Mesazhi i Presidencës së Parë, Korrik 2015
Gjithçka Mir’ do të Jet’
Teksa mendoj për trashëgiminë tonë nga pionierët, një prej gjërave më prekëse që më vjen në mendje, është himni “Eni Shenjtorë” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2). Ata që bënë udhëtimin e gjatë për në luginën e Solt-Lejkut, e këndonin shpesh këtë himn gjatë rrugëtimit të tyre.
Jam tej mase i vetëdijshëm se jo gjithçka ishte mirë për këta shenjtorë. Ata u prekën nga sëmundja, vapa, lodhja, i ftohti, frika, uria, dhembja, dyshimi e madje vdekja.
Por pavarësisht nga pasja e çdo arsyeje për të thërritur: “Jo gjithçka do të jetë mirë”, ata kultivuan një qëndrim që s’mundemi veçse ta admirojmë sot. Ata panë përtej telasheve të tyre për te bekimet e përjetshme. Ata ishin mirënjohës në rrethanat e tyre. Pavarësisht fakteve për të kundërtën, ata kënduan me plot bindjen e shpirtrave të tyre: “Gjithçka mir’ do të jet’!”
Lëvdata jonë për pionierët është boshe nëse nuk shkakton reflektim të brendshëm nga ana jonë. Po përmend disa nga tiparet e tyre që më frymëzojnë mua ndërsa mendoj për sakrificën dhe zotimin e tyre.
Dhembshuria
Pionierët kujdeseshin për njëri-tjetrin pavarësisht nga formimi shoqëror, ekonomik apo politik. Edhe kur kjo ua ngadalësonte përparimin, u shkaktonte shqetësim apo nënkuptonte sakrificë dhe rraskapitje vetjake, ata e ndihmonin njëri-tjetrin.
Në botën tonë që nxitet prej qëllimeve e i përkrah ato, objektivat individuale apo të palëve mund të fitojnë epërsi mbi përkujdesjen ndaj të tjerëve apo forcimin e mbretërisë së Perëndisë. Në shoqërinë e sotme, arritja e disa synimeve të caktuara ideologjike mund të duket se është masa e vlerës sonë.
Vendosja dhe realizimi i synimeve mund të jetë një gjë e mrekullueshme. Por kur suksesi në arritjen e synimeve vjen me çmimin e mospërfilljes, mosmarrjes parasysh apo lëndimit të të tjerëve, kostoja e atij suksesi mund të jetë tepër e lartë.
Pionierët u kujdesën për njerëzit në kompaninë e tyre, por i morën parasysh edhe ata që erdhën pas tyre, duke mbjellë drithë për varganët e karrove që pasonin.
Ata e njihnin forcën e familjes dhe të miqve. Dhe për shkak se vareshin nga njëri-tjetri, ata u bënë të fortë. Miqtë u bënë familje.
Pionierët shërbejnë si një kujtues i mirë i arsyes përse ne duhet t’ia mbathim nga tundimi për ta veçuar veten dhe përkundrazi, të zgjatemi për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe të kemi dhembshuri e dashuri për njëri-tjetrin.
Puna
“Shenjtor’ nga puna ju mos kini frik’.”
Kjo frazë u bë një himn për udhëtarët e drobitur. Është e vështirë të përfytyrohet se sa fort punonin këta shpirtra të mëdhenj. Ecja ishte një nga gjërat më të lehta që ata bënë. Ata duhej të bashkëpunonin të gjithë për të siguruar ushqim, për të ndrequr karrot, për të ruajtur kafshët, për t’u shërbyer të sëmurëve e të pafuqishmëve, për të kërkuar e mbushur ujë e për ta mbrojtur veten nga rreziqet shtypëse të elementeve dhe pengesave të shumta të shkretëtirës.
Ata zgjoheshin çdo mëngjes me qëllime e synime të përcaktuara qartë që çdokush i kuptonte: t’i shërbenin Perëndisë dhe bashkëqenieve të tyre e të arrinin në luginën e Solt-Lejkut. Çdo ditë, ato qëllime e synime ishin të qarta për ta; ata e dinin atë që nevojitej të bënin, dhe se përparimi i çdo dite ishte me rëndësi.
