Instituti
7 Bashkëshërbëtorët


“Bashkëshërbëtorët”, kapitulli 7 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)

Kapitulli 7: “Bashkëshërbëtorët”

Kapitulli 7

Bashkëshërbëtorët

Vegime në Pyll

Pranvera e vitit 1829 ishte e ftohtë dhe me lagështi deri në maj. Ndërkohë që fermerët përreth Harmonisë qëndronin brenda shtëpive, duke i shtyrë për më vonë mbjelljet e tyre pranverore derisa të përmirësohej moti, Jozefi dhe Oliveri përkthyen sa më shumë që mundeshin nga anali.1

Ata mbërritën te një rrëfim për atë që ndodhi mes nefitëve e lamanitëve kur Jezusi vdiq në Jerusalem. Ai tregonte për tërmete dhe stuhi të mëdha që i shkatërruan njerëzit dhe ia ndryshuan faqen tokës. Shumë qytete u fundosën, ndërkohë që të tjera morën zjarr dhe u dogjën. Vetëtimat e çanë qiellin për orë të tëra dhe dielli u zhduk, duke i rrethuar me errësirë të plotë të mbijetuarit. Për tri ditë njerëzit thirrën, duke vajtuar për të vdekurit e tyre.2

Më së fundi, zëri i Jezu Krishtit e çau zymtinë. “A nuk do të ktheheni tani tek unë”, pyeti Ai, “dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”3 Ai e largoi errësirën dhe njerëzit u penduan. Shpejt, shumë prej tyre u mblodhën te një tempull në një vend të quajtur Begati, ku ata folën për ndryshimet e pabesueshme në tokë.4

Ndërkohë që njerëzit po flisnin me njëri-tjetrin, ata panë Birin e Perëndisë të zbriste nga qielli. “Unë jam Jezu Krishti”, tha Ai, “për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë.”5 Ai qëndroi në mes tyre për ca kohë, u dha mësim ungjillin e Tij dhe i urdhëroi të pagëzoheshin me zhytje për heqjen e mëkateve.

“Dhe kushdo që beson në mua dhe pagëzohet, po ai do të shpëtojë”, shpalli Ai. “Ata janë ata që do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.”6 Përpara se të ngjitej në qiell, Ai u dha burrave që ishin të drejtë autoritetin për t’i pagëzuar ata që besonin tek Ai.7

Ndërkohë që përkthenin, Jozefit dhe Oliverit iu bënë shumë përshtypje këto mësime. Ashtu si vëllai i tij, Alvini, Jozefi nuk ishte pagëzuar kurrë dhe ai dëshironte të dinte më shumë rreth ordinancës dhe autoritetit të nevojshëm për ta kryer atë.8


Më 15 maj 1829, shirat pushuan dhe Jozefi e Oliveri shkuan në pyllin pranë lumit Saskehana. Në gjunjë, ata e pyetën Perëndinë për pagëzimin dhe heqjen e mëkateve. Teksa luteshin, zëri i Shëlbuesit u foli paqe dhe një engjëll u shfaq në një re drite. Ai u paraqit si Gjon Pagëzori dhe i vuri duart e tij mbi kokat e tyre. Gëzimi ua mbushi zemrat teksa dashuria e Perëndisë i rrethoi ata.

“Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi”, shpalli Gjoni, “në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve.”9

Zëri i engjëllit ishte i butë, por duket se i përshkoi Jozefin dhe Oliverin deri në zemër.10 Ai shpjegoi se Priftëria Aarone u jepte atyre autorizimin që të kryenin pagëzime dhe ai i urdhëroi ta pagëzonin njëri-tjetrin pasi të largohej. Ai gjithashtu tha se ata do të merrnin më vonë fuqi shtesë të priftërisë, e cila do t’u jepte atyre autoritet për t’ia dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë njëri-tjetrit dhe njerëzve që ata i pagëzonin.

