2011
Zotit i Duhen Misionarë
janar 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2011

Zotit i Duhen Misionarë

Tetorin e kaluar në konferencën e përgjithshme unë bëra thirrje për më shumë misionarë. Çdo i ri i denjë, i aftë duhet të përgatitet për të shërbyer në mision. Një shërbim i tillë është detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret nga ne që na është dhënë kaq shumë. Të rinj, unë ju lajmëroj të përgatiteni për shërbim si misionarë. Mbajeni veten të pastër dhe të kulluar dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin. Mirëmbani shëndetin dhe forcën tuaj. Studioni shkrimet e shenjta. Atje ku është e mundur, merrni pjesë në seminar dhe në institut. Familjarizohuni me manualin e misionarit Predikoni Ungjillin Tim.

Motra, ndërsa nuk keni të njëjtën përgjegjësi priftërie si të rinjtë për të shërbyer si misionare me kohë të plotë, ju gjithashtu jepni një ndihmesë të çmuar si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin tuaj.

Vëllezërve dhe motrave më të rritura të Kishës, unë ju kujtoj juve se Zoti ka nevojë për shumë-shumë më tepër nga juve që të shërbeni si misionarë me kohë të plotë. Nëse ju nuk jeni ende në kohën e duhur të jetës për të shërbyer si misionarë çift, unë ju nxis të përgatiteni tani për ditën që, kur rrethanat tuaja do ta lejojnë, ju dhe bashkëshortja juaj të mund ta bëni këtë. Ka pak raste në jetën tuaj kur ju do të gëzoni shpirtin e ëmbël dhe kënaqësinë që vjen nga dhënia e një shërbimi me kohë të plotë së bashku në punën e Mjeshtrit.

Tani, disa nga ju mund të jenë të ndrojtur nga natyra ose e konsideroni veten të papërshtatshëm t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për të shërbyer. Kujtoni se kjo është puna e Zotit dhe kur ne jemi në porosi të Zotit, neve na jepet ndihma e Zotit. Zoti do të formojë shpinën për të mbajtur barrën e vendosur mbi të.

Të tjerët, edhe pse të denjë për të shërbyer, mund të ndjehen se kanë përparësi më të rëndësishme. Mirë, unë kujtoj mirë premtimin e Zotit: “Sepse unë nderoj ata që më nderojnë” (1 Samueli 2:30). Asnjë nga ne nuk do ta nderojë Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë më shumë sesa duke shërbyer si një misionar i përkushtuar dhe i dhembshur.

Një shembull shërbimi të tillë ishte përvoja misionare e Julius dhe Dorothi Fusek, që u thirrën të kryenin një mision në Poloni. Vëllai Fusek lindi në Poloni. Ai e fliste gjuhën. Ai i donte njerëzit. Motra Fusek lindi në Angli dhe dinte pak nga Polonia dhe aspak rreth popullit të saj. Duke besuar në Zot, ata filluan me detyrën e tyre. Puna ishte vetmi, detyra e tyre gjigande. Mision nuk ishte krijuar në atë kohë në Poloni. Detyra që u ishte dhënë Fusekëve ishte të përgatisnin rrugën që të mund të ngrinin një mision.

A u dëshpëruan Plaku dhe Motra Fusek nga tepria e detyrës së tyre? Për asnjë çast. Ata e dinin që thirrja e tyre ishte nga Perëndia. Ata u lutën për ndihmën e Tij hyjnore dhe ata iu përkushtuan me gjithë zemër punës së tyre.

Me kohë Plaku Rasell M. Nelson i Kuorumit të Të Dymbëdhjetë Apostujve, Plaku Hans B. Ringer, atëherë i Të Shtatëdhjetëve dhe unë, të shoqëruar nga Plaku Fusek, u takuam me ministrin e çështjeve fetare, Adam Vopatka, i qeverisë polake. Ne e dëgjuam atë të thoshte: “Kisha juaj është e mirëpritur këtu. Ju mund të ndërtoni godinat tuaja; ju mund të dërgoni misionarët tuaj. Ky burrë,” duke treguar Julius Fusekun, “i ka shërbyer mirë kishës suaj. Ju mund të jeni mirënjohës për shembullin dhe punën e tij”.

Ashtu si Fusekët, le të bëjmë ne atë që duhet të bëjmë në punën e Zotit. Pastaj ne mundemi, me Julius dhe Dorithi Fusekun, t’i bëjmë jehonë Psalmit:

“Ndihma më vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

… Ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle” (Psalmet 121:2–4).

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Teaching, No Greater Call (Mësimdhënia, Nuk ka Thirrje më të Madhe) thotë: “Tregoni një përvojë vetjake mbi atë se si të jetuarit e një parimi të ungjillit ka bekuar jetën tuaj. Ftoni ata që po u jepni mësim të tregojnë shkurtimisht përvojat e tyre” ([1999], f. 159). Lexojeni këtë mesazh dhe pastaj pyesni anëtarët e familjes se për cilin Presidenti Monson ka thënë se duhet të shërbejë në mision. Tregoni përvoja vetjake ku ju ose të tjerë kanë pas shërbyer si misionarë me kohë të plotë. Ose tregoni planet tuaja për të shërbyer si misionar në të ardhmen. Kërkojuni anëtarëve të familjes të tregojnë planet e tyre dhe përvojat pozitive.