“Gjithçka Humbi”, kapitulli 5 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1818 f. 46 (2018)
Kapitulli 5: “Gjithçka Humbi”
KAPITULLI 5
Gjithçka Humbi
Pasi Jozefi i solli fletët e arta në shtëpi, kërkuesit e thesareve u përpoqën për javë të tëra që t’ia vidhnin. Për ta mbajtur të sigurt analin, atij iu desh ta lëvizte nga një vend në tjetrin, duke i fshehur fletët nën vatër, nën dyshemenë e dyqanit të babait të tij dhe në dengjet e grurit. Ai nuk mund ta pakësonte kurrë vigjilencën e tij.
Fqinj kureshtarë e vizitonin te shtëpia dhe i luteshin t’ua tregonte analin. Jozefi gjithmonë i kundërshtonte, edhe kur ndonjë ofronte t’i paguante. Ai ishte i vendosur të kujdesej për fletët, duke i mirëbesuar premtimit të Zotit se, nëse do të bënte gjithçka mundej, ato do të ishin të mbrojtura.1
Këto ndërprerje shpesh e ndalonin t’i shqyrtonte fletët dhe të mësonte më shumë rreth Urimit dhe Thumimit. Ai e dinte se interpretuesit pritej ta ndihmonin të përkthente fletët, por ai nuk pati përdorur kurrë gurë shikues për të lexuar një shkrim të lashtë. Ai ishte në ankth që ta fillonte punën, por nuk ishte e qartë për të se si ta bënte.2
Ndërkohë që Jozefi studionte fletët, një pronar tokash i respektuar në Palmira, i quajtur Martin Harris, ishte interesuar për punën e tij. Martini ishte mjaft i moshuar sa për të qenë baba për Jozefin dhe e pati pajtuar ndonjëherë Jozefin për ta ndihmuar në tokën e tij. Martini kishte dëgjuar rreth fletëve të arta por pati menduar pak rreth tyre derisa nëna e Jozefit e ftoi të bisedonte me birin e saj.3
Kur Martini shkoi për vizitë, Jozefi po punonte jashtë, kështu që ai pyeti Emën dhe pjesëtarë të tjerë të familjes rreth fletëve. Kur Jozefi arriti në shtëpi, Martini e kapi nga krahu dhe e pyeti për më shumë hollësira. Jozefi i tregoi rreth fletëve të arta dhe udhëzimeve të Moronit për t’i përkthyer dhe botuar shkrimet në to.
“Nëse është puna e djallit”, tha Martini, “unë nuk do të kem asnjë lidhje me të.” Por, po të ishte puna e Zotit, ai donte ta ndihmonte Jozefin t’ia shpallte atë botës.
Jozefi e la Martinin t’i peshonte me dorë fletët në kutinë e kyçur. Martini mund ta dallonte se aty kishte diçka të rëndë, por nuk ishte i bindur se ishte një komplet fletësh prej ari. “Nuk duhet të më bësh me faj që nuk po i besoj fjalës tënde”, i tha ai Jozefit.
Kur Martini shkoi në shtëpi pas mesnate, hyri heshturazi në dhomën e tij të gjumit dhe u lut, duke i premtuar Perëndisë të jepte gjithçka kishte nëse do të mund ta dinte se Jozefi po bënte punë hyjnore.
Ndërsa lutej, Martini ndjeu një zë të qetë, të ulët t’i fliste shpirtit të tij. Ai e dinte atëherë se fletët ishin nga Perëndia – dhe e dinte që ai duhej ta ndihmonte Jozefin për ta përhapur mesazhin e tyre.4
Nga fundi i 1827-s, Ema mësoi se ishte shtatzënë dhe u shkroi prindërve të saj. Kishte kaluar thuajse një vit qysh kur ajo dhe Jozefi ishin martuar, dhe babai dhe nëna e saj ishin ende të brengosur. Por çifti Hejls pranoi ta linte çiftin e ri të kthehej në Harmoni në mënyrë që Ema të mund të lindte pranë familjes së vet.
