2010
Miq Besnikë
korrik 2010


Mesazh i Presidencës së Parë, korrik 2010

Miq Besnikë

Një nga vlerësimet e mëdha që Shpëtimtari mund të na japë është të na quajë “miq”. Ne e dimë se Ai i do me një dashuri të përsosur të gjithë fëmijët e Atit të Tij Qiellor. Përsëri për ata që kanë qenë besnikë në shërbimin e tyre ndaj Tij, Ai rezervon këtë titull të veçantë. Ju i kujtoni fjalët nga seksioni 84 i librit Doktrina e Besëlidhje: “Dhe përsëri unë ju them, miqtë e mi, sepse që tani e tutje unë do t’ju thërras miq, është e domosdoshme që unë t’jua jap këtë urdhërim, që ju të bëheni si miqtë e mi në ditët kur unë isha me ta, duke udhëtuar për të predikuar ungjillin me fuqi” (DeB 84:77).

Ne bëhemi miqtë e Tij duke u shërbyer të tjerëve për Të. Ai është shembulli i përsosur i atij lloj miku që ne duhet të bëhemi. Ai do vetëm atë që është më e mira për fëmijët e Atit të Tij Qiellor. Lumturia e tyre është lumturia e Tij. Ai e ndien dëshpërimin e tyre si të Vetin, sepse Ai ka paguar çmimin e gjithë mëkateve të tyre, ka marrë mbi Vete të gjitha pasiguritë e tyre, ka mbajtur të gjitha shqetësimet e tyre dhe ka ndier të gjitha dëshirat e tyre të mëdha. Motivet e Tij janë të pastra. Ai nuk kërkon vlerësim për Vete, por t’i japë të gjithë lavdinë Atit të Tij Qiellor. Miku i përsosur, Jezu Krishti, është tërësisht vetëmohues kur u ofron lumturi të tjerëve.

Secili nga ne, që ka bërë besëlidhjen e pagëzimit, ka premtuar të ndjekë shembullin e Tij për të mbajtur barrët e njëri-tjetrit siç do të bënte Ai (shih Mosia 18:8).

Në pak ditët më pas, ju do të keni shumë mundësira për të qenë një mik për Të. Ndoshta kur jeni duke ecur në një rrugë me pluhur. Ndoshta kur jeni ulur në një vagon treni. Ndoshta kur kërkoni një vend për t’u ulur në një mbledhje të Kishës. Nëse po vëreni ju do të shihni dikë që po mbart një barrë të rëndë. Ajo mund të jetë një barrë dëshpërimi apo vetmie apo fyerjeje. Ajo mund të jetë e dukshme për ju, vetëm nëse jeni lutur për Shpirtin që t’ju japë sy që të shihni brenda zemrave dhe keni premtuar të ngrini duart që varen poshtë.

Përgjigja për lutjen tuaj mund të jetë fytyra e një miku të vjetër, dikush që nuk e keni parë prej vitesh, por nevojat e të cilit befas ju vijnë ndër mend dhe në zemër dhe ndieni sikur ato janë tuajat. Kjo më ka ndodhur mua. Miq të vjetër erdhën tek unë nga larg dhe pas vitesh për të më dhënë zemër, kur vetëm Perëndia mund t’u kishte treguar atyre për barrën time.

Profetët e gjallë të Perëndisë na kanë kërkuar të jemi miq besnikë për ata që vijnë në Kishë si të kthyer në besim dhe të shkojmë për shpëtimin e atyre që janë larguar. Ne mund ta bëjmë atë dhe ne do ta bëjmë, nëse e kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Kur shkojmë për të dhënë ndihmë dhe për të ngritur një barrë, Ai vjen me ne. Ai do të na udhëheqë tek ata në nevojë. Ai do të na bekojë të ndiejmë atë që ata ndiejnë. Kur këmbëngulim në përpjekjet tona për t’u shërbyer atyre, ne gjithnjë e më shumë do të na jepet dhurata e ndierjes së dashurisë së Tij për ta. Ajo do të na japë kurajë dhe forcë që të shkojmë pranë për ndihmë vazhdimisht me besnikëri.

Dhe, për kohën dhe përjetësinë, ne do të ndiejmë gëzimin e të qenit të mirëpritur në shoqërinë e miqve të Tij besnikë. Unë lutem për këtë bekim për të gjithë ne dhe për ata që do t’u shërbejmë.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Pjesëtarët e familjes ka më shumë të ngjarë të marrin në mënyrë kuptimplotë kur u kërkohet të gjejnë diçka gjatë kërkimit në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve (shih Teaching, No Greater Call [1999], f. 55 / Mësimdhënia, Nuk ka Thirrje më të Madhe). Kur lexoni materialin, u kërkoni anëtarëve të familjes të gjejnë parimet që do t’u vinin në ndihmë të jenë të denjë për t’u quajtur miq të Zotit.

Teaching, No Greater Call thotë: “Nëse keni dashuri si e Krishtit, ju do të jeni më i mirëpërgatitur për të dhënë mësim ungjillin. Ju do të frymëzoheni të ndihmoni të tjerët të njohin Shpëtimtarin dhe ta ndjekin Atë” (12). Përcaktoni nga materiali parimet që mund t’ju ndihmojnë të jeni një mësues shtëpie më i mirë. I diskutoni ato me shokun tuaj dhe me lutje shqyrtoni si të jeni “miq besnikë” të atyre që u shërbeni.

Shtyp në Letër