2011
Zgjedhja për të Qenë Mirënjohës
dhjetor 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë, dhjetor 2011

Zgjedhja për të Qenë Mirënjohës

Presidenti Henri B. Ajring

Ati ynë në Qiell na urdhëron të jemi mirënjohës në të gjitha gjërat (shih 1 Thesalonikasve 5:18) dhe Ai kërkon që ne të falënderojmë për bekimet që marrim (shih DeB 46:32). Ne e dimë se të gjitha urdhërimet e Tij kanë si qëllim të na bëjnë të lumtur dhe ne gjithashtu e dimë se shkelja e urdhërimeve çon në mjerim.

Kështu që të jemi të lumtur dhe të shmangim mjerimin, ne duhet të kemi një zemër mirënjohëse. Ne kemi parë në jetën tonë lidhjen midis mirënjohjes dhe lumturisë. Të gjithëve ne do të na pëlqente të ndienim mirënjohje, megjithatë nuk është e lehtë të jesh gjithmonë mirënjohës në të gjitha gjërat në sprovat e jetës. Sëmundje, zhgënjim dhe humbja e njerëzve që i duam, ndodhin herë pas here në jetën tonë. Dëshpërimet tona mund ta bëjnë të vështirë të shohim bekimet tona dhe të vlerësojmë bekimet që Perëndia na ka rezervuar në të ardhmen.

Është sfidë të numërojmë bekimet tona, sepse ne priremi t’i marrim gjërat e mira si të sigurta. Kur humbasim një çati mbi kokën tonë, ushqimin për të ngrënë apo ngrohtësinë e miqve dhe të familjes, ne kuptojmë sa mirënjohës duhet të kishim qenë kur i kishim ato.

Mbi të gjitha, ndonjëherë, është e vështirë për ne të jemi mjaftueshëm mirënjohës për dhuratat më të mëdha që marrim: lindjen e Jezu Krishtit, Shlyerjen e Tij, premtimin për ringjallje, mundësinë për të gëzuar jetë të përjetshme me familjet tona, Rivendosjen e ungjillit me priftërinë dhe çelësat e saj. Vetëm me ndihmën e Frymës së Shenjtë ne mund të fillojmë të ndiejmë çfarë domethënie kanë ato bekime për ne dhe për ata që i duam. Dhe vetëm atëherë, ne mund të shpresojmë të jemi mirënjohës në çdo gjë dhe të shmangim fyerjen mosmirënjohëse ndaj Perëndisë.

Ne duhet të kërkojmë në lutje që Perëndia, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, të na ndihmojë të shohim bekimet tona qartë madje në mes të sprovave tona. Ne mund ta ndihmojmë veten me anë të Shpirtit që të dallojmë dhe të jemi mirënjohës për bekimet që i marrim si të sigurta. Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të pyeturit e Perëndisë në lutje: “A do të më drejtosh të lutem te dikush, që të mund ta ndihmoj në emrin Tënd?” Është tek të ndihmuarit e Perëndisë që të bekojë të tjerët, ku kam parë më nga afër bekimet e mia.

Lutjes sime iu dha përgjigje një herë kur, një çift që nuk e njihja më parë, më ftoi të shkoja në një spital. Atje gjeta një fëmijë të vogël, aq të vogël saqë mund ta nxinte dora ime. Në vetëm pak javë jete, ajo pati kaluar në operacione të shumëfishta. Mjekët u patën treguar prindërve se do të nevojitej operacion më i vështirë për zemrën dhe mushkëritë për ta mbajtur në jetë atë fëmijë të vogël të Perëndisë.

Me kërkesë të prindërve, unë i dhashë fëmijës një bekim priftërie. Bekimi përfshinte një premtim që jeta të zgjatej. Më shumë se dhënia e një bekimi, unë mora vetë një bekim, atë të një zemre më mirënjohëse.

Me ndihmën e Atit, të gjithë ne mund të zgjedhim të ndiejmë më shumë mirënjohje. Ne mund t’i kërkojmë atij të na ndihmojë t’i shohim bekimet tona më qartë, sido që të jenë rrethanat tona. Sa për mua, atë ditë, vlerësova si kurrë më parë mrekullinë e zemrës dhe të mushkërive të mia që punonin. Unë falënderova gjatë rrugës për në shtëpi për bekimet e fëmijëve të mi që mund t’i shihja më qartë që ishin mrekulli të mirësisë nga Perëndia dhe nga njerëzit e mirë përreth tyre.

Më shumë nga të gjitha, unë ndjeva mirënjohje për faktin e Shlyerjes që vepronte te jeta e atyre prindërve në ankth dhe tek e imja. Unë kisha parë shpresë dhe dashurinë e pastër të Krishtit të ndriste në fytyrën e tyre, madje në sprovën e tyre të tmerrshme. Dhe unë ndjeva faktin që ju mund të ndieni, nëse i kërkoni Perëndisë t’ju zbulojë se Shlyerja mund t’ju lejojë të ndieni shpresë dhe dashuri.

Ne të gjithë mund të bëjmë zgjedhjen që ta falënderojmë në lutje dhe t’i kërkojmë Perëndisë drejtim që t’u shërbejmë të tjerëve në emër të Tij – veçanërisht gjatë kësaj kohe të vitit kur ne festojmë lindjen e Shpëtimtarit. Perëndia Ati dha Birin e Tij, dhe Jezu Krishti na dha neve Shlyerjen, më të madhen nga të gjitha dhuratat (shih DeB 14:7).

Dhënia e falënderimeve në lutje mund të na lejojë të shohim madhësinë e këtyre bekimeve dhe të të gjitha bekimeve tona të tjera dhe kështu të marrim dhuratën e një zemre më mirënjohëse.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Shënimi i përvojave dhe bekimeve tona mund të na ndihmojë t’i kujtojmë ato dhe të na japë diçka për t’iu rikthyer. Merrrni parasysh t’u kërkoni atyre të cilëve u jepni mësim që të shënojnë ato për të cilat janë mirënjohës – që t’i ndihmoni të kujtojnë bekimet që kanë marrë, të njohin bekimet e së tashmes dhe të shohin përpara te bekimet e së ardhmes.

Ju mundeni gjithashtu të nxisni ata të cilëve u jepni mësim që të ndjekin shembullin e Presidentit Ajring duke i kërkuar Atit Qiellor t’i drejtojë te dikush që mund ta ndihmojnë ose t’i shërbejnë.