Edhe pse kjo do ta largonte nga vetë prindërit dhe vëllezërit e motrat e veta, Jozefi ishte i paduruar që të shkonte. Njerëzit në Nju-Jork po përpiqeshin ende t’i vidhnin fletët dhe zhvendosja në një vend të ri mund të siguronte paqen dhe privatësinë që i nevojiteshin për të bërë punën e Zotit. Fatkeqësisht, ai ishte në borxh dhe nuk kishte para për t’u zhvendosur.5
Duke shpresuar t’i vendoste financat e veta në rregull, Jozefi shkoi në qytet për t’i shlyer disa nga borxhet. Ndërsa ishte në një dyqan duke bërë një pagesë, Martin Harrisi iu afrua me hap të gjatë. “Këtu, z. Smith, janë pesëdhjetë dollarë”, tha ai. “Po jua jap që të bëni punën e Zotit.”
Jozefi ishte i shqetësuar lidhur me pranimin e parave dhe premtoi që t’i kthente, por Martini tha që të mos shqetësohej për këtë. Paratë ishin një dhuratë dhe ai iu kërkoi të gjithëve në dhomë që të dëshmonin se ai ia kishte dhënë falas.6
Shpejt pas kësaj, Jozefi i pagoi borxhet e veta dhe ngarkoi karron e tij. Ai dhe Ema u larguan mandej për në Harmoni me fletët e arta fshehur në një fuçi fasulesh.7
Çifti arriti në shtëpinë e bollshme të çiftit Hejls rreth një javë më pas.8 Pa kaluar shumë kohë, babai i Emës kërkoi t’i shihte fletët e arta, por Jozefi tha se mund t’i tregonte vetëm kutinë ku ai i mbante ato. I mërzitur, Isaku e ngriti kutinë dhe e ndjeu peshën e saj, duke mbetur përsëri mosbesues. Ai tha se Jozefi nuk mund ta mbante kutinë në shtëpi veçse duke ia treguar atij atë çka ishte brenda.9
Me babanë e Emës nëpër këmbë, përkthimi nuk do të ishte i lehtë, por Jozefi bëri më të mirën e vet. I ndihmuar nga Ema, ai kopjoi shumë prej germave të çuditshme nga fletët në letër.10 Mandej, për disa javë, ai u përpoq t’i përkthente ato me Urimin dhe Thumimin. Procesi kërkonte që ai të bënte më shumë sesa vetëm të shihte tek interpretuesit. Ai duhej të ishte i përulur dhe të ushtronte besim ndërsa i studionte germat.11
Disa muaj më vonë, Martini erdhi në Harmoni. Ai tha se ndiente thirrje nga Zoti për të udhëtuar aq larg sa Nju‑Jork‑Siti për t’u këshilluar me specialistë për gjuhët e lashta. Ai shpresonte se ata mund t’i përkthenin germat.12
Jozefi kopjoi edhe disa germa të tjera nga fletët, e shkroi përkthimin e tij dhe ia dorëzoi letrën Martinit. Ai dhe Ema vështruan mandej se si miku i tyre u drejtua për në lindje për t’u këshilluar me studiues të shquar.13
Kur Martini arriti në Nju‑Jork‑Siti, ai shkoi të vizitonte Çarls Entënin, një profesor i latinishtes dhe greqishtes në Kolegjin Kolumbia. Profesor Entëni ishte një burrë i ri – rreth pesëmbëdhjetë vjet më i vogël se Martini – dhe ishte i njohur më shumë për botimin e një enciklopedie të famshme mbi kulturën greke dhe romake. Ai pati filluar gjithashtu të mblidhte histori rreth indianëve të Amerikës.14
Entëni ishte një studiues i rreptë që nuk i duronte ndërprerjet, por ai e mirëpriti Martinin dhe i studioi germat dhe përkthimin që u pati bërë Jozefi.15 Edhe pse profesori nuk e njihte gjuhën egjiptiane, ai pati lexuar disa studime mbi atë gjuhë dhe dinte se si dukej shkrimi i saj. Duke vështruar germat, ai pa disa ngjashmëri me gjuhën egjiptiane dhe i tha Martinit se përkthimi ishte i saktë.
