2012
Të Thirrur nga Perëndia dhe të Mbështetur nga Njerëzit
Qershor 2012


Mesazhi i Presidencës së Parë, Qershor 2012

Të Thirrur nga Perëndia dhe të Mbështetur nga Njerëzit

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Si anëtarë të Kishës, ne shpesh ftohemi që të mbështesim njerëz që të shërbejnë në thirrje. Vite më parë, një student 18-vjeçar, më tregoi se çfarë do të thotë të mbështesësh shërbëtorët e Zotit. Unë jam ende i bekuar nga shembulli i tij i përulur.

Ai sapo kishte nisur vitin e tij të parë në universitet. Ai qe pagëzuar më pak se një vit përpara se të largohej nga shtëpia për të filluar studimet e tij në një universitet të madh. Unë shërbeva si peshkopi i tij në universitet.

Kur filloi viti akademik, unë bëra një intervistë të shkurtër me të në zyrën e peshkopit. Më kujtohet pak nga ajo bisedë e parë, përveç faktit që ai foli rreth sfidave të tij në një vend të ri, por unë nuk do ta harroj kurrë bisedën tonë të dytë.

Ai kërkoi të takohej me mua në zyrën time. Unë u habita kur ai tha: “A mund të lutemi bashkë dhe a mund ta bëj unë lutjen?” Isha gati t’i thoja se tashmë e kisha bërë lutjen dhe prisja që edhe ai ta kishte bërë. Në vend të kësaj, pranova.

Ai e filloi lutjen e tij me një dëshmi se ai e dinte që peshkopi ishte i thirrur nga Perëndia. Ai i kërkoi Perëndisë që të më tregonte mua se çfarë duhej të bënte ai rreth një çështjeje me pasoja të mëdha shpirtërore. I riu i tha Perëndisë se ai ishte i sigurt se peshkopi i njihte tashmë nevojat e tij dhe se do t’i jepej këshilla që ai kishte nevojë të dëgjonte.

Ndërsa fliste, më erdhën në mendje rreziqet specifike me të cilat ai do të përballej. Këshilla qe e thjeshtë, por e dhënë shumë qartë: lutu gjithmonë, bindju urdhërimeve dhe mos ki frikë.

Ai i ri, anëtar prej një viti, dha mësim nëpërmjet shembullit se çfarë mund të bëjë Perëndia me një udhëheqës kur ai mbështetet nga besimi dhe lutjet e atyre të cilëve është thirrur t’iu shërbejë. Ai i ri më tregoi fuqinë e ligjit të miratimit të përbashkët në Kishë (shih DeB 26:2). Edhe pse Zoti i thërret shërbëtorët e Tij nëpërmjet zbulesës, ata mund të veprojnë vetëm pasi të jenë mbështetur nga ata, të cilëve janë thirrur t’iu shërbejnë.

Ne bëjmë premtime solemne kur japim votën tonë mbështetëse. Ne premtojmë të lutemi për shërbëtorët e Zotit dhe se Ai do t’i udhëheqë e forcojë ata (shih DeB 93:51). Ne zotohemi se do të kërkojmë e do të presim të ndiejmë frymëzim nga Perëndia në këshillën e tyre dhe kurdoherë që ata veprojnë në thirrjen e tyre (shih DeB 1:38).

Ai premtim do të ketë nevojë të përtërihet në zemrat tona herë pas here. Mësuesi/ja juaj i/e Shkollës të së Dielës do të përpiqet t’ju japë mësim me anë të Shpirtit, por njësoj si ju, edhe mësuesi/ja juaj mund të bëjë gabime përpara klasës. Ju, sidoqoftë, mund të vendosni të dëgjoni dhe të ruani çastet kur mund të ndieni t’ju vijë frymëzimi. Me kohë, ju do të dalloni më pak gabime dhe më shumë prova të shpeshta që Perëndia po e mbështet atë mësues/e.

Kur ngremë dorën për të mbështetur një njeri, ne zotohemi që të punojmë për çfarëdolloj qëllimi të Zotit për të cilin ai njeri është thirrur që ta përmbushë. Kur fëmijët tanë qenë të vegjël, bashkëshortja ime u thirr që t’u jepte mësim fëmijëve të vegjël në lagjen tonë. Unë jo vetëm që ngrita dorën për ta mbështetur atë, por edhe u luta për të dhe më pas kërkova leje për ta ndihmuar. Gjërat që mësova rreth vlerësimit për atë që bëjnë gratë dhe për dashurinë e Zotit për fëmijët, ende e bekojnë familjen dhe jetën time.

Unë fola së fundmi me atë të ri që mbështeti peshkopin e tij vite më parë. Unë mësova se Zoti dhe njerëzit e kishin mbështetur atë në thirrjen e tij si misionar, si president kunji dhe si baba. Kur biseda jonë mbaroi, ai tha: “Unë ende lutem për ty çdo ditë”.

Ne mund të vendosim që të lutemi përditë për dikë që është thirrur nga Perëndia për të na shërbyer. Ne mund ta falënderojmë dikë që na ka bekuar nëpërmjet shërbimit të tij ose të saj. Ne mund të vendosim të dalim vullnetarë kur dikush, të cilin e kemi mbështetur, kërkon vullnetarë.1

Ata që i përkrahin shërbëtorët e Zotit, do të përkrahen nga fuqia e Tij e pashoqe në mbretërinë e Tij. Ne të gjithë kemi nevojë për atë bekim.

Shënim

  1. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 211–212.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Pasi ta ndani këtë mesazh, merrni parasysh të lexoni citimin vijues: “Zoti do t’ju bëjë një mjet në duart e Tij nëse jeni të përulur, besnikë e të zellshëm. … Ju do të merrni forcë shtesë kur mbështeteni nga kongregacioni dhe të veçoheni” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 20). Vëreni familjen të mblidhet rrotull një sendi të rëndë dhe kërkojini dikujt që të përpiqet që ta ngrejë atë. Duke shtuar një njeri çdo herë, ftojini pjesëtarët e tjerë të familjes që të ndihmojnë për ta ngritur sendin. Diskutoni mbi atë që ndodh kur të gjithë ndihmojnë. Merrni parasysh të theksoni këshillën e Presidentit Ajring rreth mënyrave praktike si mund t’i mbështesim të tjerët në thirrjet e tyre.

Shtyp në Letër