Pasi Gjon Pagëzori u largua, Jozefi dhe Oliveri ecën drejt lumit dhe u futën në ujë. Jozefi pagëzoi Oliverin fillimisht dhe, sapo doli nga uji, Oliveri filloi të profetizonte për gjëra që do të ndodhnin së shpejti. Oliveri më pas pagëzoi Jozefin, i cili doli nga uji duke profetizuar rreth ngritjes së kishës së Krishtit, për të cilën Zoti kishte premtuar që do ta vendoste mes tyre.11

Duke ndjekur udhëzimet e Gjon Pagëzorit, ata u kthyen te pylli dhe e shuguruan njëri-tjetrin në Priftërinë Aarone. Në studimin e tyre të Biblës, si edhe përkthimin e tyre të analit të lashtë, Jozefi dhe Oliveri shpesh kishin lexuar për autoritetin për të vepruar në emër të Perëndisë. Tani ata e mbanin atë autoritet vetë.

Pas pagëzimit të tyre, Jozefi dhe Oliveri mësuan se shkrimet e shenjta që dikur dukeshin të vështira dhe të mistershme, papritur u bënë më të qarta. E vërteta dhe kuptueshmëria i përmbytën mendjet e tyre.12


Në të njëjtën kohë në Nju-Jork, miku i Oliverit, Dejvid Uitmeri, mezi priste të mësonte më shumë rreth punës së Jozefit. Edhe pse Dejvidi jetonte në Fajet, rreth dyzet e tetë kilometra larg Mançesterit, ai dhe Oliveri ishin bërë miq ndërkohë që Oliveri jepte mësim dhe jetonte me familjen Smith. Ata shpesh flisnin për fletët e arta dhe, kur Oliveri shkoi në Harmoni, ai premtoi që t’i shkruante Dejvidit rreth përkthimit.

Letrat filluan të vinin pak kohë më vonë. Oliveri shkroi se Jozefi dinte hollësi për jetën e tij që askush nuk mund t’i kishte ditur përveçse me anë të zbulesës nga Perëndia. Ai përshkroi fjalët e Zotit të drejtuara Jozefit dhe përkthimin e analit. Në një letër, Oliveri dha disa rreshta nga përkthimi, duke dëshmuar për vërtetësinë e tij.

Një letër tjetër e informoi Dejvidin se vullneti i Perëndisë për të ishte që të sillte karron dhe çiftin e tij të kuajve në Harmoni që t’i ndihmonte Jozefin, Emën dhe Oliverin për t’u zhvendosur te shtëpia Uitmer në Fajet, ku ata do ta përfundonin përkthimin.13 Njerëzit në Harmoni ishin bërë më pak mikpritës ndaj familjes Smith. Disa njerëz kishin kërcënuar edhe që do t’i sulmonin dhe, po të mos ishte për ndikimin e familjes së Emës, ata mund të ishin lënduar rëndë.14

Dejvidi ua lexoi letrat e Oliverit prindërve dhe vëllezërve e motrave të tij, të cilët ranë dakord t’i mirëpritnin Jozefin, Emën dhe Oliverin në shtëpinë e tyre. Uitmerat ishin pasardhës të kolonëve që flisnin gjermanisht në zonë dhe ishin me famë për punë të shumtë dhe dhembshuri. Ferma e tyre ishte mjaft pranë shtëpisë së familjes Smith sa për një vizitë, por mjaft larg që të mos i lejonte hajdutët që t’i shqetësonin.15

Dejvidi dëshironte të shkonte në Harmoni menjëherë, por babai i tij i kujtoi se kishte dy ditë pune të madhe për ta bërë përpara se të mund të shkonte. Ishte stina e mbjelljeve dhe Dejvidit i nevojitej të plugonte tetë hektarë dhe ta pasuronte dheun me pluhur gjipsi që ta ndihmonte të rritej grurin. Babai i tij i tha se duhej të lutej fillimisht që të mësonte nëse ishte plotësisht e nevojshme që të largohej tani.

Dejvidi ia vuri veshin këshillës së të atit dhe, teksa u lut, e ndjeu Shpirtin t’i thoshte që ta mbaronte punën në shtëpi përpara se të shkonte në Harmoni.

Të nesërmen në mëngjes, Dejvidi doli në fusha dhe pa radhë brazdash të errëta në tokën që kishte qenë e papluguar mbrëmjen e shkuar. Duke i hetuar fushat më tej, ai pa se gati dy hektarë e gjysmë ishin pluguar gjatë natës dhe plugu po priste për të në brazdën e fundit, gati që ai ta mbaronte punën.

