2015
Kini Kohë për Shpëtimtarin
dhjetor 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, Dhjetor 2015

Kini Kohë për Shpëtimtarin

Një tjetër periudhë Krishtlindjeje na pret dhe me të agimi i një viti të ri. Megjithatë duket sikur ishte dje që po e kremtonim lindjen e Shpëtimtarit dhe po vinim qëllime vjetore.

Midis qëllimeve tona vjetore për këtë vit, a e vumë ne si qëllim që të kemi kohë në jetën tonë dhe vend në zemrat tona për Shpëtimtarin? Pavarësisht se sa të suksesshëm mund të kemi qenë deri tani në përmbushjen e këtij qëllimi, jam i sigurt se ne të gjithë urojmë të bëjmë më mirë se kaq. Kjo periudhë Krishtlindjeje është koha e përsosur për t’i shqyrtuar hollësisht e për t’i ripërtërirë përpjekjet tona.

Në jetën tonë të ngarkuar, me përherë kaq shumë gjëra të tjera që hahen për [të tërhequr] vëmendjen tonë, është thelbësore që të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme, të përkushtuar për ta sjellë Krishtin në jetën tonë dhe në shtëpitë tona. Dhe është jetike që ne, ashtu si Dijetarët nga Lindja, të mbetemi me sy të ngulur te ylli i Tij e të “[vijmë] për ta adhuruar”1.

Më tej përgjatë brezave të kohës, mesazhi nga Jezusi ka qenë i njëjtë. Pjetrit dhe Andreas pranë brigjeve të Galilesë, Ai u tha: “Ndiqmëni”2. Filipit iu drejtua thirrja: “Ndiqmë”3. Levitit që rrinte në doganë, i erdhi udhëzimi: “Ndiqmë”4. E po ta dëgjojmë, edhe juve, edhe mua, do të na bëhet e njëjta ftesë: “Ndiqmëni”5.

Ndërsa i ndjekim gjurmët e hapave të Tij sot dhe ndërsa matemi me shembullin e Tij, ne do te kemi mundësi për ta bekuar jetën e të tjerëve. Jezusi na fton të japim nga vetja: “Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme”6.

A ka ndonjë për të cilin ju do të jepni shërbim këtë Krishtlindje? A ka ndonjë që e pret vizitën tuaj?

Vite më parë, bëra një vizitë të shkurtër Krishtlindjeje në shtëpinë e një vejushe të moshuar. Ndërsa isha aty, ra zilja e derës. Aty në derë rrinte në këmbë një mjek shumë i zënë dhe i njohur. Atë nuk e kishin thirrur; përkundrazi, ai thjesht kishte ndier një nxitje për t’i bërë vizitë një pacienteje që ishte e vetmuar.

Gjatë kësaj periudhe, zemrat e atyre që janë të mbyllura, hapen dhe janë të etura për një vizitë Krishtlindjeje. Një Krishtlindje, ndërsa po vizitoja një qendër përkujdesjeje, u ula dhe fola me pesë zonja të moshuara, nga të cilat më e moshuara ishte 101 vjeç. Ajo ishte e verbër, prapëseprapë ma njohu zërin.

“Peshkop, je pak me vonesë sivjet!”, tha ajo. “Mendova se nuk do të vije më kurrë.”

Ne kaluam një kohë të mrekullueshme së bashku. Megjithatë, një paciente shikonte përmallshëm nga dritarja dhe përsëriste pa pushim: “E di që djali im do vijë të më shikojë sot”. Pyeta veten nëse do të vinte, sepse kishte pasur periudha të tjera Krishtlindjesh kur ai madje as nuk kishte telefonuar.

Ka ende kohë këtë vit për ta shtrirë dorën ndihmëse, zemrën e dashur dhe shpirtin e gatshëm – me fjalë të tjera, për të ndjekur shembullin e vendosur nga Shpëtimtari ynë dhe për të shërbyer ashtu si Ai do të donte të shërbenim. Ndërsa i shërbejmë Atij, ne nuk do ta humbasim mundësinë tonë, siç bëri hanxhiu i lashtësisë7, për të pasur kohë për Të në jetën tonë dhe vend për Të në zemrat tona.

A mund ta kuptojmë premtimin e mrekullueshëm që përmban mesazhi i engjëllit dhënë barinjve që qëndronin në fushë: “Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh …; sepse sot … lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”8.

Ndërsa këmbejmë dhurata për Krishtlindje, e kujtofshim, e vlerësofshim dhe e pranofshim më të madhen e gjithë dhuratave – dhuratën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë që të mund të kemi jetë të përjetshme.

“Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”9

E ndjekshim Atë, i shërbefshim Atij, e nderofshim Atë dhe i pranofshim në jetën tonë dhuratat e Tij për ne, që të mund të jemi, me fjalët e Atë Lehit, të “rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij”10.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Presidenti Monson na bën thirrje që të “bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme, të përkushtuar për ta sjellë Krishtin në jetën tonë dhe në shtëpitë tona”. Merreni parasysh ta diskutoni me ata të cilëve u jepni mësim, mënyrën se si ata mund ta bëjnë këtë përpjekje të ndërgjegjshme, secili më vete dhe si familje. Mund të merrni parasysh t’u kërkoni atyre të mendojnë rreth një personi apo familjeje të caktuar që mund të vizitojnë apo t’i shërbejnë këtë Krishtlindje. “Ka ende kohë këtë vit për ta shtrirë dorën ndihmëse, zemrën e dashur dhe shpirtin e gatshëm.”