Në kohën tonë – kur kaq shumë prej atyre që dëshirojmë mund t’i arrijmë kaq lehtësisht – është tunduese të kthehesh mënjanë apo të dorëzohesh sa herë që rruga përpara duket pak me gunga apo kur pjerrësia priret të bëhet e thiktë përpara nesh. Në ato çaste, mund të na frymëzojë të reflektojmë mbi ata burra, gra e fëmijë që nuk e lejuan sëmundjen, mundimin, dhembjen e madje vdekjen t’i zmbrapste nga shtegu i tyre i zgjedhur.
Pionierët mësuan se bërja e gjërave të vështira e thellonte dhe e forconte trupin, mendjen e shpirtin; ua zgjeronte të kuptuarin për natyrën e tyre hyjnore dhe e shtonte dhembshurinë e tyre për të tjerët. Ky zakon i mbante të vendosur shpirtrat e tyre dhe u bë një bekim për ta shumë kohë pasi rrugëtimi përgjatë fushave e maleve kishte përfunduar.
Optimizmi
Kur pionierët këndonin, ata jepnin një mësim të tretë me zë: “Ju ecni me gëzim”.
Është një nga ironitë e mëdha të epokës sonë që ne jemi të bekuar kaq shumë dhe prapëseprapë mund të jemi kaq të palumtur. Çuditë e begatisë dhe të teknologjisë na mbushin dhe na mbulojnë me siguri, argëtim, kënaqësi të menjëhershme dhe voli. Dhe prapëseprapë, kudo rreth nesh ne shohim kaq shumë palumturi.
Pionierët, që sakrifikuan kaq shumë, qenë të dëshiruar e bënë pa nevojat më themelore të mbijetesës. Ata e kuptuan se lumturia nuk vjen si rrjedhojë e fatit apo rastësisë. Me shumë siguri ajo nuk vjen nga realizimi i të gjitha dëshirave tona. Lumturia nuk vjen nga rrethana të jashtme. Ajo vjen nga brenda – pavarësisht nga ajo që po ndodh përreth nesh.
Pionierët e dinin atë dhe, me atë shpirt, ata gjetën lumturi në çdo rrethanë dhe në çdo sprovë – madje edhe në ato sprova që u depërtonin dhe i turbullonin ujërat e thella të shpirtrave të tyre.
Sprovat
Ne ndonjëherë shohim prapa tek ajo që duruan pionierët, dhe me lehtësim themi: “Sa mirë që nuk jetuam në atë kohë”. Por unë vras mendjen a do të kishin shprehur të njëjtën ndjesi ata pionierë të guximshëm po të ishin në gjendje të na shihnin sot.
Megjithëse kohët dhe rrethanat kanë ndryshuar, parimet e përballimit të sprovave dhe të të jetuarit së bashku me sukses si një komunitet përkujdesës e i begatë nën Perëndinë, nuk kanë ndryshuar.
Nga pionierët ne mund të mësojmë të kemi besim e mirëbesim te Perëndia. Mund të mësojmë të kemi dhembshuri për të tjerët. Mund të mësojmë se puna dhe zelli na bekojnë jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht. Mund të mësojmë se lumturia na mundësohet pavarësisht nga rrethanat tona.
Mënyra më e mirë se si mund t’i nderojmë e t’u tregojmë mirënjohje pionierëve është duke përfshirë në vetë jetën tonë besnikërinë ndaj urdhërimeve të Perëndisë, dhembshurinë dhe dashurinë për bashkëqeniet tona dhe zellin, optimizmin e gëzimin që pionierët i treguan kaq mirë me vepra në vetë jetën e tyre.
Ndërsa bëjmë kështu, ne mund t’i përshkojmë dekadat e kohës, t’i marrim duart e atyre pionierëve fisnikë tek tonat dhe t’u shtojmë zërave të tyre zërin tonë teksa këndojmë së bashku: “Gjithçka mir’ do të jet’! Gjithçka mir’ do të jet’!”
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i First Presidency Message, July 2015. Albanian. 12587 101