Babai i Dejvidit u habit kur mësoi se çfarë kishte ndodhur. “Duhet të ketë një dorë mbisunduese në këtë punë”, tha ai, “dhe mendoj se do të ishte më mirë të shkoje në Pensilvani sapo ta kesh shpërndarë pluhurin e gjipsit.”

Dejvidi punoi shumë që t’i plugonte fushat e mbetura dhe ta përgatiste dheun për një mbjellje të suksesshme. Kur mbaroi, ai e lidhi karron e vet me një çift kuajsh të fuqishëm dhe u nis për në Harmoni më herët nga ç’pritej.16


Pasi Jozefi, Ema dhe Oliveri u shpërngulën në Fajet, nëna e Dejvidit ishte shumë e zënë me punë. Meri Uitmeri dhe bashkëshorti i saj, Piteri, tashmë kishin tetë fëmijë të moshave pesëmbëdhjetë deri në tridhjetë vjeç dhe disa që nuk jetonin më në shtëpi, banonin aty pranë. Përkujdesja për nevojat e tyre e mbushte ditën e Merit me punë dhe tre mysafirët i shtuan më shumë punë. Meri kishte besim te thirrja e Jozefit dhe nuk ankohej, por ajo po lodhej.17

Nxehtësia në Fajet atë verë ishte mbytëse. Ndërkohë që Meri lante rrobat dhe përgatiste vaktet ushqimore, Jozefi diktonte përkthimin në një dhomë sipër shkallëve. Oliveri zakonisht shkruante për të, por me raste Ema ose ndonjë nga familja Uitmer merrte radhën për të shkruar.18 Nganjëherë, kur Jozefi dhe Oliveri lodheshin nga sforcimi prej përkthimit, ata do të shkonin te pellgu aty pranë dhe do të gjuanin me gurë mbi sipërfaqen e ujit duke bërë që këta gurë të kërcenin mbi sipërfaqe.

Meri kishte pak kohë që të çlodhej për vete dhe puna e shtuar dhe sforcimi i vendosur mbi të, ishin të vështira për t’u duruar.

Një ditë, teksa kishte dalë jashtë pranë hambarit ku bëhej mjelja e lopëve, ajo pa një burrë me flokë të thinjura, me një çantë shpine të hedhur mbi supin e vet. Shfaqja e tij e papritur e frikësoi, por, teksa u afrua, ai i foli me një zë dashamirës që e qetësoi.

“Quhem Moroni”, tha ai. “Je lodhur shumë me gjithë punën shtesë që të duhet të bësh.” Ai e hoqi çantën e shpinës nga supi dhe Meri vështroi teksa ai filloi ta zgjidhte atë.19

“Ke qenë shumë besnike dhe e zellshme në punët e tua”, vazhdoi ai. “Si rrjedhojë, është me vend që ti duhet të marrësh dëshmi që besimi yt të mund të forcohet.”20

Moroni e hapi çantën e shpinës dhe i nxori fletët e arta. I mbajti përpara saj dhe i hapi fletët e tyre që ajo të mund të shihte shkrimet mbi to. Pasi hapi faqen e fundit, ai e nxiti të ishte e durueshme dhe besnike ndërsa e mbante barrën shtesë edhe për ca kohë. Ai premtoi se ajo do të bekohej për këtë.21

Burri i moshuar u zhduk pas një çasti, duke e lënë Merin vetëm. Ajo ende kishte punë për të bërë, por puna nuk e shqetësonte më.22


Te ferma Uitmer, Jozefi përkthente me të shpejtë, por disa ditë ishin sfiduese. Mendja do t’i endej në çështje të tjera dhe ai nuk mund të përqendrohej te gjërat shpirtërore.23 Shtëpia e vogël e familjes Uitmer ishte gjithmonë plot njerëz e shpërqendrime. Zhvendosja atje kishte bërë që ata të hiqnin dorë nga gjendja relativisht private që ai dhe Ema kishin gëzuar në Harmoni.

