Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2014
Koha më e Mirë për të Mbjellë një Pemë
Në Romën e lashtë, Janusi ishte perëndia e fillimeve. Ai portretizohej shpesh me dy fytyra – njëra që shikonte prapa nga e kaluara, tjetra që shikonte përpara drejt së ardhmes. Disa gjuhë ia vënë emrin muaji janar sipas emrit të tij, sepse fillimi i vitit ishte një kohë për të reflektuar gjithashtu edhe për të planifikuar.
Mijëra vjet më vonë, shumë kultura nëpër botë e ruajnë traditën e vendosjes së qëllimeve për vitin e ri. Sigurisht, vendosja e qëllimeve është e lehtë – mbajtja e tyre është diçka krejt tjetër.
Një burrë që kishte bërë një listë të gjatë me qëllime për vitin e ri, u ndje mjaft mirë për përparimin e tij. Ai mendoi me vete: “Deri tani, i kam qëndruar dietës sime, nuk e kam humbur qetësinë, e kam ruajtur buxhetin dhe nuk jam ankuar asnjëherë për qenin e fqinjit. Por sot është data 2 janar e sapo ra zilja e alarmit dhe është koha të dal nga shtrati. Do të duhet një mrekulli që të vazhdoj ta ruaj dellin tim.”
Nisja nga e Para
Ka diçka jashtëzakonisht shpresëdhënëse te një fillim i ri. Mendoj se në një kohë apo në një tjetër, të gjithë kemi dëshiruar t’ia nisim nga e para pa gabimet dhe pritshmëritë e shkuara.
Më pëlqen shumë të marr një kompjuter të ri me një kujtesë të pastër. Për pak kohë, funksionon përsosmërisht. Por, ndërsa ditët e javët kalojnë dhe instalohen gjithnjë e më tepër programe (disa me qëllim, disa pa qëllim), në fund kompjuteri fillon të ngecë dhe gjërat që dikur i bënte shpejt dhe në mënyrë të efektshme, bëhen të ngadalta. Ndonjëherë nuk punon fare. Edhe ndezja e tij mund të bëhet një punë e rëndë ndërsa kujtesa ngarkohet me të dhëna të panevojshme dhe funksione të padobishme. Ka raste kur rrugëdalja e vetme është ta riformatosh kompjuterin dhe t’ia nisësh nga e para.
Qeniet njerëzore, në mënyrë të ngjashme, mund të ngarkohen me frikë, dyshime dhe faj të rëndë. Gabimet që kemi bërë (si të qëllimshme ashtu edhe të paqëllimshme), mund të na rëndojnë mbi shpatulla derisa të na duket e vështirë të bëjmë atë që e dimë se duhet.
Në rast mëkati, ka një proces të mrekullueshëm riformatimi, të quajtur pendim, që na lejon ta fshijmë nga kujtesa jonë e brendshme barrën që na rëndon në zemër. Ungjilli, përmes Shlyerjes mrekullibërëse e të mëshirshme të Jezu Krishtit, na tregon mënyrën se si t’i pastrojmë shpirtrat tanë nga njollat e mëkatit dhe të bëhemi përsëri të rinj, të pastër dhe aq të pafajshëm sa një fëmijë.
Por nganjëherë, gjëra të tjera na bëjnë të ngathët e na lënë prapa, duke bërë që mendimet dhe veprimet jo të frytshme të na e bëjnë të vështirë të rifillojmë.
Nxjerrja e më të Mirës Sonë
Vendosja e synimeve është një orvatje e denjë. Ne e dimë se Ati ynë Qiellor ka synime sepse Ai na ka thënë se puna dhe lavdia e Tij është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Synimet tona vetjake mund të nxjerrin më të mirën tonë. Sidoqoftë, një nga gjërat që i nxjerr nga binarët përpjekjet për t’i bërë dhe mbajtur qëllimet tona, është zvarritja. Ne ndonjëherë e shtyjmë për më vonë fillimin, duke pritur çastin e duhur për të filluar – ditën e parë të vitit të ri, fillimin e verës, kohën kur thirremi si peshkop apo si presidente e Shoqatës së Ndihmës, kohën pasi fëmijët të futen në shkollë, apo kohën pasi të dalim në pension.
Nuk ju duhet një ftesë përpara se të nisni të lëvizni në drejtimin e synimeve tuaja të drejta. Nuk ju duhet të prisni leje që të bëheni njeriu që u paracaktuat të ishit. Nuk ju duhet të prisni që t’ju ftojnë për të shërbyer në Kishë.
Ne ndonjëherë mund t’i çojmë dëm vitet nga jeta jonë duke pritur të zgjidhemi (shih DeB 121:34–36). Por ajo është një hamendje e rreme. Ju tashmë jeni zgjedhur!
Ka pasur raste në jetë kur kam kaluar net pa gjumë duke u kacafytur me probleme, shqetësime ose brenga vetjake. Por pavarësisht sa e errët ishte nata, jam nxitur përherë nga ky mendim: në mëngjes do të dalë dielli.
Me çdo ditë të re, vjen një agim i ri – jo vetëm për tokën, por edhe për ne. Dhe me një ditë të re, vjen një fillim i ri – një mundësi për t’ia nisur nga e para.
Por, Po Nëse Dështojmë?
Ndonjëherë gjëja që na le prapa, është frika. Ne mund të druhemi se nuk do t’ia dalim mbanë, se do t’ia dalim mbanë, se mund të turpërohemi, se suksesi mund të na ndryshojë ose se mund t’i ndryshojë njerëzit që duam.
Dhe kështu që presim. Ose heqim dorë.
Diçka tjetër që duhet të kujtojmë kur është fjala për vendosjen e synimeve, është kjo: Është thuajse e sigurt që do të dështojmë – së paku në një periudhë afatshkurtër. Por në vend që të shkurajohemi, ne mund të fuqizohemi sepse të kuptuarit e kësaj e heq trysninë për të qenë të përsosur në çast. Ajo e pranon që nga fillimi se në një kohë apo në një tjetër, ne mund të dështojmë. Të diturit e kësaj që në fillim, e largon befasinë dhe shkurajimin e dështimit.
Kur iu qasemi synimeve tona në këtë mënyrë, dështimi nuk ka pse të na kufizojë. Mbani mend, edhe nëse nuk arrijmë të shkojmë në vendmbërritjen tonë përfundimtare e të dëshiruar menjëherë, ne do të kemi bërë përparime gjatë rrugës që do të na çojë atje.
Dhe ajo ka rëndësi – do të thotë shumë.
Edhe pse mund të mos arrijmë dot në vijën fundore, thjesht të vazhduarit e udhëtimit do të na bëjë më të rritur nga ç’ishim më parë.
Koha më e Mirë për të Filluar Është Tani
Një fjalë e urtë, e vjetër thotë: “Koha më e mirë për të mbjellë një pemë është 20 vjet më parë. Koha e dytë më e mirë është tani.”
Ka diçka të mrekullueshme dhe shpresëdhënëse në fjalën tani. Ka diçka fuqizuese te fakti që, nëse zgjedhim të vendosim tani, ne mund të ecim përpara pikërisht në këtë çast.
Tani është koha më e mirë për të filluar të bëhemi njeriu që duam të jemi përfundimisht – jo vetëm pas 20 vitesh, por edhe për të gjithë përjetësinë.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/13. Miratuar për përkthim: 6/13. Përkthim i First Presidency Message, January 2014. Albanian. 10861 101