Mesazhi i Vizitave Mësimore, Qershor 2012
Vizita Mësimore – një Detyrë e Shenjtë
Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.
Si mësuese vizitore, ne kemi një mision të rëndësishëm shpirtëror për të përmbushur. “Peshkopi, që është bariu i shuguruar i lagjes, nuk ka mundësi të përkujdeset për gjithë delet e Zotit në të njëjtën kohë. Ai varet nga mësuese të frymëzuara të vizitave që ta ndihmojnë.”1 Kërkimi dhe marrja e zbulesës janë thelbësore në lidhje me atë që do të caktohet për t’u kujdesur për secilën motër.
Frymëzimi fillon teksa anëtaret e presidencës së Shoqatës së Ndihmës diskutojnë plot lutje për nevojat e individëve dhe të familjeve. Më pas, me miratimin e peshkopit, presidenca e Shoqatës së Ndihmës cakton detyrat në një mënyrë të tillë, që t’i ndihmojnë motrat të kuptojnë se vizita mësimore është një përgjegjësi e rëndësishme shpirtërore.2
Mësueset vizitore arrijnë ta njohin dhe ta duan sinqerisht secilën motër, e ndihmojnë atë të forcojë besimin e saj dhe japin shërbim kur nevojitet. Ato kërkojnë frymëzim vetjak për të ditur se si t’iu përgjigjen nevojave shpirtërore dhe materiale të secilës motër që vizitojnë.3
“Mësimi i vizitave bëhet puna e Zotit kur përqendrimi ynë është tek njerëzit dhe jo tek përqindjet raportuese. Në të vërtetë, mësimi i vizitave nuk mbaron kurrë. Është më tepër një mënyrë jetese se një detyrë.”4
Nga Shkrimet e Shenjta
Nga Historia Jonë
Eliza R. Snou, presidentja e dytë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës dha mësim: “Unë e konsideroj detyrën e mësueses, një detyrë të lartë e të shenjtë”. Ajo i këshilloi mësueset vizitore “që të mbusheshin me Shpirtin e Perëndisë, me dituri, përulësi e dashuri”, përpara se të vizitonin shtëpi, në mënyrë që të mund të ishin në gjendje të përcaktonin dhe të përmbushnin nevoja shpirtërore gjithashtu edhe materiale. Ajo tha: “Ju mund të keni ndjesinë për të thënë fjalë paqeje e ngushëllimi dhe, nëse e gjeni një motër duke ndier të ftohtë, merreni atë në zemrën tuaj siç do të merrnit një fëmijë në gji dhe ngroheni [atë]”5.
Teksa shkojmë përpara në besim, siç bënë motrat e hershme të Shoqatës së Ndihmës, ne do të kemi Frymën e Shenjtë me vete dhe do të jemi të frymëzuara për të ditur se si ta ndihmojmë çdo motër që vizitojmë. “Le të kërkojmë dituri në vend të fuqisë”, tha Motra Snou, “dhe [ne] do të kemi të gjithë fuqinë për të cilën kemi dituri ta ushtrojmë.”6
© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/11. Miratuar për përkthim: 6/11. Përkthimi i Visiting Teaching Message, June 2012. Albanian. 10366 101