Rëndësia e një Emri
Le ta zhvillojmë zakonin … për ta bërë të qartë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është emri me të cilin Vetë Zoti na ka udhëzuar që të njihemi.
Plaku Hejls, në emër të të gjithëve ne, ju shprehim dashurinë tonë të thellë dhe jemi shumë mirënjohës që jeni këtu këtë mëngjes.
Qysh nga konferenca e përgjithshme e prillit të kaluar, mendja ime vazhdimisht është përqendruar në temën e rëndësisë së një emri. Në këto muajt e fundit, disa stërnipër e stërmbesa kanë lindur në familjen tonë. Edhe pse stërnipërit dhe stërmbesat duken sikur erdhën në jetë më shpejt se sa mund t’i prisja, secili fëmijë është një gëzim i madh në familjen tonë. Secili ka marrë një emër të veçantë të zgjedhur nga prindërit e tij ose të saj, një emër që do të njihet gjatë gjithë jetës së tij ose të saj, duke e dalluar atë nga dikush tjetër. Kjo është e vërtetë në çdo familje dhe është gjithashtu e vërtetë midis feve të botës.
Zoti Jezu Krisht e dinte se sa e rëndësishme ishte ta emërtonte qartë Kishën e Tij në këto ditë të fundit. Në seksionin 115 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Ai Vetë e emërtoi Kishën: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (vargu 4).
Dhe mbreti Beniamin e mësoi popullin e tij në kohët e Librit të Mormonit:
“Unë do të doja që ju të merrni mbi vete emrin e Krishtit, të gjithë ju që keni hyrë në besëlidhje me Perëndinë, se ju do të jeni të bindur deri në fund të jetës tuaj. …
Dhe unë do të doja që ju gjithashtu të kujtoni se ky është emri që unë thashë se do t’ju jepja, që nuk do të fshihet kurrë, veçse nëpërmjet shkeljes; prandaj kini vëmendjen që ju të mos bëni shkelje, që emri të mos fshihet nga zemrat tuaja” (Mosia 5:8, 11).
Ne marrim mbi vete emrin e Krishtit në ujërat e pagëzimit. Ne e përtërijmë efektin e atij pagëzimi çdo javë ndërsa marrim sakramentin, duke treguar gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Tij dhe duke premtuar se gjithmonë do ta kujtojmë Atë (shih DeB 20:77, 79).
A e kuptojmë ne se sa të bekuar jemi që marrim mbi vete emrin e Birit të Dashur dhe të Vetëmlindur të Perëndisë? A e kuptojmë se sa domethënëse është kjo? Emri i Shpëtimtarit është i vetmi emër nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet (shih 2 Nefi 31:21).
Nëse e mbani mend, Presidenti Bojd K. Paker në konferencën e përgjithshme të prillit të kaluar diskutoi rreth rëndësisë së emrit të Kishës. Ai shpjegoi se: “Të bindur ndaj zbulesës, ne e quajmë veten Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më mirë se Kisha Mormone” (“Të Drejtuar nga Shpirti i Shenjtë”, Liahona, maj 2011, f. 30).
Për shkak se emri i plotë i Kishës është kaq i rëndësishëm, unë përsëris zbulesat nga shkrimet e shenjta, udhëzimet e Presidencës së Parë në dokumentet zyrtare të vitit 1982 e 2001 dhe fjalët e apostujve të tjerë, që kanë nxitur anëtarët e Kishës të mbrojnë dhe t’i mësojnë botës se Kisha njihet me emrin e Zotit Jezu Krisht. Ky është emri me të cilin Zoti do të na thërrasë në ditën e fundit. Është emri me të cilin Kisha e Tij do të dallohet nga gjithë të tjerat.
Kam menduar shumë se përse Shpëtimtari i dha Kishës së Tij të rivendosur emër të gjatë. Mund të duket i gjatë, por nëse e mendojmë atë si një përshkrim të asaj se çfarë është Kisha, papritur ai bëhet mrekullisht i shkurtër, i qartë dhe i lehtë. Si mund të jetë më i drejtpërdrejtë e i qartë ndonjë përshkrim dhe ende të shprehet në kaq pak fjalë?
Çdo fjalë është sqaruese dhe domethënëse. Fjala Kisha në trajtën e shquar tregon pozicionin unik të Kishës së rivendosur midis feve të botës.
Fjalët Kisha e Jezu Krishtit tregojnë që është Kisha e Tij. Në Librin e Mormonit, Jezusi na mësoi: “Dhe si do të ishte kisha ime nëse nuk do të quhej me emrin tim? Pasi, në qoftë se një kishë quhet me emrin e Moisiut, atëherë do të jetë kisha e Moisiut; ose në qoftë se quhet me emrin e një njeriu [si Mormon], atëherë do të jetë kisha e një njeriu; por në qoftë se quhet me emrin tim, atëherë është kisha ime, në qoftë se ata janë ndërtuar mbi ungjillin tim” (3 Nefi 27:8).
