2016
Gëzimi Familjar Gjendet te Drejtësia
dhjetor 2016


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Dhjetor 2016

Gëzimi Familjar Gjendet te Drejtësia

Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni frymëzim për të ditur se çfarë të tregoni. Si do ta rritë besimin tuaj në Perëndi dhe si do t’i bekojë ato, për cilat kujdeseni nëpërmjet vizitave mësimore, të kuptuarit e dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

Perëndia “krijoi familje për të na sjellë lumturi, për të na ndihmuar të mësojmë parime të sakta në një mjedis me dashuri dhe për të na përgatitur për jetën e përjetshme”1. Për “planin e madh të lumturisë” të Perëndisë (Alma 42:8), Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Plani i Tij shpall se burrat dhe gratë janë ‘që ata të mund të kenë gëzim’ [2 Nefi 2:25]. Ai gëzim vjen kur ne zgjedhim të jetojmë sipas planit të përjetshëm të Perëndisë.”2

Një shtëpi që është e përqendruar te Krishti, siguron mundësitë më të mëdha për sukses. Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkruan atë si një vend “ku mësohet ungjilli, mbahen besëlidhjet dhe ka shumë dashuri”, ku familjet mund të jetojnë “një jet[ë] të bindur” dhe të bëhen “të rrënjosur[a] në mënyrë të qëndrueshme në ungjillin e Jezu Krishtit”3.

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Ne mund të vendosim që do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i zbritur poshtë fuqitë e qiellit në familjen [tonë]”. Dhe ka më tepër gjasë që ne ta nxitim dashurinë, shërbimin, bindjen dhe lumturinë në shtëpitë tona nëpërmjet “dëgjimit të fjalës së Perëndisë [nga fëmijët tanë] dhe më pas nëpërmjet të provuarit të saj me besim. Nëse e bëjnë, natyra e tyre do të ndryshojë në një mënyrë që e prodhon lumturinë që ata kërkojnë”4.

Shtëpitë e Përqendruara te Krishti

Në shkrimet e shenjta kemi modele të shtëpive që janë të përqendruara te Krishti, për t’u marrë shembull. Pasi babai i tij, Lehi, vdiq, Nefi e nxori nga toka e lamanitëve familjen e tij dhe të tjerë që besuan te paralajmërimet dhe zbulesat e Perëndisë e që ua vunë veshin fjalëve të Nefit. Në këtë vend të ri, nefitët mundën t’i mbanin gjykimet, statutet dhe urdhërimet e Zotit në të gjitha gjërat, sipas ligjit të Moisiut (shih 2 Nefi 5:6–10). Prapëseprapë edhe midis nefitëve, disa përfundimisht u bënë të pabindur.

Dhe ndërkohë që pjesëtarët e familjes sonë ndonjëherë mund të largohen nga drejtësia ashtu siç bënë nefitët, prapëseprapë Plaku Skot tha se një shtëpi që është e përqendruar te Krishti “jep sigurinë më të madhe për paqe dhe mbrojtje në shtëpitë tona”. Ai e pranoi se “do të ketë ende mjaft sprova apo dhembje, por edhe në mes të trazirës, ne mund të gëzojmë paqe të brendshme dhe lumturi të thellë”5.

Shkrime të Shenjta Shtesë

3 Gjoni 1:4; 1 Nefi 8:12; 2 Nefi 5:27

Shënime

  1. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.1.4.

  2. Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Liahona, nëntor 2008, f. 92.

  3. Riçard G. Skot, “Për Paqe në Shtëpi”, Liahona, maj 2013, f. 30, 31.

  4. Henry B. Eyring, “The Teachings of ‘The Family: A Proclamation to the World’”, New Era, shtator 2015, f. 5, 6.

  5. Riçard G. Skot, “Për Paqe në Shtëpi”, f. 31.