2010
Bekimet e Tempullit
gusht 2010


Mesazh i Presidencës së Parë, Gusht 2010

Bekimet e Tempullit

Unë mbaj mend ende kur prindërit e çuan familjen tonë në tempullin e sapongritur të Zvicrës, i pari në Europë, për t’u bërë një familje e përhershme. Unë isha 16 vjeç atëherë dhe më i vogli nga katër fëmijët. Ne u gjunjëzuam së bashku në altar për t’u vulosur në tokë nga fuqia e priftërisë, me një premtim të mrekullueshëm që ne do të mund të vuloseshim për përjetësinë. Unë nuk do ta harroj kurrë këtë moment të mrekullueshëm.

Si djalosh mua vërtet më la mbresë që kaluam kufijtë e vendit për t’u vulosur si familje. Për mua ajo simbolizon mënyrën se si puna e tempullit kapërcen kufijtë e botës për të sjellë bekime të përjetshme te të gjithë banorët e tokës. Tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë ndërtuar në të vërtetë në dobi të të gjithë botës, pavarësisht nga kombësia, kultura apo orientimi politik.

Tempujt janë një dëshmi e palëkundshme se mirësia do të triumfojë. Presidenti Xhorxh Q. Kenën (1827–1901), Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dikur ka thënë: “Çdo gur themeli që është vendosur në një tempull dhe çdo tempull i përfunduar … pakëson fuqinë e Satanit mbi tokë dhe rrit fuqinë e Perëndisë dhe Perëndishmërinë”.1

Ndërsa çdo tempull rrit ndikimin e drejtësisë në tokë, bekimet më të mëdha, sigurisht, vijnë për ata që në të vërtetë shkojnë në tempull. Atje ne marrim dritë dhe njohuri të mëtejshme dhe bëjmë besëlidhje solemne që, nëse mbahen, na ndihmojnë të ecim në rrugën e të qenit dishepuj. Shkurt, tempulli na mëson mbi qëllimin e shenjtë të jetës dhe na ndihmon të gjejmë drejtim fizik dhe shpirtëror.

Ne nuk marrim pjesë në tempull vetëm për vete, gjithsesi. Sa herë që ne hyjmë në këto ndërtesa të shenjta, ne luajmë një rol në punën e shenjtë, shëlbuese të shpëtimit që është bërë e disponueshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë si rrjedhim i Shlyerjes së Birit të Vetëmlindur të Atit. Ky është një shërbim vetëmohues dhe i shenjtë dhe që na lejon neve si të vdekshëm të marrim pjesë në punën e lavdishme të të bërit çlirimtarë në Malin e Sionit.

Për ata që nuk mund të marrin pjesë tani në tempull për çfarëdo arsye, unë ju nxis të bëni gjithçka që varet nga ju që të keni një rekomandim të vlefshëm tempulli. Rekomandimi i tempullit është një simbol i besnikërisë dhe vendosmërisë tonë për t’i shërbyer Zotit. Ai është një simbol i dashurisë sonë për Zotin, sepse siç na mësoi Jezusi: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij” (Gjoni 14:21).

Ndërsa peizazhi i botës vazhdon të zbukurohet me këto ndërtesa të shenjta të përkushtuara Zotit, lutja ime është që ne të bëjmë pjesën tonë në sjelljen e qiellit më afër tokës duke qenë të denjë të mbajmë një rekomandim tempulli dhe ta përdorim atë. Duke bërë këtë, drejtësia do të rritet me siguri jo vetëm në jetën dhe në shtëpinë tonë, por në komunitetet dhe kudo në botë.

Shënim

  1. George Q. Cannon, në “The Logan Temple”, Millennial Star, 12 nëntor 1877, f. 743.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Shumë njerëz mësojnë më mirë dhe mbajnë mend më gjatë kur ju i paraqisni idetë duke përdorur mjete vizuale sesa thjesht duke folur (shih Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe [1999], f. 182). Gjatë mësimit, merrni parasysh të shfaqni një fotografi tempulli. Pas leximit të materialit, diskutoni pse tempulli është i rëndësishëm për Presidentin Uhtdorf. Ftoni fëmijët e rritur në familje të skicojnë një figurë të familjes së tyre në tempull.

Teaching, No Greater Call thotë: “Nxitini ata që mësoni të caktojnë një apo më shumë objektiva që mund t’i ndihmojnë ata të jetojnë parimet që u keni mësuar” (f. 159). Merrni parasysh të lexoni mesazhin e Presidentit Uhtdorf me familjen dhe t’i ftoni anëtarët e familjes të shkruajnë një qëllim personal që do t’i ndihmonte ata të qëndrojnë të denjë për të mbajtur dhe përdorur një rekomandim tempulli.