Ditëve të Mëvonshme shpjegon se është e njëjta Kishë me Kishën e Jezu Krishtit të krijuar gjatë shërbesës së Tij të vdekshme por e rivendosur në këto ditë të fundit. Ne e dimë se kishte një rënie, ose një braktisje, duke bërë të nevojshme rivendosjen e Kishës së Tij të vërtetë dhe të plotë në kohën tonë.
Shenjtorëve do të thotë se anëtarët e saj e ndjekin Atë dhe përpiqen të bëjnë vullnetin e Tij, të mbajnë urdhërimet e Tij, dhe të përgatiten edhe një herë për të jetuar me Të dhe Atin tonë Qiellor në të ardhmen. Shenjtorëve thjesht u referohet atyre që kërkojnë ta bëjnë jetën e tyre të shenjtë duke u angazhuar për të ndjekur Krishtin.
Emri që Shpëtimtari i kishte dhënë Kishës së Tij na tregon saktësisht se kush jemi dhe çfarë besojmë. Ne besojmë se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Ai shleu për të gjithë ata që do të pendohen për mëkatet e tyre, dhe këputi lidhjet e vdekjes e siguroi ringjalljen e të vdekurve. Ne ndjekim Jezu Krishtin. Dhe sikurse mbreti Beniamin i tha popullit të tij, ashtu dhe unë ripohoj për të gjithë ne sot: “Ta kujtoni dhe ta mbani emrin [e Tij] gjithmonë të shkruar në zemrat tuaja” (Mosia 5:12).
Neve na është kërkuar të qëndrojmë si dëshmitarë të Tij “në të gjitha kohët, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Kjo do të thotë se ne duhet të jemi të gatshëm t’u tregojmë të tjerëve se cilin ndjekim dhe Kishës së kujt i përkasim: Kishës së Jezu Krishtit. Ne me siguri dëshirojmë ta bëjmë këtë me një qëndrim dashurie dhe dëshmie. Ne duam ta ndjekim Shpëtimtarin duke shpallur me thjeshtësi e qartësi, por sidoqoftë me përulësi se ne jemi anëtarë të Kishës së Tij. Ne e ndjekim Atë duke qenë shenjtorë të ditëve të mëvonshme–dishepuj të ditëve të mëvonshme.
Njerëzve dhe organizatave shpesh u janë vënë pseudonime nga të tjerët. Një pseudonim mund të jetë një formë e shkurtër e një emri, ose mund të rrjedhë nga një ngjarje apo disa karakteristika fizike ose të tjera. Ndërkohë që pseudonimet nuk kanë të njëjtën gjendje ose domethënie si emrat ekzistues, ato mund të përdoren siç duhet.
Kisha e Zotit si në kohën e lashtë edhe atë moderne ka pasur pseudonime. Shenjtorët në kohët e Dhiatës së Re u quajtën të krishterë sepse ata deklaruan besimin në Jezu Krisht. Ai emër, përdorur më parë negativisht nga kritikuesit e tyre, tani është një emër dallues; dhe ne jemi të nderuar të quhemi një kishë e krishterë.
Anëtarët tanë janë quajtur mormonë sepse ne besojmë në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Të tjerët mund të përpiqen ta përdorin fjalën Mormon më gjerësisht, për të përfshirë dhe për t’ju referuar atyre që janë larguar nga Kisha dhe grupeve të ndryshme të formuara nga ata që janë larguar [nga Kisha]. Një përdorim i tillë çon në ngatërresë. Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e mediave për t’u përmbajtur nga përdorimi i fjalës Mormon në një mënyrë që mund ta bëjë publikun të ngatërrojë Kishën me poligamistët ose grupe të tjera fondamentaliste. Më lejoni të shpall qartë se asnjë grup poligamist, përfshirë ata të cilët e quajnë veten Mormonë fondamentalistë ose variante të tjera të emrit tonë, nuk ka asnjë lidhje çfarëdo qoftë me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Ndërsa emri Mormon nuk është emri i plotë dhe i saktë i Kishës, edhe pse ai është dhënë fillimisht nga kritikuesit tanë gjatë viteve tona të hershme të persekutimit, ai është bërë një pseudonim i pranueshëm kur përdoret për anëtarët më shumë se sa institucionin. Ne nuk duhet të reshtim së përdoruri emrin Mormon kur është e nevojshme, por duhet të vazhdojmë t’i vëmë theksin emrit të plotë dhe të saktë të Kishës vetë. Me fjalë të tjera, ne duhet të shmangim dhe të kundërshtojmë termin “Kisha Mormone”.
