Fuqia e Shkrimeve të Shenjta
Shkrimet e shenjta janë si sasitë e vogla të dritës që ndriçojnë mendjet tona dhe na përgatisin për drejtim dhe frymëzim nga lart.
Ata prej nesh që vijnë në këtë foltore gjatë konferencës, ndiejnë fuqinë e lutjeve tuaja. Ne kemi nevojë për to dhe ju falënderojmë për to.
Ati ynë në Qiell e kuptoi se, që ne të bëjmë përparimin e dëshiruar gjatë provës sonë në vdekshmëri, do të na duhet të përballemi me sfida të vështira. Disa nga këto sfida do të jenë thuajse mposhtëse. Ai siguroi mjete që të na ndihmojë që të jemi të suksesshëm në provën tonë në vdekshmëri. Një komplet i atyre mjeteve janë shkrimet e shenjta.
Nëpër të gjitha kohët, Ati në Qiell ka frymëzuar burra dhe gra të zgjedhura që të gjejnë zgjidhje, me anë të drejtimit nga Fryma e Shenjtë, për problemet më të ndërlikuara të jetës. Ai i ka frymëzuar ata shërbëtorë të autorizuar që t’i shënojnë ato zgjidhje si një lloj manuali për ata nga fëmijët e Tij që kanë besim në planin e Tij të lumturisë dhe në Birin e Tij të Dashur Jezu Krishtin. Ne mund t’i qasemi kësaj udhëheqjeje në çdo kohë nëpërmjet thesarit që ne e quajmë vepra standarde – që janë, Dhiata e Vjetër dhe e Re, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe.
Ngaqë shkrimet e shenjta janë nxjerrë nga një komunikim i frymëzuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ato janë e vërteta e pastër. Ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi rreth vlefshmërisë së koncepteve që përmbajnë veprat standarde, pasi Fryma e Shenjtë ka qenë instrumenti që i ka nxitur dhe frymëzuar ata individë që kanë regjistruar shkrimet e shenjta.
Shkrimet e shenjta janë si sasitë e vogla të dritës që ndriçojnë mendjet tona dhe na përgatisin për drejtim dhe frymëzim nga lart. Ato mund të bëhen çelësi për të hapur kanalin për te lidhja shpirtërore me Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin.
Shkrimet e shenjta, kur citohen saktësisht, u japin forcën e autoritetit deklarimeve tona. Ato mund të bëhen miq besnikë që mund të gjenden kudo dhe në çdo kohë. Ato janë gjithmonë të gjendshme kur nevojiten. Përdorimi i tyre siguron një themel të vërtete që mund ta përftojmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Mësimi, mendimi thellë, kërkimi dhe mbajtja mend e shkrimeve të shenjta është si të mbushësh një skedar me miq, vlera dhe të vërteta që mund t’i ftosh në çdo kohë, kudo në botë.
Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm. Për shembull, mbajtja mend e këtij psalmi ka qenë për mua një burim fuqie dhe kuptimi:
“Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.
Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.
Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për tʼu dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij” (Psalmet 24:1–5).
Mendimi thellë mbi një shkrim të shenjtë si ky jep një drejtim të shkëlqyer në jetë. Shkrimet e shenjta mund të formojnë një themel mbështetjeje. Ato mund të sigurojnë një burim të jashtëzakonshëm miqsh që duan të na ndihmojnë. Një shkrim i shenjtë që futet në kujtesë, bëhet një mik i përhershëm që nuk dobësohet me kalimin e kohës.
Meditimi mbi një varg të shkrimeve të shenjta mund të jetë kyçi për të hapur zbulesën dhe drejtimin e frymëzimin nga Fryma e Shenjtë. Shkrimet e shenjta mund të qetësojnë një shpirt të trazuar, duke i dhënë paqe, shpresë dhe rivendosje të besimit në aftësinë e njeriut për të kapërcyer sfidat e jetës. Ato kanë fuqinë e madhe të shërojnë sfidat emocionale kur ka besim te Shpëtimtari. Ato mund të përshpejtojnë shërimin fizik.
Shkrimet e shenjta mund të komunikojnë domethënie të ndyshme në kohë të ndryshme në jetën tonë, sipas nevojave tona. Një shkrim i shenjtë që mund ta kemi lexuar shumë herë, mund të marrë kuptime të reja dhe të holla, që janë rifreskuese dhe tejshikuese kur përballemi me një sfidë të re në jetë.
Si i përdorni ju personalisht shkrimet e shenjta? A bëni shënime në kopjen tuaj? A vendosni shënime anës faqes për të kujtuar një çast drejtimi shpirtëror apo një përjetim që ju ka dhënë një mësim të thellë? A i përdorni të gjitha veprat standarde, përfshirë Dhiatën e Vjetër? Unë kam gjetur të vërteta të çmuara në faqet e Dhiatës së Vjetër që janë pjesë të rëndësishme të themelit të së vërtetës që drejton jetën time dhe është një burim kur përpiqem të ndaj një mesazh ungjilli me të tjerët. Prandaj unë e dua Dhiatën e Vjetër. Unë gjej perla të çmuara të së vërtetës të shtrira në të gjitha faqet e saj. Për shembull:
“Samueli i tha: ‘Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve’” (1 Samuelit 15:22).
