2010
Askush Nuk Është i Përsosur
mars 2010


Rinia

Askush Nuk Është i Përsosur

Përherë kam dëshiruar shumë të jem si Nefi: rreptësishtë e bindur, jashtëzakonisht besnike dhe thellësisht shpirtërore. Në sytë e mi Nefi qe shembulli më i madh i mirësisë. Pak gjëra më tërhiqnin më shumë se mendimi që të bëhesha tamam si ai – ose, të paktën, të filloja të zotëroja edhe sikur një pjesë të shkëlqimit të tij.

Një ditë pata një krizë të vogël, të shkaktuar nga ndjenja pazotësie. Unë kisha kaq shumë ambicie dhe qëllime. Por thjesht më dukej se nuk po arrija gjëkundi. Mes lotëve nga mungesa e shpresës, ia shpreha këto ndjenja babait tim. Ai u ngrit me të shpejtë, shkoi drejt raftit të librave dhe nxori që andej një nga kopjet e tij të Librit të Mormonit. Pa thënë asnjë fjalë, e hapi tek 2 Nefi 4 dhe filloi të lexonte vargun 17.

Mornica më shkuan nëpër trup si rrymë elektrike kur dëgjova këto fjalë të fuqishme: “O ç’njeri i mjerë që jam!” Mendimet po më rendnin. Si mundet që Nefi, heroi dhe shembulli im, të thoshte se ishte “i mjerë”? Në qoftë se ai ishte i mjerë, po unë çfarë isha?

Përsëri, ndjesia elektrizuese më përshkroi ndërsa babai im lexoi vargun 28: “Zgjohu, shpirti im! Mos bjer më në mëkat.” Ndjeva sikur retë e zeza në mendjen time ishin larguar dhe davaritur tej për të nxjerrë në pah ngrohtësinë dhe shkëlqimin e një qielli të kaltër e dielli të shndritshëm. Është e pamundur të përshkruaj mënyrën se si ky varg më ndriçoi shpirtin. Pak vargje nga shkrimi i shenjtë më kanë mbushur me kaq shumë shpresë, frymëzim dhe gëzim si ky varg.

Në vargun 30, Nefi tha tamam atë që unë po mendoja, vetëm se me fjalë më shprehëse: “Shpirti im do të gëzohet në ty, Perëndia im dhe shkëmbi i shpëtimit tim!” Ky varg solli me vete ndjenja paqeje dhe mirënjohje për mëshirën dhe dashurinë e dhembshur të Zotit.

Babai im e mbylli librin dhe shpjegoi se këto vargje nganjëherë quhen psalmi i Nefit. Pastaj me mirësi më mësoi se edhe njerëzit më të mrekullueshëm të tokës janë të papërsosur dhe këta njerëz duhet t’i njohin dobësitë e tyre ose përndryshe do të ishin krenarë dhe, si rrjedhim, jo të mrekullueshëm.

E kuptova. Thjesht sepse unë kisha dobësi, nuk donte të thoshte se isha e paaftë të bëhesha si Nefi. Njohja e dobësive të mia më afroi më pranë njerëzve të madhësisë të Nefit. Nefi ishte i mrekullueshëm, sepse, përveç se ishte i bindur dhe besnik, ai ishte i përulur dhe i gatshëm të pranonte gabimet e tij.

Që prej asaj përvoje, unë i kam ruajtur si thesar këto fjalë të Nefit. Sa herë që i lexoj, përjetoj të njëjtat dridhma dhe frymëzime ashtu si herën e parë. Vargjet më shpallin mua se jam bijë e Perëndisë, e aftë për të arritur më shume sesa mund ta përfytyroj ndonjëherë. E di se, nëse jam besnike dhe eci përpara, bekime të panumërta janë ruajtur për mua.

Shtyp në Letër