Martini i tregoi edhe germa të tjera dhe Entëni i shqyrtoi. Ai tha se ato përmbanin germa nga shumë gjuhë të lashta dhe i dha Martinit një certifikatë që vërtetonte origjinalitetin e tyre. Ai i rekomandoi gjithashtu që t’ia tregonte germat një studiuesi tjetër të quajtur Samuel Miçëll, që dikur kishte dhënë mësim në Kolumbia.16
“Ai është shumë i mësuar në këto gjuhë të lashta”, i tha Entëni, “dhe nuk kam dyshim se do të jetë në gjendje t’ju kënaqë disi.”17
Martini e vuri certifikatën në xhepin e vet, por, në çastin kur po largohej, Entëni e thirri të kthehej. Ai donte të dinte se si i gjeti Jozefi fletët e arta.
“Një engjëll i Perëndisë”, tha Martini, “ia kishte zbuluar atij.” Ai dëshmoi se përkthimi i fletëve do ta ndryshonte botën dhe do ta shpëtonte atë nga shkatërrimi. Dhe tani që kishte një provë për origjinalitetin e tyre, ai donte ta shiste fermën e tij dhe të dhuronte para për ta botuar përkthimin.
“Pa ta shoh atë certifikatë”, tha Entëni.
Martini futi dorën në xhep dhe ia dha. Entëni e grisi copa-copa dhe tha se nuk ekzistonte një gjë e tillë si engjëj shërbestarë. Nëse Jozefi i donte fletët të përkthyera, ai mund t’i sillte ato në Kolumbia dhe t’ia linte një studiuesi për t’i përkthyer.
Martini shpjegoi se një pjesë e fletëve ishin të vulosura dhe se Jozefi nuk lejohej t’ia tregonte ato askujt.
“Unë nuk mund të lexoj një libër të vulosur”, tha Entëni. Ai e paralajmëroi Martinin se ndoshta Jozefi po e mashtronte. “Kujdes nga mashtruesit”, tha ai.18
Martini e la profesor Entënin dhe iu drejtua Samuel Miçëllit. Ai e priti me mirësjellje Martinin, e dëgjoi tregimin e tij dhe pa germat e përkthimin. Ai nuk mund ta përcaktonte kuptimin e tyre, por tha se i kujtonin hieroglifet egjiptiane dhe ishin shkrime të një kombi të zhdukur.19
Martini u largua nga qyteti pak më vonë dhe u kthye në Harmoni, më i bindur se kurrë që Jozefi kishte fletë të arta, të lashta dhe fuqinë për t’i përkthyer ato. Ai i tregoi Jozefit rreth bisedave të tij me profesorët dhe arsyetoi që, nëse disa nga burrat më të arsimuar në Amerikë nuk mund ta përkthenin librin, Jozefi duhej ta bënte atë.
“Nuk mundem”, tha Jozefi, i tronditur nga detyra, “sepse nuk jam i mësuar.” Por ai e dinte se Zoti i pati përgatitur interpretuesit në mënyrë që ai të mund t’i përkthente fletët.20
Martini ra dakord. Ai planifikoi të kthehej në Palmira, ta vendoste biznesin e tij në rregull dhe të rikthehej sa më shpejt që të ishte e mundur për t’i shërbyer Jozefit si shkrues.21
Në prill të 1828-s, Ema dhe Jozefi po jetonin në një shtëpi anës lumit Saskuehana, jo larg nga shtëpia e prindërve të saj.22 Tani, nga fundi i shtatzënisë së saj, Ema shpesh vepronte si shkruese e Jozefit pasi ai filloi përkthimin e analit. Një ditë, ndërsa po përkthente, Jozefi befas u zbeh. “Ema, a kishte Jerusalemi mur përreth?” pyeti ai.
“Po”, tha ajo, duke kujtuar përshkrimet për të në Bibël.
“Oh,” tha Jozefi i lehtësuar, “kisha frikë se mos isha mashtruar.”23
Ema çuditej që mungesa e njohurive të bashkëshortit të saj në histori dhe shkrimet e shenjta nuk e pengonte përkthimin. Jozefi zor se mund të shkruante një letër me lidhje logjike. Përsëri, orë pas ore, ajo ulej pranë tij ndërsa ai i diktonte analin pa ndihmën e ndonjë libri apo dorëshkrimi. Ajo e dinte se vetëm Perëndia mund ta frymëzonte atë të përkthente ashtu.24
Pas njëfarë kohe, Martini u rikthye nga Palmira dhe filloi si shkrues, duke i dhënë Emës mundësinë të pushonte përpara ardhjes së foshnjës.25 Por pushimi nuk erdhi lehtë. Bashkëshortja e Martinit, Lusi, pati këmbëngulur të vinte me të në Harmoni dhe si Martini ashtu edhe e shoqja kishin personalitet të fortë.26 Lusi dyshonte për dëshirën e Martinit për ta përkrahur Jozefin financiarisht dhe ishte e inatosur që ai pati shkuar në Nju‑Jork‑Siti pa të. Kur ai i tha se do të shkonte në Harmoni për të ndihmuar për përkthimin, ajo vendosi vetë të shkonte me të, e vendosur për të parë fletët.
