Mesazhi i Vizitave Mësimore, Dhjetor 2015
Tiparet Hyjnore të Jezu Krishtit: I Dhembshur dhe Dashamirës
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e tipareve hyjnore të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.
“Në shkrimet e shenjta, dhembshuri do të thotë fjalë për fjalë ‘të vuash me’. Gjithashtu do të thotë të tregosh simpati, keqardhje dhe mëshirë për një tjetër.”1
“Jezusi na dha shumë shembuj të shqetësimit të dhembshur”, tha Presidenti Tomas S. Monson. “Burri i gjymtuar në pellgun e Betesdës; gruaja e zënë në shkelje kurore; gruaja në pusin e Jakobit; e bija e Jairit; Llazari, vëllai i Maries dhe Martës – secili përfaqësonte një fatkeqësi në udhën për në Jeriko. Secili kishte nevojë për ndihmë.
Të gjymtuarit në Betesda, Jezusi i tha: ‘Çohu, merr vigun tënd dhe ec’. Gruas mëkatare i erdhi këshilla: ‘Shko dhe mos mëkato më’. Për ta ndihmuar atë që erdhi të mbushte ujë, Ai siguroi një pus uji ‘që gufon në jetë të përjetshme’. Bijës së vdekur të Jairit i erdhi urdhri: ‘Vajzë, ty po të them: Çohu’. Llazarit të varrosur: ‘Eja jashtë’.
Shpëtimtari ka treguar gjithnjë aftësi të pakufizuara për dhembshuri. … Le t’i hapim dyert e zemrave tona, që Ai – shembulli i gjallë i dhembshurisë së vërtetë – të mund të hyjë.”2
Shkrime të Shenjta Shtesë
Psalmeve 145:8; Zakaria 7:9; 1 Pjetër 3:8; Mosia 15:1, 9; 3 Nefi 17:5–7
Nga Shkrimet e Shenjta
“Bashkëshorti im dhe unë u gjunjëzuam në krahë të vajzës sonë 17-vjeçare dhe u lutëm që jeta e saj të kursehej”, tha Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. “Përgjigjja qe ‘jo’ por. … ne kemi arritur të dimë … se … [Shpëtimtari] ndien dhembshuri për ne gjatë pikëllimeve … tona.”3
“Një ndër historitë e mia të parapëlqyera nga jeta e Shpëtimtarit, është ajo e Llazarit. Shkrimet e shenjta na tregojnë se ‘Jezusi e donte Martën, motrën e saj [Marian] dhe [vëllanë e tyre] Llazarin’.”4 Jezusit i çuan fjalë se Llazari qe shumë sëmurë por, kur Ai mbërriti, Llazari kishte vdekur tashmë. Maria vrapoi drejt Jezusit, i ra ndër këmbë dhe qau. Jezusi, kur pa se Maria po qante, “psherëtiu në frymë dhe … qau” (Gjoni 11:33, 35).
“Kjo është detyra jonë. Ne duhet të ndiejmë dhe të shohim për veten tonë, dhe më pas t’i ndihmojmë të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të ndiejnë dhe të shohin e të dinë se Shpëtimtari ynë ka marrë mbi Vete jo vetëm të gjitha mëkatet tona por edhe dhimbjet, vuajtjet dhe hidhërimet tona në mënyrë që Ai të mund të dijë se çfarë ndiejmë dhe se si të na ngushëllojë.”5
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i Visiting Teaching Message, December 2015. Albanian. 12592 101