2015
Dëshmia dhe Kthimi në Besim
shkurt 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2015

Dëshmia dhe Kthimi në Besim

Presidenti Henri B. Ajring

Ka ndryshim midis marrjes së një dëshmie për të vërtetën dhe të qenit vërtet të kthyer në besim. Për shembull, Apostulli i madh Pjetri ia dha dëshminë e tij Shpëtimtarit se ai e dinte se Jezusi ishte Biri i Perëndisë.

“[Jezusi] u tha atyre: ‘Po ju, kush thoni se jam unë?’

Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’.

Dhe Jezusi duke [u] përgjigjur u tha: ‘I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej’” (Mateu 16:15–17).

Dhe prapëseprapë më vonë, në urdhrin e Tij ndaj Pjetrit, Zoti i dha atij dhe neve një udhërrëfim që të bëhemi vërtet të kthyer në besim dhe ta zgjerojmë atë kthim në besim gjatë gjithë jetës. Jezusi e tha në këtë mënyrë: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu” (Lluka 22:32).

Jezusi i dha mësim Pjetrit se kishte ende një ndryshim të madh që duhej të shkonte përtej pasjes së një dëshmie për të qenë në gjendje të mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë si dishepuj të Jezu Krishtit të kthyer vërtet në besim. Ai është ndryshimi i madh që kërkojmë të gjithë. Pasi e marrim, neve na nevojitet ai ndryshim që të vazhdojmë deri në fund të provës sonë në vdekshmëri (shih Alma 5:13–14).

Ne e dimë nga vetë përvoja jonë dhe nga vëzhgimi i të tjerëve se pasja e disa çasteve të mëdha me fuqi shpirtërore nuk do të jetë e mjaftueshme. Pjetri e mohoi që e njihte Shpëtimtarin madje pasi kishte marrë një dëshmi nga Shpirti se Jezusi ishte Krishti. Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit patën dëshmi të drejtpërdrejtë që iu dha atyre, se Libri i Mormonit ishte fjala e Perëndisë dhe prapëseprapë ata u lëkundën në aftësinë e tyre për ta mbështetur Jozef Smithin si Profet të Kishës së Zotit.

Ne kemi nevojë për një ndryshim në zemrat tona, sikurse përshkruhet në librin e Almës: “Dhe të gjithë u shpallën njerëzve të njëjtën gjë – se zemrat e tyre kishin ndryshuar; se ata nuk kishin më dëshirë të bënin të liga” (Alma 19:33; shih edhe Mosia 5:2).

Zoti na mësoi se, kur kthehemi vërtet në besim në ungjillin e Tij, zemrat tona do të largohen nga shqetësimet egoiste dhe do të kthehen nga shërbimi për t’i lartësuar të tjerët teksa ata lëvizin përpara drejt jetës së përjetshme. Për ta marrë atë kthim në besim, ne mund të lutemi dhe të punojmë në besim që të bëhemi krijesa e re e bërë e mundur nga Shlyerja e Jezu Krishtit.

Ne mund të fillojmë duke u lutur për besimin që të pendohemi për egoizmin dhe për dhuratën e përkujdesjes për të tjerët më shumë se për veten. Ne mund të lutemi për fuqinë për ta braktisur krenarinë dhe zilinë.

Lutja do të jetë çelësi si për marrjen e dhuratës së dashurisë për fjalën e Perëndisë ashtu edhe për dashurinë e Krishtit (shih Moroni 7:47–48.) Ato të dyja vijnë së bashku. Teksa lexojmë, përsiatim dhe lutemi rreth fjalës së Perëndisë, ne do të arrijmë ta duam atë. Zoti e vendos atë në zemrat tona. Teksa e ndiejmë atë dashuri, ne do të fillojmë ta duam Zotin gjithnjë e më shumë. Me të do të vijë dashuria për të tjerët që na nevojitet në mënyrë që t’i forcojmë ata që Perëndia i vë në shtegun tonë.

Për shembull, ne mund të lutemi që t’i dallojmë ata që Zoti do të dëshironte t’u jepeshin mësime nga misionarët. Misionarët kohëplotë mund të luten me besim për të ditur me anë të Shpirtit se çfarë të japin mësim e të dëshmojnë. Ata mund të luten me besim që Zoti do t’i lërë ata ta ndiejnë dashurinë e Tij për çdokënd që takojnë. Misionarët nuk do të sjellin çdokënd që takojnë, në ujërat e pagëzimit dhe te dhurata e Frymës së Shenjtë. Por ata mund ta kenë Frymën e Shenjtë si shoqërues. Nëpërmjet shërbimit të tyre dhe me ndihmën e Frymës së Shenjtë, misionarët pastaj, me kohë, do të ndryshohen në zemrat e tyre.

Ai ndryshim do të përtërihet përsëri e përsëri teksa ata dhe ne vazhdojmë me vetëmohim të veprojmë me besim gjatë gjithë jetës për t’i forcuar të tjerët me ungjillin e Jezu Krishtit. Kthimi në besim nuk do të jetë një ngjarje e vetme ose diçka që do të zgjatë vetëm për një stinë të jetës, por do të jetë një proces i vazhdueshëm. Jeta mund të bëhet më e ndritshme deri në ditën e plotë kur ne do ta shohim Shpëtimtarin dhe të zbulojmë se jemi bërë si Ai. Zoti e përshkroi këtë rrugëtim në këtë mënyrë: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (DeB 50:24).

Ju premtoj se ajo është e mundshme për secilin prej nesh.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori “shëmbëlltyrën e turshisë” për të dhënë mësim se kthimi në besim është një proces në vazhdim dhe jo një ngjarje që ndodh vetëm një herë: “Rresht pas rreshti dhe parim pas parimi, pak nga pak dhe pothuajse pa u kuptuar, shtysat tona, mendimet tona, fjalët tona dhe veprat tona bëhen të radhitura me vullnetin e Perëndisë” (“Ye Must Be Born Again”, Liahona, maj 2007, f. 19). Merrni parasysh që ta rishikoni shëmbëlltyrën e turshisë me ata të cilëve u jepni mësim. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh që të lëvizë përpara me qëndrueshmëri në procesin e përshkallëzuar të kthimit në besim për të cilin diskutojnë të dy Presidenti Ajring dhe Plaku Bednar?