Përgjatë viteve, ndërsa kam përmbushur detyra nëpër botë, jam pyetur shumë herë nëse i përkas Kishës Mormone. Përgjigjja ime ka qenë: “Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Për shkak se ne besojmë në Librin e Mormonit, që është emërtuar sipas një udhëheqësi, profeti të lashtë amerikan dhe që është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, ne nganjëherë jemi quajtur mormonë”. Në çdo rast kjo përgjigje është pritur mirë dhe faktikisht më ka krijuar shumë mundësi për të shpjeguar rivendosjen e plotësisë së ungjillit në këto ditë të mëvonshme.
Vëllezër dhe motra, thjesht mendoni se çfarë ndikimi mund të kemi ne vetëm duke iu përgjigjur e përdorur emrin e plotë të Kishës, siç Zoti e shpalli që ne duhet ta bëjmë. Dhe në qoftë se nuk mund ta përdorni përnjëherësh emrin e plotë, të paktën thoni: “Unë i përkas Kishës së Jezu Krishtit” dhe më pas sqaroni “të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.
Disa mund të pyesin, po faqet e internetit të tilla si Mormon.org si edhe fushata të ndryshme mediatike të iniciuara nga Kisha? Sikurse ju thashë, t’u referohesh bashkërisht anëtarëve si mormonë ndonjëherë është e përshtatshme. Si një rast i përdorshëm, ata që nuk janë të besimit tonë vijnë duke na kërkuar ne për të ditur për atë term. Por sapo të hapni Mormon.org, emri i saktë i Kishës shpjegohet në faqen zyrtare dhe duket në çdo faqe tjetër në site. Nuk është praktike që të presësh njerëzit për të shkruar emrin e plotë të Kishës, kur kërkojnë të na gjejnë ne ose kur hyjnë në faqen tonë të internetit.
Ndërsa këto praktika mund të vazhdojnë, nuk duhet t’i ndalojmë njerëzit nga përdorimi i emrit të plotë të Kishës kur është e mundur. Le ta zhvillojmë zakonin brenda familjeve tona dhe aktiviteteve të Kishës tonë e ndërveprimeve tona të përditshme, për ta bërë të qartë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është emri me të cilin Vetë Zoti na ka udhëzuar që të njihemi.
Një anketë e kohëve të fundit tregoi se ende shumë njerëz nuk e kuptojnë drejt se fjala Mormonë u referohet anëtarëve të Kishës sonë. Dhe një shumicë njerëzish ende nuk janë të sigurt se mormonët janë të krishterë. Edhe kur lexojnë për punën e Duarve Ndihmëtare në të gjithë botën si pasojë e uraganeve, tërmeteve, përmbytjeve dhe zisë së bukës ata nuk bëjnë lidhjen e përpjekjeve tona humanitare me ne si një organizatë e krishterë. Sigurisht që, nëse do e referonim veten tonë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të ishte më e lehtë për ta që ta kuptonin se ne besojmë dhe ndjekim Shpëtimtarin. Në këtë mënyrë, ata që e dëgjojnë emrin Mormon do ta bëjnë lidhjen e fjalës me emrin tonë të zbuluar dhe me njerëzit që ndjekin Jezu Krishtin.
Ashtu si Presidenca e Parë kërkoi në dokumentin e saj zyrtar të 23 shkurtit 2001: “Përdorimi i emrit të zbuluar, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme…, është gjithnjë e më i rëndësishëm në përgjegjësinë tonë për të shpallur emrin e Shpëtimtarit në të gjithë botën. Prandaj, ne kërkojmë që kur t’i referohemi Kishës ta përdorim emrin e tij të plotë kurdoherë që është e mundur”.
Përsëri në konferencën e përgjithshme të tetorit në 1948, Presidenti Xhorxh Albert Smith tha: “Vëllezër dhe motra, kur të largoheni nga konferenca sot, ju mund të bashkëveproni me grupe të ndryshme fetare të botës, por mos harroni se ka vetëm një Kishë në të gjithë botën që me urdhrin hyjnor mban emrin e Jezu Krishtit, Zotit tonë” (në Conference Report, tetor 1948, f. 167).
Vëllezër dhe motra, e kujtofshim gjithmonë këtë këshillë kur të largohemi sot nga konferenca. Le të dëgjohen dëshmitë tona për Të dhe dashuria jonë për Të të jetë gjithmonë në zemrat tona, unë lutem përulësisht në emrin e Tij, Zotit Jezu Krisht, amen.