“Një Ndjesi e Mirë”
Blendi Kokona dhe motra e tij u rritën nga prindër të dashur që u mësuan atyre të jenë të ndershëm dhe të mirë. “Në një mënyrë ose një tjetër”, kujtoi ai, “ata më mësuan, jo në aspektet fetare, por thjesht si parime të mira për të bërë një jetë të mirë.”
Gjatë gjithë fëmijërisë së Blendit, qeveria shqiptare zbatoi një ideologji zyrtare të ateizmit. Edhe pse familja e Blendit ishte myslimane, prindërit e tij e paralajmëruan të mos e përmendte asnjëherë emrin e Perëndisë “sepse nuk i dihet asnjëherë nëse dikush jashtë do të të dëgjojë dhe do të futemi në telashe”.
Në dhjetor të vitit 1990, ndërsa Blendi ishte në shkollë të mesme, ai mori pjesë në demonstratat studentore që protestonin kundër qeverisë komuniste. Në një rast, ai dhe miqtë e tij u detyruan të rendnin nga ushtarët që qëllonin me mitralozë nga tanket.
Në vitin 1991, Shqipëria hyri në një periudhë tranzicioni drejt një sistemi demokratik qeverisjeje që e lejonte lirinë e fesë. Vitin pasues, Universiteti i Tiranës ra dakord për të pritur dy çifte misionarësh shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga Shtetet e Bashkuara për të dhënë mësim mbi ekonominë dhe mjekësinë. Një mik i tha Blendit se ai mund të shkonte të ushtronte anglishten e tij me ta dhe i dha atij adresën e një mbledhjeje të së dielës.
Blendi kishte “një ndjesi të mirë” për misionarët dhe ra dakord të takohej me ta. Ata i mësuan atij rreth Librit të Mormonit, Perëndisë dhe se si të lutej.
“Atë ditë vajta në shtëpi dhe në mbrëmje thjesht shkova në ballkonin e shtëpisë time pa pasur njeri përreth dhe bëra një lutje. Ishte lutja ime e parë dhe nuk isha i sigurt nëse po e bëja apo jo siç duhej”, tha ai. Blendi kujtoi se kishte përjetuar një ndjenjë befasuese “se dikush ishte pranë”. Madje hodhi sytë përreth për të parë nëse një fqinj po e shikonte. Që nga ai çast e në vazhdim, tha ai: “e dija se kishte një Perëndi, që faktikisht ishte i vërtetë. Ishte real.”
Blendi e pranoi pagëzimin më 25 korrik 1992, me prindërit e tij të pranishëm. Vaska e pagëzimit ishte një shatërvan me 0,6 metra ujë, kështu që Blendit iu desh të gjunjëzohej dhe të shtrihej aq shumë në kurriz saqë shpatullat e tij prekën pjesën fundore të shatërvanit.
“Prindërit e mi u kënaqën shumë tek më shihnin të gjeja diçka në të cilën zbulova lumturi”, tha ai.
Blendi ishte shqiptari i parë që u pagëzua si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dega e Tiranës u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Anëtarët filluan të pranonin përgjegjësi udhëheqëse, të tilla si motrat të jepnin mësim në Shoqatën e Ndihmës. Më 16 gusht 1992, kur u thirr presidenti i parë vendor i degës, Blendi u thirr si këshilltar i parë në presidencën e degës. Kur dega u nda më vonë, Blendi 19‑vjeçar shërbeu si president i degës së re.
Në dhjetor të vitit 1994, ndërsa Blendi po shërbente në një mision në San‑Diego të Kalifornisë, ai mori një letër nga prindërit e tij. “Kemi vendosur të pagëzohemi në ditën e Krishtlindjes me një nga kushërinjtë tanë”, shkruan ata. “Isha kaq i lumtur, po klithja nga gëzimi”, kujtoi Blendi.
“Ungjilli i Jezu Krishtit dhe plani i shpëtimit”, tha ai, “më dhanë një këndvështrim të tërë për jetën, një qëllim të vërtetë. Më dhanë diçka për ta pritur me padurim.”