Mesazhi i Presidencës së Parë, Korrik 2014
Premtimi i Kthimit të Zemrave
Nëna ime, Mildred Benion Ajring, u rrit në komunitetin e fermerëve të Grejnxhërit në Jutë të SHBA-ve. Një nga vëllezërit e saj, Roi, vazhdoi biznesin familjar të rritjes së deleve. Kur ishte i ri, ai kaloi shumë javë larg shtëpisë. Me kalimin e kohës, atij i humbi interesi për Kishën. Përfundimisht, ai u shpërngul në Ajdaho të SHBA-ve, u martua dhe pati tre fëmijë. Ai vdiq në moshën 34-vjeçare kur e shoqja ishte 28 vjeçe dhe fëmijët e tyre ishin të vegjël.
Edhe pse familja e vogël e Roit ishte në Ajdaho dhe nëna ime kishte lëvizur rreth 4.025 km për në Nju-Xhërsi të SHBA-ve, ajo shpesh u shkruante atyre letra dashurie dhe inkurajimi. Familja e dajës tim e thërriste me dashuri nënën time “Hallë Mida”.
Vitet kaluan dhe një ditë, mora një telefonatë nga një prej kushërirave të mia. M’u tha se vejusha e Roit kishte vdekur. Kushërira më tha: “Hallë Mida do të dëshironte që ti ta dije”. Hallë Mida kishte ndërruar jetë prej kohësh, por familja e ndiente ende dashurinë e saj dhe më kontaktoi për të më treguar.
U godita nga fakti se sa shumë e kishte përmbushur nëna ime në familjen e saj, një rol të ngjashëm me rolin që kishin përmbushur profetët nefitë në familjet e tyre, duke u qëndruar pranë të afërmve që dëshironin t’i sillnin në ungjillin e Jezu Krishtit. Nefi shkroi një shënim se shpresonte të ndikonte te fëmijët e vëllezërve të tij që të ktheheshin në besimin e patriarkut të tyre, Lehit. Bijtë e Mosias treguan po atë dashuri teksa u predikuan ungjillin pasardhësve të Lehit.
Zoti ka siguruar mënyra për ne që ta ndiejmë dashurinë në familje, të cilat mund të vazhdojnë përgjithmonë. Të rinjtë në Kishë sot po i ndiejnë zemrat e tyre tek kthehen në familjet e tyre. Ata po kërkojnë emrat e pjesëtarëve të familjes që nuk patën mundësi t’i merrnin ordinancat e shpëtimit në këtë jetë. Ata i çojnë ata emra në tempull. Kur hyjnë në ujërat e pagëzimit, ata kanë mundësinë ta ndiejnë dashurinë e Zotit dhe të pjesëtarëve të familjes për të cilët po i kryejnë këto ordinanca mëkëmbëse.
Mundem ende ta kujtoj dashurinë në zërin e kushërirës sime, e cila më mori në telefon dhe tha: “Nëna jonë ka vdekur dhe Hallë Mida do të dëshironte që ti ta dije”.
Ata prej jush që kryejnë ordinanca për pjesëtarët e familjes, po ndihmojnë me dashuri, sikurse bënë bijtë e Mosias dhe profeti Nefi. Njësoj si ata, ju do të ndieni dashuri për ata që e pranojnë ofertën tuaj. Ju gjithashtu mund të prisni të ndieni po të njëjtën kënaqësi si Amoni, i cili tha për shërbimin e tij misionar midis pjesëtarëve të largët të familjes:
“Prandaj, le të ngazëllehemi, po, do të ngazëllehemi në Zotin; po, do të gëzohemi, pasi gëzimi ynë është i plotë; po, ne do ta lavdërojmë Perëndinë tonë përgjithnjë. Vini re, kush mund të krenohet tepër për Zotin? Po, kush mund të flasë tepër për fuqinë e tij të madhe dhe për mëshirën e tij dhe për vuajtjet e tij të mëdha për fëmijët e njerëzve? Vini re, unë ju them juve, unë nuk mund të tregoj as pjesën më të vogël të asaj që ndiej” (Alma 26:16).
Jap dëshmi se ndjenjat e dashurisë që ju keni për pjesëtarët tuaj të familjes – kudo qofshin ata – janë një përmbushje e premtimit se Elija do të vinte. Ai erdhi vërtet. Zemrat e fëmijëve po u kthehen etërve dhe zemrat e etërve po u kthehen fëmijëve të tyre (shih Malakia 4:5–6; Joseph Smith – Historia 1:38–39). Kur ndieni shtysën për të gjetur emra të paraardhësve tuaj dhe për t’i çuar ata në tempull, ju po përjetoni përmbushjen e asaj profecie.
Është një bekim të jetosh në kohën kur po përmbushet premtimi i kthimit të zemrave. Mildred Benion Ajringu e ndjeu atë shtysë në zemrën e saj. Ajo e donte familjen e të vëllait dhe e ndihmonte atë. Ata i ndienin zemrat e tyre të ktheheshin me dashuri te Hallë Mida, sepse e dinin se ajo i donte.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i First Presidency Message, July 2014. Albanian. 10867 101