Lusi ishte duke e humbur dëgjimin dhe, kur nuk mund ta kuptonte çfarë thoshin njerëzit, ndonjëherë mendonte se po e kritikonin. Ajo gjithashtu kishte ndjesi të pakët mbi privatësinë. Kur Jozefi nuk pranoi t’ia tregonte fletët, ajo filloi të kërkonte nëpër shtëpi, duke rrëmuar nëpër gjithë arkat, dollapët dhe sëndukët e familjes. Jozefit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse t’i fshihte fletët në pyll.27
Lusi shpejt u largua nga shtëpia dhe qëndroi te një fqinjë. Emës nuk po i trazoheshin më arkat dhe dollapët, por tani Lusi po u thoshte fqinjëve se Jozefi synonte t’ia merrte paratë Martinit. Pasi shkaktoi bezdi për disa javë, Lusi u kthye në shtëpi në Palmira.
Me rivendosjen e paqes, Jozefi dhe Martini përkthenin shpejt. Jozefi po rritej në rolin e tij hyjnor si shikues e zbulues. Duke parë tek interpretuesit apo te një gur shikues tjetër, ai ishte në gjendje të përkthente qoftë kur fletët ishin përpara tij apo të mbështjella në një nga pëlhurat e linjta të Emës, mbi tavolinë.28
Gjatë prillit, majit dhe fillimit të qershorit, Ema mbante vesh ritmin e Jozefit që diktonte analin.29 Ai fliste ngadalë por qartë, duke ndaluar herë-herë për të pritur që Martini të thoshte “u shkrua” pasi ai kishte shkruar atë që Jozefi kishte thënë.30 Ema gjithashtu bëhej me radhë shkruese dhe ishte e mahnitur se si pas ndërprerjesh dhe pushimesh, Jozefi gjithmonë fillonte atje ku e kishte lënë, pa ndonjë nxitje.31
Shpejt erdhi koha që foshnja e Emës të lindte. Grumbulli i fletëve të dorëshkrimit ishte rritur dhe Martini ishte i bindur se, nëse do ta linte gruan e vet ta lexonte përkthimin, ajo do ta kuptonte vlerën e tij dhe do të pushonte së ndërhyri në punën e tyre.32 Ai shpresonte gjithashtu se Lusi do të kënaqej me mënyrën se si ai i pati shpenzuar kohën dhe paratë e veta për të ndihmuar që të dilte në dritë fjala e Perëndisë.
Një ditë, Martini i kërkoi lejë Jozefit që ta merrte dorëshkrimin në Palmira për disa javë.33 Duke kujtuar se si Lusi Harrisi pati vepruar kur vizitoi shtëpinë, Jozefi ishte i kujdesshëm ndaj idesë. Përsëri ai donte ta kënaqte Martinin, që pati besuar tek ai kur shumë të tjerë patën dyshuar te fjala e tij.34
I pasigurt se çfarë duhej të bënte, Jozefi u lut për udhërrëfim dhe Zoti i tha atij të mos e linte Martinin t’i merrte fletët.35 Por Martini ishte i sigurt se po t’ia tregonte bashkëshortes së vet, gjërat do të ndryshonin dhe ai iu lut Jozefit të pyeste përsëri. Jozefi e bëri këtë, por përgjigjja ishte e njëjta. Martini e shtyu të pyeste një herë të tretë, prapëseprapë, dhe kësaj radhe Perëndia i lejoi ata të bënin si të donin.