Një mëngjes, teksa po bëhej gati të përkthente, Jozefi u zemërua me Emën. Më vonë, kur u bashkua me Oliverin dhe Dejvidin në dhomën sipër shkallëve ku punonin, ai nuk mund të përkthente asnjë rrokje.

U largua nga dhoma dhe doli jashtë drejt pemishtes. Qëndroi i larguar për gati një orë, duke u lutur. Kur u kthye, ai i tha Emës se i vinte keq dhe kërkoi falje. Pastaj iu kthye sërish përkthimit si zakonisht.24

Tani po përkthente pjesën e fundit të analit, të njohur si fletët e vogla të Nefit, që në fakt do të shërbente si fillimi i librit. Duke zbuluar një histori të ngjashme me atë që ai dhe Martini e kishin përkthyer dhe humbur, fletët e vogla tregonin për një djalë të ri, të quajtur Nefi, familjen e të cilit Perëndia e kishte udhërrëfyer të largohej nga Jerusalemi për te një tokë e re, e premtuar. Ajo pjesë shpjegonte origjinën e analit dhe ndeshjet e hershme midis popujve të nefitëve dhe lamanitëve. Më e rëndësishme, ajo jepte dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Kur përktheu shkrimin mbi fletën e fundit, Jozefi gjeti se ai shkrim shpjegonte qëllimin e analit dhe i jepte atij një titull, Libri i Mormonit, sipas emrit të profetit dhe historianit të lashtë, i cili e kishte përmbledhur librin.25

Që nga koha kur filloi ta përkthente Librin e Mormonit, Jozefi kishte mësuar shumë për rolin e tij të ardhshëm në veprën e Perëndisë. Në faqet e tij, ai dalloi mësimet bazë që i kishte mësuar nga Bibla, si edhe të vërteta dhe ide të reja për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ai gjithashtu zbuloi fragmente për ditët e mëvonshme të cilat profetizonin për një shikues të zgjedhur, të quajtur Jozef, i cili do të sillte në dritë fjalën e Zotit dhe do t’i rivendoste njohurinë dhe besëlidhjet e humbura.26

Në anal, ai mësoi se Nefi e shtjelloi më me hollësi profecinë e Isaias për një libër të vulosur që njerëzit e mësuar nuk mund ta lexonin. Teksa Jozefi e lexoi profecinë, ai mendoi për takimin e Martin Harrisit me profesorin Anton. Kjo pohoi se vetëm Perëndia mund ta nxirrte librin nga toka në dritë dhe ta ngrinte kishën e Krishtit në ditët e fundit.27


Kur Jozefi dhe miqtë e tij e mbaruan përkthimin, mendjet e tyre u kthyen te një premtim që Zoti e kishte dhënë në Librin e Mormonit dhe në zbulesat e Tij – që t’ua tregonte fletët tre dëshmitarëve. Prindërit e Jozefit dhe Martin Harrisi kishin ardhur për vizitë në fermën Uitmer në atë kohë dhe një mëngjes Martini, Oliveri dhe Dejvidi iu përgjëruan Jozefit që t’i lejonte të ishin dëshmitarët. Jozefi u lut dhe Zoti dha përgjigje duke thënë se, në qoftë se mbështeteshin tek Ai me gjithë zemrën dhe zotoheshin të dëshmonin për të vërtetën, ata mund t’i shihnin fletët.28

“Duhet të përulesh përpara Perëndisë tënd në këtë ditë”, i tha Jozefi veçanërisht Martinit, “dhe të fitosh nëse është e mundur, një falje për mëkatet e tua.”29

Më vonë atë ditë, Jozefi i udhëhoqi tre burrat drejt pyllit pranë shtëpisë Uitmer. Ata ranë në gjunjë dhe secili u lut me radhë që t’i tregoheshin fletët, por nuk ndodhi asgjë. U përpoqën për herë të dytë, por ende nuk ndodhi gjë. Më së fundi, Martini u ngrit dhe u largua, duke thënë se ai ishte arsyeja që qiejt mbeteshin të mbyllur.

