Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2014
A Jemi të Përgatitur?
Në afërsi të vendit ku dikur jetoja e shërbeja, Kisha drejtonte një fermë shpendësh, me personel të përbërë kryesisht nga vullnetarë nga lagjet vendore. Në pjesën më të madhe të kohës ishte një projekt i drejtuar me sukses, që furnizonte depon e peshkopëve me mijëra vezë të freskëta dhe qindra kilogramë shpendë të therura. Megjithatë, në disa raste, të qenit fermerë vullnetarë e fillestarë nuk nënkuptonte vetëm flluska në duar, por edhe ngarkesë të mendjes dhe zemrës.
Për shembull, unë do ta kujtoj përherë kohën kur i mblodhëm të rinjtë e Priftërisë Aarone për t’i bërë fermës një pastrim tërësor. Grupi ynë entuziast dhe energjik u mblodh në fermë dhe, në një mënyrë të shpejtë, çrrënjosi, grumbulloi dhe dogji sasi të mëdha barërash të këqija e copërash. Nëpër dritën e zjarrit bubulak e plot ngjyra, ne hëngrëm hot-dogë dhe e përgëzuam njëri-tjetrin për punën e kryer mirë.
Megjithatë pati vetëm një problem shkatërrimtar atë ditë. Zhurma dhe zjarret e shqetësuan kaq shumë popullatën e brishtë të 5.000 pulave pjellore saqë shumicës së tyre i ranë papritur të gjitha puplat dhe ndaluan së prodhuari vezë. Pas kësaj, ne i lamë disa barëra të këqija që të mund të prodhonim më tepër vezë.
Asnjë anëtar i kishës që ka ndihmuar të sigurojë ndihmë për njerëzit në nevojë, nuk e harron apo pendohet ndonjëherë për këtë përvojë. Zelli, kursimi, mbështetja te vetja dhe ndarja e gjërave me të tjerët nuk janë të reja për ne.
Ne duhet të mbajmë mend se sistemi më i mirë i depove të ruajtjes do të ishte që çdo familje në Kishë të kishte një furnizim me ushqim, veshmbathje dhe, atje ku është e mundur, mjete të tjera të nevojshme për jetën. Depoja e Zotit përfshin kohën, talentet, aftësitë, mëshirën, materialin e përkushtuar dhe mjetet financiare të anëtarëve besnikë të Kishës. Këto burime i mundësohen tani peshkopit për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Ne i nxitim gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të jenë të matur kur planifikojnë, të jenë të kujdesshëm kur jetojnë dhe të shmangin borxhin e tepërt apo të panevojshëm. Shumë më tepër njerëz do të mund të gjenin rrugëdalje nga dallgët e shkaktuara nga stuhia në jetën e tyre ekonomike nëse do të kishin një furnizim me ushqim e veshmbathje dhe nuk do të kishin borxhe. Sot ne shohim se shumë njerëz e kanë ndjekur këtë këshillë së prapthi: ata kanë një furnizim me borxhe dhe nuk kanë ushqime.
E përsërit atë që Presidenca e Parë shpalli pak vite më parë:
“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë këshilluar prej shumë vitesh për t’u përgatitur për fatkeqësi duke pasur pak para mënjanë. Bërja e kësaj i rrit pa masë sigurinë dhe mirëqenien. Çdo familje ka përgjegjësi për të siguruar për nevojat e saj në masën që është e mundur.
Ne ju inkurajojmë kudo që jetoni në botë, të përgatiteni për situata fatkeqësie duke parë gjendjen tuaj financiare. Ne ju nxisim të jeni modestë në shpenzimet tuaja, të disiplinoni veten në blerje dhe të shmangni borxhet. Shlyeni borxhin sa më shpejt që mundeni dhe çlirohuni nga kjo vartësi. Kurseni rregullisht pak para që, pak nga pak, të krijoni një rezervë financiare.”1
A jemi të përgatitur për urgjencat në jetën tonë? A janë përsosur aftësitë tona? A jetojmë me nikoqirllëk? A i kemi gati furnizimet tona rezervë? A jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë? A jemi reagues ndaj mësimeve të profetëve? A jemi të përgatitur për t’u dhënë nga e jona të varfërve, nevojtarëve? A jemi në rregull me Zotin?
Ne jetojmë në kohë të trazuara. Shpesh e ardhmja është e panjohur; prandaj, është e domosdoshme që të përgatitemi për situata që nuk mund t’i parashikojmë. Kur vjen koha për vendime, përgatitjes i ka kaluar koha.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i First Presidency Message, September 2014. Albanian. 10869 101