Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2016
Pas Dashurisë, Po Pastaj Çfarë?
Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, dha mësim se “dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit”1.
Dashuria është aq e rëndësishme sa Jezusi e quajti atë “urdhërimi[n e] parë dhe [të] madhi[n]” dhe tha se çdo pjesëz tjetër e ligjit dhe e fjalëve të profetëve varet mbi të.2
Dashuria është shtysa kryesore për gjithçka që bëjmë në Kishë. Çdo program, çdo mbledhje, çdo veprim, pjesë e të cilit jemi si dishepuj të Jezu Krishtit, duhet të burojë nga ky tipar – sepse pa dashurinë hyjnore, “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”, ne nuk jemi asgjë.3
Pasi e kuptojmë këtë me mendjen dhe zemrën tonë, pasi e shpallim dashurinë tonë për Perëndinë dhe për bashkëqeniet tona – po pastaj çfarë?
A është e mjaftueshme të ndiejmë dhembshuri e dashuri për të tjerët? A e përmbush shpallja e dashurisë sonë për Perëndinë dhe për fqinjin tonë detyrimin tonë ndaj Tij?
Shëmbëlltyra e Dy Bijve
Në tempullin e Jerusalemit, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve iu afruan Jezusit për ta zënë Atë me fjalët e Tij. Megjithatë, Shpëtimtari e ndryshoi situatën duke u treguar atyre një histori.
“Një njeri kishte dy bij”, e filloi Ai. Babai shkoi tek i pari dhe i kërkoi të punonte në vresht. Por i biri nuk pranoi. Më vonë ai bir “i penduar, shkoi”.
Babai pastaj shkoi te biri i dytë dhe i kërkoi të shkonte të punonte në vresht. Biri i dytë e siguroi se do të shkonte, por nuk shkoi kurrë.
Më pas, Shpëtimtari u kthye nga priftërinjtë e pleqtë dhe i pyeti: “Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?”
Atyre iu desh ta pranonin se ishte biri i parë – ai që tha se nuk do të shkonte por që më vonë u pendua dhe shkoi të punonte në vresht.4
Shpëtimtari e përdori këtë histori për të theksuar një parim të rëndësishëm – ata që u binden urdhërimeve janë ata që e duan vërtet Perëndinë.
Mbase kjo është arsyeja përse Jezusi u kërkoi njerëzve që t’i dëgjonin dhe t’i zbatonin fjalët e farisenjve e skribëve por të mos e ndiqnin shembullin e tyre.5 Këta mësues të fesë nuk i bënin ato që thonin. Atyre iu pëlqente fort të flisnin për fenë, por për fat të keq ata nuk e rroknin dot thelbin e saj.
Veprimet dhe Shpëtimi Ynë
Në një nga mësimet e fundit të Shpëtimtarit për dishepujt e Tij, Ai u foli atyre për gjykimin përfundimtar. Të ligjtë dhe të drejtët do të ndaheshin. Të mirët do të trashëgonin jetën e përjetshme; të ligjtë do t’i dorëzoheshin ndëshkimit të përjetshëm.
Cili ishte ndryshimi midis dy grupeve?
Ata që e treguan në praktikë dashurinë e tyre nëpërmjet veprimit, u shpëtuan. Ata që nuk e bënë, u ndëshkuan.6 Kthimi i vërtetë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit dhe te vlerat e parimet e tij do të dëshmohet nga veprimet tona në jetën tonë të përditshme.
Në fund, thjesht shpallja e dashurisë për Perëndinë dhe bashkëqeniet nuk do të na kualifikojë ne për ekzaltim. Pasi, siç Jezusi dha mësim: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”7.
Çfarë Vjen pas Dashurisë?
Përgjigjja për pyetjen “Pas dashurisë, po pastaj çfarë?” mund të jetë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Nëse e duam vërtet Shpëtimtarin, ne i drejtojmë zemrat tona kundrejt Tij dhe më pas ecim në shtegun e dishepullimit. Kur e duam Perëndinë, ne do të përpiqemi t’i mbajmë urdhërimet e Tij.8
Nëse i duam vërtet bashkëqeniet tona, ne zgjatemi për të ndihmuar “të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit”9. Pasi ata që i bëjnë këto vepra vetëmohuese dhembshurie dhe shërbimi10, madje ata janë dishepuj të Jezu Krishtit.
Kjo është ajo që vjen pas dashurisë.
Ky është thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/16. Miratuar për përkthim: 6/16. Përkthim i First Presidency Message, September 2016. Albanian. 12869 101