Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shtator 2014
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Ngushëlluesi
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shih te reliefsociety.lds.org.
Jezu Krishti premtoi: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18). Ai do të na japë “diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë” (Isaia 61:3). Për shkak se Krishti vuajti Shlyerjen për secilin prej nesh, Ai nuk do të na harrojë. “Shpëtimtari ynë ka marrë mbi Vete … dhembjet, vuajtjet dhe hidhërimet tona në mënyrë që Ai të mund të dijë se çfarë ndiejmë dhe se si të na ngushëllojë”, tha Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës.1
Dijenia se Krishti do të na ngushëllojë mund të na sjellë paqe e të na frymëzojë për ta ndjekur shembullin e Tij duke u dhënë shërbesë të tjerëve. Presidenti Tomas S. Monson tha: “Dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor e për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështesin dhe do t’u sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe mbajmë urdhërimet. Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që të na mundë.”2
Nga Shkrimet e Shenjta
Gjoni 14:18, 23; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 101:14–16
Nga Historia Jonë
Ilejn L. Xhek, presidentja e 12-të e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Në vizitat mësimore ne zgjatemi drejt njëra-tjetrës. Duart shpesh flasin kur zërat nuk munden. Një përqafim i ngrohtë përçon mijëra fjalë. Një e qeshur së bashku na bashkon. Një çast dhënieje na i rifreskon shpirtrat. Ne nuk mundemi gjithnjë t’ia ngremë barrën asaj që është e shqetësuar, por mund ta ngremë atë [vetë] në mënyrë që ajo të mund ta mbajë mirë atë [barrë].”3
Motrat tona pioniere të Shoqatës së Ndihmës “gjetën forcë shpirtërore në dashurinë dhe dhembshurinë e njëra-tjetrës. … Teksa vuajtën sfida sëmundjeje e vdekjeje, ato u lutën me besim për njëra-tjetrën dhe e ngushëlluan njëra-tjetrën. ‘Dashuria e Perëndisë vërshoi nga zemra në zemër’, shkroi Helena Mar Uitni, ‘derisa i ligu dukej i pafuqishëm në përpjekjet e tij për të hyrë mes nesh dhe Zotit, dhe shigjetat e tij mizore, në disa raste, e humbitnin thumbin e tyre .’ ”4
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i Visiting Teaching Message, September 2014. Albanian. 10869 101