2011
Sa i Madh Do Të Jetë Gëzimi Juaj
shkurt 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2011

Sa i Madh Do Të Jetë Gëzimi Juaj

Pak gëzime në jetë janë më të ëmbla dhe që zgjasin më shumë, sesa dijenia se keni ndihmuar të tjerë të marrin ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në zemrën e tyre. Pasja e atij gëzimi është e mundur për çdo anëtar të Kishës. Kur u pagëzuam, ne bëmë një premtim se do të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të [gjendemi], madje deri në vdekje, që [ne] të mund të [shëlbohemi] nga Perëndia dhe të [numërohemi] me ata të ringjalljes së parë, që [ne] të mund të [kemi] jetën e përjetshme” (Mosia 18:9).

Të gjithë anëtarët pranojnë një pjesë të urdhërit që i është dhënë Kishës për ta çuar ungjillin e Jezu Krishtit në botë, kudo që jetojnë dhe për sa kohë jetojnë. Zoti e tha qartë atë: “Vini re, unë ju dërgoj që t’u dëshmoni njerëzve e t’i paralajmëroni ata dhe të bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij” (DeB 88:81). Misionarët me kohë të plotë duhet të kenë forcën t’u mësojnë atyre që nuk janë ende anëtarë të Kishës. Anëtarët e Kishës duhet të kenë forcën të gjejnë ata që Zoti i ka përgatitur për t’u mësuar nga misionarët.

Ne kemi nevojë ta ushtrojmë besimin tonë që Zoti i ka përgatitur njerëzit përreth nesh për t’u mësuar. Ai i njeh cilët janë ata dhe kur janë gati, dhe Ai mund të na drejtojë ne tek ata me anë të forcës së Frymës së Shenjtë dhe të na japë neve fjalë për t’i ftuar ata që t’u mësojmë. Premtimi që Zoti i dha një misionari në vitin 1832 është gjithashtu premtimi që Ai na jep neve në detyrën tonë për të gjetur njerëz të gatshëm për t’u mësuar nga misionarët: “Unë do të dërgoj mbi të Ngushëlluesin, që do t’i mësojë atij të vërtetën dhe udhën sipas së cilës duhet të shkojë. Dhe për aq sa ai është besnik, unë do ta kurorëzoj atë përsëri me duaj” (DeB 79:2–3).

Dhe premtimi për një gëzim të madh për misionarin besnik është gjithashtu yni si anëtarë besnikë që vëmë zemrat tona në punë misionare:

“Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!

Vini re, ju keni ungjillin tim përpara jush, dhe shkëmbin tim, dhe shpëtimin tim.

I kërkoni Atit në emrin tim, me besim, duke besuar se do të merrni dhe ju do të keni Frymën e Shenjtë, që i manifeston gjithë gjërat të cilat janë të domosdoshme për fëmijët e njerëzve” (DeB 18:16–18).

Përveç Frymës së Shenjtë për të na ndihmuar ne të njohim dhe të ftojmë ata që janë gati për t’u mësuar, Zoti ka thirrur dhe trajnuar udhëheqës për të na drejtuar. Në një letër datuar më 28 shkurt 2002, Presidenca e Parë vinte përgjegjësi më të madhe për punën misionare te peshkopët dhe lagjet.1 Me ndihmën e këshillit të lagjes ose të degës, komiteti ekzekutiv i priftërisë harton një plan misionar për njësinë. Në atë plan ka sugjerime për mënyrën se si anëtarët mund t’i gjejnë ata që janë të gatshëm të mësohen nga misionarët. Ka një person që thirret si udhëheqës i misionit në lagje ose në degë. Ai udhëheqës misioni ka kontakt të afërt me misionarët me kohë të plotë dhe me kërkuesit e tyre.

Ka shumë mënyra që ju mundeni t’u përgjigjeni më mirë detyrimeve tuaja vetjake për të ndihmuar në gjetjen e njerëzve për t’u mësuar nga misionarët. Mënyra më e thjeshtë do të jetë më e mira.

Lutuni për t’u udhëhequr nga Fryma e Shenjtë. Flisni me udhëheqësit vendorë dhe me misionarët, duke kërkuar sugjerimet e tyre dhe duke u premtuar ndihmën tuaj. I nxisni ata që përfshihen me ju në këtë punë. Dhe jini dëshmitar në të gjitha kohët në atë çka thoni dhe bëni që Jezusi është Krishti dhe se Perëndia u përgjigjet lutjeve.

Unë dëshmoj se Fryma e Shenjtë do t’ju drejtojë ju tek ata që kërkojnë të vërtetën ndërsa luteni dhe punoni për atë drejtim. Dhe unë e di nga përvoja se gëzimi juaj do të jetë i vazhdueshëm me ata që zgjedhin ta fusin ungjillin në zemrën e tyre dhe pastaj të durojnë deri në fund.

Shënim

  1. Shih: “News of the Church: Ward and Branch Missionary Work Emphasized”, Liahona, gusht 2002, f. 4.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

  • Teaching, No Greater Call (Mësimdhënia, Nuk ka Thirrje më të Madhe) na mëson t’i nxisim ata që mësojmë të vendosin objektiva që t’i ndihmojnë të jetojnë parimet që kanë mësuar (shih f. 159). Me familjen, shqyrtoni përcaktimin e bekimeve të punës misionare siç përmendet nga Presidenti Ajring dhe, nëse ka shtysë, ftojeni familjen të vendosë objektiva për ndarjen e ungjillit.

  • Shqyrtoni shkëmbimin e mendimeve me familjen për mënyrat e ndarjes së ungjillit, duke kujtuar këshillën e Presidentit Ajring që “mënyra më e thjeshtë do të jetë më e mira”. Për të mësuar më shumë rreth shkëmbimit të mendimeve, shih Teaching, No Greater Call, faqe 160.

Shtyp në Letër