“Çfarë Është Mbrëmja e Shtëpisë?” Liahona, gusht 2022.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Gusht 2022
Çfarë Është Mbrëmja e Shtëpisë?
Mbrëmja e shtëpisë është një kohë e lënë mënjanë gjatë javës që të mblidhet familja juaj. Gjatë kësaj kohe, mund të “mëso[ni] ungjillin, të forco[ni] dëshmitë, të ndërto[ni] unitet dhe të gëzohen[i] me njëri‑tjetrin” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 2.2.4, ChurchofJesusChrist.org). Mbrëmja e shtëpisë është disi ndryshe për çdo familje. Por synimi është ta përdorim këtë kohë për t’u afruar më shumë së bashku dhe me Shpëtimtarin.
Përgatitja
Mendoni për një veprimtari që i pëlqen familjes suaj, dhe një temë ungjilli që do të donit ta diskutonit dhe rreth së cilës të mësoni më shumë së bashku. Gjithashtu, zgjidhni një ditë dhe një orar çdo javë kur mund të mblidhen shumica ose të gjithë pjesëtarët e familjes. Kisha i nxit anëtarët ta zhvillojnë mbrëmjen e shtëpisë të hënave mbrëma. Por familjet mund të mblidhen kur funksionon më së miri për to.
Lutja
Shumë familje e fillojnë dhe e përfundojnë mbrëmjen e shtëpisë me lutje. Kjo e fton Frymën e Shenjtë në shtëpinë e tyre. Mbrëmja e shtëpisë është një kohë ideale që fëmijët dhe të rriturit të mësojnë të luten me një grup të vogël.
Muzika
Shumë familje kanë gjithashtu një këngë hapjeje dhe mbylljeje. Ato zakonisht zgjedhin një këngë nga libri i himneve ose nga libri i këngëve të fëmijëve. Kisha ka regjistrime në piano të himneve në music.ChurchofJesusChrist.org. Mund të shihni edhe materiale filmike nga Tabernacle Choir at Temple Square. Të kënduarit gjatë mbrëmjeve të shtëpisë i ndihmon pjesëtarët e familjes të mësojnë himnet që këndohen në kishë.
Mësimi
Kisha ka shumë burime që mund të ndihmojnë për mbrëmjen e shtëpisë. Mund të shpenzoni disa minuta për të lexuar dhe diskutuar një artikull nga revistat Liahona, Miku ose Për Forcën e Rinisë. Kjo mund të jetë një kohë për të parë dhe diskutuar materialet filmike të Kishës. Ose mund të lexoni një bisedë nga konferenca e përgjithshme, të lexoni shkrimet e shenjta ose të diskutoni leximet e asaj jave në materialin Eja, Më Ndiq.
Përfshirja si Familje
Fëmijët mund të marrin pjesë në mbrëmjen e shtëpisë. Ata mund të ndihmojnë për planifikimin e veprimtarive, të luten ose t’i zgjedhin dhe drejtojnë këngët. Ata mund të japin edhe mësime. Përpara mbrëmjes së shtëpisë, mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të lexojë një histori te revista Miku ose historinë e vet të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta. Fëmija mund t’ia tregojë më pas atë histori familjes si mësim. Shumë fëmijëve u pëlqen edhe të dramatizojnë ndodhi nga shkrimet e shenjta për mbrëmjen e shtëpisë. Lërini fëmijët më të mëdhenj në moshë ta planifikojnë mësimin ose të zgjedhin një bisedë nga konferenca e përgjithshme të cilën do të donin ta lexonin. Më pas vërini ta drejtojnë diskutimin.
Veprimtaritë
Shumë familjeve iu pëlqen të bëjnë veprimtari si pjesë e mbrëmjes së shtëpisë. Veprimtaritë brenda shtëpisë mund të përfshijnë luajtjen e lojërave, bërjen e punëdoreve ose gatimin së bashku.
Për veprimtaritë jashtë shtëpisë mund të bëni një shëtitje, të bëni një ngjitje në mal si familje ose të luani një sport jashtë së bashku. Gjeni një veprimtari që mund ta bëjnë të gjithë pjesëtarët e familjes dhe zbavituni së bashku. Shmangini çastet konkurruese që mund ta largojnë Shpirtin.
Shërbimi
Mbrëmja e shtëpisë është një kohë e shkëlqyer që familjet t’u shërbejnë të tjerëve. Mund të ndihmoni disa fqinj më të moshuar, të shërbeni ushqime në qendra strehimi për të pastrehët, t’u shkruani misionarëve ose të mblidhni mbeturina, për shembull.
© 2022 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, August 2022. Albanian. 18316 101