Mesazhi i Presidencës së Parë, Dhjetor 2016
Paqe në Këtë Jetë
Të gjithëve ne që kemi ardhur në vdekshmëri, Shpëtimtari na tha: “Në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33). Prapëseprapë Ai ua dha dishepujve të Tij këtë premtim të mrekullueshëm gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota” (Gjoni 14:27). Është një ngushëllim i madh të dimë se ky premtim për paqe vetjake vazhdon për të gjithë dishepujt e Tij sot.
Disa prej nesh jetojnë në mjedise të bukura e paqësore, prapëseprapë ne po përjetojmë trazira të brendshme. Të tjerët ndiejnë paqe dhe qetësi të përsosur në mes të humbjes së madhe vetjake, tragjedisë dhe sprovave të vazhdueshme.
Ju mund ta keni parë mrekullinë e paqes në fytyrën e një dishepulli të Jezu Krishtit ose mund ta keni dëgjuar në fjalët e tij apo të saj. E kam parë atë shumë herë. Nganjëherë ka ndodhur në një dhomë spitali ku një familje mblidhet rrotull një shërbëtori të Perëndisë, të cilit po i afrohet vdekja.
Më kujtohet kur vizitova një grua në spital pak ditë përpara se të vdiste nga kanceri. I kisha marrë dy bijat e mia të vogla që të më shoqëronin, sepse kjo motër e ëmbël kishte qenë dikur mësuesja e tyre e Fillores.
Pjesëtarët e familjes së saj qenë mbledhur rrotull shtratit të saj, me dëshirën për të qenë me të në çastet e saj të fundit në tokë. U befasova kur ajo u ngrit ndenjur mbi shtrat. Ajo u zgjat për te bijat e mia dhe i prezantoi ato të dyja, një e nga një, me secilin pjesëtar të familjes së vet. Ajo foli sikur bijat e mia të ishin pjesëtare të një familjeje mbretërore që po paraqiteshin në oborrin e një mbretëreshe. Ajo gjeti një mënyrë për të thënë diçka rreth mënyrës se si secili person në dhomë qe një dishepull i Shpëtimtarit. Ende më kujtohet forca, butësia dhe dashuria në zërin e saj. Dhe më vjen ndër mend se isha i befasuar nga buzëqeshja e saj plot gaz madje edhe kur ajo e dinte se koha e vet për të jetuar ishte e shkurtër.
Ajo kishte marrë bekime nga priftëria për ngushëllim, e prapëseprapë ajo na dha të gjithëve një dëshmi të gjallë se premtimi i Zotit për paqe është i vërtetë: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33).
Ajo e kishte pranuar ftesën e Tij, ashtu sikurse mundemi të gjithë, cilatdo qofshin sprovat dhe telashet tona:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:28–29).
Është vetëm nëpërmjet ndjekjes së Shpëtimtarit që secili prej nesh mund të gjejë paqe e qetësi në sprovat që do të na vijnë të gjithëve.
Lutjet e sakramentit na ndihmojnë të dimë se si ta gjejmë atë paqe në mes të mundimeve të jetës. Teksa e marrim sakramentin, ne mund të vendosim të jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona për ta ndjekur Atë.
Secili prej nesh premton ta kujtojë Shpëtimtarin. Ju mund të zgjidhni ta kujtoni Atë në mënyrën që e tërheq më së shumti zemrën tuaj për tek Ai. Ndonjëherë, për mua, është ta shoh Atë në mendjen time duke u gjunjëzuar në Kopshtin e Gjetsemanit ose ta shoh Atë duke i thirrur Llazarit që të dilte nga varri. Teksa e bëj këtë, ndiej një afërsi me Të dhe një mirënjohje që i sjell paqe zemrës sime.
Ju premtoni gjithashtu që t’i mbani urdhërimet e Tij. Ju premtoni ta merrni mbi vete emrin e Tij dhe të jeni dëshmitari i Tij. Ai premton se, teksa i mbani besëlidhjet tuaja me Të, Shpirti i Shenjtë do të jetë me ju. (Shih DeB 20:77, 79.)
Kjo sjell paqe në të paktën dy mënyra. Fryma e Shenjtë na pastron nga mëkati për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Dhe Fryma e Shenjtë mund të na japë paqen që vjen nga pasja e miratimit të Perëndisë dhe e shpresës për jetë të përjetshme.
Apostulli Pal foli për këtë bekim të mrekullueshëm: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi” (Galatasve 5:22).
Kur lajmëtarët qiellorë e kumtuan lindjen e Shpëtimtarit, ata shpallën: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë” (Lluka 2:14; theksimi i shtuar). Jap dëshminë time si dëshmitar i Jezu Krishtit se Ati dhe Biri i Tij i Dashur mund ta dërgojnë Shpirtin për të na lejuar të gjejmë paqe në këtë jetë, çfarëdo provash që mund të na vijnë neve dhe atyre që duam.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/16. Miratuar për përkthim: 6/16. Përkthim i First Presidency Message, December 2016. Albanian. 12872 101