Jozefi i tha Martinit se mund t’i merrte fletët për dy javë nëse i jepte besën t’i mbante të kyçura dhe t’ua tregonte vetëm disa prej pjesëtarëve të familjes. Martini e bëri premtimin dhe u rikthye në Palmira, me dorëshkrimin me vete.36
Pasi u largua Martini, Moroni iu shfaq Jozefit dhe ia mori interpretuesit.37
Ditën pas largimit të Martinit, Ema duroi dhembje lindjeje torturuese dhe lindi djalë. Foshnja ishte delikat dhe shëndetlig dhe nuk jetoi gjatë. Prova e rëndë e la Emën fizikisht të dobët dhe emocionalisht të rrënuar, dhe për një kohë dukej se ajo mund të vdiste gjithashtu. Jozefi kujdesej për të vazhdimisht, duke mos u larguar kurrë gjatë prej saj.38
Pas dy javësh, shëndeti i Emës filloi të përmirësohej dhe mendimet e saj u kthyen te Martini dhe dorëshkrimi. “Ndihem aq në siklet”, i tha ajo Jozefit, “që nuk mund të pushoj dhe nuk do të jem e qetë gjersa të mësoj diçka se çfarë po bën me të z. Harris.”
Ajo e nxiti Jozefin që ta gjente Martinin, por Jozefi nuk donte të largohej prej saj. “Thirre mamanë time”, tha ajo, “dhe ajo do të qëndrojë me mua kur ti të mos jesh këtu.”39
Jozefi mori një karrocë udhëtarësh për në veri. Ai hëngri dhe fjeti pak gjatë udhëtimit, i trembur se mos e kishte fyer Zotin duke mos e dëgjuar kur Ai i tha të mos e lejonte Martinin ta merrte dorëshkrimin.40
Dielli po lindte kur arriti te shtëpia e prindërve të tij në Mançester. Smithët po përgatitnin mëngjesin dhe i dërguan Martinit një ftesë për t’u bashkuar me ta. Në orën tetë, ushqimi ishte në tavolinë, por Martini nuk kishte ardhur. Jozefi dhe familja filluan të shqetësohen ndërsa po e pritnin.
Më në fund, pasi kishin kaluar më shumë se katër orë, Martini u duk në largësi, duke ecur ngadalë drejt shtëpisë, me sytë fiksuar në tokën përpara tij.41 Te porta ai ndaloi, u ul mbi gardh dhe e uli kapelën mbi sy. Ai pastaj hyri brenda dhe u ul për të ngrënë në heshtje.
Familja vështronte ndërsa Martini mori pajimet e tij të ngrënies, si të ishte gati për të ngrënë, pastaj i lëshoi. “Unë e kam humbur shpirtin!” thirri ai, duke shtypur me duar tëmthat e vet. “E kam humbur shpirtin tim.”
Jozefi kërceu përpjetë. “Martin, a e ke humbur atë dorëshkrim?”
“Po”, tha Martini. “Është zhdukur dhe nuk e di se ku.”
“Oh, Perëndia im, Perëndia im”, rënkoi Jozefi, duke shtrënguar grushtet. “Gjithçka humbi!”
Ai filloi të ecte tutje-tëhu nëpër dysheme. Ai nuk dinte ç’të bënte. “Shko prapë”, e urdhëroi Martinin. “Kërko përsëri.”
“Gjithçka është e kotë”, thirri Martini. “Kam parë te çdo vend në shtëpi. Madje i shqeva edhe dyshekët dhe jastëkët dhe e di se nuk është atje.”
“A duhet të kthehem te gruaja ime me një histori të tillë?” Jozefi kishte frikë se lajmi mund ta vriste atë. “Dhe si do t’i dal përpara Zotit?”
Nëna e tij u përpoq ta ngushëllonte. Ajo tha se ndoshta Zoti do t’ia falte nëse pendohej me përulësi. Por tani Jozefi po qante me dënesë, i tërbuar me veten që nuk i ishte bindur Zotit herën e parë. Vështirë se mund të hante në pjesën tjetër të ditës. Ai qëndroi atë natë dhe u largua mëngjesin tjetër për në Harmoni.42
Ndërsa e shihte të largohej, zemra e Lusit rrihte fort. Dukej sikur gjithçka për të cilën patën shpresuar si familje – gjithçka që u pati sjellë gëzim gjatë viteve të fundit – ishte zhdukur në një çast.43