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja …
Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriun që ka përftuar arsyen” (Fjalët e Urta 3:5–7, 11–13).
Dhiata e Re është gjithashtu një burim të vërtete të çmuar:
“Dhe Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët’” (Mateu 22:37–40).
“Edhe Zoti tha: ‘Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar tʼju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.’
Por ai tha: ‘Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje’.
Por Jezusi tha: ‘Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh’. …
Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ‘Edhe ky ishte me të’.
Por ai e mohoi duke thënë: ‘O grua, nuk e njoh’.
Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ‘Edhe ti je nga ata’. Por Pjetri tha: ‘O njeri, nuk jam’.
Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ‘Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas’.
Por Pjetri tha: ‘O njeri, sʼdi çʼpo thua’. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ‘Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë’.
Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim” (Lluka 22:31–34, 56–62).
Sa dhemb zemra ime për çka i ndodhi Pjetrit në atë rast.
Ky shkrim i shenjtë nga Doktrina e Besëlidhje e ka bekuar shumë jetën time: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit” (DeB11:21).
Sipas gjykimit tim, Libri i Mormonit jep mësim të vërtetën me një qartësi dhe fuqi të pashoqe. Për shembull:
“Tani unë do të doja që ju të jeni të përulur dhe të nënshtruar dhe të butë; të lehtë për t’u mësuar; plot durim dhe këmbëngulje; duke qenë të matur në të gjitha gjërat; duke qenë të zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë në të gjitha kohët; duke kërkuar çdo gjë, për të cilën ju keni nevojë, qoftë shpirtërore ose tokësore, duke i dhënë falënderime gjithmonë Perëndisë për çdo gjë që ju merrni.
Dhe shikoni të keni besim, shpresë dhe dashuri hyjnore dhe atëherë ju do të keni gjithmonë vepra të mira” (Alma 7:23–24).
Dhe një tjetër:
“Dhe dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq dhe nuk gëzohet në paudhësi, por gëzohet në të vërtetën, mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat.
Prandaj, vëllezër të mi të dashur, në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju sʼjeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë—
Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të.
Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër” (Moroni 7:45–48).
Bashkëshortja ime e shtrenjtë, Xhenina, e donte Librin e Mormonit. Në rininë e saj, si adoleshente, ai u bë themeli i jetës së saj. Ai ishte burim dëshmie dhe mësimdhënieje gjatë shërbimit të saj misionar kohëplotë në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara. Kur ne shërbyem në fushën e misionit në Kordovë të Argjentinës, ajo nxiste fuqimisht përdorimin e Librit të Mormonit në përpjekjet tona për ndërrim besimi. Xhenina vërtetoi herët në jetën e saj se ata që lexojnë vazhdimisht Librin e Mormonit bekohen me një masë shtesë të Shpirtit të Zotit, një vendosmëri më të madhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij dhe me një dëshmi më të fortë për shenjtërinë e Birit të Perëndisë.1 Nuk e di se për sa shumë vite, ndërsa afrohej fundi i vitit, unë do ta shihja atë të ulej qetësisht, duke përfunduar leximin me kujdes të të gjithë Librit të Mormonit edhe një herë para fundit të vitit.
Në vitin 1991 unë doja t’i bëja një dhuratë të veçantë Krishtlindjeje familjes sime. Unë shënova në ditarin tim vetjak se si e përmbusha atë dëshirë: “Është ora 12:38 pasdite, e mërkurë, 18 dhjetor 1991. Unë sapo përfundova një regjistrim zanor të Librit të Mormonit për familjen time. Kjo ishte një përvojë që e ka rritur dëshminë time për këtë vepër hyjnore dhe forcoi tek unë një dëshirë për t’u njohur më shumë me faqet e tij që të mësoja nga këto të vërteta të shkrimeve të shenjta, për t’i përdorur në shërbimin tim ndaj Zotit. Unë e dua këtë libër. Unë dëshmoj me shpirtin tim se ai është i vërtetë, se ai ishte përgatitur për bekimin e Shtëpisë së Izraelit dhe të gjithë pjesëve të saj të ndryshme përhapur kudo në botë. Të gjithë ata që do ta studiojnë mesazhin e tij në përulësi, në besim duke besuar në Jezu Krisht, do ta dinë vërtetësinë e tij dhe do të gjejnë një thesar që t’i udhëheqë ata drejt një lumturie, paqeje dhe arritjeje më të madhe në këtë jetë. Unë dëshmoj në mënyrën më të shenjtë se ky libër është i vërtetë.”
U bëftë jona e gjithë pasuria e bekimeve që vjen nga studimi i shkrimeve të shenjta, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.