mënyrën e Tij.

Në fund të fundit, ju duhet të bëni në zonën tuaj atë që kanë bërë dishepujt e Krishtit në çdo periudhë ungjillore: të këshilloheni bashkë, të përdorni gjithë burimet që keni në dispozicion, të kërkoni frymëzimin e Frymës së Shenjtë, të kërkoni miratimin e Zotit dhe pastaj të përvishni mëngët e të filloni nga puna.

Unë ju jap një premtim: “nëse ju do të ndiqni këtë model, ju do të merrni udhëzim të detajuar se kë, çfarë, kur dhe ku duhet të ndihmoni sipas mënyrës së Zotit.

Bekimet e Ndihmës sipas Mënyrës së Zotit

Premtimet dhe bekimet profetike të mirëqenies së Kishës, të ndihmës sipas mënyrës së Zotit, janë disa nga më madhështoret dhe të mrekullueshmet që Zoti u ka dhënë fëmijëve të Tij. Ai tha: “Në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita: Dhe Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht.”15

Qoftë nëse jemi të pasur apo të varfër, pavarësisht se ku jetojmë në këtë botë, ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin, dhe kjo bëhet duke sakrifikuar kohën, talentet dhe burimet tona që shpirtrat tanë të rriten dhe të gdhenden.

Kjo punë e ndihmës sipas mënyrës së Zotit nuk është thjesht një artikull tjetër në listën e programeve të Kishës. Ajo nuk mund të mos përfillet apo të lihet mënjanë. Ajo është qendrore për doktrinën tonë, është thelbi i besimit tonë. Vëllezër, është privilegj i madh dhe i veçantë për ne si mbajtës të priftërisë që ta përdorim priftërinë për të kryer punën. Ne nuk duhet t’i largojmë zemrat ose mendjet tona nga të mbështeturit më shumë te vetja, përkujdesja më e mirë për nevojtarët dhe dhënia e shërbimit të dhembshur.

Gjërat fizike janë të lidhura ngushtë me ato shpirtërore. Perëndia na e ka dhënë këtë përvojë tokësore dhe sfidat fizike që janë të lidhura me të si një laborator ku ne mund të rritemi për t’u bërë qeniet që Ati Qiellor dëshiron që ne të bëhemi. E kuptofshim detyrën dhe bekimin e madh që vijnë nga ndjekja dhe ndihma sipas mënyrës së Zotit është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Doktrina e Besëlidhje 42:29, 30.

  2. Doktrina e Besëlidhje 52:40.

  3. Doktrina e Besëlidhje 104:18.

  4. Shih Mateu 22:36–40.

  5. Doktrina e Besëlidhje 29:34.

  6. Thomas Merton, Thoughts in Solitude (1956), f. 46.

  7. Moisiu 7:18.

  8. J. Reuben Clark Jr., në Conference Report, prill 1937, f. 22.

  9. Doktrina e Besëlidhje 104:16; shih edhe vargun 15.

  10. Spencer W. Kimball, në Conference Report, prill 1974, f. 183, 184.

  11. Shih Mosia 4:26;18:27.

  12. Harold B. Lee, fjalim i mbajtur në një mbledhje për planin bujqësor të mirëqenies, tetor 1970, f. 20.

  13. Shih Handbook 1: Stake Presidents and Bishops (2010), kapitulli 5, “Administering Church Welfare”; Handbook 2: Administering the Church (2010), kapitulli 6, “Welfare Principles and Leadership”; Providing in the Lord’s Way: Summary of a Leader’s Guide to Welfare (broshurë, 2009).

  14. Libri i Plakut Glen L. Rudd Pure Religion: The Story of Church Welfare since 1930 (1995), i disponueshëm nga Shërbimet e Shpërndarjes për Kishën, është një vend i mrekullueshëm për të studiuar doktrinat dhe historinë e programit të Zotit për mirëqenien.

  15. Isaia 58:10–11; shih edhe vargjet 7–9.