Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2012
Përse Kemi Nevojë Për Profetë
Ngaqë Ati Qiellor i do fëmijët e Tij, Ai nuk i ka lënë ata të ecin nëpër këtë jetë të vdekshme pa drejtim dhe udhëheqje. Mësimet e Atit tonë Qiellor nuk janë të zakonshme, të parashikueshme, mediokre që mund t’i gjesh në një libër që blihet te libraria pranë shtëpisë. Ato janë urtësia e një Qenieje çelestiale të gjithëfuqishme, të gjithëditur që i do fëmijët e Tij. Përfshirë në fjalët e Tij është sekreti i kohëve – çelësi i lumturisë në këtë jetë dhe në botën që vjen.
Ati Qiellor ua zbulon këtë urtësi fëmijëve të Tij në tokë, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, profetëve (shih Amosi 3:7). Qysh prej ditëve të Adamit, Perëndia u ka folur fëmijëve të Tij nëpërmjet orakujve të caktuar që janë ngarkuar me zbulimin e vullnetit dhe të këshillës së Tij për të tjerët. Profetët janë mësues të frymëzuar dhe janë gjithmonë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit (shih DeB 107:23). Profetët nuk u flasin vetëm njerëzve të kohës së tyre, por ata u flasin gjithashtu njerëzve të të gjithë kohëve. Zërat e tyre jehojnë nëpër shekuj si një testament i vullnetit të Perëndisë për fëmijët e Tij.
Sot nuk është ndryshe nga epokat e kaluara. Zoti nuk i do njerëzit e ditëve tona më pak sesa në kohët e kaluara. Një nga mesazhet e lavdishme të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit është se Perëndia vazhdon t’u flasë fëmijëve të Tij! Ai nuk është fshehur në qiej por flet sot ashtu siç bënte në kohët e lashta.
Shumë nga ajo që Zoti u zbulon profetëve të Tij synon të ndalojë brengën për ne si individë dhe si shoqëri. Kur Perëndia flet, Ai e bën këtë për të dhënë mësim, për të frymëzuar, përsosur dhe paralajmëruar fëmijët e Tij. Kur individët dhe shoqëritë i shpërfillin udhëzimet e Atit të tyre Qiellor, ata e bëjnë këtë me rrezikun e vështirësisë, ankthit dhe mundimit.
Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij. Prandaj Ai lutet sinqerisht për ne nëpërmjet profetëve të Tij. Pikërisht ashtu siç ne duam atë çka është më e mira për të dashurit tanë, Ati Qiellor do atë çka është më e mira për ne. Kjo është arsyeja pse udhëzimet e Tij janë aq vendimtare dhe ndonjëherë aq urgjente. Ajo është arsyeja përse Ai nuk na ka braktisur ne sot, por vazhdon të na zbulojë vullnetin e Tij nëpërmjet profetëve të Tij. E ardhmja jonë dhe e ardhmja e botës sonë varen nga dëgjimi dhe mbajtja vesh e fjalës së Perëndisë të zbuluar për fëmijët e Tij.
Udhëzimet e paçmueshme të Perëndisë për njerëzimin gjenden në Bibël, në Librin e Mormonit, te Doktrina e Besëlidhje dhe te Perla me Vlerë të Madhe. Përveç këtyre, Zoti na flet neve nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ashtu siç do të bëjë Ai përsëri në konferencën e ardhshme të përgjithshme.
Të gjithëve atyre që pyesin veten nëse është e mundshme një gjë e tillë – që mund të pyesin: “A është e mundur që Perëndia të na flasë neve sot?” – me gjithë zemër ju ftoj juve “[ejani e shihni!]” (Gjoni 1:46). Lexojeni fjalën e Perëndisë siç gjendet në shkrimet e shenjta. Mbani vesh konferencën e përgjithshme me një vesh të gatshëm për të dëgjuar zërin e Perëndisë të dhënë nëpërmjet profetëve të Tij të ditëve të mëvonshme. Ejani, dëgjoni dhe shihni me zemrën tuaj! Sepse nëse kërkoni “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke patur besim në Krisht, [Perëndia] do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4). Me anë dhe nëpërmjet kësaj fuqie, unë e di se Jezu Krishti jeton dhe drejton Kishën e Tij nëpërmjet një profeti të gjallë, madje Presidentit Tomas S. Monson.
Vëllezër dhe motra, Perëndia na flet neve sot. Dhe Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të mbajnë vesh dhe t’i binden zërit të Tij. Ndërsa veprojmë kështu, Zoti do të na bekojë dhe lartësojë shumë, edhe në këtë jetë edhe nëpër të gjithë botët që do të vijnë.
© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/11. Miratuar për përkthim: 6/11. Përkthim i First Presidency Message, March 2012. Albanian. 10363 101