2012
Thirrja e Shpëtimtarit për të Shërbyer
gusht 2012


Mesazhi i Presidencës së Parë, Gusht 2012

Thirrja e Shpëtimtarit për të Shërbyer

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Të gjithë ata që kanë studiuar matematikë e dinë se çfarë është një emërues i përbashkët. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ka një emërues të përbashkët që na lidh bashkë. Ai emërues i përbashkët është thirrja individuale që merr secili prej nesh për të kryer detyra në mbretërinë e Perëndisë këtu në tokë.

A jeni ndonjëherë fajtorë për mërmëritje kur ju vjen një thirrje? Apo e pranoni duke dhënë falënderime për çdo mundësi për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave tuaja, duke e ditur se Ati ynë Qiellor do t’i bekojë ata të cilët i thërret?

Do të shpresoja se ne nuk do ta humbisnim objektivin e vërtetë të mundësive tona të dashura për të shërbyer. Ai objektiv, ai synim i përjetshëm, është i njëjti për të cilin foli Zoti dhe që gjendet te Perla me Vlerë të Madhe: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” 1.

Kujtofshim gjithmonë se manteli i anëtarësisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk është një veshje rehatie, por përkundrazi një rrobë përgjegjësie. Detyra jonë, përveç shpëtimit të vetes, është që t’i drejtojmë të tjerët për te mbretëria çelestiale e Perëndisë.

Duke ecur me gatishmëri në shtegun e shërbimit ndaj Perëndisë, ne nuk do të jemi kurrë në pozicionin e Kardinalit Uollsi të Shekspirit. I zhveshur nga pushteti pas një jete në shërbim të mbretit të tij, ai tha me pikëllim:

Sikur t’i kisha shërbyer Perëndisë tim me gjysmën e zellit

që i shërbeva mbretit, në moshën time Ai

nuk do të më kishte lënë të zhveshur ndaj armiqve.2

Çfarë lloj shërbimi kërkon qielli? “Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit.”3

Unë ndalem kur mendoj për fjalët e Presidentit Xhon Tejlor (1808–1887): “Nëse nuk i lartësoni thirrjet tuaja, Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës për ata të cilët ju mund t’i kishit shpëtuar, nëse do të kishit bërë detyrën tuaj”4.

Jeta e Jezusit është si një prozhektor i shndritshëm mirësie ndërsa Ai shërbeu mes njerëzve. “Unë jam midis jush porsi ai që shërben”5, shpalli Jezusi ndërsa u dha forcë gjymtyrëve të sakatit, dritë syve të verbërit, dëgjim veshëve të shurdhit dhe jetë trupit të të vdekurit.

Me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, Mësuesi na mësoi t’i duam të afërmit tanë porsi vetveten.6 Me përgjigjen e Tij ndaj të riut pasanik, Ai na mësoi të heqim dorë nga egoizmi.7 Me ushqimin e 5.000 vetëve Ai na mësoi të shohim nevojat e të tjerëve.8 Dhe me Predikimin në Mal, Ai na mësoi të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë.9

Në Botën e Re, Zoti i ringjallur shpalli: “Ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju; pasi atë që më keni parë të bëj, madje atë duhet të bëni ju”10.

Ne i bekojmë të tjerët ndërsa shërbejmë në hijen e “Jezusi[t] prej Nazareti … i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë”11. Perëndia na bekon që të gjejmë gëzim në shërbimin ndaj Atit tonë në Qiell ndërsa u shërbejmë fëmijëve të Tij në tokë.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

“[Zoti] nuk do të lejojë që të dështojmë nëse bëjmë pjesën tonë. Ai do të na lartësojë madje përtej vetë talenteve dhe aftësive tona. … Është një nga përvojat më të ëmbla që mund t’i vijë një qenieje njerëzore” (Ezra Taft Benson, në Teaching, No Greater Call [1999] f. 20). Mbani parasysh të tregoni një përvojë kur ju apo dikush që njihni, ka ndier t’i lartësojë Zoti talentet dhe aftësitë e tij apo të saj. Ftojeni familjen të tregojë disa prej vetë përvojave të tyre të mira ndërsa i janë përgjigjur “thirrjes së Shpëtimtarit për të shërbyer”.

Shtyp në Letër