Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2015
Ndiq Profetët
Unë shërbeva në Marinën e Shteteve të Bashkuara nga fundi i Luftës II Botërore. Isha marinar, shkalla më e ulët e mundshme në marinë. Më pas u kualifikova për të qenë Marinar i Klasit të Parë, pas së cilës u kualifikova për t’u bërë Nënoficer i Klasit të Tretë.
Lufta II Botërore mbaroi dhe më pas unë u lirova nga shërbimi ushtarak. Por mora një vendim që, nëse do të kthehesha ndonjëherë në ushtri, dëshiroja të shërbeja si udhëheqës ushtarak. Mendova: “Jo më mensa për mua, jo më pastrim kuvertash, nëse mund ta shmang atë”.
Pasi u lirova nga shërbimi, u bashkova me trupat rezerviste të Marinës së Shteteve të Bashkuara. Shkova në stërvitje çdo të hënë në mbrëmje. Studiova shumë që të mund të kualifikohesha nga ana teorike. Kalova çfarëdolloj kontrolli të përfytyrueshëm: mendor, fizik dhe emocional. Së fundi, erdhi lajmi i bukur: “Ti je pranuar të marrësh gradën e nëntogerit në Trupën Rezerviste të Marinës së Shteteve të Bashkuara”.
Plot gëzim ia tregova atë bashkëshortes sime, Frensisit, dhe i thashë: “Ia dola! Ia dola!” Ajo më përqafoi dhe më tha: “Ke punuar shumë fort për ta arritur atë”.
Por më pas ndodhi diçka. U thirra për t’u bërë këshilltar në peshkopatën e lagjes sime. Mbledhja e këshillit të peshkopit ishte në të njëjtën mbrëmje me mbrëmjen e stërvitjes sime në marinë. E dija se kishte një mospërputhje të tmerrshme. E dija se nuk kisha kohë që të ndiqja Trupën Rezerviste të Marinës dhe detyrat e mia në peshkopatë. Çfarë të bëja? Duhej marrë një vendim.
U luta për të. Pastaj shkova të takoja burrin që kishte qenë presidenti i kunjit tim kur isha djalosh, Plakun Harold B. Li (1899-1973), në atë kohë i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. U ula me të, përmatanë tryezës. I thashë se sa shumë e vlerësoja atë gradë ushtarake. Në të vërtetë, i tregova kopjen e letrës së gradimit që kisha marrë.
Pasi e përsiati çështjen për një çast, ai më tha: “Ja çfarë duhet të bësh, Vëlla Monson. T’i shkruash një letër Zyrës së Marrëdhënieve të Marinës dhe t’u thuash atyre se, për shkak të thirrjes tënde si anëtar i peshkopatës, ti nuk mund ta pranosh gradimin në Trupën Rezerviste të Marinës së Shteteve të Bashkuara.”
M’u ndrydh zemra. Ai shtoi: “Pastaj shkruaji komandantit të Distriktit të Dymbëdhjetë Detar në San-Francisko dhe thuaji atyre se do të dëshiroje të të lirojnë nga trupa rezerviste.”
I thashë: “Plaku Li, ju nuk e kuptoni ushtrinë. Sigurisht që ata nuk do të ma japin atë gradë nëse unë nuk pranoj ta marr atë, por Distrikti i Dymbëdhjetë Detar nuk do të më lirojë. Me një luftë që po fillon në Kore, një oficer pa grada sigurisht që do të thirret në shërbim aktiv. Nëse më thërrasin, do të doja të shkoja si oficer me gradë, por nuk do të mundesha nëse nuk e pranoj këtë gradë. A jeni i sigurt se kjo është këshilla që dëshironi që unë të marr?”
Plaku Li më vuri dorën në sup dhe, në një mënyrë atërore, më tha: “Vëlla Monson, ki më shumë besim. Ushtria nuk është për ty.”
Shkova në shtëpi. E futa sërish në zarfin e vet stemën e gradës, njomur me lot, bashkë me letrën shoqëruese dhe refuzova ta pranoja atë. Pastaj i shkrova një letër Distriktit të Dymbëdhjetë Detar dhe kërkova lirimin nga Trupa Rezerviste Detare.
Lirimi im nga Trupa Rezerviste Detare ishte në grupin e fundit të trajtuar përpara se të plaste Lufta e Koresë. Grupi ushtarak i shtabit tim qendror u aktivizua. Gjashtë javë pasi u thirra për të qenë këshilltar në peshkopatë, unë u thirra për t’u bërë peshkopi i lagjes sime.
Nuk do ta mbaja pozicionin që kam sot në Kishë, nëse nuk do të kisha ndjekur këshillën e një profeti, nëse nuk do të isha lutur për atë vendim, nëse nuk do të kisha arritur në vlerësimin e një të vërtete të rëndësishme: Urtësia e Perëndisë shpesh u duket marrëzi njerëzve.1 Por mësimi më i madh i vetëm që mund të mësojmë në vdekshmëri është se, kur Perëndia flet dhe fëmijët e Tij binden, ata gjithmonë do të jenë në rregull.
Është thënë se historia varet nga vendime të vogla dhe po kështu ndodh me jetën tonë. Vendimet përcaktojnë fatin. Por ne nuk jemi lënë pa ndihmë në vendimet tona.
Nëse dëshironi të shihni dritën e qiellit, nëse dëshironi të ndieni frymëzimin e Atit të Plotfuqishëm, nëse dëshironi të keni atë ndjenjë në kraharorin tuaj që Ati juaj Qiellor po ju udhëheq, atëherë ndiqni profetët e Perëndisë. Kur ndiqni profetët, ju do të jeni në territor të sigurt.
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i First Presidency Message, January 2015. Albanian. 12581 101