2015
Rrethuar me Krahët e Tij të Dhembshur
mars 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2015

Rrethuar me Krahët e Tij të Dhembshur

Si shumë të tjerë, jam frymëzuar shpesh nga vepra të bukura arti dhe muzike. Një rast i tillë ishte kur qëndrova përpara një pikture mjeshtërore të krijuar nga artisti danez Frans Shvarc të titulluar Agonia në Kopsht1.

Kjo pikturë e bukur gjer në dhembje, portretizon Shpëtimtarin të gjunjëzuar në Kopshtin e Gjetsemanit. Teksa Ai lutet, një engjëll qëndron pranë Tij, duke e mbështjellë Atë në krahë të dhembshur, duke ofruar ngushëllim, ndihmë dhe përkrahje qiellore.

Sa më shumë mendoj për këtë pikturë, aq më shumë zgjerohen zemra dhe mendja ime me ndjenja të pashprehshme dhembshurie dhe mirënjohjeje. Unë mund të kem një ndjesi, në një masë të vogël, për mënyrën se si mund të ketë qenë të ishe i pranishëm teksa Shpëtimtari filloi punën e tij kulmore e të madhërishme të vdekshmërisë duke marrë mbi Vete mëkatet e botës. Unë mahnitem nga dashuria dhe mëshira e pafundme që Ati ka për të gjithë fëmijët e Tij. Jam pushtuar me mirënjohje të thellë për atë që bëri Biri pa mëkate për të gjithë njerëzimin dhe për mua.

Sakrifica e Birit të Perëndisë

Çdo vit, në këtë kohë, ne e përkujtojmë dhe e përsiatim sakrificën që Jezu Krishti bëri për të gjithë njerëzimin.

Ajo që Shpëtimtari bëri nga Gjetsemani në Golgotë për ne, është përtej mundësisë sime për ta kuptuar. Ai mori mbi Vete barrën e mëkateve tona dhe pagoi një shpërblesë të përjetshme e lidhëse jo vetëm për shkeljen fillestare të Adamit por edhe për mëkatet dhe shkeljet e miliarda e miliarda shpirtrave që kanë jetuar ndonjëherë. Kjo sakrificë e përjetshme dhe e shenjtë shkaktoi që “madje Perëndi[a], më i madhi i të gjithëve, të dridhe[t] për shkak të dhembjes e t[’i] dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj[ë] si në trup e në shpirt” (DeB 19:18).

Ai vuajti për mua.

Ai vuajti për ju.

Shpirti im mbushet me mirënjohje kur e sjell ndër mend domethënien e çmuar të kësaj sakrifice. Më përul dijenia se të gjithë ata që e pranojnë këtë dhuratë dhe i drejtojnë zemrat tek Ai, mund të falen dhe të pastrohen nga mëkatet e tyre, pavarësisht sa të errëta njollat e tyre dhe sa shtypëse barrët e tyre.

Ne mund të bëhemi të panjollë dhe të kulluar përsëri. Ne mund të shëlbohemi nga sakrifica e përjetshme e Shpëtimtarit tonë të dashur.

Kush Do të na Ngushëllojë?

Megjithëse asnjërit prej nesh nuk do t’i duhet të përjetojë thellësinë e asaj që përjetoi Zoti ynë, secili prej nesh do të ketë orët e veta të errëta e të hidhura – kohë kur keqardhja dhe pikëllimi ynë mund të duken se janë më të mëdha nga sa mund të mbajmë. Do të ketë kohë kur pesha dhe brejtja e ndërgjegjes për mëkatet tona do të na rëndojë pa mëshirë.

Megjithatë, nëse do t’i mbanim zemrat tona të përqendruara te Zoti gjatë atyre kohëve, me siguri Ai do ta dijë dhe do ta kuptojë. Ai që vuajti me kaq vetëmohim për ne në kopsht dhe në kryq, nuk do të na lërë të pangushëlluar tani. Ai do të na forcojë, do të na nxitë dhe do të na bekojë. Ai do të na rrethojë me krahët e Tij të dhembshur.

Ai do të jetë më shumë se një engjëll për ne.

Ai do të na sjell ngushëllim, shërim, shpresë dhe falje të bekuar.

Sepse Ai është Shëlbuesi ynë.

Çlirimtari ynë.

Shpëtimtari ynë mëshirëplotë dhe Perëndia ynë i bekuar.

Shënim

  1. Prifti që foli në varrimin e Frans Schwarz-it, tha: “Arti i tij qe i dhuruar hyjnisht dhe dukej më i vlefshëm se shumë predikime” (Emmilie Buchanan-Whitlock, “History of Artists’ Lives Gives Greater Context for Exhibit”, Deseret News, 29 shtator 2013, deseretnews.com).

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Përpara se të jepni mësim, kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit që t’ju ndihmojë të kuptoni nevojat e posaçme të atyre që u jepni mësim. Teksa thoni fragmente nga mesazhi i Presidentit Uhtdorf, jepni dëshmi për Shpëtimtarin dhe sakrificën e Tij shlyese. Merrni parasysh t’i pyetni ata të cilëve u jepni mësim, se çfarë do të thotë Shlyerja për ta dhe se si e kanë ndier ngushëllimin e Zotit gjatë “orë[ve të tyre] të errëta e të hidhura”.