Jozefi, Oliveri dhe Dejvidi iu kthyen lutjes dhe shpejt një engjëll u shfaq me një dritë të shkëlqyeshme mbi ta.30 Ai i kishte fletët në duar dhe i shfletoi ato një e nga një, duke u treguar burrave simbolet e gdhendura mbi secilën faqe. Një tavolinë u shfaq pranë tij dhe mbi të ishin sendet e lashta, të përshkruara në Librin e Mormonit: interpretuesit, parzmorja, një shpatë dhe busulla e mrekullueshme, e cila i rrëfeu familjes së Nefit udhën nga Jerusalemi drejt tokës së premtuar.

Burrat e dëgjuan zërin e Perëndisë të shpallte: “Këto fletë janë zbuluar nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe ato janë përkthyer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Përkthimi i tyre, të cilin e keni parë, është i saktë dhe unë ju urdhëroj të jepni dëshmi për atë që ju tani shihni e dëgjoni.”31

Kur engjëlli u largua, Jozefi eci edhe më thellë brenda pyllit dhe e gjeti Martinin të gjunjëzuar. Martini i tha se nuk kishte marrë ende dëshmi nga Zoti, por akoma dëshironte që t’i shihte fletët. I kërkoi Jozefit të lutej me të. Jozefi ra në gjunjë pranë tij dhe, përpara se të shqiptoheshin përgjysmë fjalët e tyre, ata panë të njëjtin engjëll duke paraqitur fletët dhe objektet e tjera të lashta.

“Mjafton! Mjafton!” thirri Martini. “Sytë e mi kanë parë! Sytë e mi kanë parë!”32


Jozefi dhe Tre Dëshmitarët u kthyen te shtëpia Uitmer më vonë atë pasdite. Meri Uitmeri po bisedonte me prindërit e Jozefit, kur Jozefi u fut me nxitim në dhomë. “Baba! Nënë!” tha ai. “Ju nuk e dini sa i lumtur jam!”

Ai u hodh pranë së ëmës. “Zoti ka bërë që fletët t’u tregohen tre të tjerëve përveç meje”, tha ai. “Ata e dinë vetë se unë nuk po përpiqem t’i mashtroj njerëzit.”

Ndjeu sikur një barrë ishte hequr nga supet e tij. “Tani ata do të duhet të mbajnë një pjesë të barrës”, tha ai. “Nuk jam më plotësisht i vetëm në botë.”

Më pas Martini hyri në dhomë, pothuajse duke shpërthyer nga gëzimi. “Tashmë kam parë një engjëll nga qielli!” bërtiti ai. “E bekoj Perëndinë me çiltërsinë e frymës sime që Ai ka denjuar të më bëjë mua – madje mua – dëshmitar të madhështisë së veprës së Tij!”33

Disa ditë më vonë, familja Uitmer u takua me familjen Smith tek ferma e tyre në Mançester. Duke e ditur që Zoti kishte premtuar se ai do t’i vendoste fjalët e Tij në “gojën e aq shumë dëshmitarëve, sa i duke[j] atij e përshtatshme”, Jozefi shkoi në pyll me babanë e tij, me Hajrëmin dhe Samuelin, si edhe katër prej vëllezërve të Dejvid Uitmerit – Kristianin, Xhejkëbin, Piter të Riun dhe Xhonin – dhe kunatin e tyre, Hajrëm Pejxhin.34

Burrat u mblodhën në një vend ku shpesh familja Smith shkonte për t’u lutur veçmas. Me lejen e Zotit, Jozefi i zbuloi fletët dhe ua tregoi ato grupit. Ata nuk panë një engjëll siç kishin parë Tre Dëshmitarët, por Jozefi i lejoi ta mbanin në duar analin, t’i hapnin faqet e tij dhe të hetonin shkrimin e tij të lashtë. Mbajtja në duar e fletëve i pohoi besimit të tyre se dëshmia e Jozefit për engjëllin dhe analin e lashtë ishte e vërtetë.35

Tani që përkthimi kishte mbaruar dhe ai kishte dëshmitarë që ta mbështetnin dëshminë e tij të mrekullueshme, Jozefi nuk kishte më nevojë për fletët. Pasi burrat u larguan nga pylli dhe u kthyen në shtëpi, engjëlli u shfaq dhe Jozefi ia ktheu analin e shenjtë atij për t’u përkujdesur.36