2010
Kurajë Morale
mars 2010


Mesazhi i Presidencisë së Parë, Mars 2010

Kurajë Morale

Një prej qëllimeve të jetës në vdekshmëri është që t’i provojmë Perëndisë se do të mbajmë urdhërimet e Tij kur kërkohet kurajë. Ne e kaluam atë provë në botën e shpirtrave. Por një e treta e ushtrisë qiellore rebeluan kundër propozimit që ata të viheshin në provë në një jetë të vdekshme ku kishte rrezik që mund të dështonin.

Përpara se të lindnim, ne e njihnim personalisht Perëndinë Atë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ne mund t’i shihnim dhe t’i dëgjonin Ata ndërsa na mësonin dhe na inkurajonin. Tani një vel ndodhet mbi mendjet dhe kujtimet tona. Satani, ati i gënjeshtrave, ka një përparësi, sepse ne duhet ta shikojmë përmes syrit të besimit realitetin se cilët jemi, ndërkohë që trupat tanë na bëjnë subjekt të tundimeve të mishit dhe dobësive trupore.

Ne kemi ndihmesa të mrekullueshme që na japin kurajë në këtë jetë. Më e mrekullueshmja është Shlyerja e Jezu Krishtit. Për shkak të asaj që Ai bëri, mëkatet mund të lahen në ujërat e pagëzimit. Ne mund ta përtërijmë atë bekim kur marrim sakramentin me besim dhe me zemër të penduar.

Dhuratat shpirtërore janë një tjetër ndihmë. Ne e marrim Shpirtin e Krishtit kur lindim. Kjo na jep fuqinë që të dimë se kur një zgjedhje që kemi përpara, do të na çonte drejt jetës së përjetshme. Shkrimet e shenjta janë një drejtues i sigurt kur ato i lexojmë me Frymën e Shenjtë si shoqërues.

Fryma e Shenjtë na mundëson që në lutje ne të shprehim falënderime dhe të kërkojmë ndihmë me qartësinë e vetëbesimin që gëzonim dikur me Atin tonë Qiellor dhe që do t’i kemi kur të kthehemi tek Ai. Ky komunikim me Perëndinë ndihmon në largimin e frikës nga zemrat tona, ndërkohë që ndërton besim dhe dashuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Priftëria e shenjtë na jep kurajë në shërbimin tonë. Me ordinancat e saj ne marrim fuqi për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë dhe për t’i bërë ballë ndikimit të të ligut. Kur Ai na thërret që t’i shërbejmë, ne kemi këtë premtim: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën tuaj e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

Në shërbesën e tij Profeti Jozef Smith kishte arsye të ishte i frikësuar. Por Perëndia i dha atij kurajë me këtë garantim nga shembulli i Mjeshtrit:

“Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementët ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?” (DeB 122:7–8).

Perëndia na ka dhënë më tepër se ndihmë të mjaftueshme për të larguar frikën e për të na dhënë kurajë, pavarësisht asaj që mund të hasim në jetë. Kur kërkojmë ndihmën e Tij, Ai mund të na çojë drejt jetës së përjetshme që synojmë.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Jezu Krishti, Mësuesi Mjeshtër, shpesh bënte pyetje që të nxiste njerëzit të mendoheshin e të vinin në jetë parimet që u mësonte. … Pyetjet e tij nxisnin mendim, vetëanalizë të thellë dhe zotim” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 68). Merrni parasysh të krijoni dhe të bëni disa pyetje që të ndihmoni individët të kuptojnë e të zbatojnë të vërtetat që mësohen në këtë mesazh. Për shembull, ju mund të pyesni: “Çfarë ndihme ju ka dhënë Perëndia për të larguar frikën e për t’ju dhënë kurajë?” apo “Si ju ka ndihmuar Perëndia të mposhtni druajtjet tuaja?” Nxitini individët të thellohen në përgjigjet e tyre para se të përgjigjen.

Shtyp në Letër