Mesazhi i Vizitave Mësimore, Korrik 2015
Tiparet Hyjnore të Jezu Krishtit: Falës dhe i Mëshirshëm
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.
Të kuptuarit se Jezu Krishti ka qenë falës dhe i mëshirshëm ndaj nesh, mund të na ndihmojë t’i falim e t’u zgjatim mëshirë të tjerëve. “Jezu Krishti është Shembulli ynë”, tha Presidenti Tomas S. Monson. “Jeta e Tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurin Ai e shëroi; të shtypurin Ai e ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi. Më së fundi turma e zemëruar ia mori jetën Atij. Dhe prapëseprapë kumbojnë nga kodra e Golgotës fjalët: ‘Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’ – një shprehje kurorëzuese në vdekshmëri e dashamirësisë dhe e dashurisë.”1
Nëse ua falim të tjerëve shkeljet e tyre, edhe Ati ynë Qiellor do të na falë ne. Jezusi na kërkon: “Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm” (Lluka 6:36). “Falja për mëkatet tona vjen me kushte”, tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Ne duhet të pendohemi. … A nuk i jemi afruar të gjithë butësisht pajtuesit të mëshirës e jemi lutur për të marrë hir, herë pas here? A nuk kemi uruar me të gjithë energjinë e shpirtrave tanë për mëshirë – për të marrë falje për gabimet që kemi bërë dhe për mëkatet që kemi kryer? … Lejojeni Shlyerjen e Krishtit që t’jua ndryshojë e t’jua shërojë zemrën. Duajeni njëri-tjetrin. Faleni njëri-tjetrin.”2
Shkrime të Shenjta Shtesë
Nga Shkrimet e Shenjta
“Ne duhet të falim madje ashtu siç falemi”, tha Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.3 Historia e djalit plangprishës na tregon të dyja anët e faljes: një bir falet dhe biri tjetër e ka të vështirë të falë.
Biri më i ri e mori trashëgiminë e tij, e harxhoi me shpejtësi dhe, kur ra zia e bukës, ai u përpoq të ushqehej me lendet e derrave. Shkrimet e shenjta thonë se, kur “erdhi në vete”, u kthye në shtëpi dhe i tha të atit se nuk ishte më i denjë të ishte biri i tij. Por i ati e fali dhe theri një viç të majmë për një gosti. Biri më i madh u kthye nga puna në fushë dhe u zemërua. Ai i kujtoi të atit se kishte shërbyer për shumë vjet, nuk i kishte shkelur kurrë urdhrat e megjithatë “kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi”. I ati u përgjigj: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri” (shih Lluka 15:11–32).
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i Visiting Teaching Message, July 2015. Albanian. 12587 101