Mesazhi i Presidencës së Parë, Korrik 2016
Të Vërtetë ndaj Besimit të Stërgjyshërve Tanë
Xhon Linfordi ishte 43 vjeç kur ai dhe bashkëshortja e tij, Maria dhe tre nga bijtë e tyre morën vendimin për t’u larguar nga shtëpia e tyre në Grejvli, Angli, për të udhëtuar për mijëra kilometra që të bashkoheshin me shenjtorët në luginën e Grejt Solt-Lejkut. Ata e lanë pas djalin e katërt, i cili po shërbente në një mision, i shitën pronat e tyre dhe në Liverpul hipën në anijen Thornton.
Udhëtimi nga deti për në qytetin e Nju-Jorkut dhe prej andej nga toka për në Ajoua, rezultoi i qetë. Megjithatë telashet filluan, pak pasi familja Linford dhe shenjtorë të tjerë që kishin lundruar me anijen Thornton u larguan nga qyteti i Ajouës më 15 korrik 1856, si pjesë e kompanisë fatkeqe të karrocave të dorës të Xhejms G. Uillit.
Moti i ashpër dhe udhëtimi i rëndë bëri dëme te shumë nga kompania, përfshirë Xhonin. Ai përfundimisht u bë aq i sëmurë e i dobët sa duhej ta shtynin në një karrocë dore. Deri në kohën kur kompania mbërriti në Uajoming, gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm. Një skuadër shpëtimi nga Solt-Lejk-Siti mbërriti më 21 tetor, vetëm disa orë pasi kishte mbaruar udhëtimi i Xhonit në vdekshmëri. Ai kishte vdekur atë mëngjes herët buzë lumit Suituotër.
A u pendua Xhoni që e kishte shkëmbyer rehatinë dhe qetësinë me mundimet, kufizimet e vështirësitë e çuarjes së familjes së tij në Sion?
“Jo, Maria”, i tha ai bashkëshortes së vetë pak përpara se të vdiste. “Jam i gëzuar që erdhëm. Unë nuk do të jetoj për ta arritur Solt-Lejk-un, por ti dhe djemtë po, dhe unë nuk ndiej keqardhje për gjithçka kemi kaluar nëse djemtë tanë mund të rriten e t’i ngrenë familjet e tyre në Sion.”1
Maria dhe bijtë e saj e përfunduan udhëtimin e tyre. Kur Maria ndërroi jetë afërsisht 30 vjet më vonë, ajo dhe Xhoni kishin lënë pas një trashëgimi besimi, shërbimi, përkushtimi dhe sakrifice.
Të jesh një shenjtor i ditëve të mëvonshme është të jesh një pionier, sepse përkufizimi i një pionieri është “dikush që shkon përpara për të përgatitur ose hapur udhën që ta ndjekin të tjerët”2. Dhe të jesh pionier është të familjarizohesh me sakrificën. Ndonëse anëtarëve të Kishës nuk u kërkohet më të largohen nga shtëpitë e tyre që të bëjnë udhëtimin për në Sion, ata shpesh duhet të lënë pas zakone të vjetra, tradita të një kohe të gjatë dhe miq të shtrenjtë. Disa marrin vendimin torturues për të lënë pas pjesëtarë të familjes që e kundërshtojnë anëtarësinë e tyre në Kishë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme lëvizin përpara gjithsesi, duke u lutur që njerëzit e çmuar prapëseprapë do ta kuptojnë e pranojnë.
Shtegu i një pionieri nuk është i lehtë, por ne ndjekim gjurmët e hapave të Pionierit më të mirë – madje Shpëtimtarit – i cili shkoi përpara, duke na treguar udhën që duhet të ndjekim.
“Eja e më ndiq”3, na ftoi ai.
“Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”4, deklaroi Ai.
“Le të vij[në] tek unë”5, bëri thirrje Ai.
Udha mund të jetë e lodhshme. Disave iu duket e vështirë t’u bëjnë ballë përqeshjeve dhe vërejtjeve të pahijshme të të marrëve që tallin dëlirësinë, ndershmërinë dhe bindjen ndaj urdhrave të Perëndisë. Bota ia ka ulur përherë vlerat bindjes ndaj parimit. Kur Noeu u udhëzua të ndërtonte një arkë, populli i marrë pa nga qielli pa re dhe më pas e përqeshën dhe e tallën – derisa erdhi shiu.
Në kontinentin amerikan shumë shekuj më parë, njerëzit dyshuan, kundërshtuan dhe nuk u bindën derisa zjarri e përpiu Zarahemlën, dheu e mbuloi Moronihën dhe uji e gllabëroi Moronin. Nuk pati më fishkëllima tallëse, përqeshje, përdhosje e mëkat. Ato qenë zëvendësuar nga qetësia e zymtë, errësira e dendur. Durimit të Perëndisë i kishte ardhur fundi, koha e Tij ishte sosur.
Maria Linfordi nuk e humbi kurrë besimin e vet pavarësisht nga përndjekja në Angli, vështirësitë e udhëtimit të saj për te “vendi … [që] Perndia … dha”6, dhe nga sprovat pasuese që ajo duroi për familjen e saj dhe Kishën.
Në një ceremoni buzë varrit në vitin 1937 që iu kushtua kujtimit të Maries, Plaku Xhorxh Albert Smith (1870–1951) i pyeti pasardhësit e saj: “A do të jetoni të vërtetë ndaj besimit të paraardhësve tuaj? … Përpiquni njëmend të jeni të denjë për të gjitha sakrificat që [ata] kanë bërë për ju.”7
Teksa kërkojmë ta ndërtojmë Sionin në zemrat tona, në shtëpitë tona, në komunitetet tona e në vendet tona, e kujtofshim guximin e patundur dhe besimin e qëndrueshëm të atyre që dhanë gjithçka të vetën që ne të mund t’i gëzojmë bekimet e ungjillit të rivendosur, me shpresën dhe premtimin e tij nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/16. Miratuar për përkthim: 6/16. Përkthim i First Presidency Message, July 2016. Albanian. 12867 101